30 VJETORI I PJESËMARRJES SË SHQIPTARËVE NË LUFTËN E KROACISË

30 VJETORI I PJESËMARRJES SË SHQIPTARËVE NË LUFTËN E KROACISË

Nga Gjekë Gjonaj, Ulqin 14 janar 2022

Shqiptarët janë komuniteti më i madh jo kroat që ka marrë pjesë në Luftën e Kroacisë për çlirimin dhe pavarësinë e saj nga “forcat terroriste serbe” (siç i ka quajtur  zyrtarisht Kroacia agresorët serbë).  Ata kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në luftën atdhetare kroate dhe në krijimin e shtetit kroat. Këtë e dëshmon pjesëmarrja e tyre në këtë luftë për çlirimin e Kroacisë, e cila filloi në mars të vitit 1991. Shqiptarët  kanë një meritë  të veçantë për themelimin e  shtetit të ri kroat dhe lirinë e tij. Kontributi i tyre zë vend në historinë më të re të këtij shteti, i cili u shkëput në luftë nga ish- Jugosllavia. Ky kontribut  i tyre për çlirimin e mëvetësimin e Kroacisë është një rast që bën krenarë jo vetëm ne shqiptarët, por çdo njeri që çmon dhe nderon lirinë.

 Njësiti i  Parë Ushtarak  i  shqiptarëve në Kroaci

Nga të dhënat  dhe burimet që posedojmë  udhëheqësit  më relevantë  të shqiptarëve anembanë  Federatës së Jugosllavisë, në fillim të viteve 1990-ta, kur Jugosllavia kontrollohej nga regjimi i Slobodan Millosheviqit, i cili e kishte nisur luftën shkatërruese, u bashkuan në Kroaci që të debatojnë për të ardhmen e tyre.  Siç shkruan gazeta “Koha”, më 8 nëntor 2016, gjithçka kishte filluar në Kuvendin e fshehtë mbarëshqiptar të mbajtur në “Stubiçke Toplice”, ku për herë të fundit kishin arritur të bashkojnë krerët dhe përfaqësuesit e të gjitha partive politike shqiptare në Jugosllavi, intelektualë dhe përfaqësues të shoqatave qytetare. Në këtë Kuvend kanë marrë pjesë edhe tre përfaqësues të lëvizjeve ilegale shqiptare në diasporë (Lëvizjes Popullore të Kosovës), të cilët nuk kanë diskutuar dhe, për shkaqe sigurie, nuk kanë pranuar t’u përmendet emri në dokumentimin e ngjarjes. Kuvendi është mbajtur më 19-20 janar të vitit 1991, ku mes tjerash merret vendimi për formimin e Njësitit të Parë Ushtarak të shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Aty sillet vendimi që forcat e armatosura shqiptare fillimisht të marrin pjesë në luftën kroate, e cila sapo kishte filluar, si një formë trajnimi për luftën që projektohej të fillojë edhe në Kosovë. Si rezultat i këtij vendimi, shqiptarët kyçen në luftë përkrah ushtrisë kroate.

Në luftën e Kroacisë kanë marrë pjesë shqiptarë nga Kosova, Maqedonia, Lugina e Preshevës dhe nga Mali i Zi. Një pjesë e konsiderueshme e tyre më vonë i janë bashkangjitur luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇPMB-së dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni. Ata  kanë  marrë  pjesë në aksionin “Olluja” (Furtuna), aksion i cili i dha goditjen përfundimtare okupimit serb  në Kroaci.

Koloneli Tomë Berisha, kryeson  forcat e armatosura shqiptare

Në Kuvendin në “Stubiçke Toplice”, u vendos që të bëhet një ushtri për rezistencë, e cila më vonë do shndërrohej në mbrojtëse të Kosovës. Në krye të njësitit prej afro 320 vetash  ishte emëruar koloneli Tomë Berisha, me origjinë nga Malësia, njëherë edhe kryetar i Lidhjes Demokratike të Shqiptarëve në Kroaci. Ky njësit  për fillim kishte për qëllim rekrutimin e shqiptarëve që në atë kohë largoheshin nga Armata Popullore e Jugosllavisë (APJ). Ndërkohë është formuar edhe shtabi i njësisë shqiptare, ku përveç Tomë Berishës, i cili ishte në krye të Shtabit të Përgjithshëm, në shtab u emëruan edhe Frank Berisha, si zëvendës, Femi dhe Xhevë Lladrovci, Xhezair Miftari dhe Nevxhet Haziri. Ky njësit u emërua si Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK), me shqiponjën në krah dhe me uniformën e vet. Në atë kohë në Kroaci, sipas rrëfimit të veteranit të forcave shqiptare ushtarake  Xhezair Miftarit,  vepronin gjashtë ushtri të ndryshme kroate dhe të gjitha kishin marrëdhënie të mira me ushtarët shqiptarë, sepse e dinin qëllimin tyre, por e kanë ditur edhe qëllimin se pse shqiptarët i kanë futur  në  luftë. Ata kanë menduar se shumë shpejt shqiptarët do t’i  do ta fusin në  luftë në Kosovë dhe kështu ta shpërndajë frontin me serbet dhe ta lehtësojë luftën e tyre.

Afro 2.800 shqiptarë luftuan për  mëvetësinë  e Kroacisë

Në luftën përballë Serbisë mijëra shqiptarë nga ish-Jugosllavia u larguan nga Armata Popullore e Jugosllavisë dhe  veshën  uniformën kroate.  Sipas të dhënave të Shoqatës së Vullnetarëve dhe Veteranëve të Kroacisë  dhe të Shoqatës së Veteranëve Shqiptarë të Luftës Kroate afro 278 shqiptarë vullnetarë të Luftës Atdhetare Kroate luftuan me pushkë  në dorë  përkrahë  forcave kroate, për lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kroacisë, nga të cilët   87 prej tyre  humbën jetën (u vranë),  37 konsiderohen të zhdukur dhe mbi 500 të plagosur.  Sot rreth 300 invalidë shqiptarë të luftës gëzojnë të drejtat e tyre, si veteran të Luftës  në Kroaci. Në mesin e tyre  ka emra gjeneralësh dhe oficerësh shqiptarë: gjeneral Rrahim Ademi, gjeneral Bekim Berisha, gjeneral Agim Çeku dhe të tjerë.

Dëshmorët e parë  ushtarë  midis kroatëve dhe serbëve kanë qenë  shqiptarët Samet Bogujevci  dhe Fadil Saliu.  Ndaj këtyre dy heronjve  shqiptarë Kroacia edhe sot e kësaj dite vazhdon të ketë një respekt të madh dhe i nderon me nderimet më të larta shtetërore.

Në luftën e Kroacisë kanë marrë pjesë edhe 4 vajza shqiptare, 2 nga Maqedonia e Veriut, 1 nga Kosova dhe 1 nga Presheva, e cila vritet në luftë si infermiere. Në një deklaratë për mediat kroate të dhënë pas luftës, njëra prej katër shqiptareve, Remzija nga fshati Sellarcë i Tetovës, e cila më herët kishte mërguar me familjen në Kroaci ka thënë se bashkëluftëtarët kroatë ajo i kishte ndjerë si vëllezër, ndërsa luftën nuk e kishte ndjerë si diçka të bukur.

Luftëtarët shqiptarë  në Luftën e  Kroacisë në pritje të njohjes  së statusit të tyre

Pjesëmarrja vullnetare e luftëtarëve shqiptarë në Luftën e Kroacisë një kohë shumë të gjatë është mbajtur e fshehur për shkak të hakmarrjes së forcave serbe dhe çetnike në Kosovë e treva tjera shqiptare ndaj familjarëve të ushtarëve shqiptarë të cilët i kishin lënë ato në  vendin e vet. Kjo fshehje më vonë u ka kushtuar shumë luftëtarëve shqiptarë për lirinë dhe pavarësinë e Kroacisë, të cilët as pas tri dekadash ky shtet nuk u ka njohur statusin e tyre. Tash 15 vite drejtuesit e shoqatave të Vullnetarëve të Veteranëve të Kroacisë  dhe të Veteranëve Shqiptarë të Luftës Kroate përpiqen të  dokumentojnë pjesëmarrjen e  ushtarëve shqiptarë  në forcat kroate për çlirimin e Kroacisë, por  pa sukses. Kryetari i Shoqatës së Veteranëve Vullnetarë  dhe veteran i kësaj luftë, Tomë Kaçinari deklaroi për televizionin kroat se është i bindur se më në fund do të arrijnë  që  Qeveria e Kroacisë të njohë  përfundimisht statusin e tyre.

 Ulqin, 20 nëntor 2021

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura