(Durrës, 16 janar 2013) – Kur kalon nëpër mendje të këtilla pyetje, njeriu mund ta humbë logjikën, të mbushet me mllef dhe të mos dijë çfarë flet. Sidoqoftë, është e domosdoshme të trajtohen këto tema, sepse të heshturit sjell tragjedi edhe më të mëdha se sa qoftë edhe të folurit gabim.
Në vend të fjalës i papërgjegjshëm, do të mund të përdornim shprehjet: komb kultuaralisht i paformuar, komb mendërisht i paarrirë, do të mund të thuhej: komb logjikisht i mangët. Do të mund të përdoreshin edhe shprehjet: popull i pavetëdijshëm, popull i pasedër, popull servil, popull i konformizmavet të verbër. Të huajt kanë përdorur edhe cilësimin cinik: Popull i paaftë për të bërë shtet. Është folur me të madhe mbi “paaftësinë shtetformuese” të shqiptarëvet. Janë thënë edhe shumë gjëra të tjera dhe vazhdojnë të thuhen.
Ka midis nesh një pjesë shqiptarësh që unë do t’i quaja patriotë negativë. Një palë do të mund të quheshin trima të verbër, që s’e mbajnë dot veten dhe që priren drejt gjithfarë ekstremesh. Pala tjetër janë ata që unë i kam quajtur patriotë të trembur. Që të dy palët kanë boshllëqe në fushën e njohurivet. Janë, pra, edhe injorantë, të krejtësishëm ose të pjesërishëm.
Patriotët e trembur thonë kështu: “Kur ne ta ulim veten 1 herë, armiqtë tanë do të na poshtërojnë 200 herë.”
Mirëpo, ata, të huajt (të huajt e këqinj, jo të mirët), jo vetëm po na poshtërojnë, por edhe PO VEPROJNË. Them edhe njëherë: PO VEPROJNË dhe shtoj: NË MËNYRË POSHTËRUESE ndaj nesh. Na i rrahin kalamajtë, në Shkup apo diku gjetkë, na futen nëpër shtëpira dhe na keqtrajtojnë gratë, në Preshevë ose diku tjetër, na burgosin burrat, psh në Malësi të Madhe, dhe na i mbajnë nëpër qelira vite me radhë, s’na i lejojnë plakat çame për të vizituar gërmadhat dhe varret e prindëvet të vet… Ndërsa ne vazhdojmë të mburremi me personalitetet që Kombi ynë i ka dhënë gjithë njerëzimit dhe nuk shohim, nuk shikojmë, nuk përpiqemi, për t’u ndrequr e për t’u përsosur secili prej nesh. Sepse, secili prej nesh, me të keqtë vet, ia heq, ia pakëson krejt Kombit, arsyet për t’u mburrur.
Aspektet e papjekurisë mendore, rrjedhimisht edhe morale, të një shumice pjesëtarësh të Kombit Shqiptar, janë vërtet të shumtë, aq të shumtë, sa të dhemb kryet kur i kalon nëpër mendje. Por unë tash po ndalem këtu vetëm në njërin prej atyre aspekteve: në aspektin, SI E PËRDORIM NE SHQIPTARËT EMRIN SHQIPËRI. A ka kreteni, idiotësi më të madhe mbi këtë dhe, se sa të mos dish të përdorësh emrin e vendit tënd?! E pra, ne nuk dimë ta përdorim emrin SHQIPËRI. Ne e përdorim emrin SHQIPËRI në mënyrën më të palogjikshme që mund të përfytyrohet. E përdorim emrin SHQIPËRI në mënyrën më skandaloze, që nga postieri apo zdrukthtari deri te akademiku. Te akademiku, me një barrë autoritet në formë aureole rreth kokës!
Dil në terren, regjistroji rastet ku përmendet SHQIPËRIA, 1000 raste, 5000 raste, merri shembujt, me gjithë kontekstet, kthehu në studio dhe bëj analizat. Hapi edhe tekstet që përdoren në shkollat tona të të gjithë niveleve, gjeje atje fjalën SHQIPËRI, veçoje bashkë me kontekstin, shtroji mbi tavolinë të gjithë shënimet dhe bëj analizat.
Një i paformuar do të më thotë: “Është në rregull çdo gjë.” Të tillë ka shumë, përndryshe nuk do ta përdornin ashtu emrin e Atdheut të vet. Një tjetër, gjithashtu i çalë në pikëpamje të formimit, do të më gjejë nja 25 arsyetime dhe përfundimisht edhe ai ka për ta nxjerrë gjendjen e përdorimit të emrit SHQIPËRI, ose fare të rregullt, ose me nevojën për ndonjë riparim “të vogël” aty-këtu, gjë që “e korrigjon vetë koha”. Një i tretë, edhe ai aguridh, por që e quan mendjen e vet më të shëndoshë se mendjen time, do të më vërsulet mua, duke më quajtur anakronik, jorealist, ëndërrimtar, tuhaf, i cekët, deri edhe nazist apo fashist (gjë që më ka ndodhur me njërin, që është kokrra e budallait). Që të gjithë këta së bashku do ta paraqesin veten shkencëtarë të mbaruar, madje edhe atëherë kur dëftesën e 8-vjeçares ta kenë marrë me shkollë nate. (Edhe kjo më ka ndodhur në qindra raste.) Asnjëri nuk do të pranojë se është i paformuar e, rjedhimisht, i papërgjegjshëm.
Përfundimisht, e vetmja rrugë është kjo: Pjesa vërtet e shëndoshë e këtij Kombi duhet t’i hyjë punës dhe t’i mjekojë 1 nga 1 të gjitha dregëzat, të gjitha plagët, të gjithë çibanët, prej të cilëvet, ky Komb vuan. Ky Komb, i cili është rropatur, prej mijëra vjetësh, për t’u bër dikushi, E kjo arrihet VETËM me një mënyrë: duke krijuar INSTITUCIONIN E PËRKUJDESJES GJITHSHQIPTARE dhe duke hapur, kudo që të bëhet e mundur, njësitë vendore të atij Institucioni, FJALËMIRAT E GJUHËS SHQIPE. (Lexo elaboratet përkatës të autorit.)
SHËNIM SHTESË. (Si përforcim i krejt kësaj që thashë më lart.)
NË ABETAREN E GJUHËS SHQIPE, botim i Pegit dhe Dukagjinit, 2012, në asnjë vend, me përjashtim të faqes 2, që nuk u drejtohet fëmijëvet, NUK PËRMENDET SHQIPËRIA. Edhe në faqen 2, e cila nuk u drejtohet fëmijëvet, emrat SHQIPËRI dhe KOSOVË janë përdorur pa cilësimin Republikë. Në këtë mënyrë, Kosovës, tërthorazi, nuk i lihet mundësia për t’u quajtur, AS GJEOGRAFIKISHT, pjesë e Shqipërisë.
E, kur themi: AS GJEOGRAFIKISHT, lexuesi duhet ta dijë që, jo vetëm për Kosovën, por për asnjë pjesë të Shqipërisë, nuk ka kurrfarë vendimi ndërkombëtar, që nga Kongresi i Berlinit, 1878, deri te Pakoja e Ahtisarit, ku të thuhet shprehimisht që, kjo apo ajo pjesë, do të quhet Greqi, Sërbi, Maqedoni apo Mal i Zi, EDHE GJEOGRAFIKISHT.
Kur Bizmarku, më 1878, përdori për Shqipërinë togfjalëshin “Shprehje gjeografike”, ai kish parasysh jo Rep. e sotme të Shqipërisë, por krej Shqipërinë. Ç’bëmë ne me atë “shprehje gjeografike” që kish Bizmarku parasysh? Ndërsa ata, përfshirë aty edhe Bizmarkun, e copëtuan SHTETËRISHT vendin tonë, ne shkuam edhe më tutje: E copëtuam EDHE GJEOGRAFIKISHT, në fjalorin tonë të përditshëm. Mirëfilli fjalor banorësh të papërgjegjshëm, jolargpamës dhe, doemos, jopatriotë, qoftë edhe pa dashje.
Në Abetaren e Gjuhës Shqipe, emri Austri, ndonëse si rastësisht, përmendet në f.116. Edhe emri Amerikë, sërish si rastësisht, përmendet në f.118. Por emri SHQIPËRI, as si rastësisht, nuk përmendet në asnjë faqe tjetër, përveç në f.2, edhe aty GABIM në mënyrën më skandaloze.
Për nxjerrjen në dritë të kësaj Abetareje, kanë vënë firmën 5 shkencëtarë me titullin Prof.Dr., 2 shkencëtarë me titullin Prof.As. dhe 1 shkencëtar me titullin Dr.
Unë po mundohem të përfytyroj sa vështirë e kanë pasur këta njerëz, këta 8 shkencëtarë, të stolisur me aureola njerëzish të ditur, për ta lënë emrin SHQIPËRI jashtë të parit libër që merr në dorë një nxënës shqiptar. Megjithatë, nuk dëgjova që ndonjëri prej profesorëve tanë të ketë refuzuar publikisht pjesëmarrjen në hartimin e kësaj Abetareje. Të ketë refuzuar, pikërisht për shkak se nuk do të mund ta përmendte atje emrin SHQIPËRI.
Nëpër Shqipëri ka me mijëra mësues e mësuese që kanë pranuar ta përdorin këtë Abetare. Abetare të shqiptarëvet, pa emrin SHQIPËRI! As këtu nuk dëgjuam që, ndonjë mësues apo mësuese, ta ketë braktisur punën e mësuesisë, publikisht dhe demonstrativisht, pikërisht sepse në Abetaren, që i është imponuar, nuk është përmendur asnjëherë emri SHQIPËRI.
Shtrojmë tani pyetjet: Në abetaret e Austrisë, a përmendet emri Austri? Në abetaret e Gjermanisë a përmendet emri Gjermani? Në abetaret e Turqisë a pëmendet emri Turqi? Në abetaret e Sërbisë a përmendet emri Sërbi? Në abetaret e Greqisë a përmendet emri Greqi? Në abetaret e Malit të Zi a përmendet emri Mali i Zi? Në Abetaren tonë, të botuar në Stamboll, në vitin 1879, në kohën kur Shqipëria ish ende e pushtuar prej Perandorisë Osmane, a përmendet emri SHQIPËRI? Apo edhe ata kanë pasë frikë ta përdorin?!
Si do të veprojnë tekstologët shqiptarë, profesorët tanë të nderuar, në tekstet e tjerë, për të cilët po flitet se kanë ndërmend t’i unifikojnë? Me ç’kuptim do ta përdorin ata emrin e atdheut të vet? Apo do të vënë emrin EVROPË në vend të emrit SHQIPËRI?!
Dhe, kur detyrohemi të diskutojmë për të këtilla çështje kaq elementare, a s’kemi të drejtë ta shtrojmë dilemën: A jemi apo nuk jemi ne shqiptarët një komb i papërgjegjshëm?!