DILAVER GOXHAJ: ABUZIMI ME PARATË E SHTETIT VARFËRON KOMBIN

Tiranë, 15 Prill 2020: Këto 2-3 ditë po qarkullon nëpër internet një vidio ku pasqyrohet kontrolli në Post-Telekomunikacionin e Kosovës, i kryer nga një grup parlamentar, i kryesuar nga depyteti Milaim Zeka. Vidio zgjat katër minuta, por ato katër minuta janë të mjaftueshme për t’u bindur se si ka vepruar gjatë 20 vjetve të pasluftës klasa politike në Kosovë. Kushdo që e dëgjon revoltohet deri në atë masë sa mund edhe të shprehet: Këta politikanë duhen çuar në gijotinë. Por jo i gjithë populli i di këto poshtërsi, ndryshe LVV nuk do të kishte marrë 32 deputetë, por 62 deputetë në 6 tetorin e viti 2019. Vjedhja, që pasqyrohet në këtë vidio, fillon që nga paga mujore e drejtorit të saj të përgjithshëm, e cila është 5.200 Euro dhe afërsisht po aq edhe pagat e drejtorëve të tjerë.
Mirëpo, ajo vidio nuk mjafton vetëm me kaq. Në atë vidio mësohet se mënyra më mjeshtërore për ta vjedhur popullin janë edhe sponsorizimet e palogjikshme me paratë e shtetit. Vetëm për një vit, kuptohet me aq sa lexon z.Milaim Zeka, ky institucion shtetëror ka shpërblyer këngëtarë të huaj e vendas, madje dhe frizere, televizione, disa ambasada, qytetarë me banim në Londër etj., të cilat mbrijnë shumën e përgjithshme 1.545.400 (një milionë e pesëqindedyzetepë mijë e katërqind) Euro. Të befason fakti se është sponsorizuar edhe një deputet këngëtar me 6.000 Euro! Kjo nuk do shpjegim se sa i thellë ka qenë e është korrupsioni në qeveritë e njëpasnjëshme.
Po ashtu këto ditë është botuar edhe një deklaratë nga qytetari Valdet Deva, ish-pronari i vilës ku banon sot Presidenti Thaçi, i cili dëshmon se menjëherë pas lufte, në janar të vitit 2000, këtë vilë ia kërkoi vëllai i Presidentit Thaçi për Thaçin, duke e blerë me 285.000 marka gjermane; dhe është po Valdeti që shtron pyetjen: Ku e gjeti z.Thaçi atë shumë aq të madhe parashë menjëherë pas lufte?
Mirëpo dihet që në atë periudhë, me shuma të ngjashme kanë blerë vila edhe ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëem Agim Ceku në Fushë Kosovë; edhe ish-komandanti i zonës operative të Llapit, z.Rrustem Mustafa; edhe ish-komandanti i zonës së tretë operative z.Ramush Haradinaj; edhe ish-komandanti i Gardës Kombëtare z.Sylejman Selimi etj.
Ndërsa po këto ditë, avokati nga Drenasi, Gazmend Halilaj, dëshmoi se Sami Lushtaku, në prezencë të tij, mori 1 milionë e 400 mijë marka të mërgimtarëve, në Drenas, në ora 5 të mëngjesit, në ditët e para të qershorit 1999, dhe shtron pyetjen se ku i çoi.FOTO GALERI
Dhe kur në Kuvendin e Dytë Zgjedhor të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, mbajtur në qershor 2004, në Hotel Grandi, unë shtrova propozimin që të vinte në atë kuvend e të jepte llogari udhëheqja e Fondit “Vëndlindja Thërret”, shumica e delegatëve u ngritën në këmbë duke më urdhëruar të ndaloja të flisja dhe të largohesha nga foltorja. Shumica e tyre ishin anëtarë të PDK dhe AAK.
Po këto ditë është hedhur në qarkullim një raport nga projekti “Financimi i Partive Politike”, realizuar nga organizata Çohu!, e cila prezanton shkeljet e bëra pas disa javësh të marrjes së pushtetit nga ana e PDK, pa shpallur tender, duke e shpërblyer kompaninë B2 me fondin për festën e shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt të vitit 2008, vetëm pse e pat sponsorizuar në fushatën zgjedhore; po ashtu shpërbleu me shumën prej 562 mijë euro 52 subjekte të tjera që e kishin financuar këtë parti, (si persona fizikë ose si persona juridikë), duke marrë nga institucionet publike 325 tenderë, vlera e të cilëve arrin në 162 milionë e 517.080 Euro menjëherë pasi PDK mori pushtetin.
Menjëherë pas lufte dihet se ka raportuar në Kuvendin e zgjedhur në marsin e vitit 1998, kryeministri në ekzil Bujar Bukoshi, i cili e bindi atë parlament se vetëm 64 milion Marka Gjermane i kishin tepëruar nga Fondi i 3%!, fond i komanduar nga Isa Mustafa. Dhe dihet që në atë periudhë z.Mustafa ndërtoi kështjellën në Prapashticë. Ajo që të befason është fakti, se ai parlament ua la ato 64 milion markat t’i përdornin Bukoshi e Mustafa, gjoja për bamirësi. Mirëpo deri sot nuk është raportuar se ku shkuan ato 64 milionë marka. Thuaj, po deshe, se nuk ka unitet mes hajnave.
Të gjithë faktet që reshtuam më lart e kanë emërin: abuzim me paratë e shtetit. Por, abuzimi zyrtar me paratë e shtetit varfëron kombin.
Sikundër dihet, në 7 prill 2020 zonja Vjosa Osmani dha një intervistë televizive ku, midis të tjerave, kritikoi korrupsionin dhe mungesën e demokracisë në udhëheqjen e LDK. Menjëherë, përmes një shkrimi në Facebook, veprimtari i hershëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fatmir Bajraj, kritikon znj.Vjosa Osmani, pse ajo foli për këto fenomene, duke thënë: “Botëkuptimi i Kryeparlamentares Vjosa Osmani, ishte kompatibël me atë të levizjeve populiste, revolucionare dhe jo demokratike, lëvizje këto, të cilat kanë humbë terren dhe arsyeshmëri ekzistence në Europën e bashkuar”. Përmes kësaj shprehje, kuptohet se z.Bajraj është kundër luftës ndaj një partie e qeverie që vjedh shtetin. Ky zotëri nuk e di vallë se revolucion kemi atëherë kur luftohet kundër qeverive që vjedhin popullin, sikundër po vepron qeveria Kurti? Po ashtu z.Bajraj nuk e ka të qartë se demokraci do të thotë të kundërshtosh çdo lloj diktature, pasi znj.Vjosa Osmani foli kundër korrupsionit dhe diktaturës në partinë e saj si dhe prej qeverive që ka bashkëdrejtuar LDK në këto 20 vjet. Ajo u tregua e guximshme, por, ja që, ai që është i tillë dhe me karakter për të tjetër është gjithmonë shumë shqetësues.
Por nuk është vetëm znj.Osmani që e thekson këtë korrupsion dhe diktaturë në LDK, por shumë kryetarë degësh të LDK në Kosovë dhe në Evropë, por po mjaftohemi vetëm me pohimin e delegatit të LDK-së, njëherit kryetar i nëndegës së Dobërçanit të Gjilanit, Naser Arifi, i cili shkruan: “LDK më së paku është e atyre të cillët përfituan pozita, paga e benificioneve të tjera, më së paku është edhe e atyre që përmes LDK-së, synim jetësor kanë përfitimin personal e familjar.”
Të gjitha këto fakte të ekspozuara këto 2-3 ditë na çojnë në deklaratën e Kryeministrit Kurti në seancën e 25 marsit 2020: “Sa kam mësuar këto 50 ditë Kryeministër, nuk kam mësuar gjithë jetën time”.
Dhe që, Albini e Vjosa të mos e zgjerojnë më tej sasinë e informacioneve me karakter ani-popullor të kryera nga qeveritë paraardhëse, të gjithë këta: Thaçi, Mustafa, Veseli, Haradinaj, Pacolli dhe Limaj u bashkuan dhe e rrëzuan qeverinë Kurti.
Bashkimin e imponojnë ndjenjat e përbëshkëta të anëtarëve të saj, thotë Sigmund Frojd. Ndaj dhe menjëherë na shkoi mendimi tek ajo çfarë tregon për unitetin e hajnave z.Ahmet Qeriqi te romani autobiografik “Burgu”, i cili thekson: Kriminelët (hajdutët,D.G) duke u mjaftuar fillimisht me propagandë kundër grupit PKMLSHJ, por jo haptas, ata vepronin ilegalisht me grupe tre-katër bashkëmendimtarë, por kishin afinitete për kurdisje e prapaskena. Nuk shfaqnin gatishmëri për përballim as për ndonjë debat. Nuk kishin përgatitje të duhur shkollore e as intelektuale.
A po veprohet në këtë mënyrë edhe kundër LVV, Vjosa Osmanit dhe qeverisë Kurti?

Tiranë, 14 prill 2020

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura