HESHTJA PËR ARDIAN KLOSIN!

Në 10-vjetorin e ndarjes nga jeta

HESHTJA PËR ARDIAN KLOSIN!

Nga Mehmet Metaj

Unë e dija se në 26 prill të këtij viti Ardian Klosi mbushte 10 vjet nga ndarja nga jeta. Prisja me padurim ndonjë shkrim a emision përkujtimor nga kolegët e fushës së tij. Asgjë. Heshtën gjuhëtarët. Nuk e di përse. Heshtën studiuesit e letërsisë. Nuk e shpjegoj dot heshtjen e tyre. Heshtën përkthyesit. Ndoshta për arsye xhelozie…

Por, Ardian Klosi ishte dikush, madje ndër më të shquarit e gjeneratë së vet. Ai shkëlqeu me talentin e tij. E kuptuan këtë edhe ata që nuk ishin të fushës që ai i përkiste.

Pasi pashë me mërzi kalimin në heshtje të këtij 10-vjetori të Danit, unë u ula dhe shkrova modestish disa radhë, pa pretenduar se i kam thënë të gjitha për meritat e tij. Unë thjesht mora guxim të shkruaj modestisht këto radhë, edhe pa qenë i fushës së cilës ai i përkiste dhe la gjurmë.

“Per mortuis aus ben aus nihil” (për të vdekurin ose fol mirë ose mos fol hiç) thoshin latinët. Por rasti i vetëvrasjes së Ardan Klosit është fal atij lloji njeriu që janë sot “specie te rralla” që kanë mbetur në këtë vend gjithsecili nga ne që e njihnim ndjen krahas dhimbjes së ikjes se një njeriu të virtytshëm dhe “lehtësinë” për të folur dhe shkruar mirë pa fund.

Dhe në këtë trishtim për të pikësëpari më vjen në mend ajo që ndodhi dhe e çoi në vdekjen e parakohshme dhe që është epitaf në varrin e Bertold Breht-it, që Ardian Klosi e donte aq shumë dhe e përktheu atë dhe shumë shkrimtarë e poetë Gjerman, përfshi Gëten e Madh, Shilerin etj, “Nga tigrat munda të shpëtoj, por ç’e do më hëngrën krimbat e plehut” (..më hëngrën servilët desh të thoshte…!). Dhe ja si përsëritet historia, por tek ne në forme tragjikomike, dhe nga ky asfiksim shoqërorë iku dhe një njeri fisnik dhe erudit si Ardian Klosi, që jetoi në një vend e shoqëri aspak dinjitoze.!

Ai ishte një publicist, përkthyes, opinionist dhe aktivist i shquar me kontribute të spikatura në periudhën e tranzicionit. Ai përveç veprave dhe botimeve te tij si: “Refleksione” (bashkautor me Edi Ramën), 1991, “Shqipëria zgjim i dhunshëm”, 1991, “Quo vadis Shqipëri”, 1993, “Shqipëria ç’mund të jetë”, 1997, “Robert Schwartz ose dritaret e qytetit tim”, 2007 dhe ne gjermanisht:  “Mbijetesë shqiptare”, 1993, “Fjalor Gjermanisht-Shqip”, 1997 (me W. Fiedler) etj. Ai solli mjeshtërisht në shqip përmbledhjen e plotë të veprës së Franc Kafkës në prozë të shkurtër, si dhe veprën “Kështjella”, duke i përkthyer nga gjermanishtja pas një pune të gjatë. “Me syrin e një klouni”, nga Heinrich Böll, “Adami dhe Evelina”, nga Ingo Schulze, “I humburi”, nga Hans Ulrich Treichel, “101 poezi dashurie”, nga Bertolt Brecht, “Dasmë qyteti”, nga Bertolt Brecht, “Baal”, nga Bertolt Brecht, “Përndjekja dhe vrasja e Zhan Pol Maratit”, nga Peter Weiss, “Skënderbeu”, nga Oliver Jens Schmitt, “Arberia Venedike”, nga Oliver Jens Schmitt, “Vizita e damës plakë” nga Friedrich Dürrenmatt, “Ali Tepelena”, nga François Pouqueville, “Udhëtim dimri”, nga Wilhelm Müller, “Hija e Erës”, nga Carlos Ruiz Zafon etj.

***

… U bënë dhjetë vjet nga ikja apo vetëvrasja e Ardian Klosit. Dhe në këtë përvjetor të dhjetë nuk u kujtua njeri, as sivëllai i tij, sot kryeministër, për ta nderuar të paktën pas vdekjes, për kontributin e tij të madh në edukimin dhe civilizimin e shoqërisë sonë. Kjo më dhemb mua si qytetar i këtij vendi. Por ikjen apo vetëvrasjen e tij para 10 vjetësh ( dhe sivëllaji i Tij, sot kryeministër as e përkujtoj fare..!)

Sidoqoftë, unë ngushëllohem me faktin se disa miq dhe shokë të tij, e kujtuan Ardianin në portalet e tyre. Po sjell disa citime:

“Ardian Klosi ishte njeriu që do të na kujtojë gjithmonë vlerat njerëzore. Ai deshi të eksplorojë përtej jetës, të prekë sa më parë fundin e pashmangshëm, ta gëlltisë jetën në një hurbë të vetme. Ia doli, duke na lënë më të varfër nga ç’jemi, duke na hequr krejt shpresën e një takimi të mundshëm nën qiellin e kësaj bote. Sigurisht do të shihemi mbase atje ku ai gjendet, nëse na përzgjedhin të jemi në të njëjtën botë me të.”(Izet Duraku, fb, 30 Prill, 2022).

Dhe janë të paktë dhe shumë të rrallë tek ne ata që vdekjes i shkojnë me dinjitet si Ardian Klosi, që ishte një fisnik i ditur si ai që iku papritur ne kulmin e vlerave për injorancë dhe të shoqërise tonë dhe për dobësi të shokëve që e lanë vetëm në vetmi (përfshi dhe sivellain e tij sot kryeministër qe nuk është kujtuar për asnjë përvjetor te tij dhe për asnjë vlerësim siç e meritonte Ai..)…dhe ai i lodhur nga kjo iu dorëzua përjetësisë.

Por miku ynë Ardian Klosi bëri atë që s’duhej bërë siç thotë Oskar Ëilde: “Njeriu në këtë jetë mund të bëj gjëra që s´duhen bërë”. Dhe “ikja” e njerëzve të tillë me vlera në një vend qe i shpërfill aq shumë me kujton Hosanate panegjirike Soloniane, që tek ne janë aktuale sot e gjithë ditën ku: “ Glorifikimi deri në ekstazë i absolutizmit shtetëror, lindja dhe zhvillimi pakufij i fetisheve, hyjnizimi i kultit të njëshit, mistifikimi i të vërtetave historike, robotizimi i trurit intelektual përmes inkuizicionit të mendimit të lirë, këto përbejnë tek ne edhe sot e gjithë ditën frymën e ritualit të vjetër të substratit gjiriz, mbi të cilin lëshojnë rrënjë dhe harlisen për bukuri të gjitha llojet e gjëmbaçeve dhe hithrave prej nga do të mund të ushqehen të gjitha segmented e turbullirave të llahtarshme shoqërore.

Propozim i bërë pas vetëvrasjes nga ish-deputeti i Mallakastrës në atë kohë, që Ardian Klosi të njihet si krenaria e Mallakastrës, dhe dhënia e titullit “Krenaria e Mallakastrës” ishte i drejtë. Por mendoj se për vlerat dhe virtytet e tij të rralla dhe kontributi “Si studiues, albanolog, përkthyes, publicist, shkrimtar, analist, eseist si dhe një veprimtar i shquar i shoqërisë civile për të mbrojtur liritë dhe të drejtat themelore të njeriut sipas standarteve europiane” dhe një njeri i përkore Ardian Klosi e meriton të shpallet me tituj të lartë edhe nga Presidenti i Republikës.“

Po ç’ka ndodhur në këtë periudhë 10-vjeçare pas ikjes së A. Klosit ?!

Ne jemi-mbetemi ende në udhëkryq të historisë sonë dhe ç’rol po luajnë intelektualët tanë?

Filozofi ynë dhe një nga figurat më të shquara të Rilindjes Shqiptare, Sami Frashëri nuk e la kot thënien epigramatike kur tha se: “Kalben intelektualët atje ku lartësohen mediokrit“. Dhe s’mbetet tjetër për të thënë veç asaj që tha perseri S. Frasheri: ”Dhëntë Zoti që Shqiptarët shpëtofshin nga njëri-tjetri“. Dhe këtë rrokopujë politike dhe sociale që e ka ngërthyer këtë vend mund dhe duhet ta shpëtojnë vetem intelektualët.

A nuk kumtonte këtë Ardian Klosi në të gjitha shkrimet dhe polemikat e tij? Ja përse duhet ta kujtojmë dhe ta nderojmë këtë personalitet.

Nuk është rasti të shtjellojmë se ç’është intelektuali në teori as në praktik se dihet tashmë. Ciceroni e definon thjesht termin “intelektual” me pasurinë shpirtërore, me njeriun që ka shpirtin e pasur. Po dimensionin dhe peshën e vërtetë fjala intelektual e mori nga një ngjarje që ka ndodhur në Francë. Ishte viti 1895 dhe një kapiten artilerie i akuzuar për tradhti me emrin Alfred Dreyfus u dënua me burgim të përjetshëm. E paditën për tradhtar, po padia nuk ia dëshmonte dot tradhtinë dhe falsifikuan provat. Bënë dëshmi të rreme dhe e dënuan. E gjithë Franca e njihte për tradhtar. Po Alfred Dreyfus nuk e pranonte fajin dhe kur dokumentet u rishqyrtuan u kap fajtori i vërtetë.

Ishte koha ku Emil Zola, me letrën e tij të hapur “J’acuse” (Unë akuzoj) kritikon qeverinë moralisht dhe në mënyrën më të fuqishme bën thirrje për drejtësi për Dreyfus. Rreth 2.000 shkencëtarë, artistë dhe profesionistë të tjerë për herë të parë dolën zyrtarisht të vetëquajtur “les intellectuels” (Intelektualët) bashkohen dhe protestojnë. Përmes kësaj ndërhyrje dhe proteste nis një diskutim i madh për vlerat, për të vërtetën dhe drejtësinë, që përfundimisht do të kurorëzohet me lirinë e Dreyfus-it. Pra, intelektualët u përzien në punë, në gjëra që personalisht nuk i preknin ato, nuk i shqetësonin. Po nga ana tjetër ato ndihmuan për të vërtetën, për vlerat e saj se sa të çmuara janë për shoqërinë. Dhe që nga ajo kohë fjala intelektual ka një konotacion pozitiv në Europë.

Po në Shqipëri? Intelektuali u kthye në shërbyes të sistemeve dhe qeverive që kanë pasuar njëra tjetrën: “Intelektualët dhe artistët janë krahu i djathtë i partisë” – thuhej atëherë. Po sot? Kjo është si duket trashëgimia fatale e intelektualit tonë. Intelektualët dhe sovraniteti i tyre. Intelektualët dhe përgjegjësia e tyre. Urrejtja dhe dashuria ndaj intelektualëve. Intelektualët e bërë zap, intelektualët e shitur, pseudo-intelektualët. Një trashëgimi horror nga diktatura, ku intelektualët ishin pronë e partisë, pronë e diktaturës, në një anonimitet të plotë nuk ishin gjë tjetër vetëm një repart që shkruanin, prodhonin propagandë, si personazhe oruelliane ku bënin trushpëlarjen e popullit. Intelektuali shqiptar sot është i vënë përsëri poshtë nga rivali(armiku) i tij i përjetshëm shteti.

Intelektuali shqiptar e ka këtë të trashëguar, e bën me ndërgjegje, e bën se ka gëlltitur një lugë çorbë të prishur, e bën se, e bën dhe sepse, dhe forma hipotetike e pikëpyetjeve për të gjetur të vërtetën s’ka të mbaruar. Po e vërteta është që intelektuali shqiptar; është i shtrirë për tokë në gjendje nokdaun. Është i shtrirë për tokë, nga mungesa e integritetit dhe sovranitetit, dhe është i shitur dhe i blerë. Është pa shtyllë kurrizore. Është një plastelinë amorfe dhe shteti e deformon si t’i teket. Intelektualët shqiptarë janë kthyer në zombi. Dhe kjo është tradhtia e intelektualëve dhe ky është fataliteti depresiv i shoqërisë sonë.

Ne gjendemi ende në udhëkryq të historisë sonë. Shqipëria jonë sot ndoshta më shumë se kurrë ka nevojë për intelektualë të vërtetë dhe të virtytshëm dhe për njerëz-qytetarë dinjitozë, si Ardian Klosi. Por jo të gjithë ne, që e quajme apo s’e quajmë veten intelektualë mund të kemi këto vlera, se “jo të gjitha mizat bëjnë mjaltë”. Por sidoqoftë nuk duhet lënë vendi në mëshirë të fatit.

“Ky vend vuan nga njerëz gjysmë të mësuar dmth mediokër” thoshte Kasëm Trebeshina. E tillë është dhe gjithë klasa jonë parapolitike siç e quante Moikom Zeqo, mediokre dhe qesharake por e keqja është pasojat tragjike që ajo sjellë dhe që se po e çojnë vendin në greminë.

Kjo për alegori fati apo rrace?!

Nuk e di për alegori fati apo rrace ne vazhdojmë të ironizojmë njëri tjetrin dhe si pasojë e rezultante vetveten dhe kjo Shqipëri mbetet përgjithmonë me krye në hi ?! Nëse i referohemi historisë sonë ndoshta ajo nuk na ka ndëshkuar kot. Unë mendoj se ky vend s´ka të drejtë morale ende’ të thotë  as që ka intelektual as politikanë bile as njerëz normalë përderisa është në këtë gjendje dhe po shkon teposhtë.

Se kur e do puna dhe i kërkon sheshi i mejdanit intelektualët rrinë e presin ose mbeten autoqefalë,  nuk prononcohen dhe me sa duket “preferojnë“ ose të “bashkëjetojnë” me kongresmen ose të rrine kokë më vehte ?!

Aty ku i dituri nuk gjen kurrë prehje!:

Përse vuante dhe shqetësohej Ardian Klosi? Po e përmbledh me pak fjalë mendimin e tij:

Ne jemi ai vend e ai popull ku i dituri s´ka gjetur kurrë prehje, atij ose i është “prerë koka apo gjuha, ose është dëbuar apo detyruar të syrgjynoset”. Edhe sot e gjithë ditën gjoja jemi në demokraci dhe aspirojmë të bashkohemi me Evropën mendja intelektuale nuk dëgjohet dhe paguhet kaq pak  dhe vazhdon të vendos paganizmi ynë mesjetar që sundon në çdo qelizë dhe kjo është shumë domethënëse. Një popull me kulturë baritore. Tek ne lulëzojnë ende pesë anarkitë e Nolit: anarkia fetare, anarkia shoqërore,  anarkia morale, anarkia patriotike dhe anarkia e idealeve. Asnji vend në botë nuk është zhvilluar dot pa vënë në ballë intelektualët. Ky vend megjithë arsimimin masiv që bëri sistemi i kaluar ka ende shumë syresh nga ata që u përkasin kategorisë së njerëzve që kanë lexuar vetëm një libër, kanë parë një teatër dhe një film dhe cicërojnë si gjeli në pleh apo flasin broçkulla të “kripura” dhe të tjeret i dëgjojnë me servilizëm “ala balcanasi”, të prirur më tepër nga rrumpalla se sa nga rregulli e puna dhe këshisoj dinjiteti mbetet vendnumëro?!!

Njerëz dinjitoz-komb dinjitoz !:

Solla këtu disa momente e nënvizime historike për të kërkuar nga vehtja e nga të tjerët, më shumë dinjitet, se me njerëz dinjitoz bëhet pastaj kombi dinjitoz, dhe për ata që i thonë vehtes intelektualë, më shumë mendime e pjesmarrje në jetën publike, se përndryshe do të na sundojë përjetesisht mbreteria e bufave, prevalenca e mediokërve. Të mos e pësojme si herët e tjera që durojmë kur duhet ngutur e ngutemi kur duhet duruar, luftojmë dhe bëjmë zhurmë kur duhet ndenjur urtë dhe rrimë suqut kur duhet thëne açik fjala për ta kuptuar mirë dhe populli se ç´po ndodh në  këtë vend përpara  se të jetë vonë dhe jo post-mortum dhe le të dallohen pastaj ato që duhet të “ikin” ose të rrinë “urtë”. Mendoj se ndoshta është momentum që të mblidhen përseri por në mision ata që i thonë vehtes intelektualë dhe qytetarë dinjitoze dhe ti thonë stop kësaj përdhosje politike dhe sociale, përndryshe historia do përsëritet në frome edhe më banale! Ja, qoftë dhe për këto pak gjëra që thashë pak më lart, duhej kujtuar Ardian Klosi. Heshtja jonë është e pafalshme në të tilla raste.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura