Pashtriku.org, 20. 01. 2013 – (Vështrim mbi librin me poezi “Varg vese” të autores Delvina Kërluku) – Thënia e njohur se poezia është një shqiptim personal i vetë krijuesit, pa dyshim, mund të vërtetohet edhe me anë të vëllimit poetik që mban titullin “Varg vese” të autores Delvina Kërluku. Teksa e lexojmë me vëmendje, në radhë të parë është natyra lirike që na shfaqet aty si arketip nistor dhe si shllim poetik, duke na përqëndruar në një rrafsh tipik subjektiv. Thjesht kemi të bëjmë me një botë shumë të predestinuar për ta përjetuar si të tillë, për arsye se na vjen kryekëput nga sferat e thella shpirtërore, me dhuntinë e natyrshme për të mbetur e pastër dhe e sinqertë deri në fund.
Duke qenë e tillë gjithmonë përshkohet nga ëndrrat dhe dilemat, nga shpresat dhe zhgënjimet, nga zgjimet dhe letargjitë, nga vrullet dhe qetësitë etj. Të gjitha këto situata kaq të larmishme emocionale mbase përqasen e pleksen me një varg ritmesh të theksuara në suazat e një motivi kryesor i cili mëton të mbetet epiqendër me tendenca aktive. Prej aty shpërthen gjithë shqetësimi dhe energjia krijuese, për ta rindërtuar artistikisht atë që ka ndodhur me subjektin, ose atë që është dashur të ndodhë në jetën e tij. Pra, veprimi i këtillë është retrospektiv dhe perspektiv, sintezë e së mundshmes dhe të pamundshmes, realitetit dhe utopisë. Porse, në gjithë këtë ecejake të pandërprerë, e rëndësishme është forca gjykuese, kthjellimi personal për atë që i përket në përgjithësi fatit njerëzor.
Autorja e librit “Varg vese” – Delvina Kërluku.
Së këndejmi mund të thuhet pa mëdyshje se titulli i librit “Varg vese” është një ftillesë programatike, një konceptualitet i paralajmëruar, një paradigmë shpirtërore, ku imponohet a priori një forcë asociative, një metaforë sublime, një semantikë e hollë, e cila na bën të hamendësojmë gjithçka që ka të bëjë me trazimet idividuale. Kjo aq më tepër i shkon çështjes së dashurisë si një ndjenjë që zë vendin kryesor brenda librit në fjalë, me anë të së cilës autorja sikur përpiqet me çdo kusht të paraqesë një lloj ditari erotik, për faktin e thjeshtë se ajo që artikulohet është substancë themelore, materie subjektive, si fat dhe si përvojë, si evokim dhe si bilanc.
Diskursi i veçantë që përdoret në strukturën poetike na shpie në horizontet përkatëse të saj, pikërisht aty ku ndodh beftas një shkundullimë e brendshme, prej nga edhe pason një reagim spontan e i natyrshëm. Kështu fillon të konceptohet gjuha poetike nëpërmjet së cilës ndërtohen dhe transformohen gjërat që ajo i ndien në vetvete, tek marrin përmasa konkrete pa abstraguar asgjë në kontekstin e shpalimit artistik. Pra poezia që në fillim merr karakter shqiptues dhe bisedor, sigurisht duke u nxitur nga hovet e fuqishme për ta shprehur troç qëndrimin e vet ekzaltues:
Ai ishte më shumë se mbret
Në skenë e kishte sjellë vetë Shekspiri
Unë zërin ia dëgjoja qartë, vërtet
Kur më pëshpëriste me limonti:
– E bukura e Qiellit, Ti!
Pra, siç mund të vërehet nga këto vargje, në vetë formulimin poetik të autores ndodh një transformim metaforik; motërzimi i njohur përrallor, togfjalëshi emërtues “E Bukura e Dheut” shndërrohet në motërzim artistik, në togfjalëshin poetik “E Bukura e Qiellit”, me çka subjekti tokësor bëhet subjekt qiellor, pra nga njerëzor bëhet hyjnor. Në fakt kjo është fuqia glorifikuese dhe hiperbolizuese e artit, specifika e gjuhës poetike që sjell atribute estetike.
Dhe në këtë mënyrë autorja arrin ta shkundë psikologjinë e subjektit që vjen drejtpërdrejt nga kujtesa e saj, nga ndjesia e vazhdueshme që ka për të, nga joshja e madhe që e ndjek, por njëherësh arrin ta shkundë edhe psikologjinë e vet, si një komunikim erotik që zhvillohet me anë të fantazisë onirike, përplot nuanca e hollësi të brishta. S’do mend, në këtë rast ka vërtetësi dhe sinqeritet, guxim dhe shpërthim, filozofi dhe reflektim. Gjithsesi është rishikim shpirtëror dhe jetësor, kapërcim nga një moshë në tjetrën, zbulim i esencës dhe përjetimit. Me një fjalë, kjo ecuri na e vijëzon qartë gjendjen emocionale, ballafaqimin e pareshtur, shpresën e fuqishme, utopinë e bukur, realitetin ngacmues etj.
Në fakt kemi të bëjnë me prirjen e jashtëzakonshme për ta zbërthyer qenien personale brenda kohës dhe hapësirës ekzistenciale, brenda simbiozës ndërmjet shpirtit dhe trupit, por edhe brenda vetë njeriut dhe natyrës si subjekt dhe objekt, si një frymë platonike dhe reale njëkohësisht. Rrjedhimisht, mund të thuhet se në vargjet e autores në fjalë dashuria është një ndjenjë par exellence; ajo personifikohet në mënyra të ndryshme, bëhet materie tepër e gjallë, shndërrohet në mit personal, prandaj e shohim tek qesh e vallëzon, tek rron e këndon, tek përmallohet e dhembshurohet, por edhe tek vdes e ringjallet, tek rifillon e rimbudhet etj.
Krahas kësaj, po ashtu bie në sy edhe fakti se kjo autore përqëndrohet edhe në një sferë tjetër po aq të ndijshme, për të dëshmuar në mënyrë artistike praninë e saj shpirtërore dhe fizike. Pra është kjo sfera atdhetare e cila perceptohet si ndjenjë dhe si vizion krijues. Në marrëdhëniet e ngushta subjektive dhe objektive që ekzistojnë brenda realitetit jetësor, ajo arrin të ndërtojë një vizion të qartë për ekzistencën dhe të kumtojë qëndrimin e vet brenda kohës dhe hapësirës, ose më saktësisht, ta ridefinojë dhe ta ripohojë etninë brenda asaj tërësie gjeografike ku bën pjesë si qenie njerëzore.
Jam këtu ku këndojnë kanarinat
Ku lazdrohen gjeraqinat
Kështu e shohim teksa klith poetja me një zë të prerë e absolut, tërthorazi duke krijuar një identifikim poetik të vendit që i përket. Në të vërtetë, duke shpalosur argumentin natyror ose objektiv, ajo ia del që ta flak çdo mëdyshje apo paragjykim të mundshëm. Me anë të kësaj forme e rrënon mitin e supozuar apo të sendërgjuar për tokën atërore, duke u shfaqur me një zë real dhe konkret. Një reagim i këtillë aq sa është spontan, po aq është edhe i angazhuar. Në fund të fundit, krijuesi nuk është vetëm qenie poetike, por edhe qenie sociale. Ai i përket botës tokësore, por që ngulmon të krijojë edhe botën qiellore. Është kjo fjala poetike që i tejkalon kufijtë e përfytyrimit dhe të imagjinatës.
Prandaj, e gjithë kjo mbase flet qartë se poezia e Delvina Kërlukut synon të sjellë një ndjeshmëri të çiltër dhe të qartë para lexuesit, duke e grishur atë vazhdimisht brenda botës së saj, aty ku mund të komunikohet me shpirt dhe me qenie, me sinqeritet dhe me shpresë. Pikërisht këtë na e mundëson diskursi artistik i saj që është kryekëput lirik, i zgjedhur me plot finesë dhe elegancë krijuese.