KUSH JANË DREJTUESIT E “KOLONËS SË PESTË” RUSE NDËR SHQIPTARËT?
Nga Prof.dr. Abdulla Mehmeti, Tetovë 19 Maj 2022
(“Kolona e pestë” e Rusisë në Bullgari duket qartë në politikë, është e pranishme në medie, në shërbimet e inteligjencës dhe në ushtri.” – Tihomir Bezlov, eksperti bullgar i sigurisë, tha për DW)
Pse shqiptarët në Tiranë, Prishtinë, Shkup dhe qendra të tjera shqiptare, duhet të besojnë qorras se nuk ka “Kolonë të pestë” të Rusisë ndër shqiptarët, përderisa pengesa kryesore e shtrirjes së interesave rusomëdha në rajonin tonë historikisht lidhet me shqiptarët autoktonë dhe trojet etnike të tyre?
Kush janë këta faqezinj, si veprojnë, si financohen, si vinë në pushtet, si i dëmtojnë interesat vitale të kombit shqiptar, këtë më së paku e dinë qytetarët shqiptarë, të indoktrinuar, mashtruar dhe joshur përmes parullave atdhetare mashtruese, çorientuese, joproduktive, antihistorike dhe antikombëtare.
Ky duhet të jetë debati kryesor, i hapur dhe pa kompromis ndër shqiptarët, në medie dhe institucione, sidomos nga intelektualët e pa kapur nga kthetrat e pushtetit, të nëntokës kriminale, mafisë politike e fetare dhe agjenturat e huaja.
Goditja sistematike në elementet kryesore që përbëjnë themelet e një shteti, në popullsinë, territorin dhe sigurinë e vendit, dëshmon qartë se sa janë dëmtuar interesat kombëtare të shqiptarëve deri më sot, sidomos gjatë shekullit të fundit dhe sidomos këto tri dekadat e pluralizmit dhe transformimit demokratik në vendet tona.
Fatkeqësisht, gjendja aktuale në vend është tepër shqetësuese, hiq ndihmën dhe përkrahjen nga jashtë, sidomos nga SHBA dhe NATO.
1. Numri i shqiptarëve në vend në tri dekadat e fundit gati është përgjysmuar.
2. Territoret etnike shqiptare të copëtuara, në vend se të ribashkohen (në cilëndo formë), ato pjesë-pjesë ende po u shiten dhe falen shteteve fqinje, sigurisht për forcimin e interesave të Rusisë në rajon).
3. Siguria (ushtria, organet e sigurisë, diplomacia) kryesisht varet nga faktori i jashtëm, në mungesë të strategjisë kombëtare për përballimin e çfarëdo ndërhyrja nga jashtë.
Për ekonominë, pasuritë e vendit, sistemin arsimor dhe hulumtimet shkencore, me këtë klikë injorantësh në pushtet as që mund të paramendohet e ardhmja e shqiptarëve në shtetet dhe trojet tona etnike.
Kush e përbën “Kolonën e pestë” Ruse në hapësirën etnike shqiptare, në Tiranë, Prishtinë, Shkup, Preshevë, Mal të Zi dhe në Mërgatën shqiptare në botën e jashtme, cili është ndikimi i saj dhe cilat janë pistat ku duhet të orientohemi për ta dekontaminuar lëvizjen politike dhe fetare, bizneset, institucionet kulturore, arsimore dhe shkencore, mediet dhe institucionet e pushtetit nga kjo mortajë?!
Bota po ndryshon, duhet të ndryshojë edhe mendësia shqiptare në raport me vlerat demokratike, domosdoshmërinë e krijimit të shtetit të së drejtës, forcimin e shtetit dhe ekonomisë së vendit, rindërtimin e sistemit të ri të vlerave kulturore, arsimore dhe shkencore, në përputhje me sfidat e reja që na presin si komb, jo në varshmëri nga interesat e huaja.
(14 maj 2022)