BARDHYL MAHMUTI: FORMIMI I BLLOKUT TË TRETË POLITIK – SHPRESË PËR NXJERRJEN E SHQIPTARËVE NGA STATUSI I “OPOZITËS”

 (Pashtriku,org, 04. 06. 2012) – «Pozita/Opozita» në Maqedoni dhe populli shqiptar!Blloku i Tretë – Shpresë e vetme për ta nxjerrë popullin shqiptar nga statusi i «opozitës»! Fjala latine oppositus nga «ob» (përpara) dhe «positus» (vendndodhja), pra i vendosur përpara, i vendosur përballë, pozitë e një gjëje përballë një tjetre, në zhvillimin e mendimit politik do të merr kuptimin e pengesës, e asaj që reziston dhe nuk i nënshtrohet “pozitës”, që ka pushtetin politik. Shkurt, çifti «pozitë/opozitë» shpreh raporte forcash dhe statuse sociale në një kontekst të caktuar historik të çdo shoqërie dhe si të tilla nuk mund të shihen të shkëputura njëra nga tjetra.
Një trajtim serioz i çiftit «pozitë/opozitë» në Maqedoni nuk mund të shihet jashtë analizës së hollësishme të statuseve sociale (juridike, politike, ekonomike, kulturore, religjioze etj) të atyre që identifikohen qe disa shekuj me radhë si shqiptarë dhe atyre të cilët nga Konferenca e Partisë Komuniste të Jugosllavisë e vitit 1943 filluan të identifikohen si maqedonas.

BASHKOHU EDHE TI – PER TA MUNDUR TE KEQEN…!

_______________________________________________

Analizat e hollësishme sjellin në mënyrë të pashmangshme te rezultatet se që nga themelimi i Republikës Socialiste të Maqedonisë (si entitet politik shumetnik dhe një partiak) e deri te Republika e Maqedonisë (si entitet politik shumetnik dhe shumë partiak) të gjitha format e pushteteve (pushteti ushtarak, policor, ai politik, pushteti ekonomik etj) nga «pozita» e dominimit janë vënë përballë popullit shqiptar, si «opozitë», si “pengesë” për realizimin e planeve të tyre të shtrirjes dhe dominimit mbi territoret e banuara me shumicë shqiptare.
Rezultatet e analizave të mirëfillta të planeve që synonin etnocidin dhe gjenocidin ndaj shqiptarëve autokton në Maqedoni sjellin faktet rrëqethëse të kësaj lufte «pozitë/opozitë»: mijëra shqiptarë u ekzekutuan pa gjyq; dhjetëra mijë shqiptarë kanë kaluar nëpër hetuesinë dhe burgjet maqedonase; qindra mijë shqiptarë të besimit ortodoks u asimiluan në kombin e krijuar nga komunistët jugosllavë me emrin «maqedonas»; qindra mijë shqiptarë u shpërngulën për në Turqi dhe në vendet e shteteve perëndimore. ….
Lista e krimeve mund të jetë shumë e gjatë dhe të arrihet te i njëjti konkluzioni: funksionimi Maqedonisë është i karakterit të ekskluzivitetit etnik, gjuhësor, kulturor, fetar…
Fakti se në «pozitën» ushtarake, policore, politike, ekonomike … të Maqedonisë një partiake ka pasur edhe shqiptarë të emëruar nga Lidhja e Komunistëve të Maqedonisë, nuk e ndryshon realitetin se në Republikën Socialiste të Maqedonisë populli shqiptar ka qenë në «opozitë»! siç nuk e ndryshon realitetin as fakti se në «pozitën» ushtarake, policore, politike, ekonomike … të Maqedonisë shumë partiake ka pasur edhe shqiptarë të zgjedhur me “votën e lirë”, por në Republikën e Maqedonisë populli shqiptar ka mbetur ende në «opozitë»!
Logjika e dominimit dhe e ekskluzivitetit etnik që është në natyrën e funksionimit shtetëror të Maqedonisë dhe aplikimi i diskriminimit racial ndaj shqiptarëve kanë arritur kulmin duke e shndërruar popullin shqiptar autokton të Maqedonisë në popullin më të shtypur, më të diskriminuar dhe më të varfër në Evropë!
Tejkalimi i kësaj situate tragjike kërkon si parakusht bashkimin përreth një platforme unike që do të synojë realizimin e të drejtave legjitime të popullit shqiptar. Në këtë frymë u bë Apeli publik i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane në krye me Ish-kongresistit amerikan, z. Joseph DioGuardi dhe në këtë frymë janë duke u zhvilluar bisedat në mes RDK-së, DR-së dhe BDSH-së.
Qarqet e caktuara që përpiqen të minojnë këtë iniciativë kanë shpërndarë dezinformata sikur gjoja Bllok i ri politik është duke u krijuar kundër kësaj apo asaj partie politike shqiptare.
Anëtarëve dhe simpatizantëve të partive politike që refuzuan këtë iniciativë duhet t’u bëhet e qartë se ky Bllok shqiptar nuk formohet as kundër BDI-së e as kundër PDSH-së. Është plotësisht e qartë se vetëm disa individëve të këtyre partive, të cilët për interesa personale apo tejet të ngushta klanore, kanë qenë, me rrotacion, në «pozitat» ushtarake, policore, politike, ekonomike… të Maqedonisë, përderisa populli shqiptar, pra edhe shumica dërrmuese e anëtarëve dhe simpatizantëve të këtyre partive, ishin realisht në «opozitë»!
Formimi i Bllokut të tretë politik është shpresë se tërësia e energjive intelektuale dhe patriotike do të kanalizohet në nxjerrjen e popullit shqiptar nga statusi i «opozitës» dhe realizimin e aspiratave për liri dhe demokraci! Prandaj realizimi i këtij qëllimi ka nevojë për mbështetjen e secilit shqiptar, pa marrë parasysh përkatësinë e mëparshme partiake! Është momenti i fundit që interesi i mirëfilltë kombëtar të vihet para “etiketave” partiake!
Në momentet më vendimtare të historisë, si në periudhën kur hidheshin themelet e shtetit shqiptarë para një shekulli, ashtu edhe para një dekade në luftën çlirimtare të Kosovës populli shqiptar që jeton në trojet e veta etnike në Maqedoni ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm!
Sot ai ka nevojë më shumë se kurrë për mbështetje dhe ndihmë!
Krahas harmonizimit dhe mobilizimit përreth një platforme të mirëfilltë kombëtare, populli shqiptar që përjeton diskriminimin racial në Maqedoni ka nevojë që institucionet shtetërore të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, partitë politike që veprojnë në Shqipëri dhe Kosovë, Akademitë e shkencave të dy shteteve, institucionet shkencore, organizatat joqeveritare, intelektualët e pavarur partiakisht, emigracioni shqiptar në SHBA dhe shtetet e Evropës perëndimore dhe çdo personalitet me peshë në skenën kombëtare që të ngrenë zërin e protestës dhe të mbështesin kërkesat tona legjitime.
– Autori është Kryetar i Bashkimit Demokratik Shqiptar

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura