NJË UDHË E GJATË

Nga Rexhep Kasumaj

Korrik 2022, Berlin

Nga shfletimet gjermane

NJË UDHË E GJATË

(Mbi integrimet ballkanike…)

1.

Ballkani perëndimor do mbetej deri sot një terra nullius. Një zonë gri në askujtnajë.

Tragjedia e Ukrainës që paraskicon linja të reja gjeopolitike në arkitekturën siguritare të Europës, shpejtoi Brukselin e tronditur.

Ndaj dhe, pas përplasjeve në shtëpi, do të jepte shenjën e hapjes së bisedimeve me Shqipërinë e Maqedoninë e veriut.

Entuziazmi në Tiranë e Shkup është i madh. Dhe, natyrisht, legjitim.

Porse një hije pret që në kthesën e parë. Shtegu është i gjatë. Madje, si rrëfejnë përvoja aplikantësh të hershëm, maratonike deri në deshpërim, tek humbet kuptimi i pritjes së pafund.

2.

Nga shënimet ndër vite (“Nisma e stabilitetit”, Berlin) është e njohur se, nëse koha e negocijimit me Lituaninë, Letoninë dhe Sllovakinë do të zgjaste 34, me Estoninë, Poloninë dhe Slloveninë mëtej akoma, e pra 56 muaj. Kurse bullgarët e rumunët do të bisedonin katër vjet e tetë muaj. Shumë pak, sigurisht. Sepse Bukureshti e Sofja ishin, vërtetë, shumë larg pragut të vlerave europiane.

Natyrisht, ishte nguti strategjik për t’i vënë gardhin rrethues truallit të vet përballë revanshizmit rus. Dhe kjo mbyllje e njërit sy doli e mirëmenduar. Agresioni rus në Ukrainë provon, mjerisht, saktësinë e pandehmës së atëhershme fatale.

3.

A mund t’i shpresojnë të tjerë, pastaj, kësaj urgjence?

Aspak!

Serbia përplaset tash 4 vjet e 5 muaj në një proces të vështirë anëtarësimi, duke hapur në harkun e gjithsejtë kohor vetëm dy kapituj të shkretë. Kurse Mali i zi pret plot pesë vjet, për të kryer, ndërkohë vetëm tre kapituj, e mandej rënje në alvani politike.

Ndërkaq, Turkia prek vetë majën e bezdisë. Radhëpritja e saj ka stagnuar ku ishte dhe jo më pak se 8 vjet e 8 muaj, për të hapur me mundim një kapitull të vetëm. Në fakt, negociatat me Ankaranë janë suspenduar, ndaj dhe pasonte kronika e lodhshme në pambarim.

Sa ngadalë, si një qerre e prishur ngjan kur të mendosh 35 kapitujt, që vetëm kur të plotësohen të gjithë, hapet Porta e shtëpisë Europë. 

Nga ç’duket, një jetë të tërë brezi mund të konsumojë kandidatura dhe kuvendimet e hyrjes nën strehën e saj.

4.

Mirëpo krejt ndesh me pritjet ëndërrtare, vetë nisja e negociatave nuk përbën asnjëlloj favorizimi: as me përnxitje reformash, as me lekë, as me frymëzim imagjinate, as me edukatë patriotizmi, as me shpërblime dhe as me ulje kriteresh në orët e gjasshme të angështive politike të Europës. 

Por udhën, rëndom, e shoqërojnë fjalëmëdhatë e dyanshme kotnare. Se, me sa dimë tashmë, i dedikohen nëvojës së shpeshtë konjukturale: nga Brukseli për Europën romantike të të gjithëve dhe nga kryeqytetet e vona për mashtrimet zgjedhore.

Çelësi magjik është, që këtej, reformimi e, kjo domethënë, europjanizimi paraprak i jetës politike e sociale të vendeve aplikante. I përskajuar, ai shfaqet i prerë: vota e lirë dhe pushteti i çliruar nga krimi e korrupcioni që i bren esencën jetike të demokracisë. Madje rrëmon vetë themelet e sovraniteteve shtetërore.

Ky çelës i artë, i vetmi, ngadalëson apo shpejton rendjen prej mushke ose ati e, kurrësesi, hapja formale e negocijimit për aderim në Ngrehën komunitare.

Serbia, Turqia e Mali i zi – a nuk janë ekzemplarët trishtues?

Është mungesa e kësaj qytetnie demokratike që mund të mbajë peng ende dhe “nusen” e pafat të Ramës. Ndoshta, po ngelën punët shtetërore kështu, në dorën e deritashme, aherë më gjatë se jeta e tij. Jo vetëm politike…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura
Read More

SAMI BABA!

SAMI BABA! Nga Sheradin Berisha, Pashtriku 28 tetor 2021 Derisa kemi këso SAMI BABASH në politikë shteti shkon…