TAFIL DURAKU: NË EMËR TË KUJT VAJTA T’I KËRKOJ FALJE PROFESORIT TË GJIMNAZIT TË KLINËS?

Burojë, 21. 02. 2016: Lufta i kishte fazat dhe zhvillimet e saj dinamike dhe dramatike, me lëvizje të paparashikuara asnjëherë. UÇK-ja i kishte arrestuar dy të rinj serbë nga qyteza e Klinës, dhe, serbët si hilexhinj e hiletarë të njohur e të mëdhenj, të shqetësuar për fatin e bijve të tyre që i kishte zënë robër UÇK-ja, duke e njohur profesorin e Gjimnazit “Luigj Gurakuqi” të Klinës, A. Abazin (Durakun), dhe, duke e ditur se edhe ai kishte një djalë “hastreti” (dëshiri), kishin kërkuar që ai të ndërhynte dhe të ndërmjetësonte për zgjidhjen e fatit të fëmijëve të tyre.
Abazi, duke qenë në zgripc të “fatit”, me dilemën të ndërhynte a të mos ndërhynte në atë “sherr sebep”, ishte detyruar, gjithsesi, jo nga qejfi, por nga detyrimi, që të nërhynte në zgjidhjen e fatit të të rinjve të arrestuar nga UÇK-ja, por, qe, kjo çështje kishte vajtur fare ters për profesorin Abazi.
Duke qenë vendës, profesori Abazi kishte menduar se të rinjtë e UÇK-së do ta dëgjonin dhe fjalës së tij për lirimin e dy serbëve nuk do t’ia bënin fjalën dysh. Abazi kishte shkuar me bindjen se UÇK-ja do t’i lironte të arrestuarit dhe ai do të kthehej me ta në Klinë.
Por, nuk kishte ndodhur ashtu. Kishte shkuar krejt ters për Abazin. Kot së koti kishte ngulur këmbë Abazi, sepse, djemtë e UÇK-së nuk kishin pranuar t’i lirojnë serbët e zënë dhe kulmi ishte arritur kur Abazi u kishte thënë djemve të UÇK-së se “Nuk do të kthehem për Klinë, pa i marrë dy serbët e arrestuar!” Kjo deklaratë e Abazit e kishte ngritur tensionin, edhe ashtu të ngritur dhe kishte plasur sherri!…

Dikush prej djemve të UÇK-së e kishte marrë në radiolidhje dikë prej SHP të UÇK-së dhe e kishte njoftuar për situatën dhe për plasjen e sherrit mes profesorit të Gjimnazit të Klinës dhe djemëve të UÇK-së. Zëri nga ana tjetër e radiolidhjes kishte pyetur për kë profesor është fjala dhe këtij të kësaj ane të radiolidhjes i i kishte plasur për keq, pa ditur se dy profesorë të atij gjimnazi ishin me të njëjtin emër dhe kishin edhe mbiemra të ngjajshëm. “Nëse është fjala për Abaz B., lani therra n’të!” … Dhe, djemtë e UÇK-së kishin larë therra në Abazin.
Pas një kohe, flitej e çka nuk flitej për rastin e profesor Abazit dhe për ngjarjen e hidhur që kishte ndodhur në Zonën e Lirë të Luftës, madje, për më keq, edhe mes njerëzve që njiheshin… Rastësisht, në zonën e Shtabit Real të UÇK-së, në Açarevë, takohem me një anëtar të SHP (R. S.) dhe më thotë se u bë mirë që u pamë. Sapo u përshëndetëm mesvete, më tha: “Tafil, duhet të shkosh në Klinë dhe t’i kërkosh falje në emër të SHP të UÇK-së profesorit Abaz, sepse, është rrahur gabimisht, është rrahur për Abaz B., profesorin tjetër të gjimnazit “Luigj Gurakuqi” të Klinës.”
Mua, nuk më mbeti tjetër vetëm të shkoja deri në Klinë dhe ta çoja në vend kërkimfaljen e SHP të UÇK-së. U nisa të shkoja menjëherë, atë natë, në Ujmirë, tek tezja dhe te tezakët e mi, të buja aty, dhe, në mëngjes, me trenin e parë të mëngjesit të shkoja në Klinë. Ashtu edhe veprova. Deri sa arrita në Klinë, pata kohë të mendoja se si do të shkoja mëse lehti tek shtëpia e A. Abazit (Durakut), kushëririt dhe profesorit tonë të biologjisë.
Gjatë udhëtimit deri në Klinë më rastisi të kaloja me rrugë hekurudhore fare pranë ish-Fabrikës së Kërpudhave, në Pograxhë të Klinës. E pashë nga afër se Fabrika e Kërpudhave ishte stërmbushur me armatim serb të luftës: tankse, helikopterë, autoblinda të ndryshme, granatahedhës “Kaçusha”, topa lufte e çkajo tjetër që i duhej Serbisë fashiste për ta mundur UÇK-në shqiptare, e, pse jo edhe për të bërë gjenocid e etnocid përmasash shkatërrimtare antinjerëzore ndaj shqiptarëve të pambrojtur dhe të pafajshëm, në kurriz të popullatës civile, në kurriz të pleqve, plakave, grave shtatzëna dhe fëmijëve të pafajshëm, vetëm e vetëm se “fajësia” e tyre ishte se ishin shqiptarë.
– Duhet të kthehem ta marrë Agimin (Agim Durakun, kushëririn dhe bashkëveprimtarin tim, të vrarë më vonë në Burgun e Dubravës) dhe të shkojmë së bashku tek Abazi, sepse, fundja, Agimi e di më mirë se unë shtëpinë e Abazit dhe e di po më mirë se si mund të shkojmë te ai pa u hetuar prej forcave pushtuese serbo-fashiste, thashë më vete.
Sapo shkova, kur më pa, Agimi, u gëzua shumë, u gëzuan edhe të tjerët, po, u gëzova edhe unë kur i pashë dhe i gjeta mirë. Hymë brenda dhe biseduam gjatë me tezën Hafije (nënën heroinë të Agimit) dhe me të tjerët. Agimin dhe të tjerët familjarë i njoftova për qëllimin dhe detyrën e ngarkuar prej SHP të UÇK-së dhe e luta që të shkojmë së bashku te Abazi. Ashtu edhe u bë.
Ndejtëm sa ndenjtëm, pimë kafe e bëmë bisedë pas bisede dhe nuk u durova pa i thënë se ai (Agimi) duhej të largohej nga Klina, pasi që veprimtaria e tij për UÇK-në mund t’u binte në sy forcave serbe dhe jeta e tij ishte në rrezik të vazhdueshëm, pasi që edhe disa prej fqinjve të tij në Klinë, në lagjen ku jetonte Agimi, ishin serbo-çetnikë e shkuar tyre. Tezja Hafije, tha: “Mirë e ke, pasha tezen!”… Gjyla, e shoqja e Agimit, nuk tha gjë. Fëmijët ishin ende të rinj e të vegjël…

Kur mbaruam e u ngopëm me bisedë, unë dhe Agimi u nisëm për te Abazi, kushëriri i ynë. U nisëm dhe morëm një rrugë arash, prapa kurrizit të hekurudhës që çon në Prizren dhe kur arritëm në drejtim të shtëpisë së Abazit, këputëm hekurudhën dhe u gjetëm para shtëpisë së profesorit tonë të nderuar.
Profesori Abaz doli dhe na priti si kushërinj e ish nxënës të tij. Në gjendjen që e pashë, nuk kisha fjalë ta ngushëlloja a të shprehsha keqardhje për atë që i kishte ndodhur. Agimi, e kishte më të lehtë, sepse, e kishte vizituar edhe më parë. Hymë mbrenda, biseduam për ndodhinë dhe për gjendjen, dhe, pasi na tregoi se si kishte ndodhur, më erdhi rasti që t’i kërkoja falje në emër të SHP të UÇK-së. Unë, pa humbur kohë, i thashë: Profesor Abaz, unë, jam këtu sot që të të kërkoj falje në emër të SHP të UÇK-së, sepse, siç më thanë, ti e ke hëngër në emër të Abaz B., profesorit tjetër të Gjimnazit “Luigj Gurakuqi”, prandaj, e mora dhe Agimin, sepse, Agimi i di udhët më mirë këtu…
Profesori Abaz, kur e dëgjoi prej meje kërkimfaljen e SHP të UÇK-së, u lehtësua bukur fort dhe nisi të tregojë historira me Adem Demaçin, i cili kishte qëndruar një kohë të gjatë tek dhëndrri i tij, në shtetet skandinave. Mua dhe Agimin na falënderoi për vizitën dhe rrezikun që kishim marrë për të ardhur në shtëpinë e tij…
Jemi gjallë dhe e kemi , e, e ndjejmë për obligim ta themi të vërtetën, ashtu siç ishte në kohët e UÇK-së, në Zonën e Lirë të Luftës dhe rreth saj.
Burojë, më 17 Shkurt 2016

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura
Read More

DREJT LIRISË

Fjalë e plotë në Akademinë e nderimit dhe mirënjohjes për veprimtarin Mehmet Hajrizi – Prishtinë, më 4 prill…