(Tiranë, 24. 01. 2013) – Qysh në fillim të shekullit XVIII Rusia dëshmoi se jo vetëm gjeografikisht ishte pjesë e Europës, por edhe më pas do të ishte një zë i fuqishëm në zhvillimet politike europiane, madje një zë përcaktues edhe për fatin e mëtejshëm të Perandorisë Osmane dhe për ecurinë e historisë së Ballkanit në shekujt XVIII-XIX, madje deri në fillimin e Luftës I’rë Botërore. Rusia e Pjetrit të Madh qysh në vitet e para të shek. XVIII filloi të nxisë lëvizjet separatiste të popujve të Ballkanit për t’u shkëputur nga Perandoria Osmane, pjesë e rëndësishme kjo e projektit rus për të zbritur në ujërat e ngrohta të Mesdheut. Projekti i saj ekspansionist kishte për objektiv përfundimtar marrjen e Stambollit osman dhe ringjalljen e Bizantit.
Ndërhyrja e Rusisë në zhvillimet politike europiane, në vitin 1696, në favor të shteteve të Europës Perëndimore ndërsa Vjena ishte e rrethuar nga osmanët, ishte një nga faktorët që përcaktoi prishjen e balancës së fuqisë në Europë. Kjo ngjarje është shumë e rëndësishme për historinë e Ballkanit, pasi shënoi hapin e parë që më pas do t’i hapte udhë procesit të ndryshimit të statukuosë gjeopolitike në territoret ballkanike të Perandorisë Osmane, proces i cili gjeti fundin e tij me Luftrat ballkanike dhe më pas me Luftën I’rë Botërore.
Qysh në vitin 1712, kur trupat ruse i mundin ato osmane në betejën e Prutit, malazezët vendosin kontakt me carin Pjetër i Madh për një aleancë politike kundër shtetit osman bazuar në besimin ortodoks dhe në prejardhjen e përbashkët sllave. Në vitin 1759 ishin shkodranët katolikë e ortodoksë që iu drejtuan careshës ruse Elisabeta për ndihmë. Të njëjtën gjë bënë edhe himarjotët në 1759. Me këto veprime të karakterit separatist shënohen hapat e parë politikë të popujve të Ballkanit për t’u shkëputur nga Perandoria Osmane.
Vatrat e para që ishin të gatshme për t’u ngritur kundër sundimit osman në Ballkan, siç e dëshmojnë edhe dokumentet e arkivuara në arkivat ruse, ishin disa rajone të krishtera ballkanike, të cilat e kishin njohur vendosjen e sundimit osman, por, më së shumti, për shkak të veçorive të terrenit e për pasojë edhe të produktivitetit të ulët ekonomik, shteti osman u kishte njohur autonomi fiskale (venomet). Ishin këto rajone që autonominë e tyre fiskale dhe fetare gradualisht e shndërruan në autonomi kulturore dhe ishin të gatshme që me mbështetjen e Fuqive të Mëdha të kohës ta shndërronin atë edhe në autonomi apo pavarësi politike. Te kjo autonomi fiskale e njohur dhe e akorduar nga vetë shteti osman i kanë fillesat institucioni i kapidanit dhe i bajrakut. Këtu do të rreshtonim Malin e Zi, Malësinë e Madhe, Mirditën, Pukën, Himarën, Sulin dhe krahinën e Manit në Peloponez.
Letrat e ardhura nga Ballkani ishin kërkesa për ndryshimin e statukuosë politike në rajon, duke kërkuar mbështetje tek një fuqi e cila kishte filluar të dëshmonte me veprime në terren se e kishte fuqinë ushtarake për t’i dhënë rajonit një konfiguracion të ri politik. Beteja e Prutit e vitit 1712 ishte dëshmia e parë e avancimit rus drejt ujërave të ngrohta të Mesdheut. Këtu nuk është fjala për kërkesa të natyrës “romantike” apo “aventuriere” që vinin nga Ballkani, por për kërkesa që do të t’i shërbenin Rusisë si pretekst për të zgjeruar ekspansionin e saj politik, të krishterë, në një hapësirë politike që sundohej nga një dinasti myslimane.
Fuqia ruse që po i imponohej shtetit osman u vërejt jo vetëm nga komunitetet fetare të krishtera të Ballkanit, por edhe nga krerët e pashallëqeve që, më së shumti, ishin krijuar në territoret e banuara nga popullsi shqiptare si rezultat i dobësimit të kontrollit të pushtetit qendror. Pashallëqet e Janinës dhe të Shkodrës, të kryesuara nga familje shqiptare myslimane, tentuan shkëputjen nga shteti osman, për t’i hapur rrugë krijimit të bërthamave shtetërore të pavarura në rajon. Kjo është edhe dëshmia më e qartë e faktit se procesi i kësaj kohe i separatizmit nga shteti osman ishte një fenomen i dyfishtë: i krishterë dhe mysliman; veçse ndërsa komunitetet e krishtera iu dorëzuan pa kushte Rusisë duke kërkuar ndihmë për shkëputje, krerët e pashallëqeve kërkuan marrëdhënie partneriteti, pra favore të ndërsjella që të dyja palët të plotësonin ambiciet e tyre politike. Por, ndërsa mori nën sqetull mbrojtjen e popullsive ortodokse osmane, ai ishte Rusia e gatshme të mbështeste “rebelët” myslimanë që kërkonin shkëputje nga Perandoria Osmane?
Konvertimi masiv në Islam i hapi rrugë paragjykimit të Fuqive të Mëdha për shqiptarët. Popullsinë myslimane shqiptare Fuqitë e Mëdha do ta barazonin me atë turke dhe më pas do ta konsideronin si mbetje të osmanëve në Ballkan, që më së paku politikisht nuk duhej përkrahur në aspiratat e saj për pavarësi, kurse në rastin më të mirë duhej zhdukur nga harta e Ballkanit.
Ali Pashë Tepelena, ndonëse pasha mysliman, në përpjekjet e tij për t’u shkëputur nga shteti osman nuk ngurroi të vendosë lidhje, madje edhe të kërkojë mbështetjen ruse për realizimin e planeve të tij separatiste. Por Rusia nuk ishte e predispozuar t’i ofronte mbështetjen e saj një pashai mysliman. Në këtë kohë, feja përbënte dimensionin më strategjik të bashkëpunimit dhe të mbështetjes për popujt e vegjël të Ballkanit.
* * *
Realizimi i projektit rus për ringjalljen e Bizantit do të kalonte përmes nxitjes në Greqi të një rebelimi kundër shtetit osman. Tentativa e parë e vitit 1770 gjeti jetësimin e saj me kryengritjen e Moresë. Ajo nuk pati sukses, por me Traktatin e Paqes së Küçük Kaynarca-s (1774), Perandoria Ruse fitoi të drejtën që të “mbronte” qytetarët ortodoksë të shtetit osman, çka i hapi rrugë procesit që shtetas ortodoksë të Ballkanit osman të përgatiteshin në zyrat e administratës ruse dhe më pas të zinin edhe pozita të larta në hierarkinë shtetërore, civile dhe ushtarake ruse: ministri i jashtëm rus, Kapodistria, u bë edhe Kryeministri i parë i shtetit modern grek.
Autonomia e Serbisë në 1815 dhe pavarësia e Greqisë në vitet 1829-1830 janë raste par excellence në ecurinë e procesit të shkëputjes së territoreve ballkanike nga Perandoria Osmane, proces i cili rrënjët e tij i kishte qysh në dekadat e para të shekullit XVIII. Madje këto dy ngjarje ndikuan fort mes popujve të tjerë, të krishterë e myslimanë, të Ballkanit. Këto ndryshime me pasoja të pakthyeshme gjeopolitike e orientuan elitën politike myslimane në Shqipëri që jo vetëm ta formulonte dhe ta artikulonte mendimin e saj politik për shkëputje nga Perandoria Osmane, por edhe të ndërmerrte hapa politikë, taktikë dhe luftarakë, në këtë drejtim. Fillimisht krerët shqiptarë u larguan nga fronti osmano-grek i luftës, kurse më pas filluan të organizohen mes tyre dhe në vitet ’30 ia filluan kryengritjeve të armatosura. Parë në këtë kontekst, realiteti i brendshëm perandorak osman dhe koniunktura e re gjeopolitike euro-aziatike ishin faktorët kryesorë që përcaktuan ecurinë e lëvizjes nacionaliste dhe të proceseve kombformuese e më tej shtetformuese te shqiptarët.
Etapa e separatizmit, si fazë e hershme dhe përgatitore e lëvizjeve nacionaliste ballkanike, duhet vlerësuar si pasojë e ndryshimit të balancës së fuqisë në Euro-Azi dhe kryesisht fillimit të vënies së jetë të projekteve ambicioze të politikës së jashtme ruse.
Imponimi Perandorisë Osmane i autonomisë për Serbinë dhe i pavarësisë së Greqisë janë fakte të mjaftueshme për të konfirmuar idenë se si Rusia ashtu edhe fuqitë e tjera europiane ishin të prira të ndihmonin elementin e krishterë në Ballkan, pasi duke qenë se ky element nuk ndante të njëjtin besim me sunduesin, shkëputjen e tij mund ta realizonte politikisht më e lehtë. Por këto hapa shënojnë njëkohësisht edhe fillimin e procesit të disintegrimit të shtetit osman në Ballkan.
Nga ana tjetër, tentativat shqiptare, fillimisht përmes pashallëqeve dhe më pas përmes krerëve të familjeve të fuqishme për t’u shkëputur në dekadat e para të shek. 19, natyrisht që nuk do të lejoheshin në mënyrë paqësore nga Shteti Osman. Likuidimi fizik i Ali Pashë Tepelenës dhe ai politik i Bushatllinjve, i shoqëruar me shpërbërjen e pashallëqeve, ishte treguesi më i qartë se shteti osman nuk do të lejonte në asnjë mënyrë shkëputjen e territoreve ballkanike që banoheshin nga popullsi myslimane, pasi një realitet i tillë do t’i jepte fund sundimit osman në rajon.
* * *
Ndryshimet gjeopolitike që kishin filluar në Ballkan në dekadat e para të shek. 19, me krijimin e Serbisë autonome dhe të Greqisë së pavarur, elita shqiptare i konsideronte si zhvillime politike të pakthyeshme. Duke qenë pjesëmarrës dhe ndjekës të mirë të zhvillimeve politike në Greqi, elita e fuqishme shqiptare nën kryesimin e Ismail bej Vlorës u mblodh në Berat për të diskutuar për të ardhmen e trojeve shqiptare, ndërkohë që Greqia po finalizonte aktin e krijimit të bërthamës fillestare shtetërore. Eliminimi fizik i Ismail bej Vlorës dhe i krerëve të tjerë shqiptarë në Manastir treguan se shteti osman do të vepronte ashpër kundrejt çdo kërkese për shkëputje që do të vinte sidomos nga drejtues lokalë myslimanë.
Letra e Ismail bej Vlorës (gjyshi i Ismail Qemalit, nëntor 1828) drejtuar krerëve shqiptarë është dëshmi e faktit që tek elita shqiptare e kohës jo vetëm që kishte lindur mendimi për krijimin e një bërthame për krijimin e një bërthame shtetërore të pavarur nga Perandoria Osmane, por ajo ndihej e aftë që këtë mendim ta materializonte në terren nëpërmjet një veprimi të organizuar politik. Madje, letra e Silahdar Iljas Podës drejtuar Ismail bej Vlorës, në gusht 1828, ku i propozon një aleancë politike mes dy familjeve të tyre, shënon lindjen e mekanizmit të parë politik që do të shërbente si bazë për hapat e mëtejshëm politikë që do të hidheshin në Berat në fund të këtij viti dhe që si objektiv final të tij kishin shkëputjen nga Perandoria Osmane dhe krijimin e një bërthame shtetërore shqiptare në Ballkan.
Kryengritja e vitit 1847 me qendër në Labëri duhet vlerësuar si përpjekja e fundit shqiptare për shkëputje nga Perandoria Osmane. Duke parë agresivitetin e fqinjëve që kërkonin të zgjeroheshin në toka të banuara historikisht nga shqiptarët pas kësaj tentative të fundit familjet shqiptare hoqën dorë nga përpjekjet për shkëputje nga Perandoria Osmane. Mahmut bej Vlora (babai i Ismail Qemalit), një nga organizatorët e kryengritjes së vitit 1847, në vitin 1853-4 u rreshtua krah trupave osmane në Thesali për të frenuar përparimin e ushtrisë greke, e cila u hodh në ofensivë jashtë kufijve të shtetit të pavarur duke përfituar nga angazhimi osman në Luftën e Krimesë. Për herë të parë elita shqiptare u ndje e kërcënuar nga fqinjët dhe u shty drejt zgjedhjeve të detyruara, mes Perandorisë Osmane dhe fqinjëve, për përcaktimin e rrezikut më të vogël për ekzistencën e saj. Për shqiptarët filloi koha e kërcënimit të trojeve etnike.
* * *
Publikimi i doktrinave nacionaliste ballkanike në vitin 1844, respektivisht greke (Megalidea) dhe serbe (Naçertanije), shënojnë një ndryshim cilësor në jetën ideologjike dhe politike të Ballkanit. Dy popuj që falë mbështetjes së Fuqive të Mëdha ishin pavarësuar apo kishin hedhur hapa të rëndësishëm për shkëputje nga Perandoria Osmane, tashmë zyrtarisht po hynin në epokën e kombformimit. Që nga ky moment, feja, përtej një elementi identifikues për një individ apo grupim social, filloi të përdorej si një instrument politik e diplomatik në kërkim të trojeve të fqinjit në Ballkan.
Kryengritja Labërisë, e vitit 1847, shënon momentin e parë kur nga drejtuesit e kryengritjes u kuptua nevoja që në veprime me karakter politik dhe ushtarak të merrnin pjesë shqiptarët e të gjitha besimeve fetare, madje duhej fituar edhe mbështetja e klerit ortodoks.
Një nga shtetarët më të rëndësishëm osmanë të shek. 19, Ahmet Xhevdet Pasha, në vitin 1861 erdhi personalisht në Shkodër, dhe me cilësinë e emisarit të posaçëm të sulltanit hartoi një raport të detajuar për situatën në vilajetin e Shkodrës dhe më gjerë. Mes të tjerash ai shkruan: “Pjesa dërrmuese e popullsisë myslimane të qytetit të Shkodrës përbëhet nga popullsi malësore që ka zbritur nga Malësia dhe ka pranuar fenë islame; por kjo popullsi nuk e ka humbur sensin e gjindjes dhe të prejardhjes së hershme të saj, pasi edhe sot thirren me emrin e asaj malësie prej nga ata kanë zbritur. … Ngaqë lidhjet fisnore i kanë ende të fuqishme ndodh shpesh që ata së bashku me familjet e tyre të shkojnë e të vizitojnë vendet e të parëve të tyre, kurse kushërinjtë e tyre katolikë të zbresin në Shkodër dhe të shkojnë si mysafirë tek kushërinjtë e tyre myslimanë. … Malësorët në shumicë janë katolikë dhe administrativisht varen nga paria myslimane e qytetit, por ngaqë vishen me veshje të njëjta dhe ngaqë sjelljet e tyre janë të njëjta është e pamundur të dallosh se cili prej tyre është katolik dhe cili mysliman. …. Bazamenti i lidhjes dhe i bashkimit mes malësorëve katolikë dhe myslimanë është ndjesia e përbashkët etnike dhe patriotizmi, dhe për shkak se jetojnë gjithë kohën bashkë janë vëllezër e miq për kokë. Në vilajetin e Shkodrës nuk bëhet fjalë për ndasi fetare, por për ndasi etnike”.
* * *
Projekti rus për t’i dhënë fund shtetit osman dhe për të shtënë në dorë Stambollin solli me vete rritjen e ndikimit rus në Ballkan dhe, për pasojë, edhe luftën ruso-osmane. Shteti osman nxitoi të bënte paqe me Rusinë në Shën Stefan, shumë pranë Stambollit, në mars të vitit 1878. Falë mbështetjes ruse, në Ballkan u krijua një shtet i stërmadh bullgar. Në rajon u prishën ekuilibrat e Fuqive të Mëdha. Ato, në mënyrë të menjëhershme, thirrën një kongres ndërkombëtar, që u mbajt në Berlin në qershor 1878. Qëllimi ishte më se i qartë: të frenohej Rusia në projektin e saj për të zgjeruar ndikimin sllav në Ballkan. Gjithsesi, në Ballkan filloi pazari i tokave.
Për herë të parë në historinë moderne, shqiptarët e ndjenë se fuqia e shtetit osman nuk ishte më e mjaftueshme për t’i mbrojtur tokat mbi të cilat kishin jetuar për shekuj. Po ashtu, për herë të parë shqiptarët u përballën jo më me rrezikun, por me realitetin e shkëputjes së trojeve etnike shqiptare. Nga ana tjetër, Perandoria sponsorizoi çështjen shqiptare pasi tanimë e pa veten të pafuqishme për t’i mbrojtur territoret e saj të banuara nga shqiptarët, pasi në rajon filloi pazari i trojeve.
Që nga ky moment çështja shqiptare nuk është më çështje e brendshme e Perandorisë Osmane. Pas vitit 1878 çështja shqiptare ndërkombëtarizohet dhe hyn si problem në kancelaritë e Fuqive të Mëdha.
Në këtë moment të vështirë krerët politikë shqiptarë u mblodhën në Prizren dhe themeluan Lidhjen e Prizrenit, por ata e dinin fare mirë se fati i mëtejshëm politik i shqiptarëve ishte i lidhur fort edhe me faktin që shumica e popullsisë ishte myslimane dhe ajo do të trajtohej e lidhur ngushtë me fatin e vetë Perandorisë Osmane. Pikërisht në këtë kohë, nën emrin territore osmane, trojeve shqiptare iu hoqën copa (Ulqini e Tivari) me marrëveshje ndërkombëtare.
Duke e ndier se nga trupi i saj do të shkëputeshin toka, shteti osman fillimisht e stimuloi aktivitetin politik shqiptar, atë në Prizren dhe atë të intelektualëve shqiptarë në Stamboll. Pashko Vasa hartoi traktatin politik “E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët”, të parin dokument ideologjik në nacionalizmit shqiptar. Kjo vepër pa dritën e botimin në të njëjtën kohë në Stamboll, Paris, Londër dhe Berlin, në frëngjisht, anglisht dhe gjermanisht. Në këtë dokument shpaloset për herë të parë dhe në mënyrë të plotë se kush janë shqiptarët dhe çfarë kërkonin ata. Ishte momenti që shqiptarët jo vetëm të mbronin tërësinë e tyre territoriale, por edhe t’i kërkonin Shtetit Osman autonominë e Shqipërisë, rruga për realizimin e së cilës ishte bashkimi në një i të katër vilajeteve me popullsi shumicë shqiptare.
Mendjet më të mira shqiptare të kohës u shprehën në favor të autonomisë së trojeve shqiptare dhe për qëndrimin brenda ombrellës osmane, pasi rreziku që po vinte bëhej gjithnjë e më i vetëdijshëm nga fqinjët, të mbështetur nga të mëdhenjtë e politikës botërore, nuk do të mund ta garantonte ekzistencën e një shteti të pavarur shqiptar. Situata e jashtëzakonshme e krijuar dhe rreziku i copëtimit të trojeve shqiptare bëri që shumë qytete të Shqipërisë t’i dërgonin memorandume Kongresit të Berlinit. Në memorandumin që qyteti i Shkodrës, më 13 qershor 1878, i dërgonte ministrit të jashtëm britanik mes të tjerave shkruhej: “Ashtu siç nuk jemi dhe nuk duam të jemi turq, po ashtu e kundërshtojmë me të gjitha forcat tona cilindo që do të dëshironte të na bënte sllavë apo austriakë e grekë. Ne duam të jemi veçse shqiptarë!
Feja e shqiptarëve mund të ketë lëvizur nga Ortodoksia te Islami dhe nga ky te Katolicizmi, por qofshin ortodoksë, myslimanë apo katolikë, shqiptarët nuk e kanë mohuar kurrë atdheun e tyre dhe duke i qëndruar me këmbëngulje besnike krenarisë për prejardhjen e tyre, kanë mbetur kurdoherë dhe kudo shqiptarë”.
Ky pasazh memorandumi dërguar Kongresit të Berlinit është treguesi më i mirë nga poshtë lart i nivelit se ku kishte mbërritur shkalla e ndërgjegjes kombëtare mes shqiptarëve. Për të shkuar më tej, në Lidhjen e Prizrenit për herë të parë në një organizim politik u përfaqësuan të gjitha territoret shqiptare në një përfaqësim etnik.
Të vetëdijshëm për peshën dhe rëndësinë që kishte gjuha e njehsuar, alfabeti dhe shkolla shqipe, intelektualët shqiptarë të të gjitha besimeve fetare u mblodhën në Manastir, në nëntor 1908 dhe ndërmorën hapa të rëndësishëm drejt unifikimit të alfabeteve shqip në përdorim. Kongresi i Manastirit dhe më pas hapja e Shkollës Normale në Elbasan, në 1909, shënuan hapat përgatitorë që paralajmëruan pavarësinë politike të Shqipërisë, në nëntor 1912.
Kurse, përfaqësimi i të gjitha trojeve shqiptare në Vlorë për shpalljen e Pavarësisë (nëntor 1912) ishte fundi i procesit të kombformimit. Me këtë akt, konvencionalisht përfundon procesi i kombformimit te shqiptarët dhe i hapet udha procesit të ngritjes së shtetit kombëtar.
* * *
Shqipëria, pavarësinë e fitoi në një nga momentet më të vështira të historisë së saj. Kjo ngjarje vërtet i dha fund një procesi kërkimi të drejtash politike nga shteti osman, proces që kishte filluar qysh një shekull më parë, por në fund ai rezultoi në rrudhjen maksimale të trojeve që do të kishte në dispozicion Shteti i Ri Shqiptar. Si produkt i momentit kur filluan luftërat ballkanike, Shteti i Pavarur Shqiptar ishte projektuar të ishte i cunguar, pasi përveç detit ai do të rrethohej nga të gjitha anët me troje të banuara po nga popullsi shqiptare. Ndryshe nga fqinjët, shqiptarët mbetën të vegjël dhe pa përkrahje.
– Autori është historian.
……………………………………….
DOKUMENTAR, GREQIA SHTET I SHQIPTAREVE
………………………………………