(Shkup, 24. 01. 2013) – Ballkani është si një mozaik kulturor, historikisht i ndikuar prej fushave ekstreme të të vepruarit, me përvoja bllokuese. Fakti që këta përvoja kanë ndikuar në krijimin e këtij realiteti, këtë hapësirë e bëjnë më të ngatërruar për zhvillime ekonomike dhe kulturore. Në hapsirën shqiptare mozaiku është edhe më i paqart. Ndikimi i politikave të huaja ka bë që disa nga politikanët të harrojn kombin. Në udhëkryqet e krijuara në kohë, këta politikanë, sot kanë shtruar sofrën e satanit dhe me llaptopa, nëpërmjet internetit bëjnë politikën ditore. Jo larg nesh, viti 2012 ishte simbol i një shekulli qëndres me kufij të hartuar nga “idealistët miq ” të kombit tonë… Festoi kombi, u thanë shumë fjalë, u botuan shumë libra, u organizuan manifestime të shumta, me një fjalë shqiptarët u “bashkuan”. Duke mos ngatërruar gjërat, për shembull marrë manifestimin në Shkup. Për së afërmi dëgjova fjalët e mëdha sa që mendova se lindi Ismail Qemali i dytë në Shkup dhe nga këtu shqiptarët do të bashkohen.
Ç’është e vërteta, shqiptarët vetëm dëgjuan fjalë nga demagogët e politikës që xhepin e kanë thes të pafund. Kryeministri i Shqipërisë u paraqit si “ideologu” më i madh i kauzës shqiptare. Mirëpo, ai ka zgjedhur një mënyrë tjetër për shpalosjen e programit dhe platformës së Shqipërisë së nesërme. Është rrjeti social facebook, ku kryeministri e shpalos programin e tij! Kur të gjithë ishim të fokusuar në ambientin e ngrohtë të “Shqipërisë së Berishës”, andej nga Kosova lindore xhandarmëria serbe bëri dhunimin e historisë moderne të shqiptarëve. Ndoshta të gjithëve na zuri gjumi nga lodhja që kishim dhe nga mundimi i ushqimit të tepërt, sidomos të tortës së pavarësisë… Ata, serbët bënë punën e vetë. Ne mundohemi të gjejmë fajtorët. Mundohemi që me iluzione ta ndërtojmë të ardhmen dhe në mënyra të ndryshme të largohemi nga përgjegjësia. Dikush u mundua ta arsyetoj heqjen e lapidarit, dikush e falënderoj Serbinë për këtë akt se kjo ndihmon zhvillimet e mëtejshme, e kryeministri shqiptar dha “kërcënimin” e pritur nga shqiptarët. Ai në fund jep mesazhin: “Ata që shkulën monumentin e heronjve të Preshevës duhet ta dinë se: Të rënët tanë nuk vdesin kurrë!”
Po, është e vërtetë ajo që ka thënë: të rënët nuk vdesin kurrë, mirëpo ai sa e kupton gjallërin e tyre? Ata kishin ideale, kurse sot po përbuzen të njejtat. Nuk kishte reagim nga institucionet shtetërore shqiptare po nga faqja private e kryeministrit. Sikur shteti është prona e tij dhe sikur populli është punëtor të tij. Dhe këtë kuptoni si fushat parazgjedhore. Në këtë rast, po të dëgjojmë kryeministrin do humbim kohë e nuk do arrijmë asgjë. Sot, shteti shqiptar duhet të jetë shumë aktiv në diplomaci, duhet të trokas në çdo derë dhe të kërkojë nga institucionet ndërkombëtare që mos të përbuzen vlerat kombëtare të shqiptarëve, pa dallim se ku jetojnë ata. Ecuria politike nuk duhet të lëvizë në drejtim të varreve serbe në Kosovë dhe të njejtat të shkatërrohen. Nuk pajtohem me veprime të tilla, nuk pajtohem me shkatërrimin e objekteve fetare dhe përdhosjen e tyre. Nuk pajtohem as me veprimet e disa të rinjëve që me qirinjë u munduan të solidarizohen te vendi ku ishte lapidari. Koha e qirinjëve ka ikur, filozofia e qiriut nuk përkon me realitetin e Luginës, Komandant Lleshi nuk u vra që te varri i tij të ndezim qirinj! Ai ështe shembulli që ne të lutemi të jemi dhe të përfundojmë dëshmor si ai.
Ajo që ndodhi është e qartë, Lapidari ishte i harruar nga politika shqiptare. Largimi do të thotë se shqiptarëve atje u rrezikohet qenia fizike dhe shpirtërore, dëshmon për papjekuri dhe naivitet në politikën shqiptare. Pra, Shqiptarët e Luginës janë viktimë e politikave të gabuara të Tiranës, Prishtinës dhe politikanëve shqiptarë në maqedoni. Shteti shqiptar për Luginën e Preshevës është sikur “Shtëpija misterioze” e Honore De Balzak. E në këtë shtëpi mos të them se ka tradhëti, por me siguri ka harresë.