GJOKË DABAJ: NJË KASTË ARTISTËSH TË DEGRADUAR S’KA SI TË MOS E DEGRADOJË EDHE ARTIN

Durrës, 10. 02. 2017: Është thënë prej kohësh që qenia shoqërore e përcakton edhe vetëdijen shoqërore. Akoma më herët është shprehur e njëjta ide filozofike në urtësinë tonë popullore shqiptare: Ky stan këtë bulmet ka.
Restaurimi i kapitalizmit në Republikën e Shqipërisë, po edhe në Republikën e Kosovës (për aq sa mund të quhet restaurim kalimi nga një formë socialiste titiste në një nacionalshovinizëm nga më të egrit), u bë në mënyrën më të keqe të mundshme.
Kjo mënyrë, më e keqe e mundshme, u pasqyrua në të gjitha fushat e jetës sonë, përjashtuar, çuditërisht, organizimin e UÇK-së dhe organizimin e pritjes së të dëbuarvet nga Kosova, në Republikën e Shqipërisë dhe në viset e tjerë shqiptarë jashtë kësaj republike. Në këto dy pika mbetëm shqiptarë të vërtetë! Këtu nuk mundën të na poshtërojnë!
Me këtë rast, unë po dua të ndalem, fare pak, (po them: fare pak), vetëm në njërin prej aspektevet të jetës sonë, si komb dhe si shoqëri: në aspektin e DEHEROIZIMIT në fushën e artit e, rrjedhimisht, edhe në fushën e historisë dhe të krejt vleravet pozitive të trashëgimisë sonë.
Në gjysmën e dytë të shekullit XX, në artin e Kampit Socialist, qe shfaqur rryma artistike e DEHEROIZIMIT. Ishte kjo një kundërvënie ndaj të quajturit hero pozitiv, që ish një nga tiparet kryesorë në metodën artisike të realizmit socialist. Filloi ky lloj përbaltjeje e heroit pozitiv, komunist ose jokomunist, qysh me “Fatin e njeriut” të Shollohovit, vazhdoi me “Doktor Zhivagon” e Pastërnakut, e pastaj me radhë, te Sollzhenicini, te Ahmatova, e deri në bastardimin dhe shuarjen e plotë të atij arti të sapolindur të komunizmit. Bastardim dhe shuarje që ndodhi bashkë me bastardimin dhe shuarjen e vetë rendit shoqëor që e kish lindur atë lloj arti.

Ndodhte kjo në një kohë kur në Perendim, në artin kapitalist të gjysmës së dytë të shekullit XX e në vazhdim, lulëzonte dhe lulëzon heroi pozitiv i asaj rryme arti që unë po e quaj konvencionalisht realizëm kapitalist. Mjafton të kujtojmë, sa për shembull, filmat që i ngrejnë deri në piedestalin e lavdisë disa police e policë nga më të rendomtit. Në kushtet e tradhtisë së eprorëvet të vet, të lidhur me gjithfarë kontrabandistësh e komplotistësh, ata policë të thjeshtë dalin si shpëtimtarët e situatës, deri edhe shpëtimtarë të jetës së presidentit. Ky është heroi pozitiv i realizmit kapitalist, kundër të cilit dhe të tjerëvet të ngjashëm me këtë, nuk bëhet asnjë përpjekje për ta DEHEROIZUAR.
Në artin shqiptar, mbas rënies së komunizmit në vitin 1990, pushuan së krijuari dhe së zhvilluari, jo vetëm heronjtë pozitivë të realizmit socialist (gjë që mund të quhet e përligjur, sepse s’kish më socializëm), por edhe heronjtë pozitivë arbërorë të shekullit XV, të Rilindjes Kombëtare Shqiptare të shekujvet XIX e XX, dhe të kohëvet të tjera. Nuk ka më heronj pozitivë, as në realitetin dhe as në artin shqiptar, përveç një Nënë Terezje, e cila mund të jetë një shenjtore, por jo heroinë.
U shkrua dhe vazhdon të shkruhet keq për cilindo personalitet, sado gjurmë pozitive të ketë lënë ai në historinë e Kombit tonë, ndërkohë që u bënë e po bëhen përpjekje të shkruhet mirë edhe për figurat më negative, sado që ato asnjëherë nuk mund të ngrihen në shkallën e një heroi pozitiv. Fol sa të duash mirë e bukur për një person që s’ka arrirur të bëjë asgjë ose ka bërë madje më shumë keq se mire! Ai, e shumta mund të quhet viktimë, qoftë edhe e vetëvetes, por asnjëherë nuk mund të ngrihet në shkallën e heroit, sado që mund t’i ngresh edhe buste nëpër sheshe.
Të ndodhur përballë pamundësisë për të prodhuar heronj prej joheronjvet, po vihet re tani, me mungesë të plotë dinjiteti, qoftë edhe personal, tendenca e një DEHEROIZIMI deri edhe e atyre personaliteteve që Kombi ynë prej shekujsh i ka quajtur heronj dhe është frymëzuar prej tyre si prej heronjve.
Po përmend këtu vetëm disa prej prodhimevet gjoja artistikë, që lexuesit apo shikuesit tonë të kthjellët s’ka si të mos i ngjallin krupë e neveri, jo ndaj personazhevet dhe situatavet gjoja artistike, por ndaj vetë krijuesvet të atyre personazheve dhe të atyre situatave. Sepse, ku ta gjesh kur autori arrin që shijuesi i artit të tij të ndjejë krupë e neveri ndaj personazhit apo situatës, pasi pikërisht ajo vepër quhet e arrirë e madje gjeniale. Mirëpo, këtu kemi të bëjmë, jo me presonazhin (psh Mbretin Lir apo Gobsekun), por me KRIJUESIN, ndaj të cilit nuk mund të mos indinjohemi.
Midis jo pak krijimesh të kësaj kategorie artdenigruese, shquhet një libërth me nja dy “poema”, i titulluar “Vrima”. Çfarë synon të bëjë ky libërth? Ky libërth synon të asgjësojë moralin e njeriut në përgjithësi, ndërsa në planin kombëtar, synon të asgjësojë moralin e shqiptarit. E DEHOROIZON shqiptarin e përditshëm, i cili gjithsesi ka qenë dhe mbetet një hero i llojit të vet, midis furtunash nga më të papërballueshmet. Synon ta deheroizojë shqiptarin, duke e paraqitur moralin e tij me ngjyrën e një plehu nëpër të cilin gëlojnë krimbat. Duke qenë, me sa duket, vetë autorja me moral të krimbur, synon t’i paraqesë dhe t’i edukojë si të tillë edhe bashkëkombësit e vet. Dhe çudia më e madhe është se ky libërth moralpërdhosës shkon e promovohet pikërisht në Francë.
Një tjetër gjoja krijimtari artistike na shfaqet te një lloj “dublimi” në një film që pasqyron Luftën e Trojës. Në gojën e atyre heronjve nuk vihen fjalët që ata thonë realisht, por vihen ca shprehje banale, të cilat nuk do t’i përdornin as rrugeçërit më të depersonalizuar. Përse bëhet ky lloj denigrimi i heronjvet të Iliadës? Unë them që vetë deniguesit e këtyre heronjve e shohin veten në koshin e llumravet shoqërorë dhe duan të justifikohen disi para vetes duke thënë: “Hë more, se të gjithë si ne janë!” Në të vërtetë, nuk janë të gjithë si ata, por ata duan ta shtojnë kastën e vet me sa më shumë individë të DEPERSONALIZUAR. E ka trajtuar Odiseun (Uliksin), si personazh, edhe Xhojsi (sado që as Xhojsi nuk do t’i shërbejë shumë artit botëror), por ai prapëseprapë nuk e ka prekur në thelbin e vet heroin e poemavet homerike! Heroi i poemavet homerike mbetet po ai që ka qenë, ndërsa personazhi i Xhojsit është një Uliks krejt tjetër. Ai është një Uliks-xhuxh i kohës sonë. A po sheh sa shumë dallohet arti i Xhojsit prej gjoja artit të këtyre “kineastëvet” tanë kuazidublues?!
Vjen, krahas këtij, një tjetër gjoja film që e kanë titulluar “Një dopio histori”. Ndoshta kanë dashur të na japin anën e kundërt të asaj që na e ofron historia. I kanë vënë personalitetet tanë historikë, të cilëvet shqiptarët u përkulen me mirënjohje, në situatë gjoja komike, të përzier me njerëz të kohës sonë, por në të vërtetë, banale dhe aspak realiste. Ç’duan të arrijnë? Duan të na i heqin, të na i zhdukin, të na i thajnë, të gjithë burimet e krenarisë sonë kombëtare dhe të “prodhojnë” prej Kombit Shqiptar një turmë amorfe, një turmë surrogate, pa kurrfarë vlerash as njerëzore, as kombëtare. Ky është qëllimi i tyre!
Kulmin e papërgjegjësisë së kësaj kaste gjoja artistike, me dinjitet të shpërbërë e të shpuplosur, është filmi që këta e kanë titulluar “Skanderbeg”. Janë përzier atje: arbër, sërbë, turq, venedikas, secili më karikaturë se tjetri. Arbërit, të prirë prej Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe të përfaqësuar prej tij në formë krejt të DEHEROIZUAR, nuk dallohen aspak për nga vlerat, as prej turqvet, as prej sërbëvet dhe as prej venedikasvet. Veshjet tona kombëtare janë përdorur aty si veshje kllounësh, me vlera po aq të nëpërkëmbura, sa edhe vetë personazhet që i veshin. Situatat janë karikaturizuar në atë mënyrë, saqë asnjë fëmije të mos i shkojë mendja më ta përfytyrojë seriozisht epopenë heroike të Kohës Skënderbejane.
Duke e parë këtë kuazifilm, spektatoi nuk shikon heronjtë që është mësuar t’i shohë në veprat më madhore të artit tonë (De Radë, Gavril Darë, Naim, Çajup, Mjedë), por shikon karikaturat e tyre dhe, mbasi t’i ketë parë, ai nuk ka as si dhe as pse të krenohet me ata heronj. Përkundrazi, do t’i shikojë e lexojë me përçmim veprat që i glorifikojnë.
Në romanin “Dasma” të I.Kadaresë është një personazh që e kanë përjashtuar nga shkolla sepse është tallur me Naum Veqilharxhin. Qëndrimi ideoartistik i I.Kadaresë është, se Rudi (kështu quhet personazhi) nuk duhej dënuar. Unë kam qenë kundër këtij qëndrimi që në atë kohë. Për mua janë dhe duhet të mbeten ikona të shenjta të gjithë personalitetet e Kombit Shqiptar. Naum Veqilharxhi, Jeronim de Rada, Naim Frashëri, Ndre Mjeda, Gjergj Fishta, Fan Noli, Migjeni, janë shenjtorët e Kombit tonë, mbi të cilët do të ishte blasfemi të lëshohej sadopak tym apo mjegull. Dëshmorët e UÇK-së, dëshmorët e Luftës Nacionalçlirimtere, dëshmorët e Rilindjes Kombëtare Shqiptare (Jakup Ferri, Mic Sokoli, Ramadan Zaskoci, Spiro Bellkameni, Çerçiz Topulli, Ismail Qemali), luftëtarët dhe dëshmorët tanë të shekullit XV (Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, Gjergj Arianiti, Topiajt, Muzakët, Moisi Golemi, Vrana Konti, Mamicë Kastrioti), që të gjithë këta e shumë e shumë të tjerë, janë ikona të Kombit dhe nuk i lejohet askujt, as t’i satirizojë dhe as t’i përqeshë në çfarëdolloj forme.
Le të provojë dikush dhe le t’i satirizojë, qoftë edhe ikonat e rreme të grekëvet apo të sërbëvet!
Tjetër gjë është të kritikosh, edhe nëpërmjet artit, atë që është për t’u kritikuar, e tjetër gjë, ta zhvleftësosh genin dhe ta nxjerrësh, qoftë njeriun në tërësi, qoftë kombin tend, pa kurfarë vlere. Tjetër gjë është të vësh në dukje të metat e një personaliteti historik, qoftë edhe hero, e tjetër gjë ta paraqesësh atë, qoftë edhe në zhanrin e komedisë, pa kurrfarë vlere e pa kurrfarë virtyti.
Përfundimisht, shqetësimi më i madh është ky: Kujt i intereson që kultura dhe arti shqiptar të degradojnë në këtë mënyrë? Ku i marrin paratë këta gjoja krijues, që i botojnë të atillë libra, si ajo farë “Vrime”, dhe që i xhirojnë të atillë filma poshtërues?! Kush është hartuesi i skenarëvet?! (Sepse aktorët mund të konsiderohen thjeshtë rrogëtarë, sado që, Aleksandër Moisiu apo Bekim Fehmiu, nuk besoj se do ta pranonin një rrogë të tillë të ndotur.) Cilët janë regjisorët?! Kush është PRODUCENTI, qoftë edhe i tërthortë?! Nuk harxhohen kot paratë për të përçudnuar në atë mënyrë artin, kulturën dhe Kombin Shqiptar! Dikush ka, qartazi, interes që Kombi ynë të shndërrohet nga Komb Shqiptar (me shkronja të mëdha), në kope shqiptarësh.
Po pjesa jonë e vetëdijshme ç’po bën e si do të duhej të kundërvepronte?!
Gjokë Dabaj, Durrës – 6 shkurt 2017

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura