Rreth librit “Vdes me trëndafilin” të autores Elife Luzha
SENSITIVITETI FEMËROR I NGRITUR NË ART
Nga Fitore Rubovci *) Pashtriku 13. 09. 2022
Thuhet se poezia pak preket nga koha, nga vitet e shkuara qyshkur shkruhet dhe publikohet ajo. Prandaj, poezia lexohet me ëndje pavarësisht epokës se kur është shkruar. Fuqia e saj qëndron te artikulimi artistikisht i motiveve me të cilat rreket. Pikërisht këtë përshtypje pata edhe kur lexova përmbledhjen poetike të Elife Luzhës “Vdes me trëndafilin” ndonëse e botuar në vitin 2007.
Sapo t’i hapësh kopertinat dhe të shfletosh faqet, sheh se freskia e saj është pranverore, një freskti eterne. Aroma poetike e vargjeve të poetes Luzha është një aromë që nuk shuhet, nuk zhduket dhe nuk zhbëhet, thua se kanë gjetur eliksirin e përjetësisë artistike.
Ajo që i karakterizon vargjet e poetes Luzha është brishtësia. Femrat janë të njohura, për nga natyra, si qenie sensitive, dhe kjo nuk është e rastit, po me sa duket është e koduar në gjene. Pikërisht kjo më erdhi ndër mend, sapo ia hodha një sy titullit të vëllimit poetik ”Vdes me trëndafilin”.
1.
Titulli i veprës është sugjestiv. Krahasimi bëhet me trëndafilin, e pikërisht këtu shfaqen disa enigma që refleksionin e fusin në labirintet e zbulimit të së panjohurës, të misterit poetik. Vetë titulli është intrigues dhe të ngjallë kureshtjen për t’i eksploruar vargjet e poetes Luzha.
E para, me kënd bëhet krahasimi? Kush vdes me trëndafilin? Intuita të bën të mendosh se është poetja, vetë autorja e vargjeve. Por kjo është një lajthitje e dizejnuar qëllimshëm. Semantika është e dyfishtë këtu. Gjithsesi, është autorja. Por ajo në këtë rast nuk është vetëm ajo. Ajo mund të jetë secila femër, secila grua, secila vajzë. Sigurisht, secila që në veten e vet ka një sensitivitet tipik femëror, një sensitivitet të sinqertë, e jo një sensitivitet të shtirur por natyral, tipik femëror të karakterizuar me emocion real, shpirtëror.
E dyta, me cka bëhet krahasimi? Cila është referenca që e shquan dhe e bën tepër të mprehtë krahasimin? Këtu fuqia intriguese e krahasimit bëhet edhe më e fuqishme. Ka me mijëra vargje, ku femra krahasohet me trëndafilin, duke u fokusuar te analogjia midis bukurisë së lules dhe të femrës, te aroma e trëndafilit dhe te rrezatimi i ngrohtësisë së një bukurosheje. Edhe kjo është lajthitëse. Dalja e labirintit, në frekuenca të tilla të reflektimit, nuk të nxjerr dot tek dalja, pra tek ajo që referon krahasimi.
Krahasimi nuk referon drejtpërdrejtë te bukuria e trëndafilit, ndonëse ajo është në mënyrë të tërthortë e pranishme, vetëmse e mbetur jashtë perimetrit klasik si metaforë. Poetja Luzha, duke e spostuar në plan të dytë bukurinë, i drejton rrezet e reflektorit te dicka më specifike, ashtu sikurse ajo e përjeton: një bukuri që ndonëse është magjepsëse është aq e ndjeshme sa që mund të shuhet fare lehtë. Një bukuri eterne është kaq e lëndueshme dhe kaq e brishtë sa që me pak mungesë vëmendjeje ajo mund të dëmtohet pariparueshëm, dhe të metamorfozohet.
E treta, si një rrjedhojë e dy të parave dhe e ndërthurur me to, është vënia në plan të parë e sensitivitetit. Ndjeshmëria e trëndafilit të bukur, ndjenjat femëror si shpërfaqje e ndjeshmërisë fisnike. Këtë e pikasë poetja Luzha. Sensitiviteti femëror ka bukurinë e një trëndafili, dhe kërkon një qasje të moderuar e sjellje përplot dashuri. Sensitiviteti femëror është elegancë, është gjentilencë, është emancipuese. Kjo apelon për ndryshim sjelljesh, veprimesh dhe qasjesh në raport me emocionin femëror, si një vlerë kujdesi dhe dashamirëse, që e paqëson relacionin ndërnjerëzor.
E katërta, dhe më e trishtueshmja, është shpërfillja ndaj sensitivitetit femëror. Nëse emocioni i saj nuk ndjehet, nuk kuptohet, nuk merr vëmendjen e nevojshme, cfarë ndodhë? Shpërthen? Bëhet agresive? Sulmon? Godet? Asnjëra nga këto. Sensitiviteti femëror nuk e lejon këtë. Krejt cfarë mund të bëjë ajo është të vetësakrifikohet, të vetëflijohet, të shuhet. Njëlloj si trëndafili. Këtu edhe qëndron analogjia e metaforës: një femër sensitive fishket si trëndafili po qe se emocioni i saj lëndohet, refuzohet, shpërfillet. Sepse ajo nuk mund ta durojë dot një ambient të vrazhdë, sjelljet arrogante, rigjiditetin. Ajo kërkon mirëkuptim, vëmendje, dashamirësi, sinqeritet, ngrohtësi, paqe dhe butësi.
Nga e tërë kjo nuk rrjedhë aspak ndonjë mesazh poetik depresionues dhe dorëzues. Përkundrazi. Poezia tërheq paralele të ndryshme midis poetes dhe trëndafilit, duke shprehur forcën e dashurisë. Duket se misioni i sensitivitetit femëror dhe i bukurisë së trëndafilit është që përmes dashurisë të ripërtëriten në infinit.
Shijojeni këtë poezi të fuqishme:
VDES ME TRËNDAFILIN
Ka diçka timen
S’di si t’i them
Edhe mua në pranverë
Zemra më dhemb.
Disi kah vjeshta
Zemra më rrah
Shumë ndryshe
Verdhësia jote
Më pikëlon
Vjen sërish
Pastaj
Pranvera
Na
Rizgjon.
Vazhdojmë
Dashurinë
Bashkërisht
Unë e trëndafili
2.
Sikurse mund të shihet edhe nga vargjet e poezisë së mësipërme, ajo që poetja Qibrije Demiri-Frangu ka shkruar për autoren është e qëlluar: ” Në këtë libër, autorja, dëshmon fuqishëm forcën e saj dhe pushtetin që ka mbi ndjenjat e veta, duke arritur suksesshëm që pikat më të rëndësishme të jetës së saj t’i disiplinoj mes vargjesh e figurash, pa rënë në patetikë, por duke u shprehur në mënyrë të emancipuar për gjithë botën e saj të tronditur dhe ndonjëhere të humbur shpirtërore.”.
Në ansjë poezi nuk ndodhë autores t’i ikën kontrolli mbi vargjet. Cdo varg i saj duket i mirëkonstruktuar, i ngarkur me mesazh, me emocion dhe me metaforë të qëlluar, si për shembull, te poezia ”Shqipëria në ekran”, te poezia ”Dasmë në shtëpinë time”, ”Në kuvlinë e mendimit” të cilat janë realizime të shkëlqyeshëm.
Poetja nganjëherë është aq e kondensuar në leksik, sa, po të mos kesh parasysh ndjenjën e saj, mund ta lexosh pa e kuptuar thellësinë e shprehjes së saj.
Sensitiviteti femëror shprehet në butësinë e vargjeve, ndonëse ato nuk janë të ”qullta”. Ekspresiviteti është i butë, por përmbajtja dhe referenca janë të qarta. Poetja shpreh me skatësi atë që dëshiron, gjithnjë me brum poetik. Ndonjëherë di të të nxitë të mendosh, se cfarë ka dashur të thotë, kur shpreh një gjendje shumë tipike në raportet midis dy të dashuruarve, sikurse te poezia ”Unë dhe ti”. Sigurisht, ndonëse vargjet lexohen me referencë autoren, ato marrin konotacion duke referuar te secili qift të dashuruarish. Kur lexuesi pret dicka të bukur, ndonjë elozh dashurisë, poetja bën kthesen dramatike, duke na lënë gojëhapur. Tabloja është e bukur dhe e trishtë njëherit, dhe del të jetë shumë realiste edhe përfundimi enimgatik. Kaq bukur është portretizuar dashuria midis një qifti, dallgët, të papriturat, të mirat e të këqiat. Dhe deri në fund, secili qift të dashuruarish e bart mbi supe dilemën “…Nuk e di”.
Unë e ti
Unë e ti –
Një zjarr, një stuhi
Unë e ti –
Një mall, një dashuri!
Unë e ti –
Një këngë, një tragjedi
Unë e ti….
….. Nuk e di!
Vargu i fundit është emblemetik. Ajo ngërthen në vetvete një semantikë shumëdimensionale. Askush nuk mund ta tejkalojë të panjohurën “…Nuk e di” dhe secili duhet ta ketë këtë parasysh. Nuk ka asjgë të përjetshme. Nuk është asgjë e dhënë njëherë e përgjithmonë. Nuk është as Toka, as Dielli e madje as Universi. Nuk mund të jetë as dashuria, as raporti midis dy të dashuruarish. Ai është një relacion, që mund të krijohet dhe të prishet. Krijohet me qëllim të mire, zakonisht, por jetëgjatësia e saj vart nga shumë rrethana që do t’i përmbledh shkurt e qartë: nga mirëmbajtja e ndërsjellë. Relacioni midis dy të dashuruarve është i ndjeshëm, sepse mbështetet në mirëkuptim, në besim, në sinqeritet dhe në gatishmërinë që gjithcka e mire të bëjnë njëri për tjetrin. Nuk ka dhe nuk duhet të ketë refuzim. Nuk ka dhe nuk duhet të ketë inate. Nuk ka dhe nuk duhet të ketë megalomani. Duhet të ketë mirëkupim, duhet të ketë sinqeritet, pajtueshmëri. Dashuria është një fushë shpirtërore që i lidh dy veta, por fuqia e kësaj fushe varet nga ushqimi që i bëjnë asaj të dy qiftet. Asnjëri nuk ka të drejtë t’i imponohet tjetrit; asnjëri nuk ka supremaci. Duhet të jenë si dy sytë e njeriut, si dy veshët, si dy buzët. Domethënë të përplotësojnë njëri-tjetrin. Vazhdimisht, në cdo gjë dhe për gjithcka. E kjo nuk është e lehtë gjithherë të bëhet kështu. Madje, ndonëse duket logjike dhe e duhur, zakonisht nuk ndodhë kështu, dhe relacionet midis dy të dashuruarve metamorfozohen në trivialitet, në dicka të dhënë, shpesh edhe si detyrim. Pikërisht për këtë duhet ta kujtojmë vargun: “Unë e ti…/ … Nuk e di!”, mesazhin sublim dhe dashamirës, që të kujdesemi për dashurinë që gjithnjë të jetë e plotësuar, që të mos krijohen vakume, mangësi, mungesa, lakmi, shpërfillje, refuzime, përbuzje. Stërkeqje të këtilla e dobësojnë fushën e shpirtit që quhet dashuri.
3.
Sensitiviteti femëror, i shprehur me gjuhën poetike, sikur është karakteristikë e shumicës së vargjeve të Elife Luzhës. Ajo, fjala vjen, në poezinë “Lindja ime”, që secili do të priste se ajo flet për veten e vet, në të vërtetë ajo flet për një lindje tjetër, të gërshetuar, si lindje identitare. Edhe është fjala për poeten edhe nuk është, është për poeten dhe për kombin, për identitetin shqiptar.
“Kur binte telefoni” është një poezi lakonike, në të cilën autorja na e jep tensionin psikologjik të mërgimtarit, i cili, në kohë të robërisë dhe të luftës, telefonata ishte bërë sinonim i kumtit të keq, të lajmeve të trishta.
Një poezi tjetër intriguese është “Zhgënjim lulesh”, ku lirika e dashurisë sikur arrinë horizontet. Vrulli poetik nuk shuhet po shpërthen si fishekzjarre. Ja vargjet: “M’u binde/ T’u binda/ Seç shkreptinin/ Ylberët nën blirë/ Ti humbe në mjegull/ Unë në errësirë.”.
Një tufë poezish si këto, flasin shumë. Ato tregojnë për një fryt të arrirë poetik, ani se ky fryt është pjekur disi në heshtje, larg syrit të lexuesve, diku skutave të përpjekjeve intelektuale për mos t’iu nënshtruar pa-fatësisë. E tërë poezia e Elife Luzhës është një luftë për mos t’u shuar, një luftë për mbijetesë, një luftë që autorja e ka bërë e vetme kundrejt përmasave gjigante të shpërfilljes, anashlënies, mbylljes së dyerve dhe injorimit.
Autorja, kryesisht, poezitë i shkruan në veten e parë njëjës. Ajo paraqitet si një “unë”, si vetë poetja. Por ajo është më shumë se aq. Ajo është zëri i një njeriu që nuk i dorëzohet vetmisë. Ajo, në këtë kuptim, bëhet zëdhënesja e të gjitha vajzave dhe grave që kushtet e rrethanat tregohen të pamëshirshme ndaj tyre. Prandaj, për fat të keq, janë të shumta vajzat dhe gratë të cilat, përmes ”unit” të poetes Elife Luzha – flasin, shprehen, rrëfejnë, thirrin dhe jehojnë për të treguar qenien e tyre. Ajo që i karakterizon këto është gjuha e tyre e artikulimit – sensitiviteti femëror, që i bënë qenie të dashura, të ngrohta, të bukura, dhe shumë sublime. I ngritur në art, sensitiviteti femëror paraqitet përplot elegancë dhe me gjentilencë, fisnikëri dhe dinjitet.
*) Autorja është dramaturge dhe regjisore teatri