Nga Besnik Imeri, Vlorë 27. 11. 2022
Një qytet dhe fortifikim i rëndësishme, i ndërtuar në një kohë më të hershme se antikiteti, ka qënë edhe Oriku, i cili së bashku me Aulonën dhe Kaninën siguronin lidhjen e amantinëve me bregdetin. Duke qënë se për Orikun nuk janë bërë gërmime arkeologjike të plota, kanë mbetur të pashpjeguara koha e ndërtimit, shtrirja, gjatësia e mureve, tipet e tyre, dhe plot të panjohura të tjera. Madje nuk dihet saktësisht se ku ka qënë ndërtuar saktësisht fortifikimi fillestar dhe qyteti, në kodër, ku gërmimet arkeologjike kanë evidentuar një sërë objektesh si, nymfeu, godina banimi, etj, apo përballë këtij, në një kohë më të vonë në fushë ose në kodrën në anën tjetër të lagunës.
“Arkeologu francez Hezej pat hetuar gjurmë mjaft të rëndësishme fortifikimi në këtë qytet. Ai thotë se qyteti ishte ndërtuar dhe fortifikuar me shumë shije, dhe se traseja e rrethimit kishte një formë ovale, ku muri helenik më i vjetër ishte rindërtuar më vonë me tulla dhe llaç. Një rrethim të veçantë krijonte gjithashtu akropoli, i cili ndodhej në majë të kodrës dhe ndahej në dy pjesë nga një mur i brendshëm…
Siç del nga përshkrimi i Hezejt, Oriku ka qënë i mbrojtur nga një mur rrethues me tulla të vendosur mbi një xokol gurësh të punuar ashtu si në Apoloni dhe në Lis…por të dhënat për teknikën e mureve, tani të zhdukura, janë ta pamjaftueshme për të dhënë një datë të saktë rreth kohës së ndërtimit të tyre. Në një farë mase do të na ndihmonin në këtë rast burimet historike.
Sipas dëshmisë së Tit Livit, në verë të vitit 214 p.e.s. kur Filipi i V i Maqedonisë sulmoi Orikun, ai e pushtoi atë me lehtësi, “mbasi qyteti ishte në shesh dhe nuk kish as mure, as roje dhe as armë të forta”. Por kur Cezari zbarkoi në Iliri (në vitin 48 p.e.s), Oriku ishte plotësisht i fortifikuar.” [1]
Patch-i dallon një mur në lagunë, të cilin na e përshkruan Tahsin Jonuzi: “Në pjesën e brendshme të portit, mbrapa qytetit” është laguna, në fundin e së cilës, në anën jugore të kodrës, mund të shihet një mur rreth 1,80 m dhe 30 m i gjatë…Në shkëmbin e ngritur Patch-i gjeti shumë shkallë të prera me 17 m gjatësi dhe 2,40 m gjërësi…” [2] Por muret e Orikut antik i përmend edhe Ago Agaj, i cili pohon se muret e kalasë së Orikumit (në fillim të shekullit të XX) ndodheshin një metër ndën ujë, dukeshin me sy dhe shkeleshin me këmbë…” [3]
Patch-i dhe Agua bëjnë fjalë për muret në kënetën e Valltos, në lagunë. Por, gjithashtu, nga përshkrimi i Hezejt dhe Patch-it, të krijohet përshtypja e dy fortifikimeve, një në kodër, akropoli, dhe tjetri më poshtë, në fushë në formë ovale. Nga tregimi i Tit Livit mesojmë gjithashtu, se në fund të shek. III p.e.s. Oriku nuk kishte mure. Por edhe këtu mësojmë se bëhej fjalë për një qytet në shesh, dhe jo për një qytet në kodër. Tani lind pyetja: mos vallë Oriku i lashtë ka qënë me një shfaqje të dyfishtë, në kodër dhe në shesh, ku ky i fundit, me kalimin e kohës, ndoshta dhe me zgjerimin e lagunës është zhytur nën ujin e saj?
Nga përshkrimi i Hezejt dhe gjendja e fortifikimit në kohën e Cezarit, mendojmë se në periudhën e pushtimit romak, pas vitit 168 p.e.s., Oriku, si një qytet me rëndësi strategjike në bregdet është rifortifikuar prej tyre,ku muri helenik më i vjetër ishte rindërtuar më vonë me tulla dhe llaç. Ashtu si në fillim, përsëri ne shtrojmë pyetjen. Kush ka qënë periudha e themelimit të këtij qyteti: antikiteti apo prehistoria? Këtu na vjen në ndihmë Hezej, i cili përmend ekzistencën e akropolit të këtij qyteti, të cilin e vendos në kodër. Atëhere, nga kodra dhe akropoli, nëpërmjet gërmimeve arkeologjike, mund të zbulohet edhe koha fillestare e ndërtimit të këtij qyteti dhe fortifikimit të parë të tij, të cilin ne, pa dyshim, do ta quanin një fortifikim pellazgjik, ashtu siç kemi quajtur dhe ndërtimet në akropolet e qyteteve tona të lashta. Kjo sepse edhe legjendat e afrojnë atë me periudhën e fundit të bronzit, pra me prehistorinë.
Arkeologu Aleks Trushaj tregon se, ky qytet skelë mendohet të jetë themeluar në gjysmën e dytë të shek.VIII p.Kr…Sipas Skymnit (shek.III-II p.Kr)…Orikun, qytet helen në buzë të detit e ndërtuan euebeasit, të cilët i hodhi këtu dallga kur ktheheshin nga Troja…Plini (shek.I m.Kr) thekson…Në bregdet gjendet qyteti Orik, themeluar nga Kolkasit. Prej këtu fillon Epiri, malet Akrokeraune…[4]
Ndjekim edhe legjendën e themelimit të Amanties dhe Thronionit: “ Pauzania shkruan se Thronioni ishte një qytet i krahinës së Abantisë dhe se kjo e fundit u përkiste thesprotëve. Qyteti u ngrit nga abantët e Eubesë së bashku me lokrët e Thronionit; pas udhëtimit në det dhe vendosjes së tyre pranë maleve Keraune… Nuk mund ta lidhim Thronionin me Amantinë e vonshme por duhet ta kërkojmë më afër maleve Keraune, më afër detit dhe qytetit Orik. Si vend më i mundshëm për një lokalizim të Thronionit, është kalaja e Kaninës, në muret mesjetare të së cilës janë parë gjurmë ndërtimi antik.” [5]
Na duhet të sqarojmë se Abantët Eubesë dhe Lokrët e Thronionit nuk ishin helenë, pasi periudha që ata kanë zbarkuar pranë maleve Keraune, pas shekullit të XII p.e.s, ishte pa diskutim një periudhe pellazgjike. Rrjedhimisht, abantët dhe lokrët ishin pellazgë, dhe, detyrimisht, edhe ndërtimet e tyre, fortifikimet dhe qytetet e prej tyre ishin pellazgjike.
Por legjenda na thotë gjithashtu, se abantët dhe lokrët kanë zbarkuar pranë maleve Keraune, pikërisht në zonën e fushë-Dukatit, Orikumit të sotëm, apo Orikut të Lashtë, dhe ajo le të kuptohet, se edhe Orikun e kanë themeluar ata. Dhe në qoftë kështu, Oriku është themeluar rreth fillimit të shekullit të XII p.e.s., me mbarimin e Luftës së Trojës, për datim, i ngjashëm me Buthrotin, në akropolin e të cilit janë evidentuar trakte muresh pellazgjike.
Në të mirë të këtij mendimi, që Oriku është një ndërtim pellazgjik, është edhe fakti, që në qafën e Ravenës, pranë Orikut antik, dhe, me siguri për mbrojtjen e tij nga sulmet e mundshme nga deti Jon nëpërmjet kësaj qafe, gjendet një fortifikim prehistorik i periudhës së bronzit që vendasit e quajnë “Maja e Qytezës”, ndërsa Pukëvili, kur e ka vizituar, muret e saj i ka quajtur pellazgjike: “Pouqueville përmend një fortifikim me mure të tipit “pellazgjik” mbi gjirin e Ariut, “Val d’Orso”…ndodhet në pllajën e Ravenës 300 m mbi nivelin e detit…Ngjashmëria me fortifikimet e bregdetit e datojnë midis fundit të periudhës së bronzit dhe fillimit të periudhës së hekurit. Pranë këtij fortifikimi ndodhen tumat e fushës së Dukatit, çka sugjeron se ndërtues dhe përdorues të tyre janë e njëjta popullsi.” [6]
Nga vrejtja e hollë e arkeologëve të rinj K.Çipa dhe M.Meshi, mund të supozojmë gjithashtu se, kronologjia e tumave të Fushë-Dukatit duhet të jetë e njëjtë me atë të Orikut dhe “Majës së Qytezës” në Ravenë, fundi i periudhës së bronzit.
Gjithashtu, orikasit e lashtë, në ruajtjen e traditës së origjinës së tyre pellazgjike, adhuronin dy perënditë pellazge të Epirit, Zeusin e Dodonës dhe gruan e tij epirote Dionën. Kjo është një e dhënë më shumë që verifikon origjinën pellazgjike të këtij vendbanimi të fortifikuar. Në lidhje me këtë adhurim arkeologu Aleks Trushaj tregon për një mbishkrim të shek.IV p.Kr. të bërë mbi një pllakëz orakullore të Dodonës ku “korkyrasit dhe orikasit pyesin Zeusin Naios dhe Dionën se cilës hyjnie apo heroi duhet t’i bëjnë flijime dhe t’i drejtojnë lutje për të qeverisur në mënyrën më të mirë dhe në siguri të plotë shtetin e tyre” (Harta Arkeologjike e Shqipërisë, Tiranë, 2008, f. 218) [7]
Besnik Imeraj (nga libri “Epiri Pellazgjik”)
__________________________
FORTIFIKIMET PELLAZGE TË ÇUKËS SË AJTOJT DHE RRIPËSIT (VIDEO)
[1] Gjerak Karaiskaj, “5000 vjet Fortifikime në Shqipëri”, Bot.”8 NËNTORI”-1981, f. 90
[2] Tahsin Jonuzi, “Die Topographie und die Strabenzuge Allbaniens in Altertum”, Innsbruck 1937”, “Topografia dhe rrjeta e rrugëvet të Shqipnis në kohët e vjetra”, ONUFRI-2021, f. 67
[3] Ago Agaj,“Lufta e Vlorës”,Shkruar në Mehdie,Egjipt-1962, B.TOENA,Tiranë-2002, f. 20-22
[4] Aleks Trushaj,“AMANTËT dhe koinoni i tyre”. Bot.Europrint, Vlorë-2020, f. 136
[5] Skënder Anamali, “Kuvendi i I i Studimeve Ilire” 15-21 shtator 1972, “ILIRIA-2”, f. 65, 68
[6] Kriledjan Çipa-Mariglen Meshini, “Të dhëna të reja rreth fortifikimeve paraurbane në Shqipërinë jugperëndimore”, ILIRIA Nr.XL-2016. f. 72-73
[7] Aleks Trushaj,“AMANTËT dhe koinoni i tyre”. Bot.Europrint, Vlorë-2020, f. 138