(Prishtinë, 09. 02. 2013) – Më 10.02.’07 në qendër të Prishtinës u ringjall fantazma kriminale e Jugosllavisë shoveniste,…! – Data 10 shkurt 2007, mund të thuhet lirisht, shënon një njollë të zez në historinë më të re të Kosovës. Atë ditë në Prishtinë ndodhi një e papritur, ndodhi diçka që pak kush do të mund ta fantazonte. Atë ditë u përmbysen shumë ëndrra të shqiptarëve, që kishin besuar se në qershorin e vitit 1999 ka marrë fund përgjithmonë dhuna shtetërore, që e ka shtypur këtë popull për një kohë shumë të gjatë…
Më 10 shkurt 2007, për turpin e përgjithshëm të ndërkombëtarëve dhe të vendorëve, që përfaqësojnë strukturat më të larta politike të këtij vendi, në qendër të Prishtinës u ringjall fantazma kriminale e Jugosllavisë shoveniste, u ringjall kuçedra policore, që në dhjetëvjetëshat e fundit të shekullit XX mbolli urrejtje, helm të gazërave lotësjellës, dhunë dhe vdekje në Kosovë… Policia ndërkombëtare e UNMIK-ut, bashkë me marioneten vendore, ishin atë ditë edhe më të zeza se policia e Milosheviçit…
Segmente të caktuara të politikës ndërkombëtare, që vepronte në Kosovë, me vetëdije të dikurshme koloniale të shekujve të kaluar, më 10 shkurt 2007, e kompromituan, e njollosën dhe përdhosën deri në hiç idenë për demokracinë perëndimore, për të cilën shumë shqiptarë kishin ëndërruar në vitet e dhunës së Jugosllavisë se Rankoviç – Tito – Milosheviçit…
Duhet të thuhet botërisht: dhuna ishte planifikuar “për t’i disiplinuar” të gjithë ata shqiptarë që nuk pranonin përbuzjen e nënshtrimin, që kërkonin të drejtën që vetë të vendosin për të ardhmen e tyre. Dhuna ishte planifikuar nga segmente të politikave në të cilat mbizotëronte vetëdija e shekujve të kaluar, e politikave që me gërsherë të përgjakura i kishin prerë hartat e Ballkanit “për t’i qytetëruar” popujt, që nuk i plotësonin kriteret e tyre “qytetëruese”…
Pra, dhuna e 10 shkurtit 2007 ishte planifikuar deri në hollësi… Ishin mënjanuar përkohësisht nga veprimi të gjithë ata që me vetëdëshirë kishin pranuar ta vënë në shpinë kryqin e Kirenarit dhe në dëm të popullit të tyre t’i bëjnë të gjitha kompromiset e palejueshme, që edhe vetë do t’i quajnë “të dhimbshme”…. I ashtuquajturi “Grup i unitetit” do të ketë “alibi” të sigurt, sepse ate ditë ishte në helikopterët e ndërkombëtarëve dhe e kundronte qiellin e Veriut të Mitrovicës…
Policia, e quajtur formalisht “e Kosovës”, e drejtuar dhe komanduar nga ndërkombëtarët, sipas planifikimit, do t’i shërbente si mburojë e gjallë policisë së UNMIK-ut. E kjo, ishte e armatosur me të gjitha armët e mundshme për veprime të këtilla… Madje, edhe me municion të skaduar, që për të mos u hudhur kot, përdorej kundër shqiptarëve… Tamam sipas “kritereve”, ishte “multietnike”, por për zellin dhe epshin shtazarak u shquan sidomos rumunët, polakët dhe ukrainasit…
Policët ndërkombëtarë si dikur në legjendat tona balozët e zinj të ardhur nga vende të largëta përtejdeteve ua kishin zënë rrugën djelmoshave të “Vetëvendosjes” dhe nuk do t’i lënin të bëjnë marshimin e tyre tradicionalë në rrugët e qytetit të tyre. Balozat u vërsulën mbi rininë. Gjuajtën pa mëshirë mbi rininë shqiptare, vranë Arbën Xheladinin e Mon Balajn dhe plagosën e sakatosën më shumë se 80 të rinj… Ata ripërtëritën në tërësi pamjet tmerruese të viteve të robërisë së Kosovës, e përgjakën dhe e helmuan me lotësjellës sërish kryeqytetin …
Dhjetë shkurti, prandaj mbeti ditë e krimit, njollë e zez që nuk do të shlyhet kurrë në kujtesën e liridashësve… Ajo mbeti njollë e turpit për shumë të huaj dhe sidomos për shqiptarët servilë, që si dikur në kohërat e errata të robërisë, u rreshtuan në krahun e dhunës dhe të pushtetit të dhunshëm.
Ato ditë pjesa dërrmuese e mediumeve të shkruara dhe elektronike të Kosovëse shprehen tërë qyqarëllëkun e tyre, sepse nuk e thanë të vërtetën… Madje, si dikur në kohën e Jugosllavisë titiste e milosheviçiane fajin ua hudhen demonstruesve…
Sot po kalojnë gjashtë vjet nga ajo ditë e kobshme dhe askush nuk është ndëshkuar për këtë krim. Përkundrazi, policët rumunë, vrasësit e të rinjve shqiptarë, kanë ikur pak ditë pas “kryerjes së detyrës” dhe janë dekoruar në vendin e tyre…. Madje ata erdhën sërish për të kryer detyra të reja brenda policisë së EULEX-it…
Dihet se sipas të gjitha ligjeve ndërkombëtare krimi nuk vjetrohet kurrë. Ai nuk mund t’i falet askuj, madje as UNMIK-ut, që krahas “kumbarive” të shumta në krime në Kosovë, (midis të cilave vlen të përmendet krimi i bërë 13 vjet më parë nga serbët, kur në pjesën veriore të Mitrovicës u vranë dhjetë shqiptarë dhe u dëbuan me dhunë më se 12 mijë banorë), ky ishte krimi i drejtpërdrejtë i tij… Ky krim i ndërkombëtarëve në Kosovë nuk është zbardhur ende, ndonëse për qëllime demagogjike, për hipokrizinë tradicionale të qytetërimit bashkëkohor, ishin formuar komision dhe kishin filluar hetimet…
EULEX-i si mision ndërkombëtar, që ka ardhur në Kosovë për të vënë rend dhe për të zbatuar ligjin, mendoj se detyrë të parë e ka ta zbardhë deri në fund krimin e 10 shkurtit 2007, që e ka bërë UNMIK-u. Hetimet për këtë krim duhet të shkojnë në tri pista: duhet të nxirren para drejtësisë ideatorët e krimit, të dënohen urdhërdhënësit e krimit dhe kriminelët doras, policët, që e kanë ekzekutuar krimin…
Në qoftë se EULEX-i nuk do ta bëjë një punë të këtillë, nuk do ta zbardhë deri në fund krimin e UNMIK-ut të datës 10 shkurt në qendër të Prishtinës, në prani të mijëra qytetarëve, që janë edhe dëshmitarë okularë për këtë krim, atëherë askush nga shqiptarët, që ka dy fije mend në kokë, nuk do t’i besojë këtij misioni, kësaj drejtësie e demokracie, por do të dijë se kemi të bëjmë me segmente të caktuara të vazhdimësisë së politikës kolonialiste, me mbeturina të mentalitetit evropian të shekujve të kaluar…
Një politikë e këtillë është e gjykuar të dështojë. Por, deri atëherë do t’i sjellë dëme të pariparueshme ardhmërisë së popullit tim dhe përgjithësisht të popujve të Ballkanit, që shpresojnë ende sinqerisht se do të integrohen në proceset e mirëfillta demokratike të një bote më të drejtë, më humane, në Evropën e Bashkuar…
Mu për këtë është e domosdoshme që krimi të ndëshkohet. Drejtësia duhet të vihet në vend. Në të kundërtën, çdo gjë është e rrejshme, mashtruese, hipokrite, ashtu siç ka qenë politika e shekujve të kaluar, që nën maskën e demokracisë dhe të lirive qytetare i ka mbrojtur interesat gjeostrategjike të shfrytëzuesve, që qirreshin se janë duke mbrojtur qytetërimin dhe paqen botërore…