Në 42 vjetorin e demonstratave të pranverës 1981
QARKORE E BRENDSHME (E LRSHJ-së) LIDHUR ME RASTIN E ISH-PKMLSHJ (PARTIA KOMUNISTE MARKSISTE – LENINISTE E SHQIPTARËVE NË JUGOSLLAVI), NË VITIN 1983
Qarkore e brendshme lidhur me rastin e ish-PKMLSHJ
Kohët e fundit ka nisur të shpërndahet nëpër Gjermani një broshurë me titull “Platforma Politike, Programi dhe Statuti i OS (orgnizatës sindikale) Bashkimi i Punëtorëve të Kosovës”.
____________________________
Ilustrim nga arkivi i pashtrikut: Faksimili i ballinës së broshurës…
***
Në këto 40 e sa faqe (46 faqe – shënim i redaksisë së Pashtrikut) ka gjithçka, prandaj kësaj radhe s’po e analizojmë fare përmbajtjen e saj, le ta bëjë këtë vetë lexuesi, por po e analizojmë atë çka i parapriu kësaj:
Në vitin 1981 në Kosovë, për herë të parë, nisi të flitet për PKMLSHJ (Partia Komuniste Marksiste-Leniniste e Shqiptarëve në Jugosllavi). Ajo nisi të nxjerrë organin e vet në dhjetëra kopje me titull “Revolucioni”, një herë tjetër “Zëri i Atdheut”, kjo e fundit është shpërndarë shumë pak, kështu që nuk dihet për të, ndërsa “Revolucioni” është më i njohur nga ajo se, te lexuesi i pjekur që ka qenë në dijeni të organizimit ilegal në Kosovë, ka lënë përshtypje me prepotencën e pashembullt të njërit prej numrave të tij, në të cilin autorët e tij pohojnë se gjoja ata qenkan ata që i kanë organizuar demonstratat e 81-it dhe se për këtë sukses kryetari dhe sekretari gjeneral e kanë shpallur veten heronj të popullit…
Këto gjëra i kanë indinjuar së tepërmi sidomos njerëzit që kanë vepruar në ilegalitet të thellë gati me dekada, por kurrë s’kanë nxjerrë zë, ata e kanë lënë të tregojë puna e tyre; kjo që thamë, niveli i ulët intelektual i shkrimeve të tyre, fjalori i konferencave jugosllave bënë që te shumë njerëz të fitohet përshtypja se kjo është vepër e UDB-së, në të vërtetë autori i shkrimeve (Abdullah Prapashtica – shënim i redaksisë) ka punuar në SPB.
Këtë organizatë në një masë e ka popullarizuar edhe regjimi duke shkruar për të në kohën kur ata kërkonin me pishë njeri për t’ia hedhur fajin për pranverën e 81-it, sepse ishte qëndrim i organizatave të tjera ilegale që një shpërthim i tillë në opinion të paraqitet si vepër spontane e vetë popullit, pavarësisht nga ajo se kush ka kontribuar në atë drejtim, sepse kjo do të ishte shumë më akuzuese për armikun. Veç kësaj, kjo org. (organizatë – shënim i redaksisë) në fjalë e ka përdorur me sukses luftën psikologjike, të gjitha shkrimet e veta së pari ua ka dërguar organeve krahinore, kuptohet duke i ngjitur vetes emra të mëdhenj e fjalë që me asnjë rast s’i ka përcjellë punë përkatëse. Kjo metodë është treguar e suksesshme sepse e ka popullarizuar këtë organ. Në të vërtetë kjo organ. ka qenë, sikundër që edhe është, vepër e një grupi të ngushtë familjar, dajë, nip, dajë etj. Për herë të parë në Kosovë këta kanë lëshuar në “përdorim” një formë të vjetëruar organizative të kohës së Leninit apo të tipit të sotëm të Perëndimit, do të thotë celulat dhjetëshe, gjë që për realitetin kosovar kjo është treguar si shumë e pasusksesshme, madje edhe e rrezikshme.
Në këtë formë organizimi nuk ka pasur asfarë seleksionimi të njerëzve dhe të përfitimit të simpatisë së tyre, siç po mësojmë kohët e fundit, është përdorur me të madhe shantazhi në këtë stil: je i rrezikuar prej policisë, unë punoj në UDB, ndaj e di mirë, pra eja të të strehojmë, dhe njëmend i kanë strehuar njerëzit, viktimë e kësaj forme pune janë edhe profesorët që u dënuan në procesin e fundit politik në Prishtinë. Ata, pa qenë fare, janë dënuar si njerëz të organizuar.
Një parantezë, në prag të vrasjes tragjike të shokëve tanë Jusufit e Bardhoshit (kanë qenë, siç dihet, anëtarë të ish Lëvizjes nacionalçlirimtare) dhe Zeqës (anëtar i ish-Organizatës Marksiste-Leniniste), janë zhvilluar bisedime për bashkim, bisedimet kanë qenë të suksesshme dhe sipas të gjitha gjasave natën e vrasjes ka ardhur gjer te bashkimi. Këto organizata kanë vepruar në mërgim sidomos dhe gjithmonë i kanë koordinuar aksionet, janë ndihmuar në mes veti me të madhe, ky është një fakt i padiskutueshëm. Pas rënies së tyre në popull u krijua indinjim i pakufishëm e mjerisht edhe një huti e palejueshme. Në Kosovë u bënë burgosje të mëdha, nga të gjitha organizatat u burgosën shumë njerëz, shumë të tjerë u desht t’ia mësyjnë mërgimit, ndër ta edhe udhëheqësi i ish PKMLSHJ.
Në mërgim (në Turqi më 16/17 shkurt 1982 – shënim i redaksisë) janë zhvilluar bisedime në mes tij (Abdullah Prapashticës, Osman Osmanit dhe Faton Topallit – shënim i redaksisë) dhe shokëve të ish LNÇ-së (Sabri Novosellës dhe Xhafer Durmishit – shënim i redaksisë) … ka ardhur te bashkimi dhe formimi i LRSHJ, jo LRSSHJ.
Ilustrim nga arkivi i pashtrikut: Komunikata e bashkimit të 17 shkurtit 1982 në Turqi, midis LNÇKVSHJ-së dhe PKMLSHJ-së me emërtimin Lëvizja për Republikën Shqiptare në Jugosllavi (LRSHJ) pa fjalën „Socialiste“…
***
Përkundër kësaj nuk është zhvilluar kurrfarë aktiviteti, kjo ka mbetur anonime, çështje e tre-katër njerëzve. Në Maj, më 14 e 15 Maj, janë zhvilluar bisedime edhe me përfaqësus të ish OMLK (Xhafer Shatrin dhe Hasan Malajn – shënim i redaksisë), ka ardhur gjer te bashkimi, gjegjësisht formimi i LRSHJ-së, për këtë ekzistojnë dokumente. Në bisedime kanë qenë dy përfaqësues të organizatave të mëparshme (Xhafer Durmishi dhe Osman Osmani – shënim i redaksisë) si përfaqësues të organizatave të tyre.
Kur ka ardhur te botimi i komunikatës, përfaqësuesi i ish-OMLK (Xhafer Shatri – shënim i redaksisë) ka insistuar që ajo të përpunohet pak, po në esencë të mbetet e njëjta dhe i ka bërë ndonjë plotësim, ashtu siç qe vendosur dhe e ka dërguar në botim, mirëpo përfaqësuesi i ish PK (Osman Osmani – shënim i redaksisë) ka insistuar që në komunikatë të futet se prijëse ideore e Lëvizjes të jetë Partia Komuniste, gjë që në fillim tingëllonte fare padjallëzisht… Njeriu, kur të bashkohet me dikënd, të luftojë për të njëjtin qëllim, aty s’ka asnjë vend dyshimi; me thënë të drejtën, sikur të mos ishte përf. e LN (Xhafer Durmishi – shënim i redaksisë), kjo do të bëhej, mirëpo ai, duke i njohur më mirë, ua hetoi qëllimin dhe, kuptohet, doli komunikata që thotë se LRSH është një organizatë unike e operative.
Ilustrim nga arkivi i pashtrikut: Komunikata e 15 majit 1982 e lëshuar nga KQ i LRSHJ-së (jo LRSSHJ), dhe Kushtrimi për demonstratën e 26 qershorit në Bern…
***
U zgjodhën organet e përkohshme udhëheqëse, por në mbledhjen e tyre mungonte përf. i PK. (Osman Osmani – shënim i redaksisë). Ai insistonte rregullisht që të flasim vetëm në katër sy. Fillimi si çdo fillim nuk na mundësonte takime të shpeshta, nisëm të letërkëmbejmë, shoku i PK nuk përgjigjej në letra, më vonë njëri prej tyre (Luani – Nuhi Sylejmani – shënim i redaksisë) shtroi në një letër të gjatë propozime të shumta që dukeshin të papranueshme, ndër të tjera insistonte që të formohen organizata të brendshme si Fronti Demokratik, organizata e gruas, e pionierëve etj., gjë që për realitetin kosovar kjo është e pamundur: në një shtet totalitar të tipit më fashist t’i shkapëderdhësh njerëzit, kjo është vetëvrasje.
Ilustrim nga arkivi i pashtrikut: Letra me tri faqe e N.S (Nuhi Sylejmanit) – Luanit, dërguar më 10 Gusht 1983, shokëve të krahut të OMLK-së, në emër të shokut Ukë (Xhafer Shatrit).
***
Në të tjera kushte ka vepruar PKSH (Partia Komuniste e Shqipërisë – shënim i redaksisë), ajo e ka pasur malin dhe armikun që ka qenë aty prej një ose dy vjetësh, pra armik me rrënjë të cekta, ndërsa Kosova është krejt diçka tjetër.
Në këto shkresa kemi dhënë përgjigje dhe kemi shprehur mendimet tona. Kemi insistuar për një takim, sepse e pamë se veç ia kanë nisur t’i përçajnë radhët tona, të organizojnë edhe njerëzit e organizuar, duke u shërbyer me shpifje dhe dinakëri krijuan konfuzion të madh sidomos në rrethin e Shtutgardit. Kjo reflektohej keq te punëtorët.
U përpoqëm të bisedojmë bashkarisht për këto probleme, por u iknin takimeve, njëherë udhëtuam me mijëra kilometra për t’u takuar, por ai burri i botës i iku takimit, vetë shoku i tij më i ngushtë ikjen e tij e çmoi si tradhëti. Ky rast pati pasoja të mëdha. Herën e dytë i shkruam letër urgjente që të propozojnë se ku po shihemi dhe kur bile morëm përsipër që të udhëtojmë 5000 kilometra, me rreziqe të shumta, por përgjigje morëm vetëm pas dy muajsh, kuptohet përgjigje negative. Shkruanim herë pas here, nuk kthenin përgjigje, apo më mirë shërbeheshin me arsyetime që s’ishin gjë tjetër veçse gënjeshtra fare të paskrupullta.
Duke e parë se çdo gjë është e kotë, edhe ne e ndërpremë letërkëmbimin aty nga viti i ri (1983/84) duke u thënë se kur të bëhen gati le të na shkruajnë në ZK e ne do t’u japim përgjigje. Atë ditë e sot nuk kemi marrë letër. Gjersa marrëdhëniet nuk ishin aq të ftohura, ata e shpërndanë një trakt disafaqesh me konglomerat idesh, por në të kishte edhe gjëra të mira; për shpërndarjen e këtij trakti kemi marrë vesh pasi na ka ra në dorë. Disa herë kanë premtuar se do të shkruajnë për ZK, këtë e kanë bërë shumë rrallë dhe punimet kanë qenë krejtësisht të dobta, fare të papërpunuara, kanë premtuar se do të dërgojnë informata për një dëshmor të ri, Afrim Abazin, këtë s’e kanë bërë kurrë.
Në një letër të mëparshme kur autorit të këtyre rreshtave i propozuan ta “bëjnë” kryetar të L. dhe kur ky propozim u injorua, si duket i humbën të gjitha shpresat se do të mund të luajnë me emrin e Lëvizjes, të cilës, duhet të themi, duke keqpërdorur sinqeritetin tonë, ia imputuan emrin me ndajshtimin LR(S)SHJ, sepse në dokumentet e bashkimit përmendet vetëm LRSHJ, asgjë tjetër. Këtu është shkaku pse edhe sot e tutje në ZK përdoret vetëm në një vend LRSSHJ (Lëvizja për Republikën Socialiste Shqiptare në J.).
Në këtë letër informuese është vështirë që për një kohë fare të shkurtër të përfshihen të gjitha ato që na shtyjnë të bashkohemi, pastaj ato marrëdhëniet ngreh e mos këput që për ne kanë qenë torturë, minimi i radhëve nga brenda, intrigat e ndryshme, mossinqeriteti total, dëshira e sëmurë për dominim etj., kanë qenë arsenal i tyre i përditshëm në marrëdhënie me ne. Për hir të unitetit ne jemi treguar së tepërmi tolerantë, apo thënë më mirë oportunistë. Me ta është dashur ta shkëpusim që në fillim. Me njerëzit që nga hija e vet nuk e shohin interesin e luftës e të popullit ne s’na lidh asgjë. Kjo broshurë më tepër është një konglomerat budallallëqesh e sharlatanërie të pashoqe. Autori(ët) i saj nuk e njeh, apo thënë më mirë, s’e njeh fare realitetin e sotëm, apo thënë ndryshe, nuk do ta njohë. Nisur nga kjo që në biseda verbale dhe në mbledhje të ndryshme duhet të plotësohet edhe me shembuj më të freskët e më të imët, tash për tash shtrohet si detyrë që të gjithë anëtarët e LRSHJ ta analizojnë këtë broshurë dhe të shprehin mendimin për të, pa kurrëfarë mërie ose inati personal, ne qëllimisht s’po e bëjmë këtë, sepse na nevojitet mendimi i të gjithë shokëve e pastaj nga ato do të marrim një vendim.
Një gjë është e qartë: ky është një fraksion që mund ta dëmtojë, por kurrë ta ndalë hovin e Lëvizjes, këta janë njerëz që nuk kanë ndikim në masë, ata i frikohen takimit më tej, nuk kanë kurrëfarë aftësie intelektuale për të shkruar diçka të mirë apo aftësi organizative që ta dëmtojnë armikun ashtu siç e kërkon populli sot dhe kushtet ekzistuese. Është dëshmuar se janë mendjemëdhenj të sëmurë, njerëz në të cilët nuk mund të mbështetemi kurrë dhe s’mund të shohim asgjë të mirë. Sikur të ishin shokë, ata kanë mundur të kontribuojnë, sepse udhëheqësi i tyre (Abdullah Prapashtica – shënim i redaksisë) ka punuar në çerdhen e armikut dhe ka mundur të na informojë e mësojë për shumë gjëra, ka ndodhur krejtësisht e kundërta.
Mjerisht puna ka shkuar edhe më larg, ka fakte se po na i denoncojnë njerëzit e tyre shokët tanë më të mirë. Sidomos kjo po na dëmton shumë. Është edhe një e keqe tjetër: ekziston dyshimi i themelshëm se në mesin e njerëzve të tyre ka edhe njerëz që punojnë për armikun, fundja të gjitha veprimet e tyre çojnë ujë atje ku s’duhet. Por megjithatë, ne nuk guxojmë të jemi shpirtngushtë dhe t’i kualifikojmë si armiq e tradhtarë, pavarësisht se puna e tyre është kokë e këmbë e tillë.
Lidhur me këtë nga shokët tanë kërkohet që, gjithsesi, ta studiojnë këtë broshurë dhe sa më parë t’i shprehin mendimet e veta, gjatë leximit ta analizojnë së bëshku çdo rresht dhe të vijnë vetë në përfundime të drejta. Duam po ashtu ta dimë se a mendojnë shokët t’i demaskojmë apo jo, t’i luftojmë haptas dhe ta bindim popullin se kush janë dhe çka duan apo ta lëmë për një kohë se si po zhvillohet situata. Por një gjë duhet ta kemi parasysh: këta njerëz mbjellin hutim e dezorientim te masat dhe kjo është shumë e dëmshme, sepse kompromentohet emri i Lëvizjes e ata do të vazhdojnë të veprojnë edhe në të ardhmen në emrin e saj, sepse ky është paravani më i mirë përmes të cilit ata i fshehin budallallëqet e veta. Ky është i vetmi shkak që na shtyn të merremi me ta, përndryshe ata janë fare të parëndësishëm. Do të mund të ishin të rrezikshëm vetëm nëse lidhen me ndonjë shërbim të huaj informativ, sidomos me atë bullgar, siç ka propozuar shefi i tyre (A.Prapashtica – shënim i redaksisë) një herë, por e kemi kundërshtuar, mu për këtë duhet të jemi shumë e shumë vigjilentë, t’i sqarojmë masat, sepse ata kanë për qëllim të fusin konfuzion dhe në emër të saj ta verbojnë Lëvizjen. Të aktivizohemi të gjithë në zbulimin e njerëzve që e shpërndajnë këtë manifest të budallallëkut dhe t’i sqarojmë punëtorët, por pa hyrë në detaje të marrëdhënieve tona me ta. Ata duhet t’i luftojmë me punë të përditshme e jo me thashetheme.
(Kryesuesit e PKMLSHJ, janë Abdullah Prapashtica, Osman Osmani, F. Topalli).
Presim mendim të menjëhershëm
Redaksia e “Zërit të Kosovës”, / Shtator 1983 /
(Burimi: Faridin Tafallari: Dhimbje krenare, (kujtime, dokumentacion, korrespondencë – Shtëpia Botuese LILO, Tiranë 1998, faqe 208 – 212)
Ilustrimet arkivore: Sheradin Berisha © Pashtriku.org
________________
Shtojcë e Pashtrikut
DOKUMENTE PROGRAMORE TË LËVIZJES PËR REPUBLIKËN SOCIALISTE SHQIPTARE NË JUGOSLLAVI (LRSSHJ), JANAR – MARS 1984
Lufte e sabotuar.