KOLONIZIMI I ILIRISE NGA SLLAVËT [1] ) (1)
Nga Konstantin Jireček
Në stepat e anës veriore të Detit të Zi në lashtësi jetonin fiset iraniane, të cilët u zhvendosën vetëm që nga sulmi i hunëve përmes popujve turq, të cilët u dyndën nga Azia e brendshme drejt perëndimit. Në veri të stepës shtrihet, nga Karpatet deri në Ural, një zonë e madhe pyjore. Në gjysmën lindore të kësaj zone pyjore ishin vendosur finët, të cilët fillimisht shtriheshin drejt jug-perëndimit, por u sprapsën ngadalë në drejtim të veriut nga arierët; një dëshmi e fqinjësisë së lashtë sot janë elementët iranianë dhe lituanë në gjuhët e Volgafinëve. Në gjysmën perëndimore në thellësi të vendit pyjor, në hapësirën e madhe midis stepës pontike dhe detit të lindjes, jetonin dy popuj indogjermanë lituanezët dhe sllavët. Lituanezët, dikur një popull i madh, janë pakësuar qysh nga mesjeta. Sllavët, vendbanimet e të cilëve janë më të lashtat sipas të gjitha gjasave, ishin vendosur në jug dhe jug-perëndim të fiseve lituaneze, ua kanë kaluar më shumë se një gjysmë mijëvjeçari lituanezëve të afërm përmes zgjerimit territorial. Përballë dallimit të rëndësishëm midis gjuhëve të veçanta lituane ose gjermanike të bie në sy se gjuhët sllave deri në njëfarë mase janë shumë më pranë njëra-tjetrës; nga kjo mund të nxjerrim përfundimin se nuk ka pasur shtrirje shumë të madhe të vendbanimeve më të lashta. Sigurisht diferencimi rritet që nga shekulli i 9, me të cilin fillojnë dokumentet e rëndësishme vendëse.
Konstantin Jireçek (Josef Hermengild) 24 korrik 1854 – 10 janar 1918, ka lindur në Vjenë, Austri, vdiq në Vjenë, Austri. Më 1893-1918 ishte profesor i filologjisë sllave në Universitetin e Vjenës. Më 1907-1918 ishte drejtori i parë i Institutit për Historinë e Evropës Lindore në Universitetin e Vjenës.
_________________________
Në çdo popull janë të lashtë emrat kombëtarë të njerëzve dhe të vendeve. Emrat e plotë të njerëzve të sllavëve, ashtu si ato të helenëve, gjermanëve, trakëve apo iranianëve, përbëhen nga dy emra, pozicioni i të cilëve mund të këmbehet në shumë raste. Krahas kësaj ka forma të shkurtra, në të cilat emri i dytë zëvendësohet përmes një prapashtese ose bie krejtësisht. Temat janë emra, mbiemra dhe folje me një kuptim, zakonisht të njohur[2].
Kuptimi shpesh i përgjigjet në mënyrë shumë të saktë emrit helen, kështu sipas Miklosichit p.sh. Dobroslav Πάνταρχος, Vladislav Αρχικλης, Vsevlad (rus. Vsevolod) Στρατοκλης, Vojislav Στρατοκλης etj. Emrat sllavë dallohen lehtë nga ato iranianë, trakë, ilirë dhe keltë. Disa forma përkojnë vetëm me emrat gjermanikë, si –mir dhe –gost me gjerm. – mar dhe –gast. Emrat e përveçëm femërorë janë të ndryshëm nga emrat e përveçëm mashkullorë, janë të dallueshëm në mbaresën me zanore (Dragomira, Miroslava, Radonêga etj.). Nuk mungojnë aspak emrat e preferuar të kafshëve te të gjithë popujt si: Vlk (serb. e re vuk, ujk), edhe në shumë kompozita (Vlkoslav, Vlkodrug, Vlkomir), Medvêd (ari), Golub (pëllumb), Labud (mjellmë). Edhe emrat e bimëve janë si tek emrat e përveçëm femërorë: Jagoda (luleshtrydhe) dhe Perunika (iridë). Këtu shtohen edhe emrat me parafjalë si: Prêljub, Prêrad, Prêdimir, ose me pjesëzën mohuese (ne), si Nenad, “njeriu që nuk pritet”, si dhe Apotropaia, si Povren (forma zvogëluese Površko) në serbishten e vjetër që i përgjigjet saktësisht Projectusit të latinishtes së mëvonshme “i flakuri tutje”. Emrat Podan “i shituri” dhe Kupljen “i bleri” tregojnë marrëdhëniet e vjetra shoqërore. Emërtimet sipas karateristikave, si Golêm (i madh), Mal (i vogël), Bêloglav (Kokëbardhë), Črnoglav (Kokëzi), përbëjnë tashmë kalimin tek ofiqet e mesjetës së mëvonshme.Format e shkurtra të shumëllojshme i hasim më shpesh tek emrat e përveçëm femërorë: Goja, Mira, Dobra, Draga, Slavuša etj. Në emrat e vendeve, si te popujt e tjerë, janë dominuese fjalët e prejardhura nga emrat e njerëzve dhe të bimëve[3]. Të parat janë emërtimet e oborreve, shtëpive dhe të staneve të bjeshkëve sipas themeluesve, më të moshuarve të familjes, të parëve të fisit apo pronarëve, një pjesë formash të mbiemrave (-ov, – in), një pjesë patronime (-ovac, shumës –ovci, ose –ići), si Dedojevci, Vojnegovac, Gostiradići nga emrat e përveçëm Dedoje, Vojnêg, Gostirad. Emrat më të fundit, pjesa më e madhe e të cilëve e kanë zanafillën nga ujërat e rrjedhshëm (mbaresa – ica), ofrojnë një përfytyrim të qartë të florës së lashtë pyjore, krahas emërtimeve sipas pemëve frutore dhe perimeve. Më rrallë janë emërtuar vendet sipas emrave të kafshëve. Këtu përmendim emrat sipas formave të terrenit, sipas ngjyrave të tokës, mjeshtërive të banorëve etj.
Karakteri i peizazhit të vendit pasqyrohet në terminologjinë topografike të çdonjërës gjuhë. Po ashtu sipas një vërejtjeje të Alexander von Humboldt (në: “Ansichten der Natur”) në gjuhën arabe edhe pse ekzistojnë një sërë emërtimesh karakteristike të tipeve të ndryshme të fushave, stepave dhe shkretëtirave, kurse në spanjisht një terminologji e zhvilluar për fiziognomikën e masave malore në gjuhët sllave të bie në sy pasuria në emërtimet e ujërave të rrjedhshëm dhe të ndenjur, për burimet dhe krojet, liqenet dhe pellgjet, moçalet e baltovinat, për pyjet, kaçubet dhe korijet. Ndërsa shprehjet e përbashkëta sllave për format e maleve janë të rralla, terminologjia lokale në Karpate, Alpet Lindore, në malet karstike në Adriatik dhe në Ballkan është shumë e ndryshme. Gjithçka tregon një vendlindje të parë në një vend pyjor, të pasur me ujëra, të rrafshët, nuk tregon aspak stepa pa pyje apo lugina dhe shpate të një mali. Nomenklatura më e pastër dhe më e lashtë sllave e vendeve ekziston në Poloni dhe në Rusinë Perëndimore: në zonën e lumenjve të Vislas së Sipërme, të Dniestas së Sipërme dhe të Bugut dhe në pjesën perëndimore të zonës së Dnjeprës. Në këtë zonë mund të kërkohen vendbanimet më të lashta të sllavëve; atje ato zhvendosin lajmet e pamjaftueshme të lashtësisë dhe lajmet e qarta të mesjetës së hershme. Edhe emrat e bimëve të sllavëve arrijnë në këtë zonë të Evropës Lindore[4].
Është një ultësirë me ngritje të papërfillshme në kufijtë ujorë të lumenjve, me shumë liqene dhe moçale, plot me pyje të mëdhenj me kullota të veçanta, të pasur me kafshë gjuetie dhe peshq, e përshtatshme për bujqësi, kullotë gjedhësh dhe rritje bletësh. Lidhjet kryesore i krijojnë rrugët ujore, me kalimet e lehta nga njëra zonë lumi në tjetrën. Fqinjët e sllavëve në këtë vendlindje të parë në perëndim ishin gjermanët, në veri lituanezët, në verilindje fiset fine, në juglindje në stepat pa pyje popujt iranianë, në jug në Karpate trakët, më vonë të përzier disa fise kelte. Një sulm i fuqishëm i sllavëve u kthye në drejtim të lindjes mbi Dnjepr; një tjetër e kishte drejtimin nga perëndimi, ku gjuha e sllavëve të Elbës ka ruajtur forma tingujsh shumë të lashta.
Romakët dhe sllavët u bënë të njohur me njëri-tjetrin përmes ndërmjetësimit të gjermanëve. Në burimet e kohës së perandorit romak sllavët quheshin Venedi (Ουενέιδαι), ashtu siç quheshin në Gjermani në periudhën e mesjetës vinidi; ende sot nga gjermanët në Zaksen dhe në Alpet e Lindjes ato quhen vendë, vindë.
Te vetë sllavët ky emër, prejardhja dhe kuptimi i të cilit nuk është i njohur, nuk ishte kurrë në përdorim. Edhe bizantinët nuk e njohin atë. Nga ana tjetër gjermanët i emërtuan keltët dhe romakët me emrin valh (shumës valhas), ashtu siç quhen te gjermanët deri në kohën e re retoromanët dhe italianët valhë ose velshë. Nga kjo vjen emri sllav vlah (rus. voloh), në shumës vlasi, për romanët. Kështu quhen sot italianët në bohemisht, polonisht, sllovenisht, rumunët në rusisht, bullgarisht dhe serbisht.
Vendas është emri slovên, në shumës slovênë; që nga shekulli 6 është i njohur kudo te fqinjët në perëndim dhe në jug, te grekët (Σκλαβηνοί lexohej Sklavini, Σκλάβοι fillimisht tek Agathias, Σϑλάβοι te Pisides), romanët (Sclaveni, Sclavini, Sclavi) tek autorët evropianë perëndimorë të teksteve në latinisht, te sirianët, së fundmi tek arabët (Sakâlib). Ndeshet gjithashtu në Selanik dhe në Dalmaci, si në Alpet Lindore dhe Karpatet Perëndimore, te sllavët e Elbës dhe në Novgorod. Dobrovsky, Šafařík dhe Miklosich duke u bazuar te prapashtesa e kanë pranuar atë si fjalë të prejardhur nga një emër vendi, por kuptimi i temës, ashtu si te shumë emra popujsh, qëndron i errët[5].
Në emrat e vindëve përngjan emri i antenëve, i cili përdoret vetëm në vitet 500-600 nga shkrimtarët e mbretërisë biznatine për sllavët e Rusisë jugore, nga Karpatet moldave dhe rrjedhjet e Danubit deri në skajin verior të stepës në veri-perëndim të Krimit (Ανται, Antes, Anti). Madje Jordanes i jep vendbanimet e antenëve sipas një burimi më të lashtë, midis Dnjepr dhe Dnjestr dhe i quan ato si më guximtarët e sllavëve. Në njoftimet e kësaj kohe ekziston një kontradiktë midis antenëve dhe “sllavinëve” të mirëfilltë[6]. Prokopi njofton se sllavët dhe antenët janë quajtur fillimisht Spori, emrin e të cilëve ai ose dorëzanët e tij, ka të ngjarë grekët e Pontusit nga Krimi, e vënë bashkë me σποράδην greqisht. Dobrovsky dhe sipas tij Šafařík te Σπόροι panë një emër të shtrembëruar të serbëve nëpërmjet një metateze. Mbi këtë hipotezë është ndërtuar teoria e ngritur nga të dy eruditët, emri i serbëve një herë ka qenë emri i përbashkët i të gjithë sllavëve[7]. Megjithatë Zeuss tashmë është bërë i vëmendshëm ndaj “gens Spalorum”, me të cilin gotët duhet të luftonin sipas legjendave të shënuara te Jordanesi gjatë sulmit të tyre nga deti i Lindjes drejt bregdetit të Pontusit, pra pikërisht në vendin e sllavëve. Emrin e tyre e njohin edhe Diodori dhe Pliniusi (Σπάλοι, Spalaei) ndër fiset ndoshta anës Donit [8].
Lajmet historike fillojnë vonë. Gjeografët e lashtësisë nuk kishin frikë aspak nga shtrirja e madhe e Evropës drejt verilindjes. Strabo mendon se pjesa e Evropës, e cila ka mbetur jashtë kufijve të mbretërisë romake, nuk është e madhe, pjesa më e madhe është një fushë, më tej, në drejtim të veriut, ndoshta e pabanueshme për shkak të ftohtit të madh [9]. Mbyllja në formën e një gjiri detar të Detit Lindor ende nuk ishte zbuluar, Skandinavia ishte si një ishull dhe deti i akullt, si gjiri i të cilit u konsiderua edhe deti Kaspik, u supozua si shumë pranë. Te vetë Ptolemeu, i cili e njeh mirë trajtën e vërtetë të detit Kaspik dhe rrjedhën e Vollgës (Rha), brigjet e Detit Polar shtrihen përmes Rusisë së sotme evropiane. Vetëm në shekullin e 6 (të erës sonë) kishte disa njohje rreth përmasave gjigante të kontinentit evropian. Te kozmografët anonimë të Ravenës në lindje të normanëve, danezëve, finëve shtrihet Szythien, nga e cila ka dalë populli i sllavëve (unde Sclavinorum exorta est prosapia)[10].
Helenët fillimisht krijuan marrëdhënie më të afërta me këto vende përmes themelimit të kolonisë Tyras dhe Olbia në derdhjen e Dnjestr dhe Dnjepr. Përshkrimin e parë e jep Herodoti në shekullin e 5 para Krishtit. Nga popujt, të cilët i numëron një për një në brendësi të vendit pyjor në veri të zonës së stepës, ishin nojrët e sunduar nga një mbret, me nam të keq si magjistarë në Dnjestrën e Sipërme (Tyras) dhe Bug (Hypanis) ndoshta sllavë, ashtu si budinët në rast se ishin fqinjët e nojrenëve [11]. Fise të tjerë, të cilët Herodoti i përmend më tej, kanë qenë finët.
(Vijon …)
Përktheu nga gjermanishtja: Dr. Elda Gjana-Boriçi
____________
Ilustrimet © Pashtriku.org, më 23. 04. 2023
[1] Literatura: P. J. Šafařík, Slovanské (Slawische Altertümer), Prag 1837, bot. 2 në veprat e tij të përmbledhura, Pragë 1862, vëll. 1-2 (përkthyer edhe në gjermanisht, rusisht, polonisht). J.K. Zeuss, Die Deutschen und die Nachbarstämme, München 1837. W. Tomaschel, Kritik der ältesten Nachrichten für den skythischen Norden: SB. W. Akad. Vëll. 106-107 (1886-1888). G. Krek, Einleitung in die slaë. Literaturgeschichte, bot. 2, Graz 1887. A.L. Podogin, Aus der Geschichte der slaw. Wanderungen, russ. Petersburg 1901.l. Niederle, Slovanské starožitnosti, Prag 1902 deri në 1906 vëll. 1 dhe 2 St. Stanojević, Über die Südslawen im 6., 7. und 8. Jahrhundert: Glas 80 (1909) 124-154. Slawische Sprachen: vergleichende Grammatik von F. Miklosich, bot. 2, Wien 1876-1883, 4 vëllime dhe W. Vondrák, Göttingen 1906-1908, 2 vëllime. Fjalorë etimologjikë nga F. Miklosich, Vjenë 1886 dhe E. Berneker, Heidelberg 1908 v. Jagić, Die slaw. Sprachen: Kultur der Gegenwart, pjesa I, rubrika IX (1908), f. 1-39.
[2] F. Miklosich, Die Bildung der slaë. Personennamen: Denkschr. W. Akad., Bd. 10 (1860). T. Maretć, Die nationalen Namen und Zunamen bei den Kroaten und Serben: Rad., Bd. 81-82 (1886).
[3] Miklosich, Die Bildung von Ortsnamen aus Personennamen im Slaëischen: Denkschr. W. Akad., Bd. 14 (1864), 373 Nros. Po ky, Die slawischen Ortsnamen aus Appellativen, po aty 21 (1872) dhe 23 (1874), 789 Nros. Maretić, Die Namen der Flüsse und Bäche in den kroat. und serb. Ländern: Nastvani Vjesnik 1 (1892).
[4] Dr. B. Šulek, Blick aus der Pflanzenkunde in der Urzeit der Slawen: kroat., Rad. 39 (1887) f. 1 – 64.)
[5] Meqenëse latinishtja dhe greqishtja e shmangin grupin e tingujve sl, është futur një X ose A-ja për o-në në Slavjanin rus i përgjigjet ligjeve të rusishtes së re të tingujve. Kuptimet e vjetra të foljes slovo (që nga Pulkava rreth vitit 1374) dhe nga slava gloria (që nga Dubravius 1552) u përsëritën deri në kohë më të re.)
[6] L. Niederle, Antové: Věstník der kgl. Böhm, Gesellsch. d. Ëiss. 1909, f. 12
[7] Dobrovsky, Gesch. der böhm., Prag 1818 f. 9. Šafařik, Slaë. Altertümer 9. Për arsye të mungesës së provave Spori dhe Prokopi bien, të ashuquajturit serbë në Kaukaz . tani glosat e bohemishtes së vjetër të vërtetuara si falsifikim të ‘Mater Verborum”, (Sarmatae e sqaron si Sirbi) dhe ato te Konstantin Porph. si Σερβτοι Severjanet e ridhëna në Rusi.
[8] Khs. në sllavishten e kishës spor. uber, sporyni multitudo, bullg. pjellore; nga ana tjetër khs. sllav. spolin gjigant.
[9] Strabo VII f. 294; XVII f. 839
[10] Ravennatis anonymi cosmographia, bot. Pinter et Prathey I, kap. 12, f. 28.
[11] Faktin që budinët nuk ishin shumë larg nga grekët e Pontusit, e has tek Herodoti nga përshkrimi i saktë i vendit të tyre pyjor dhe i tipit të tyre fizik me sy blu të hapur dhe flokë të kuqërremtë. Të vetmet qytete brenda vendit përmenden në zonën e tyre: Gelonos tek Herodoti, Kariskosi tek Aristoteli. Aristoteli ka lajme të sakta mbi kafshët e huaja pikërisht në vendin e budinëve dhe të nojërve. Popujt ndoshta ishin vendosur pranë kolonisë së Tyras, fqinjësia e së cilës nuk u përshkrua më hollësisht tek Herodoti, ashtu siç mbeti e paqartë tek ai e tërë zona midis Danubit dhe Bug-ut. Budinët shfaqen tek ai një herë larg në lindje, përafërsisht në Vollgën qendrore, e një herë si fqinjët e nojrenëve. Ptolemeu i njeh Budinët në Borysthenes (Dnjepr).