SOKRATI MBI TIRANINË

SOKRATI MBI TIRANINË

Nga Xhelal Zejneli, Shkup

Qeverisjes së shtetit i nevojiten mendjet e njerëzve më të aftë, ndaj atyre duhet besuar administrimin e shoqërisë – Sokrati

“Demokracia do të paguajë çmim për arsye se do të tentojë t’u përgjigjet të gjithëve. Të varfrit do të kërkojnë pasurinë e të pasurve. Demokracia do t’ua japë këtë. Të rinjtë do të kërkojnë të jenë të respektuar si të moshuarit, femrat do të duan të trajtohen të barabartë me meshkujt, të huajt do t’i kërkojnë të drejtat që i gëzojnë vendasit. Demokracia do t’ua japë edhe këto! Vjedhësit dhe mashtruesit do të synojnë të vijnë në funksione shtetërore të rëndësishme, demokracia ndërkaq, do t’ua mundësojë një gjë të tillë.

E kur vjedhësit dhe mashtruesit të marrin pushtetin, për arsye se kriminelët dhe të ligët synojnë të bëhen të pushtetshëm, do të lindë një tirani shumë më e egër se tiranitë dhe oligarkitë që i ka parë njerëzimi deri më sot”  – Sokrati

*   *   *

Sokrati (470 – 399 para erës së re) ka qenë filozof grek. Veprimtarinë filozofike të vet në formë të dialogëve të ditëpërditshme në sheshet e qyteteve, e filloi në kohën e lulëzimit të demokracisë athiniane. Personaliteti origjinal i Sokratit nuk mund të pajtohej me rolin e një dijetari rigoroz, të mbyllur. Ai i shikonte me shpërfillje mësuesit që udhëtonin nga një vend në tjetër dhe që i shitnin me të holla mençuritë e veta retorike të rrejshme. Nuk tregonte konsideratë për oratorët e shkathët sofistë. Kudo që shfaqej, Sokrati shtronte pyetje të rëndomta, për arsye se nuk dinte asgjë përpos faktit se vetë ai nuk dinte gjë. Tuboi rreth vetes elitën intelektuale të rinisë së Athinës dhe u shfaq si ideolog i aristokracisë shpirtërore. Ra në konflikt me demokracinë mbizotëruese. Në vitin 399 para K., u akuzua si i pafe dhe si një filozof i cili me idetë e veta e prish rininë. Refuzoi para gjykatës që të heqë dorë nga tezat e veta. U dënua me vdekje. Me një dënim drakonik të këtillë pushtetarët tentonin ta luftonin apo ta eliminonin ndikimin e tij. Por nxënësit e tij dëshmojnë se pikërisht dënimi i tij me vdekje u shndërrua në triumf të mënyrës së qetë, racionale dhe konsekuente të të menduarit dhe të etikes. Është koha, gjyqtarë, që unë të shkoj në vdekje, ndërsa ju – në jetë. Cili prej nesh e ka zgjedhur më të mirën, këtë s’e di dot kush”. Shokët e Sokratit i mundësuan të arratisej, por ai, në shenjë respekt ndaj ligjeve, qëndroi në burg dhe vetë e piu helmin.

Sokrati nuk ka lënë asnjë vepër të shkruar ngase konsideronte se libri është i vdekur dhe si i tillë nuk mund ta zëvendësojë bisedën e gjallë. Burimet nga të cilat mund të njihet jeta dhe filozofia e tij janë:“Kujtime për Sokratin” e shkrimtarit dhe filozofit grek Ksenofonit (430-345 para K.), i cili ishte nxënës i Sokratit; veprat e filozofit grek Aristotelit (384-322 para K.)dhe sidomos dialogët e shumtë të filozofit grek Platonit (emri i vërtetë Aristokle, 427-347 para K.), veçanërisht shkrimet e tij të periudhës së rinisë “Kritoni”, “Mbrojtja e Sokratit” etj.

Mendimi themelor i Sokratit i kundërvihet subjektivizmit dhe relativizmit të sofistëve. Ai i drejtohet brendisë së njeriut, kështu që problemin antropologjik dhe etik e vë në qendër të bisedave filozofike të tij. Sipas tij, filozofia fillon pikërisht atëherë kur njeriu mëson të dyshojë, e sidomos atëherë kur fillon të dyshojë në dogmat dhe në aksiomat e veta. Shkaqet e lajthitjeve tona, e paragjykimeve dhe e nocioneve tona të paqarta janë të shumta. Prandaj, në radhë të parë njeriu duhet ta analizojë subjektin e vet. Nuk ka filozofi të vërtetë derisa shpirti nuk i kthehet vetvetes. Premisë e parë, njëherazi edhe conclusio e filozofimit të tij është “Njihe vetveten”. Duke u nisur nga supozimi “ di se s’di asgjë”, Sokrati nëpërmjet ironisë ua bën me dije bashkëbiseduesve se dituria e tyre bazohet në nocione të rrejshme dhe të pastudiuara.

Si armik i demokracisë së Athinës, Sokrati ka qenë i afërt edhe me disa pikëpamje të mëvonshme të nxënësit të tij më të madh – Platonit. Edhe ai mendonte se aty ku nuk ka mendime, mbizotëron kaosi. Aty, turma e paarsimuar për çdo gjë vendos si nuk duhet. Derisa  është pjesë e turmës, individi është plot marrëzi, i ashpër dhe i dhunshëm. Kur është jashtë turmës, ai bëhet njeri tjetër.

Qeverisjes së shtetit i nevojiten mendjet e njerëzve më të aftë, ndaj atyre duhet besuar administrimin e shoqërisë.

Iluminizmi e konsideronte Sokratin “paraardhës të Krishtit” dhe shpirt moral dhe filozofik më të madh të antikës.

Ndërkaq, filozofi gjerman Fridrih Niçe (Friedrich Nietzsche, 1844-1900), Sokratin dhe sundimin absolut të nocioneve të tij, u përpoq ta shpallë si lajthitjen më të madhe të historisë së kulturës njerëzore që e ka sakatuar, moralizuar dhe varfëruar kulturën e pasur dhe të rrëmbyeshme të antikës, më vonë duke u bërë pengesë për ta studiuar mendimin burimor dionizian grek të periudhës parasokratiane.        

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura