RKL: QEVERIA E ISA MUSTAFËS PA ASNJË MINISTËR NGA RADHËT E UҪK’së!

Pashtriku.org, 12. 12. 2014 – Gjashtë muaj të ndeshtrashave dhe mosmarrëveshjeve të liderëve politikë të vendit, kanë mjaftuar për Beogradin e Brukselin që të projektojnë dhe të realizojnë një Qeveri të re në Kosovë me tri forca politike, jo të njëjta nga fuqia votuese, por të njëjta nga përgjegjësia dhe ndarja e pushtetit. PDK-LDK dhe “Srpska” formuan qeverinë e re të Kosovës, e cila në radhët të parë ka kënaqur Beogradin e Brukselin, pastaj Isa Mustafën e Hashim Thaçin. Të kënaqur e të shastisur janë edhe deputetët e qeveritarët serbë, të cilët duke shfrytëzuar përçarjen e forcave politike shqiptare dhe Marrëveshjen Thaçi-Daçiq të Brukselit të 19 prillit 2013, kanë arritur jo vetëm ta marrin edhe de jure” qeverisjen totale të veriut të vendit, por edhe kanë “kapur” hiq më pak se një të tretën e kulaçit në Qeveri, në Kuvend dhe kudo në institucione.
Pikërisht për këtë arritje, ka shpërthyer i papërmbajtur, zëvendës-kryeministri në Qeverinë e re të Kosovës, Branimir Stojanoviq, një post i njëjtë me atë të Hashim Thaçit, i cili shtetin e Kosovës e quan krahinë të “Kosovë e Metohisë” dhe “Kosmet”. Ai i kapardisur nga pushteti të cilin ia kanë dhënë PDK-ja dhe LDK-ja, thotë se pret shumë punë dhe luftë e pamëshirshme për interesat serbe. Për herë të parë të gjithë ne serbët nga Kosova e Metohija kemi hyrë unik, ka thënë Stojanoviqi për të përditshmen beogradase “Politika”. Stojanoviq, i cili menjëherë pas zgjedhjes në Parlamentin e Kosovës dha dorëheqje nga posti i kryetarit të Graçanicës, ka thënë se si nënkryetar i Qeverisë prioritet do të ketë koordinimin e dy ministrive që i mbajnë serbët me ministritë tjera në Qeverinë e Kosovës, sepse, siç thotë, “njëra pa tjetrën s’mund t’i realizojnë detyrat e planifikuara. Sipas tij, pritet formimi i shpejtë i asociacionit të komunave serbe, formimi Gjykatës speciale për krime lufte, vazhdimi i dialogut, si dhe zgjidhja e problemeve të përditshme, jo të vogla, të cilat “me vite i shtyjnë serbët në margjina”. Për të gjitha këto, ai pret që të realizohen në bashkëpunim dhe me mirëkuptim nga partnerët shqiptarë në Qeverinë e Kosovës, por edhe me mbështetje të fuqishme nga Beogradi. “Këtë do ta them qartë edhe në Prishtinë. Të gjithë e kanë të qartë si kristali, edhe shqiptarët edhe bashkësia ndërkombëtare, se prania e shtetit të Serbisë në Kosmet kurrë nuk do të zvogëlohet as për një milimetër”, porositi Stojanoviqi nga Beogradi.

Kjo është deklarata e një serbi, i cili me të drejtë ndihet i kreshpëruar, meqë atë që Serbia humbi me luftë në Kosovë, në vitet 1998-1999, tani po e kthen në paqe, duke shfrytëzuar klasën politike të servilëve politikë shqiptarë, mosmarrëveshjet tona të brendshme dhe pamundësinë për t’u faktorizuar si komb, forcë e shtet i përbashkët.
Beogradi e ka realizuar pikë për pikë një pjesë të synimeve për kthimin në Kosovë, fillimisht përmes veriut, tani përmes kapjes së një pjese të pushtetit dhe ka lënë hapur mundësinë që me zyrtarët e ri të Qeverisë së Kosovës, të vazhdojnë bisedimet derisa Serbia t i realizojë të gjitha aspiratat e veta hegjemoniste dhe antishqiptare.
Deklarata e tillë si kjo e Stojanoviqit, është deklaratë publike e zyrtarit, i cili ka post të njëjtë me Hashim Thaçin e PDK-së. Derisa ai nuk e njeh shtetin e Kosovës, por e quan me cinizëm Kosmet, apo Kosovë e Metohi, kjo nuk është vetëm lojë fjalësh, por një realitet që me të drejtë i irriton të gjithë liridashësit e Kosovës, e më së shumti ata që kanë derdhur gjak dhe ata që kanë luftuar për çlirimin e saj nga fashizmi serb.
Duke folur për formimin e Qeverisë së re të Kosovës me tri forca politike, dy shqiptare dhe një serbe, të cilën e ka zgjedhur vetë Beogradi zyrtar, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka kritikuar sërish koalicionin qeverisës PDK-LDK duke thënë se të korruptuarit u bënë bashkë me Listën Serbe, me Beogradin. Lideri i VV-së, Albin Kurti tha se kjo qeveri do ta bëjë federalizmin e Kosovës, duke pranuar kushtet e Listës Serbe, meqë vetëm pas marrëveshjes që nënshkruan Thaçi e Mustafa me Listën u bë qeveria. “Qeverisë së formuar më 9 dhjetor 2014, i parapriu marrëveshja e krerëve të PDK-së e LDK-së me kreun e Listës serbe. Prandaj, kjo qeveri është qeveri e përbashkët e Prishtinës me Beogradin. Sipas tij të djathtit në Kosovë u bashkuan për t’iu nënshtruar të djathtëve shovinistë e anti-shqiptarë në Serbi. “Të djathtit që thanë se u bashkuan natyrshëm, njësoj, pra natyrshëm, po ju nënshtrohen të djathtëve më të fuqishëm në Serbi, tamam sikurse në natyrë ku fuqia është ligji. Nga këta të djathtë që u bashkuan në Kosovë mund të presim vetëm ndarje të mëtutjeshme të Kosovës e varfërim të mëtutjeshëm të popullit të saj. Atyre qysh në fillim më shumë po ua sheh hairin Beogradi se sa Kosova”, u shpreh Kurti.
Fjalët dhe konstatimet e Albin Kurtit nuk janë thjesht konstatimet e një lideri politik, i cili nuk arriti të futet në Qeveri, por shprehin një realitet lakuriq që po ndodh në vend, një realitet të cilit shumëkush nuk i beson vetëm sepse po u shprehka nga një lider i opozitës.
Realisht thënë qoftë but e troç, apo ashpër dhe me arrogancë, Serbia tashmë është kthyer në Kosovë, por ne jemi ata të fundit që po e shohim, edhe pse kjo po ndodh në pikë të ditës. Dhe si mos të kthehet Serbia në Kosovë, kur forcat e vërteta çlirimtare janë rrudhë, janë katandisur dhe janë defaktorizuar deri në atë nivel sa, në Kosovën e lirë dhe të pavarur me gjakun e tyre, ata duhet të protestojnë për regjistrimin e një biri apo bije të dëshmorit në një fakultet të Universitetit të Prishtinës. Dhe për më keq, ka edhe shqiptarë, analistë shqipfolës pro-serbë, madje edhe studentë të manipuluar që protestojnë kundër regjistrimit në Universitetin e Prishtinës të një numri të bijve e bijave të çlirimtarëve.
Po të hetojmë me vëmendje zyrtarët e rinj të emëruar të qeverisë së Kosovës, gati të gjithë i përkasin klasës politike pacifiste, qofshin ata të LDK-së apo të PDK-së. Dhe kjo nuk është e rastësishme, ashtu sikur nuk është fare e rastësishme që nga posti i ministrit të FSK-së të largohet ish shefi i SHP të UÇK-së, komandanti i TMK-FSK-së, Agim Çeku dhe në postin e tij të emërohet një jurist i LDK-së, një Haki Demolli. Kjo është mjaft simptomatike. Pse për shembull, nuk u lejua që Anton Çuni të bëhet ministër i FSK-së, pavarësisht se i ka takuar dhe i takon krahut Farkist. Ai, është ndër të paktit e kreut të LDK-së ka marrë pjesë në luftën e UÇK-së.
Në postin e ministrit të Punëve të Brendshme, është emëruar, ish përkthyesi i Ibrahim Rugovës, Skënder Hyseni, i cili nuk ka marrë as numrin minimal nga partia e tij për deputet.
Përbërja e re e Qeverisë së Kosovës, si nga LDK-ja ashtu edhe nga PDK-ja i përket lëvizjes pacifiste. Të gjithë dikur ishin me LDK-në dhe si të tillë, tani janë bashkuar edhe pse i ndanë një mal me retorika kundërshtuese politike.
Nga kabineti i ri qeveritar i Isa Mustafës në luftën e UÇK-së ka marrë pjesë vetëm, Hashim Thaçi, i cili ka qenë figurë politike e diplomatike e luftës. Asnjëri prej tetë ministrave të tjerë të PDK-së nuk ka qenë pjesëmarrës i luftës së UÇK-së. Asnjëri prej ministrave aktualë të LDK-së nuk ka qenë madje as përkrahës i luftës së UÇK-së.
Kjo Qeveri ku janë përjashtuar të gjitha kuadrot politike të ish UÇK-së do ta krijojë Gjykatën Speciale kundër UÇK-së, me qëllim që kjo luftë të diskreditohet në tërësi, për hir të kthimit të kolonëve serbë në Kosovë.
Për krahun e luftës, mendoj edhe për shoqatat e luftës dhe për krejt çlirimtarët e Kosovës, kjo qeveri nuk ka kurrfarë kredibiliteti kombëtar dhe si e tillë, nuk duhet lejuar të ketë perspektivë.
Kjo përbërje e Qeverisë, nuk shpreh vullnetin as edhe të atyre shqiptarëve që kanë marrë pjesë në zgjedhjet e 8 qershorit dhe as të atyre që nuk kanë marrë fare pjesë në zgjedhje.
Kabineti i ri qeveritar është prodhim i bisedimeve Kosovë-Serbi, në rrugë për rikthimin “paqësor” të regjimit të Beogradit në vendin tonë.

Cili nga këta ministra ka qenë në radhët e UÇK-së, përveç Hashim Thaçit?

Kryeministër i Kosovës – Isa Mustafa
zv. Kryeministri i Parë – Hashim Thaci
Zv. Kryeminister – Kujtim Shala

PDK
1.Ministër i Punëve të Jashtme – Hashim Thaçi
2.Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë – Arsim Bajrami
3.Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural – Memli Krasniqi
4.Ministria e Diasporës – Valon Murati,
5.Ministria e Drejtësisë – Hajredin Kuci
6.Ministria e Integrimit Evropian – Bekim Qollaku
7.Ministria e Zhvillimit Ekonomik – Blerand Stavileci
8.Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor – Ferid Agani
9.Minister i Shtetit dhe Udhëheqës i dialogut teknik Kosovë-Serbi – Edita Tahiri

LDK
1.Ministria e Punëve të Brendshme – Skender Hyseni
2.Ministria e Shëndetësisë – Imet Rrahmani
3.Ministria e Infrastrukturës – Lutfi Zharku
4.Ministria e Tregtisë dhe Industrisë – Hikmete Bajrami
5.Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës – Haki Demolli
6.Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit – Kujtim Shala
7.Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale – Arban Abrashi
8.Ministria e Financave – Avdulla Hoti

Fshati që shihet nuk do kallauz.

Këta janë ata të dikurshmit, ose bijtë e bijat e atyre që për një shekull resht e kanë pranuar autoritetin e Serbisë në Kosovë. Nuk është madje krejt e rastësishme se qeveritari i Rrahman Morinës dhe i Qeverisë së Milosheviqit, në fund të viteve 80, Isa Mustafa të jetë krye-qeveritari i këtij kabineti, kryekreje pacifist dhe pro-jugosllav.
Kësaj Qeverie duhet t’ i shkurtohet afati i qeverisjes, në emër të ruajtjes së pavarësisë së Kosovës.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura