(Prishtinë, 14. 02. 2013) – Këtë të diel bëhen pesë vjet nga dita e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. 17 shkurti i vitit 2008 ishte e diel. Atë ditë patëm më shumë shpallje sesa pavarësi. Madje aq shumë shpallje e aq pak pavarësi saqë shpallja e pavarësisë ishte shpallje pa pavarësi të njëmendtë. Edhe ky përvjetor tash është të dielën, si për të na konfirmuar se jemi ende duke festuar shpalljen dhe jo pavarësinë. Në ditë pushimi u shpall pavarësia. Festojmë ditën e pushimit më shumë se pavarësinë. Shpallja e Deklaratës së Pavarësisë dhe njohja që pasoi nga ShBA-të, Franca, Britania e Madhe etj., ishte hapi përpara i Kosovës. Për të parën herë u njoh si vend i mëvetshëm nga këto shtete të rëndësishme të botës.
Megjithatë Deklarata e Pavarësisë e ktheu Kosovën edhe tre hapa mbrapa. U instalua misioni i EULEX-it dhe cenimi i drejtpërdrejtë i vetëvendosjes së brendshme, në kuptimin që Kosova në vazhdimësi nuk do ta qeveriste veten. Dy ditë më pas, më 19 shkurt, në Kuvendin e Republikës së porsashpallur u mbajt seanca e miratimit pa debat të ligjeve që buronin nga Pakoja e Ahtisaarit, të cilat sanksiononin ndarjen e vendit në linja etnike dhe i hapnin rrugë krijimit të entitetit autonom serb brenda Kosovës. Festa dhe dalldia e krijuar nga shpallja u shfrytëzua për ta evituar vëmendjen nga ç’po ndodhte vërtet. E vërteta e deklaratës e shpalli veten në kontrabandimin e ngutshëm të flamurit, stemës dhe ligjeve nga Pakoja e Ahtisaarit.
Dy ditë me vonë strukturat ilegale të Serbisë dogjën ndërtesat e Shërbimit Policor dhe Doganave të Kosovës në Leposaviq dhe Zveçan, duke vënë kështu shenjën e re që ju shtua problemit të vjetër. E njëjta shenjë u rishfaq më 27 korrik 2011, po aq, dy ditë më vonë nga intervenimi i 25 korrikut. U dogjën sërish pikat doganore, Jarinjë dhe Bërnjak. Çfarë u duk si përpjekja e dytë, por ende e parë, që mund të bënte kalimin nga shpallja në pavarësi, pra u shua në shkrumbimin e kufirit.
Jo më larg se 9 maji i 2008-ës, tre muaj më vonë nga shpallja, u bë e qartë se në ç’formë do të na paraqitej pavarësia në Kosovë. U organizuan zgjedhjet parlamentare dhe lokale të Serbisë. Në ato zgjedhje u zgjodhën strukturat e reja paralele, ilegale e kriminale të Serbisë, aktivitetin e të cilave po nguten ta legalizojnë së fundi në bisedimet Thaçi-Daçiq.
Pavarësia e shpallur zgjati një ditë, vetëm të dielën, më 17 shkurt 2008. 1826 ditë të tjera u punua në minimin e saj, nga strukturat kriminale të Serbisë, nga mbikëqyrja ndërkombëtare nëpërmjet misioneve jodemokratike dhe ndërhyrjes së ambasadave, nga paaftësia dhe korrupsioni i Qeverive Thaçi 1 e 2.
Në nëntor të 2008-ës na u paraqitën 6 pikat e Ban Ki Moon-it të modifikuara për Serbinë, dhe të pranuara nga BE-ja, që synonin ndarjen e Kosovës në dysh. Në to parashikohej që rreth 1/3 e territorit t’u jepej strukturave ilegale të Serbisë, që nënkuptonin kontroll të drejtpërdrejtë të Serbisë brenda Kosovës. Këto pika e ngushtonin edhe më tepër shtrirjen e institucioneve të Kosovës duke e zgjeruar shtrirjen e institucioneve ilegale të Serbisë në Kosovë, e këto në elementet më të rëndësishme të ushtrimit të sovranitetit shtetëror, në polici, gjyqësi, dhe dogana.
Tani sërish çfarë po na njoftohet nga dialogu politik në Bruksel ka formën e të njëjtave shenja. Strukturat ilegale do të pranohen në Policinë e Kosovës, madje-madje dhe në FSK, të tjerët në Gjykata, paratë nga Doganat në Fondin për veriun. 6 pikat e Ban Ki Moonit janë shkrirë në 7 pikat e dokumentit të kryeministrit Thaçi, të bëra publike më 14 janar 2012 në takimin me liderët e partive politike të Kosovës para takimit të 17 janarit në Bruksel.
Misioni nga BE-ja, paraqitja e re ndërkombëtare, saktësoi qëndrimin e ri në “përputhje” me zbrazëtinë e pavarësisë, neutralitetin. I ardhur në Kosovë më 9 dhjetor 2008, EULEX-i firmosi, pak më shumë se një vit më vonë, protokollin policor me Serbinë, për bashkëpunim dhe shkëmbim informatash. I njëjti mision prej 2011-ës ende sot dërgon me helikopterë doganierët për në kufijtë veriorë të Kosovës, në pikat 1 e 31. Ende neutral ndaj statusit të Kosovës, me fuqi ekzekutive në drejtësi e polici, EULEX-i legjitimoi barrikadat duke i fluturuar prej ajrit doganierët.
Në korrik të 2010-ës, përkundër opinionit këshillëdhënës të Gjykatës ndërkombëtare të Drejtësisë, se shpallja e Pavarësisë është legjitime, Kosova mbeti e kapur në të njëjtin problem. As dy muaj më vonë Asambleja e Organizatës së Kombeve të Bashkuara miratoi Rezolutën për negociata të reja në mes Kosovës dhe Serbisë. Pavarësia u vendos sërish përballë shpalljes. “E shpallim Kosovën të pavarur” – nga kush? Nga pavarësimi.
Vjedhja e të vetmit moment legjitimues, institut i brendshëm i pavarësimit, vullneti i shprehur popullor për kuvendin, mundësoi ndërrimin e qeverisë Thaçi 1 në Thaçi 2. Ky ndërrim u kurorëzua me fillimin e dialogut teknik në mars të vitit 2011. Në Bruksel, Edita Tahiri dhe Borisllav Stefanoviç, të lehtësuar nga Robert Cooper sajuan setin e marrëveshjeve që i mundësuan Serbisë fitimin e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE dhe i ngjitën fusnotën Republikës tonë. Përveç neutralitetit, falë dialogut teknik, BE ka për Kosovën dhe një shënim në të cilin saktësohet se “ky emërtim nuk e paragjykon statusin e Kosovës dhe është në pajtim me Rezolutën 1244/99 dhe me opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND) rreth Deklaratës së Pavarësisë”. Fusnota, shenja e re për kërkesën e vjetër, Republikën.
Intervenimi i 25 korrikut, tërheqja e turpshme e Qeverisë, djegia e sërishme e pikave doganore ndodhi në mes të këtyre bisedimeve me ç’rast u aktualizua ‘problemi’ i veriut, si temë e mëvonshme në dialog me Serbinë. Marrëveshjet që pasuan për kopjet e librave të amzës, atyre kadastralë, lëvizjes së ‘lirë’, pa njohur dokumentet e udhëtimit të Kosovës, marrëveshja për pika kaluese në vend të atyre kufitare shpalosën degradimin e shpalljes së Pavarësisë edhe në rrafshin e funksionimit shtetëror.
Ndryshimet e vërejtshme të pas 2008-ës janë vetëm kalimi prej UNMIK-ut në EULEX dhe prej OKB-së në BE. 4-vjetorin i shpalljes u fundos te fusnota më 24 shkurt 2012, e tash 5-vjetorin po e presim me fondin e zhvillimit për veriun. Pesë vjet më vonë e kemi të njëjtën Qeveri duke dialoguar, tanimë politikisht me Serbinë. E kemi kryeministrin që takohet rregullisht me ish-zëdhënësin e Milosheviqit dhe e kemi presidenten që takohet me ish-nënkryetarin e Sheshelit. Pas degradimit teknik të pavarësisë, po na e përgatisin edhe degradimin politik e territorial të saj.
Gjatë këtyre 5 viteve qeveritë e Kosovës kanë bërë akte simbolike, ndërsa Serbia ka bërë akte politike. Prandaj sot na ka mbetur vetëm simbolika. Në vend se ta festojmë pavarësinë, ne e festojmë shpalljen e saj. Sepse kemi më shumë shpallje sesa pavarësi.
……………………………………………….
Shpallja – Deklarata e Pavarësis së Kosovës