URA E TERZIUT MBI LUMIN ERENIK – BISHTAZHIN
Nga Sheradin Berisha, facebook 7 korrik 2022
Ura e Terziut gjendet në kilometrin e 7-të të rrugës Gjakovë-Prizren mbi lumin Erenik. Nuk dihet saktë kur është ndërtuar ura, por mendohet se është ngritur në fund të shekullit të XV-të. Ky mendim është i bazuar në faktin se ura ishte ngritur në një rrugë mesjetare, e cila e lidh Gjakovën me Prizrenin, dhe se më vonë ajo u zgjerua, për shkak të ndryshimeve të rrjedhës së lumit Erenik.
Në shekullin e XVIII ura kishte ndryshime të mëdha, të cilat ia dhanë asaj pamjen aktuale. Ura aktuale është ndërtuar nga Esnafi i Terzive në Gjakovë. Objekti përmban elemente të një monumenti kulture me vlera historike, sociale, artistike, arkitektonike dhe kulturore.
Ura ka pasur rëndësi të madhe ekonomike sepse ka bërë lidhjet tregtare në mes të vilajeteve brenda Perandorisë Osmane. Vlera arkitektonike e kësaj ure qendron në faktin se është ndërtuar nga gurët vendas dhe përbëhet nga 11 harqe të madhësive të ndryshme, gjysëm-rrethor dhe dhjetë dritareve shkarkuese (qemer) në mes tyre. Ura është e gjatë 192.8 m gjerësia 5.0 dhe 5.1 m.
Ura mund të quhet fenomen ndërtimi për kohën kur është ndërtuar për shkak të mundësive financiare dhe paisjeve të pakta teknologjike të kohës, të ndërtuar nga mjeshtër të zotë dhe me pervojë. Restaurimi i fundit i urës është bërë në vitin 1982 nga Enti Krahinor i Prishtinës për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës. Gjendja e urës është e mirë, por mungon mirëmbajtja e përhershme.
————–
Burimet:
1. Lista e trashëgimisë kulturore për mbrojtje të përkohshme. Republika e Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Marrë më 17 gusht 2016.
2. “Ura e Terziut (Gjakovë)”. Databaza e Trashigimisë Kulturore. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.