NË 30 VJETORIN E SULMIT TË PARË NË STACIONIN E POLICISË SERBE NË PRIZREN, MË 23 KORRIK 1993 (VIDEO)

Rrëfimi i Zafir Berishës

Ngjarje e ndodhur para 30 viteve, më 23.07.1993!

Me arsye, për herë të parë po rikthehem në kohën e harruar, pa të cilën nuk do të ishim këtu ku jemi.

Shpërbërja e Jugosllavisë në fillimin e viteve 90 të shekullit të kaluar, pas ardhjes së Millosheviqit në pushtet, shqiptarët i gjeti jo shumë të organizuar dhe të përgatitur për t’u përballur me këtë realitet.

– Më shumë se gjysëm shekulli vuajtje dhe sakrifica të shqiptarëve në Jugosllavi.

Pas luftës së dytë botërore në ish Jugasllavi, shqiptarët mbetën qytetarë të rendit të dytë, të shpërndarë në tri ish Republika të Federatës Jugosllave dhe në Krahinën Autonome të Kosovës.

Organet jugosllave të udhëhequr nga diktatura komuniste me Titon në krye, dominohej nga nacionalistët dhe shovenistët serbë, të cilët nuk e ndalën asnjëherë zullumin kundër shqiptarëve, që nga lufta kundër Shaban Polluzhës e Mehmet Gradica në shkurt të 1945 në Drenicë.

Për 55 vite, shqiptarët u bën objekt eksperimental i shovenizmit serbë dhe diktaturës komuniste jugosllave, u vranë, u burgosën me procese të montuar politike, u shpërngulën nga tokat stërgjyshore dhe ju konfiskua pasuria në emër të reformave komuniste.

Për fatin e keq, pjesë e këtij aparati të dhunshëm komunisto-jugosllavë ishin edhe shumë shqiptarë të cilët për interesa të ngushta dhe meskine i shërbyen këtij regjimi, ndërsa një pjesë tjetër për të ruajtur privilegjet e tyre personale, heshtën dhe u bën të shurdhër poshtërsia e të cilëve kishte shkuar deri aty sa që përkatësinë kombëtare ta bëjnë nga shqiptarë në jugosllavë.

Përkundër gjithë këtij represioni dhe politikave gjenocidale të regjimit, shqiptarët asnjëherë nuk u gjunjëzuan, përkundrazi u organizuan në organizime të ndryshme ilegale për të ruajtur idenditetin kombëtar dhe për luftuar për të drejtat e tyre!

Lëvizjet ilegale të shqiptarëve në ish Jugosllavi që u identifikuan me ikonën e rrezistencës kombëtare Adem Demaçi, nuk e ndalën aktivitetin e tyre, përkundër përndjekjeve dhe burgosjeve, duke organizuar edhe demonstrata nën regjimin e egër serbo-jugosllavë.

Demonstratat e vitit 1968 e më pastaj ato të vitit 1981, u bën arsye shtesë për politikën nacionaliste serbe brenda krijesës Jugosllavi, që të vazhdonte fushatën e egër kundër shqiptarëve, në veçanti rinisë saj.

Të gjitha këto vuajtje dhe sakrifica, gjatë viteve 80-të po nxjerrin në sipërfaqe një gjeneratë, e cila po e rritë rrezistencën e shqiptarëve nga kërkesa për Republikën e Kosovën në Jugosllavi, në kërkesën për shkëputje nga Jugosllavia, e cila po jepte simptoma e shpërbërjes së saj.

Gjatë kësaj kohe vazhdonte të kishte shqiptarë të privilegjuar dhe argatë të regjimit serbo-jugosllavë, të cilët luftonin për ta ruajtur vllaznim-bashkimin jugosllavë në kurriz të shumicës shqiptare, pasardhësit e të cilëve janë rikthyer në pushtet viteve të fundit në Kosovë.

Ardhja në pushtet e Millosheviqit, rriti ambiciet e vjetra serbe për Serbinë e madhe, ambicie këto që përveç shqiptarëve, nxitën sllovenët, kroatët e boshnjakët të mos pajtohen me këto politika nga ku filloj edhe shkatërrimi i krijesës artificiale që quhej Jugosllavi.

Suprimimi i autonomisë së Kosovës nga Serbia me ndihmën edhe të disa shqiptarëve neojugasllavë, e rriti pakënaqësinë edhe më shumë, ku shpërthyen demostrata të mëdha në Kosovë.

Pjesa dërmuse e pjesëmarrësve në ato demonstrata nuk e kishin shumë iden se çka është duke ndodhur, prandaj në ballë e mbanin flamurin jugosllavë dhe fotën e Titos dhe u solidarizonin me disa ish komunistë shqiptaro-jugosllavë, të cilët i kishte arrestuar Millosheviqi në kuadër të projektit të tij për zhbërjen e Jugosllavisë dhe formimin e Serbisë së madhe.

Në përpjekje për ta shpëtuar Jugosllavinë nga një pjesë e komunstëve të Titos, në vitin 1989 u lejua sistemi shumëpartiak në Jugosllavi, ku përveç popujve tjerë, edhe shqiptarët formuan partitë e tyre.

Për dalim nga të tjerët, partit shqiptare u regjistruan në Beograd ku në programin e tyre ende e shihnin Jugosllavinë si shtet i të ardhmes.

Shumë shpejtë ndyshuan gjërat, lufta që filloj në Slloveni e që zgjati 10 ditë, u shtri shpejt në BeH dhe Kroaci.

Ne që ishim pjesë e organizimeve ilegale, një pjesë e të cilëve të kamufluar nëpër parti, u angazhuam për t‘ju përshtat rrethanave të krijuar, të binduar se Serbia nuk largohet nga Kosova me deklarata dhe mjete paqësore.

Protesta më e madhe që ishte organizuar ndonjëherë në Kosovë nga sidikatat që udhëhiqej nga prof. Hajrulla Gorani më 03.09.1990, tronditi aparatin e pushtuesit serbë, i cili ndërmorri një fushatë të madhe kundër puntorëve shqiptarë, duke vendosur masa të dhunshme nëpër të gjitha organizatat punonjëse dhe në administratë, ku megjithatë si në të kaluarën pati të tillë shqiptarë që i pranuan masat e dhunshme serbe.

Lufta në Kroaci e BeH që filloj, Kosovën e gjeti jo të përgatitur për t’ju kundërvu Serbisë, prandaj duke ditur këtë, Serbia filloj fushatën e ashpër kundër shqiptarëve, lagimin nga puna, mbylljen e shkollave, mbylljen e mediave, helmimi i nxënsëve, burgosje të rinisë, vrasje dhe shpërnguljen masive drejt perëndimit.

Ish komustët shqiptar në Kuvendin e suprimuar nga Serbia, u munduan të bëjnë disa lëvizje me Deklaratën e 2 korrikut dhe Kushtetutën e 7 shtatorit 1990, por çdo gjë ishte vonë, sepse Serbia me Millosheviqin në krye nuk ishte e interesuar për vllaznim-bashkimin jugosllavë, por për Serbinë e madhe.

Në të gjitha këto zhvillime të shpejta dhe dramatike që po ndodhnin në Jugosllavi, ndodhën edhe ndryshime poltike në Shqipëri, ku ne që i kishim vendosë mision vetes, luftën për liri të Kosovës, filluam të lëviznim nga ku sillnim armatim me shumë vështirësi.

– Shqiptarëve lufta armatosur i kishte mbetur e vetmja rrugë për të arritur qëllimet e veta.

Përkundër burgosjeve kudo nëpër Kosovë të veprimtarëve politik të ilegales, ne në Prizren filluam organizimin e Këshillit për vetëmbrojtje paralel me angazhimin në LPK, ku përgatitnim të rinjët për përdorimin e armëve dhe dhënjen e ndihmës së parë.

Serbia që vazhdonte luftën gjenocidale në Kroaci e Bosnje, në Kosovë përdorte bashëpundorët e saj shqiptarë për të zbuluar veprimtarinë tonë, sepse veprimtarinë e atyre që ishin të regjistruar në Beograd e kishte nën kontroll dhe nuk i pengonte për momentin.

I gjithë ky represion i aparatit shtetror të Serbisë si dhe pamjet nga masakrat në BeH dhe Kroaci, kishin filluar të kenë një efektë shumë të dëmshëm në Kosovë.

Një pjesë e madhe e shqiptarëve, zgjidhjen nga kjo situatë e shihte duke u larguar nga Kosova, disa të tjerë filluan të pajtohen si qytetarë të rendit të dytë në vendin e tyre duke ju nënshtruar okupatorët, ndërsa një pjesë tjetër e shqiptarëve vazhduan të jenë argatë të drejtëpërdrejt të okupatorit, ndërsa pjesa më vitale e shqiptarëve kishte vendosur t’i rezistoj Serbisë pavarësisht çmimit. 

Ne që kishim vendosur jetën tonë, me vu në shërbim të lirisë, përveç përgatitjeve filluam t‘i ndjekim eksponentët e policisë serbe që veçoheshin në Prizren për sjellje barbare ndaj shqiptarëve.

Sulmi kundër policisë serbe në Drenasë më 1992 (që me vonë u kuptua se ishte bërë nga K-dant Adem Jashari me shokë) ishte sinjali se Serbia dhe aparati i saj i dhunshëm, duhet luftuar me grykën e pushkës, ndryshe nuk vjenë liria.

Me 8 korrik 1993 herët në mëgjes, policia serbe ja kishte mësyrë     përsëri shtëpisë tonë në Prizren, kësaj radhe me ndihmën e argatëve të saj, sepse dhjetra bastisje tjeta që i kishte bërë në vendlindjen tonë në fshatin Billushë ne nuk jetonim, sepse kishim zbritur për të jetuar në qytet dhe shtëpinë tonë të re me gjasë ende nuk e dinin.

Fati në këtë fatkeqësi ishte, se unë një ditë më herët, armët që i mbaja në dhomën time i kisha futur me një bunker që e kisha bërë në kohën kur u ndërtonte shtëpia jonë e re, ndërsa një M48 ja dhashë dhëndrit tonë Besim Shalës që tani është dëshmor.

Kisha dalur nga shtëpia rrethë orës 3 të mengjesit pa dalur drita, për t‘i prituar armët tjera që kësaj radhe vinin nga Bosnja ku u bënte luftë, përmes një kanali të sigurtë, mirëpo kur do zoti me të ndihmua, armët vonohen dhe unë u deshtë deri në mesditë t‘i presë, pa e ditur se para orës 8 të mëngjesit shtëpia jonë ishte rrethuar nga dhjetra policë serbë.

Pa hy në detaje të atyre orëve, pasi i marrim armët takoj një mikë rastësisht i cili më shiqon i hutuar, kur e pyses se pse më shikon ashtu, ai më dretohet a je në dijeni që policia serbe e ka arrestu vllain Sheradinin dhe janë te vazhdu bastisjet në shtëpin e juaj.

Kthehem në fshatin e lindjes për të prituar zhvillimet, aty vazhdonte të jetonte ende vllau i madh Shaniu, i cili më vonë më tregoj se çka ka ndodhur dhe se nuk është gjetur asnjë armë.

Sheradini u lirua rrethë mesnatës dhe ishte urdhëruar pas disa dite të lajmrohet përsëri në polici. Arsyeja e arrestimit ishte një gazet lokale që e botonte ai, por që polici kriminel serbë që kishte kohë që e ndiqsha, ishte intetesu edhe për lëvizjet e mia.

Tashmë çdo gjë ishte e çartë!

Sheradini kaloj në ilegalitet, unë vazhdova të përgatisë planin për me sulmua stacionin e policisë serbe në Prizren.

Ishte 23 korriku i vitit 1993, ditë e nxehtë vere sikur sot, në Tabakhane deri sa isha duke pirë kafe në kafiterinë “Imixhi”, një person i përkatësisë etnike rome më i moshuar se unë, u ulë në një tavolinë jo shumë larg nga ku isha duke pirë kafe.

Nuk do të më linte përshtypje po të mos e ekspozonte armën dhe po mos t’i shkonin shumica e atyre që ishin duke pirë kafe për me përshendet me një servilitet të tepruar, deri sa ai me mospërfilje i përshëndeste me lëvizje koke.

U bëra kureshtar me ditën kush është ai. E pyes kamarierin që më shërbente, kush është ai tipi që i shkuan te tavolina shumë nga të pranishmit në kafiteri…

– Lul polici, ma ktheu përgjigjen kamarieri pa menduar.

U shokova, jo shumë për policin dhe pozat e tij, sa për servilitetin ekstrem deri në përkulje të shqiptarëve karshi një eksponenti të policisë serbe.

Nuk mendova shumë, ky ishte kulmi i poshtrimit. Pagova kafen pa e përfunduar dhe u nisa për në vendlindje…

Automatikun me 240 fishekë, pistoletën dhe 5 bomba i nxorra nga vendi i caktuar ku i kisha futur.

Bëra povë edhe një herë armët para se të nisesha për të sulmuar stacionin e policisë serbe në Prizen.

Para se me fillu ramja e territ u nisa nga Billusha drejtë Prizrenit. Rruga prej 12 km tash më ishte mbulluar nga terri, e bëra edhe provën e fundit me një rafallë të shkurtuar diku afër Kullave të Hoqës.

Nëpër parkë të qytetit dhe rrugicave që i kisha analizuar më herët, para orës 24 arrita përballë stacionit të policisë, në një distanc 25-30 m.

Fati e deshi qe në trotuar përballë policisë ishte i parkuar një kamion, në anën e lumit.

I pozicionuar nën kamion, me shënjestër nga policia serbe, ndodhte të më kalonte ndonjë qytetar 1 m nga gryka pushkës, të cilët i kishte zënë e vona në qytet.

Ishte një polic roje që u sillte afër hyrjes së policisë, po unë nuk isha i gatshëm të sakrifikoja për një, dikur u bën dy, edhe dy më dukeshin pakë.

Duke prituar të bëheshin më shumë livizjet e makinave dhe qytetarëve nuk ndaleshin duke lëvizur.

Dikur u bën tre policë serbë që bisedonin përballë meje, mendova se tash është koha, duke i shënjestru, rrugën midis meje dhe policisë kalon një autobus nga ku dëgjohej kënga dhe muzika, me gjasë një shoqëri kulturore që kishte qenë diku për koncertë.

U ndala deri sa u larguan te Hotel Prizreni – ish-Putniku.

Hapa zjarrë nga automatiku, bërtimat e policisë edhe pse në distancë 25-30 m, ishin aq të mëdha sa krismat e pushkës mbetën në rend të dytë.

Ranë përtokë, pluhër nxirrnin muret e ndërtesës ku binin plumbat, një makinë që ishte afër tyre e parkuar u bë shosh nga plumbat.

Me qetësi dola nga poshtë kamionit drejt urës përballë zjarëfiksëve, kur filluan gjuajtjet në drejtimin  tim.

Me shpejtësi zura pozicion afër mureve të një “kasapi”, dhe prisja zhvillimet, krismat sa vinin e shtoheshin, mirëpo unë erdha në përfundim se policia serbe nga paniku po gjuanin në mënyrë të pakantrolluar.

U largova rrugëve nga kisha ardhur dhe përfundova në Tusuz afër varrezave të qytetit.

Krismat e pushkëve edhe një orë pasi isha larguar, vazhdonin të dëgjoheshin.

Policia serbe luftonte me dikë, por nuk e dinte as vetë me kë!

***

Kështu filloj misoni ynë përfundimtarë për lirin e Kosovës.

Ky ishte fillimi i rrugës së gjatë e të mundimshme kundër Serbisë dhe bashkëpuntorëve të tyre, e cila kulmoj me luftën titanike të UÇK-së, ku me ndihmën e aleancës së NATO-s, me 12 qershor 1999 iu dha fund njëherë e përgjithmonë okupimit të egër serbo-sllavë në Kosovë.

P.S: foto e moshës, kur ka ndodhur sulmi (korrik 1993) …

___________________

Zafir Berisha – Një jetë për Kosovë – Tetor – 2012

© Pashtriku.org

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura