NJË JETË KUSHTUAR ATDHEUT – DITAR LUFTE (IV)

NJË JETË KUSHTUAR ATDHEUT – DITAR LUFTE (IV)

Nga Ajaz Emini

Në “Operacionin e Forcave Aleate” (Operation Allied Force) personazhet kryesore të arenës së bombardimeve 78 ditësh të NATO’s mbi forcat paramilitare ushtarake serbe, aksioni botës perëndimorë udhëhiqej në tërësi nga Komanda Supreme e Aleancës së NATO’s në Bruksel: në krye me Gjeneralin Wesley Clark, i njohur për sukseset e tijë nga Lufta ne Vietnam dhe tani edhe në Luftën e Kosovës, Lt. Gjenerali Michael E. Short komandues i përgjithshëm i forcave ajrore në Luftën e Kosovës, Gjenerali Henry Shelton kryeshefi i shtabit të përgjithshëm, Gjeneral Henry Shelton, ishte i njohur nga Lufta në Vietnam dhe tani për operacionet në Kosovë, Gjenerali John Walter Hendrix i njohur nga lufta e Vietnamit, në luftën e Gjiut në Lindjen e Mesme dhe tani si dirigjues i bombardimeve me grupin tonë bashkëpunues prej Kukësit në Shqipëri për Luftën e Kosovës si fitues i shumë çmimeve, medaleve dhe meritave ushtarake, Gjenerali Kudusi Lama Komandant i Divizionit të Këmbësorisë në Kukës dhe Shtabit të Përgjithshëm ndërmjetësues i ynë me NATO’n për bashkëpunim me UÇK’në, dhe Gjenerali i UÇK’së Agim Çeku i njohur dhe dekoruar nga luftërat në Kroaci, Bosne dhe Hercegovinë dhe tani në Kosovë.

Operacioni i Forcave Aleate filloi më 24 mars 1999, duke u shfrytëzuar mëse 250 aeroplanë amerikanë, duke përfshirë 120 aeroplanë luftarakë, 7 bombardues të mëdhenjë B-52, 6 bombardues B-2, 10 aeroplanë zbulues, 10 aeroplanë luftimi dhe kërkim shpëtimi, 3  aeroplanë  komandës  të  platformës  sëkontrollit edhe 40 aeroplanë tankera për rimbushjen në ajër të aeroplanëve luftarak. Në këtë akcion morën pjesë edhe 13 shtetet tjera  pjesëtare të aleancës së NATO’s që kontribuan me forcat e tyre të aviacionit ajror.

Gjatë natës së parë SHBA’ja dhe NATO’ja bënë mëse 400 misione fluturimesh, në përbërje të 120 misioneve të sulmeve kundër 40 caqeve.

Në ditën e  dytë  të  operacionit,  Forcat Ajrore Amerikane me aeroplanët e tyre F-15 qëlluan dhe rrëzuan 2 aeroplanë luftrak serb MiG-29, si dhe qëlluan caqe të tjera.

-Qëllimi i Operacionit të Forcave Aleate ishte si kundërpërgjigje të represaljes serbe mbi popullatën e pa armatosur civile në Kosovë. Me këtë operacion shpresohej dhe pritej ndërprerja e menjëherëshme e të gjitha sulmeve serbe mbi popullatën e pa mbrojtur civile shqiptare, si dhe tërheqja e të gjitha forcave serbe, si ajo e personelit ushtarak, policor si dhe paramilitare nga Kosova.

Plani i Perëndimit e në veçanti ai amerikan ishte që në Kosovë të sillen forcat paqëruajtëse, dhe në veçanti forcat e NATO’s, si dhe të sigurohej kthimi i refugjatëve shqiptarë të dëbuar nga shtëpitë e tyre, si dhe t’i ofrohej ndihma reugjatëve nëpërmjet organizatave humanitare. Gjithashtu ishte edhe plani për formimin e forcave politike për vetëqeverisje të vendit mbrenda Kosovës.

E shtunë 24 prill 1999

-Oficeri i cili erdhi dhe më mori nga çadra e linguistëve për në njësinë e tijë, ishte Kapiteni Lerner i Armatës Amerikane që po udhëhiqte Njësinë e Artilerisë me ”MLRS” Lancuesit Raketorë (Multiple Launch Rocket System). Kjo njësi me të cilën isha edhe unë tani po bënin përgaditjet finale në rastë të futjes së këmbësorisë mbrenda arenës së luftës në Kosovë kundër forcave të armikut gjakatarë Serb.

Për momentin këtu në Rinas kishim 27 Lancues Raketash MLRS të cilët ishin të gatshme për të sulmuar objektivat serbe, me të cilat mundeshte të sulmohej në një distancë prej Shqipërisë ku ishim ne, deri në qytetin e Beogradit. Këto raketa kishin fuqinë që në objektivat e caktuara të shkatërronin gjithçka që gjindej në atë perimetër, në përmasa të një stadiumi të futbollit.

Gjithashtu përballë nesh ku ishim vendosur kishim edhe njësinë e helikopterëve ushtarak, e që ishin ndër më të avancuarit në botën e kësajë teknologjie luftarake, aty kishim 24 helikopterë Apache AH-64, të cilët kishin arritur në këtë vend që nga 04 Prilli 1999, dhe ishin të gatshëm në çfarëdo momenti për të sulmuar forcat e armikut.

Vend qëndrimi im tani ishte në një çadër ushtarake, në mes të livadheve ku po na rrethon balta e cila ishte shkaktuar nga levizjet e ushtarëve amerikan për rreth në Aeroportin e Rinasit, i cili gjindet rreth 20 km. nga kryeqendra e Shqipërisë – Tirana, (Kryeqyteti i Shqipërisë), buzë pistës së aterimit të aeroplanëve, e që ç’do aeroplan që ngritej apo lëshohej në Aeroportin e Rinasit, gati se na i çonte të gjitha çadrat në ajër, dhe na dridhte me gjithëçka që kishim! Në anën tjetër kisha  pamjen  magjepëse të kurorës së maleve të Krujës, atje ku heroi ynë legjendar Gjergj Kastrioti-Skenderbeu ku prej andej me shumë sukses e mbrojti Arbërinë nga Perandoria e Osmanlinjve për 25 vjet rresht.

Këtë vend ku po qëndronim ne tani edhe ushtarët Amerikan veçëse e kishin emëruar si“Kampi i Baltës” (Mud Camp). Koha që nga ardhja jonë në këtë vend ishte pothuajse çdo ditë me shi dhe mbante mjaftë ftohët, e që po përngjante më shumë si stinë vjeshte edhe pse ne ishim në pranverë, ku edhe balta na e bënte edhe më të mërzitshëm qëndrimin tonë në këtë vend. Kishte aq shumë baltë saqë për herë të parë në jetën time kam parë që ushtari të mbetë në të, dhe për të dalë nga balta shokët e tijë i hodhën litarë duke ngrehur zvarrë e nxorrën prej balte! Koha ishte aq e keqe saqë kishte detyruar edhe aviacionin e NATO’s që të ndërpresë bombardimet mbi forcat e armikut serb në Kosovë dhe mbrenda Jugosllavisë. Në mbrendësi të çadrës kishim nivelin e ujit rreth 5cm., dhe gjithkund ku e lëshoje këmbën ishe në ujë. Sa për t’ia përmirësu kushtet vetes neve morëm zallin me kova dhe sollëm aty afër dhe shtruam mbrenda çadrës disa rrugica zalli, sa për të mundë me shku deri te shtretërit tanë aty ku bënim gjumin në krevatin e metaltë në thesin e gjumit. Për fillim problem kryesor ishte edhe pastrimi i trupit (larja) sepse nuk kishim ujë të nxehtë dhe të rrjedhshëm. Për pastrim përdornim bidona plastike me 1.5 litër ujë të cilin e nxehnim pak sa për të larë flokët! Çadrat ishin rreth 100 metra në largësi nga pista e aeroportit, dhe zhurma e aeroplanëve ishte e pa durueshme, por ndoshta edhe shumë e rrezikshme në rastë të ndonjë aksidenti të aeroplanëve.

Trafiku ajror gjatë kësajë kohe në Rinas ishte mjaftë i ngarkuar, dhe ky aeroport tani po shfrytëzohej  kryesisht  e  vetëm  se  për  aeroplanët ushtarakë të NATO’s, e në veçanti të Forcave Ajrore Amerikane si edhe të disa prej aeroplanëve kargo që po sjellnin ndihma për refugjatët nga Kosova, të cilët ishin të shpërndarë gjithëkund nëpër Shqipëri.

Ndihmat vinin nga vendet e ndryshme të botës. Në çadrën ku isha vendosë unë, shumica ishin epror të gradave më të larta ushtarake, si dhe aty afër meje ishte edhe një gazetar që kishte raportu nga shumë luftëra, nëpër shtetet e ndryshme nga të gjitha kontinentet e rruzullit tokësorë, e që quhej Doug Mellgreen, i cili raportonte nga Shqipëria për“Associated Press”. Ai raportonte rregullisht për përgaditjet dhe gadishmërinë e forcave amerikane prej këndej kampit ushtarak të Rinasit nga Shqipëria. Meqenëse kishte shtratin e tij shumë afër meje në këtë çadër, gjatë kohës së lirë shkëmbenim informata të ndryshme me të, unë nga ato ushtarakë e ai nga lajmet më të reja nga rajoni, sepse kisha humbë lidhjet me të gjithë botën jashta kampit ushtarak në Rinas që kur kisha ardhë këtu në Shqipëri! Gjatë ditëve të para nuk kisha aq shumë punë dhe nuk isha i nxanun, përveçëse nganjëherë që shkonim me eprorin tim ushtarak Kapitenin Lerner në një familje shqiptare e cila po jetonte shumë afër çadrave ushtarake Amerikane. Këtij shtëpiakut shqiptar i ishte dhënë urdhëri që të largohej nga kjo pronë, mirëpo ai refuzonte të largohej prej aty për derisa nuk i paguhet ajo shtëpi e cila i përngjante më tepër një shtalle të vogël. Komanda ushtarake vendosën që t’ia paguajnë mirëpor problemi po qëndronte se ai nuk kishte kurrëfarë dokumentacioni të cilin e bënte pronar të asajë prone dhe atij objekti banues. Arsyeja pse kërkonin largimin e kësajë familje ishte më tepër për shkak të sigurisë ushtarake, sepse ata ishin krejtësisht afër çadrave ku ishim të vendosur edhe ne pjesëtarët e Armatës Amerikane.

Informacionet e 24 orëve të fundit

-Gjatë ditës së sotme 36 raketa kishin qëlluar qytetin e Nishit, i cili ndodhet rreth 200 km larg Beogradit, në këtë sulm të NATO’s ishin qëlluar depot e karburantëve si dhe rafineria. Gjithashtu ishte qëlluar edhe depoja e karburantëve në Novi Sad, si dhe ura e fundit që kishte mbetur pa u dëmtuar, po edhe depoja e karburantëve në fshatin Bogutovac u qëllua sot nga bombarduesit e NATO’s. Në Novi Pazar ishin ndëgjuar më se 20 eksplodime të ndryshme.

Sipas informatave të Beogradit u tha se edhe Prishtina ishte qëlluar nga 15 raketa, si dhe ishte sulmuar edhe baza e forcave operuese të ushtrisë serbe në Kosovë.

Për derisa diplomacia amerikane po fliste për demilitarizimin e Kosovës, pushteti serbo-jugosllav po refuzonte prezencën e forcave ushtarake të huaja në  territorin  e  Kosovës,  sepse  ligji  mbi  tërësinë teritoriale të Jugosllavisë nuk po lejonte një gjë të tillë. Presidenti  i  Ukrainës  Leonid  Kuchma  kishte propozuar që në forcat paqëruajtëse në Kosovë duhen të jenë vetëm ato forca, shtetet e të ciliave nuk kanë marrë  pjesë  në  bombardimet  e  NATO’s!  Ai  tha gjithashtu se forcat paqëruajtëse që do të vijnë në Kosovë duhet të kenë besim tek pala serbe, dhe duke thënë  se  pjesëmarrja  e  trupave  ruse  është  mëse esenciale!.

E diel 25 prill 1999

Edhe sot koha ishte me shumë të reshura shiu, binte aq shumë shi dhe po bënte aq zhurmë të madhe mbi çadrën tonë sa edhe shiu filloi të depërtojë në mbrendësi të cadres. Gjatë natës na prishi gjumin shumë herë, sepse pikat e shiut na qëllonin si me qëllim drejt mbi kokat tona. Kohë pas kohe duhej të lëviznim shtretërit nga një anë në tjetrën, kinse më mirë që mos të lagemi. Për fat të mirë unë gjeta një copë kartoni të madh, të cilin e rregullova mbi shtratin tim, e vura mbi vete që sadopak të më mbronte nga ramja direkte e shiut. Pra këtë e bëra sa për mos t’u lagur!

Gjatë ditës së sotme dola në teren me Kompaninë Raketore“Çarli” (Charlie) me Lancuesit Raketorë MLRS (Multiple Launch Rocket System) të cilët mundë të kishin cakun e sulmit në distancë deri në 640 km. largësi, si dhe cakun e shkatërrimit në përmasa të një stadioni futbolli. Në pamje dukej si një lloj autoblinde e cila mundë të arrinte shpejtësinë deri në 65 km. në orë. Me Lancuesit Raketorë MLRS, ne ishim të shoqëruar edhe nga 2 Hamveev ( xhipa ushtarak) si dhe një kamion ushtarak edhe disa ushtarëve të armatosur. Nga baza ushtarake e Armatës Amerikane në Rinas ne dolëm për disa kilometra jashtë bazës, jo edhe aq shumë larg Aeroportit të Rinasit, për të bërë kalibrimin e pikave të ndryshme sulmuese në rastëse do të na ipej komanda për ndonjë sulm të këmbësorisë kundër forcave të armikut serb. Po, qëllimisht sepse sulmi mundë të bëhej edhe në distancë nga mbrendësia e Shqipërisë, prej ku mundë që të qëllonin edhe qytetin e Beogradit sipas fjalëve të ushtarakëve të cilët po i shoqëroja gjatë këtij misioni. Pas disa orësh kalibrimi në fushën e hapur, përsëri u kthyem mbrenda bazës ushtarake ku edhe morëm zhavor për t’i shtruar rrugicat për në shtrat mbrenda çadrës sa për t’u mbrojtë sadopak nga balta që ishte gjithkund. Pjesën tjetër të ditës e kaluam të qetë, duke lexu një libër xhepi ushtarak që quhej “Doracaku i Ushtarëve” (The Solder’s Hanbook), të cilin na i kishin dhënë eprorët ushtarak në Aeroportin e Ramstein’it në Gjermani, para se të nisemi për në Shqipëri. Ishte një libër doracak i vogël ushtarak në të cilin jepeshin informacione elementare për tërë rajonin ku po bëhej zbarkimi i trupave amerikane, aty jipej një përshkrim i shkurtë për shtetet: Shqipërinë, Jugosllavinë, Maqedoninë, ku aty përshkruhej ana gjeografike, nacionalitetet, religjionet, palët e konfliktit, liderët e këtyre palëve si dhe llojet e armatimeve që përdorin. Me më tepër detaje ishin të përshkruara pjesët e palëve në knflikt: ajo e UÇK’s dhe pala serbe. Aty jepeshin detajet edhe të emrave me fotografi të Shtabit të UÇK’s, si dhe të shtabit të përgjithshëm ushtarako policor të Serbisë. Aty përshkruhej edhe armatimi i tyre që posedonin në luftë si: UÇK’ja si dhe pala serbe.

Informacionet e 24 orëve të fundit

-Aviacioni i NATO’s sot bombardoi transmetuesin e televizionit serb, 10 mila (15 Klm.) në afërsi të Beogradit, mirëpor vetëmse pas disa orësh më vonë, TV- serb përseri filloi transmetimin e programit të tyre, mirëpor me kapacitet tepër të kufizuar.

Që nga fillimi i bombardimeve numri i refugjatëve kosovarë kishte arritur në 600,000, kurse edhe disa qindëra mijëra refugjatë kosovarë ende po endeshin maleve dhe vendbanimeve mbrenda Kosovës. Ata po kërkonin rrugën e shpëtimit, për të ikur jashtë kufinjve për shkak të agresionit të egër serb…

E hënë 26 prill 1999

Qysh kur erdhëm në Shqipëri, koha ishte thuajse çdo ditë me shi dhe e ftohtë. Edhe sot binte shi! Me kompaninë “Bravo” u nisëm në drejtim të Lezhës. Edhe sot sikur ditëve të më parme ishim në shoqëri të 12 automjeteve    ushtarake:  hamvis, autoblinda, kamiona ushtarak si dhe Lançuesit Raketor MLRS.

Shkuam deri në afërsi të qytetit të Lezhës, atje ku më 2 Mars 1444 nën udhëheqjen e kryetrimit Skenderbeut ishte bërë Kuvendi i Lidhjes së Lezhës. Në Lezhë u bë edhe aleanca  ushtarake në mes  të prijësve të krahinave arbërore dhe atyre serbe, për tu mbrojtur nga Perandoria Osmane.

Lezha më vonë njihet edhe si vendi ku ishte varrosë pas vdekjes edhe kryetrimi i Arbërisë, Gjergj Kastrioti-Skenderbeu.

Gjatë rrugës ndaluam në disa vende ku po bëhej kalibrimi Lancuesve Raketor. Kjo bëhej me plan për në raste të ndërhyrjes së trupave të këmbësorisë së NATO’s kundër forcave serbe në mbrendësi  të Kosovës! Gjatë rrugës hasëm në shumë turma njerëzish të moshave të ndryshme, të rinjë dhe të moshuar, dhe që rregullisht na prisnin me duartrokitje dhe bërtisnin me duart lartë UÇK, UÇK, UÇK, e disa të tjerë po na përcillnin lëvizjet e kolonës tonë disi të habitur. Gjatë rrugës në shumicën e vend ndalimeve, menjëherë njerëzit nga kurreshtja na ofroheshin të shohin se ç’bënim. Atëherë kur unë nga mesi i ushtarëve i përshëndesja në shqip, për një kohë ata mbeteshin disi të habitur se si ushtari amerikan po na flet Shqip. Ata përnjëherë ma kthenin “O ju dini të flisni shqip?!”. Unë ia ktheja: “Po ore, a po më kuptoni, edhe unë jamë shqiptar si ju! ”Pastaj vijonin një mori pyetjesh të ndryshme “Prej nga vini, ku po shkoni, kur do të filloni sulmin, a do ta çlironi edhe Shqipërinë nga liderët tanë? ”etj. Nga njerëzit prej të cilëve siç po shihnim, ishin mjaftë të mërzitur me sistemin e tyre udhëheqës! Pas 4 orësh lëvizjeje, përsëri u kthyem në bazën ushtarake të Aeroportit të Rinasit.

Sot për darkë për herë të parë na u servua ushqim i nxehtë, sepse deri më sot ishim ushqyer vetëm me ushqim të paketuar ushtarak “Ushqim i gatshëm për t’u ushqyer” (MRI), i cili veçëse kishte filluar të na mërzitet! Darka ishte e mirë dhe mjaftë festive, ku kishim ushqim të nxehtë, e përbërë nga një copë mish lope (T-Bone Steak), me patate të fërguara, tamak misri si dhe sallatë jeshile. Pas kësajë darke që të gjithë të kënaqur u shpërndamë në drejtimet tona, secili po ikte në drejtim të çadrave për t’iu kthyer pushimit të rahatshëm. Gjatë mbrëmjes së sotme, dikur vonë rreth orës 1:30 të mëngjesit nëpërmjet të një tranzistori të vogël të cilin e bleva prej një ushtari i cili po kthehej për në Gjermani, ndëgjova se kishte ndodhe një aksident me helikopterët Apachi AH-64 gjatë manevrimeve natën diku afër kufirit me Kosovën, rreth 50 Milja (80 km.) larg Aeroportit të Rinasit. Në këtë aksident kishin pësuar dy pilotët amerikan me lëndime të lehta. Këta ishin ushtarë të cilët sigurisht se i kishim takuar sepse ishin nga baza e Rinasit ku ishim edhe ne, poashtu edhe helikopterët ishin pas çadrës ku ishim vendosë edhe ne. Sipas informacioneve vlera e një helikopteri Apache AH-64 kushtonte $16 Milion, por përsëri vlera e pilotit është shumë më e madhe dhe e pazëvendësueshme.

Informacionet e 24 orëve të fundit

Sot ishte dita 34 e bombardimeve të NATO’s. Sipas informatave të forcave aleate, thuhet se sot aviacioni i NATO’s kishte qëlluar urën e fundit mbi lumin Danub në Novi Sad të Serbisë. Gjatë kësajë dite u qëllua edhe depoja e karburantëve në afërsi të Valevës, u qëllua edhe aeroporti i Somoborit në afërsi të kufirit të Hungarisë.

Në rrethin e Prishtinës ishte qëlluar aeroporti civilo ushtarak i Sllatinës.

Gjatë misionit të trajnimeve në Shqipëri në ditën e sotme në orën 22:40 të mbrëmjes ndodhi edhe aksidenti i helikopterit Apachee AH-64 për të cilin nuk u dhanë shumë informata, por për fat të mirë që të dy pilotët kishin shpëtuar.

Nga informatat e NATO’s, tani në bazën ushtarake të Rinasit në Shqipëri kishim 23 helikopter Apachee, si dhe 33 helikopterë ndihmës, 18 Lancues Raketash MLRS me 3,400 ushtarë amerikan, që janë të gatshëm për në akcion kundër forcave serbe. Tani po bënin planet edhe për formimin e një force prej 200,000 ushtarë të Aleancës së NATO’s. Kjo bëhej në rast të ndërhyrjes së këmbësorisë kundër forcave jugosllave, për çka edhe vetë Presidenti Clinton tha se është i gatshëm që të thirr edhe 33,000 rezervistë amerikan…

E martë 27 prill 1999

Tani unë më kisha hy në rutinën ushtarake. Si çdo ditë edhe sot u zgjuam rreth orës 6:00 të mëngjesit, rreth orës 7:00 morëm ushqimin e mëngjesit, dhe gjatë asajë kohe mu afrua Kapiteni Lerner me një officer tjetër. Ata më njoftuan se pas ushqimit duhet të bëhem gati (edhe pse çdoherë isha i gatshëm për akcion) sepse do të nisemi menjëherë në detyrë. Do të dilnim në teren për të bërë verifikimin edhe të disa pikave tjera strategjike, pasi se tani veçëse po pritej urdhëri për sulm nga Shtabi i Përgjithshëm i NATO’s (Amerikan).

Pritej dhezja e raketave nga pala jonë prej këndej në mbrendësi të kufirit të Shqipërisë, për t’i treguar armikut serb se ne jemi të gatshëm për t’i luftuar deri në fund. Kërcënimi ynë ishte i vërtetë, nuk ishin si ato të lidershipit serb që çdo ditë po e shtynin me rrenat e tyre bajate. Ishte koha për t’i treguar se këtu nuk kishte shaka.

Dikur pas orës 3:00 pas mesnate, u nisëm në një kolonë të gjatë me Lancues Raketash MLRS, shumë autoblinda dhe automjete të tjera të rënda dhe të lehta ushtarake. Të gjithë u nisëm pa bërë shumë zhurmë dhe me dritat e automjeteve të bllokuara që mos të shiheshin në terr nga largësia. Edhe kësajë here morëm të njejtën rrugë drejt Fushë Krujës, të cilën rrugë e kishim kaluar shumë here. Dolëm lartë në kodrinat andej prej nga ishte planifikuar sulmi! Kjo ishte dita  më  e  lumtur  për  mua,  si  dhe  të  gjithë ushtarakëve që kisha për rreth, sepse koha jonë në Rinas veçëse kishte filluar të tregojë monotoninë e sajë. Isha shumë i lumtur, pasi se më në fundë po mirrja pjesë edhe unë në një sulm direkt së bashku me Ushtrinë Amerikane mbi forcat gjakatare serbe. Për forcat të cilat kishim të mbjellur shumë urrejtje. Po, për shkak të krimeve që po bënin anë e mbanë Kosovës mbi popullatën e pa mbrojtur shqiptare. Ky sulm kundër forcave serbe do të shënonte edhe sulmin e parë nga tokat shqiptare, prej Forcave të NATO’s. Njëri nga eprorët ushtarak amerikan erdhi tek unë dhe më tha: “Cakun e parë të sulmit me raketa ndaj ushtrisë serbe që do të fillojmë sonte është një cak në afërsi të qytetit të Prishtinës! ”Së bashku që të gjithë u gëzuam pa masë, të cilin gëzim e shprehëm me grushta lartë të gjithë së bashku. Më në fund na erdhi dita që të shporrim forcat fashiste serbe nga trojet shqiptare, atje ku kishin bërë dhe po bënin masakrat e pa numërta mbi njerëzit e pa fajshëm dhe të pa mbrojtur. Ishte gëzim sepse me futjen e këmbësorisë së NATO’s në Kosovë, njëherë e përgjithmonë do ta largonim pushtetin dhe forcat e Serbisë nga Kosova. Po nga atje ku po bënin gjenocid dhe pastrime etnike. Ishte ky çasti kryesor për të cilin edhe iu kisha bashkangjitë Forcave të Armatës Amerikane dhe e kisha pritë me vite të tëra vetëm e vetëm që ta shohim dhe ta përjetojmë Kosovën e lirë!

Pas të gjithë këtyre manovrimeve që patëm, përsëri edhe sot mbetëm të dëshpëruar. Mbetëm të dëshpëruar sepse ishim në pritje të urdhërit për sulm, kurse ata nga qendra na thanë se edhe sot nuk do të ketë sulm. Shkaku ishte se i paskan disa bisedime NATO me palën serbe. Që tani po zhvilloheshin takime për të ardhë në një ujdi në mes të tyre! Ashtu të dëshpëruar me të tërë atë kolonën ushtarake që ishim, njejtë gjithashtu  me dritat e fikura të auto- mjeteve gjatë territ të mëngjesit filluam të kthehemi prej nga kishim ardhur. Po, ashtu të dëshpëruar vetëmse nëpërmjet të dylbive të natës (Night vision binoculars) u kthyem në bazën tonë ushtarake të Rinasit.

Informacionet e 24 orëve të fundit

Gjatë ditës së sotme NATO bombardoi në Beogradin e Ri ndërtesën 23 katëshe në të cilën ishin zyrat e Partisë Socialiste të Millosheviqit, si dhe zyrat e 8 radio stacioneve të Beogradit. Kjo ndërtesë ishte në shënjestër dhe në bombardimet e mëherëshme të 21 Prillit 1999. Në shënjestër të bombardimeve sot ishin edhe disa caqe rreth qendrës së Prizrenit, qytet kosovar rreth 11 milja (16 km.) nga kufiri me Shqipërinë. Mediat serbe lajmëruan se disa raketa qëlluan Prishtinën, Pejën dhe Deçanin. Aeroplanët e NATO’s qëlluan edhe në Jug të Serbisë fshatin Surdulica. Gjatë natës u ndëgjuan sirenat e rrezikut edhe në Prishtinë dhe në Podgoricë të Malit të Zi, kurse eksplodimet u ndëgjuan në drejtim të aeroportit të Podgoricës. Sipas informatave të NATO’s, aeroplanët e tyre F-15 kishin qëlluar me sukses garnizonin ushtarak serb në Surdulicë.

Sipas informacioneve të sotme,  rreth 5,000 refugjatë shqiptarë kishin kaluar kufirin për në Maqedoni, një eksod refugjatësh i shkaktuar nga forcat serbe që po operonin rreth qytetit të Prishtinës.

Në SHBA, presidenti Klinton kishte autorizuar Pentagonin që të thërrasë dhe 33,102 rezervista ushtrakë që të jenë të gatshëm për në konfliktin e Kosovës, si edhe 2,116 ushtarë nga Rezervistët e Forcës Ajrore si dhe Gardës Nacionale.

Në negociatat me Rusinë çelësi kryesorë ishte që NATO’ja po refuzonte në vazhdimësi që të ndërpresë bombardimet, gjithashtu edhe lidershipi jugosllav po refuzonte gjithsesi që të pranojë forcat e armatosura të NATO’s si forcë paqëruejtëse për të ruajtur paqen në Kosovë. Beogradi donte që paqëruejtësit të mos kenë armë ose të jenë vetëmse me armë të lehta që ishte krejtësisht në kundërshtim me kërkesat e NATO’s…

E mërkurë 28 prill 1999

Pas ngrënies së mëngjesit, njëri nga eprorët ushtarak që ishte përgjegjës për terenin ku ishim vendosë, më ftoi që përsëri të shkojmë tek fqiu shqiptar i cili me gjithë familjen e tij ende po qëndronte në shtëpinë e cila ishte shumë afër vendqëndrimit tonë ushtarak. Atij të shkretit ende nuk po ia paguanin shtëpinë për shkak të mungesës së dokumentacionit (tapisë), e për çka fqiu shqiptar po shtirej se e kishte humbur. Ai po na kushtëzonte se për derisa nuk ia paguajmë shtëpinë, pra pronën e tij, ai me gjithë familjen e tij do të qëndrojë aty. Pa marrë parasysh se i ishte urdhëruar që të largohet nga ky objekt sa më shpejtë për shkak të sigurisë ushtarake, ai nuk largohej. Pas kryerjes së bisedës me të, përsëri vazhduam me daljen tonë tani të përditshme dhe të zakonshme. Dalja në teren ishte dalja jashta Aeroportit  të  Rinasit  për  të  bërë  verefikimin  e objektivave tjera strategjike të Raketë Lancuesve MLRS. Kjo ditë ishte një ditë shumë e mirë me diell edhe e ngrohët, e cila thuajse për menjëherë filloi me tharjen dhe largimin e të gjithë asajë balte që kishim. Po, asajë balte e cila na kishte mërzitë jetën qysh prej arritjes tonë këtu në Rinas të Shqipërisë. Dikur më vonë, para perëndimit të  diellit filluan përsëri me manevrimet e tyre edhe helikopterët Apache AH-64, aty ku kishim 6 prej tyre shumë afër neve. Zhurma e tyre ishte e pa durueshme, si dhe me pluhurin që ngritnin në ajër na mërziste pa masë. Tani përsëri filloi një rigë shiu. Për rigat e shiut nuk na kishte marre malli aq shumë, pasi se qyshë nga ardhja jonë këtu në Shqipëri, thuajse çdo ditë kishim pasë reshje shiu.

Sot për dallim nga ditët tjera, aty afër çadrës tonë kishin dalë jashtë shumë ushtarë. Ata kishin vu një karrige, ku pashë se disa ushtarë po bënin punën e berberit. Po, po ia hiqnin flokët shokëve të tyre. Duke lakmuar punën e tyre edhe unë vendosa t’i pyes se nëse kanë kohë që edhe mua të më bëjnë frizurën ushtarake ashtu si të tyre, përçka edhe shkova edhe iu luta ushtarit berber që të m’i hjekë edhe mua flokët. Më tepër e kisha për shkak se higjiena për mbajtjen e flokëve nuk na ishte në nivel të duhur, pasi se nuk kishim ujë të nxehtë për pastrim. Ushtari mbeti i habitur kur i kërkova shërbimin e tij duke menduar se unë isha civil ushtarak. Unë mundesha që të mbaja flokët si të doja, pasi se më njihnin si civil, por me uniformë ushtarake. Në fillim reagoi duke më thënë: “Jo, nuk dua unë që ta prishi frizurën tënde, gjithashtu ne kemi vetëmse një stil, stilin tas, zero!” edhe filluan që të qeshen që të gjithë në zë!

Ishte tepër e bezdisëshme të mbaja flokët e gjata, kur  tërë  kohën  isha  në  uniformën  ushtarake,  me helmetë, xhaketën anti plumb dhe sendet tjera  që ishin obligative të barten në ç’do kohë dhe në ç’do hapësirë. Këtë obligim e kishte ç’do pjesëtarë ushtarak, edhe e gjithë kjo uniformë të bënte të djersitesh.Vendosa që edhe unë si ushtarët tjerë t’i hjekë flokët nga një ushtar që ua hiqte flokët shokëve të vetë me një stil që më përkujtonte kohën kur isha fëmijë në fshat. Më kujtoi kohën kur gjatë ç’do pranvere i qethnin delet, që të gjitha vetëmse në një stil, stilin zero! Pasi i hoqa flokët, e pastrova kokën me pak ujë të vakët që e ngrohnim mbi koftorin e thjeshtë që kishim për nxemje në çadër. Ujin e vkët e bënim në disa tasa alumini 3-4 litërshe që i kishin marrë nga kuzhinierët ushtarak pas shfrytëzimit të ushqimeve të konzervuara në to. Pasi pastrova kokën u ktheva mbrenda në çadër, ku zakonisht shkonim vetëmse për të bërë gjumin. Mbrenda çadrës nuk ishte askush përveçëse kolegut, gazetarit  të Associated Press Dough Melgrin i cili po shkruante diçka. Me të hyrë unë mbrenda ai filloi të qeshet në zë me mua, pasi se më pa tanimë frizurën ushtarake! Mu afrua afër shtratit tim duke më uruar së pari frizurën e re, e pastaj më pyeti se a mundet të pranojë që ai të bëjë një intervistë me mua për agjencinë për të cilën po raportonte ai? “Po i thashë, pse jo”, urdhëro bisedojmë! Prej afër Douge nxorri një bllok të vogël nga xhepi, edhe filloi ashtu thjeshtë me disa pyetje të tijë. Ai më pyeti në lidhje për rrugën time të largimit nga ish Jugosllavia për Amerikë, pastaj punën që po ushtroja në Amerikë, takimin me bashkëshorten Shahadijen e deri te vendimi i ardhjes time këtu në Shqipëri.Gjithashtu më pyeti edhe për atë se ç’më shtyri të lë profesionin e menaxherit, të lë familjen dhe të gjitha të mirat e Amerikës, për t’iu bashkangjitë Armatës Amerikane. Më pyeti se a durohen gjitha këto kushte aspak të mira, kur nuk dihet se si do të përfundojë lufta në Kosovë!

Pas përfundimit të intervistës, e pyeta se ku mundë ta shoh këtë intervistë timen?

Doug mu përgjigj:“Kjo intervistë që bëmë, tani mundë të botohet gjithëkund nëpër të gjitha gazetat e ndryshme të botës. Në të gjitha 5 kontinentet e kësajë bote! ”Gazetarit i pëlqeu pa masë historiku im jetësor, dhe më tha se: “Tregimi yt është shumë interesant për të gjithë lexuesit dhe shumicën e gazetave. Ai garantoi se ky tregim do të lexohet në të gjitha kontinentet. Më tha se është mëse i sigurtë se gazeta që shtypet në Cleveland, Ohio, se ajo mundë dhe duhet të jetë një ndër gazetat e para që do të blejë intervistën, pasi se ka të bëjë me një pjesëtarë të Armatës Amerikane të komunitetit të tyre.

Ashtu siç më tha gazetari Dough Melgrin, ashtu edhe ndodhi. Të nesërmen kjo intervistë ishte botuar në gazetën e përditëshme të tirazhit më të madh të Ohio’s “The Plain Dealer”që shtypej në qytetin ku po jetonim në Cleveland! Kjo ishte edhe informata e parë edhe për familjen time në Cleveland, sepse nuk ishim ndëgjuar me to dhe nuk kishim kurrëfarë kontaktesh që nga koha kur erdha në Shqipëri! Gazetari Daugh më spjegoi edhe për jetën e tijë, më spjegoi për profesionin e tijë si gazetar dhe jetën e tijë private. Ai më tregoi se ishte me prejardhje Irlandeze, dhe si gazetar për Associated Press kishte raportuar gati se nga të gjitha vendet me konflikte nëpër botë.

Derisa bisedonim me Daug, erdhi një ushtar dhe më tha se eprori i tij më fton që përsëri të shkojmë te familja shqiptare aty afër, të cilëve iu ishte urdhëruar që të largoheshin nga shtëpia e tyre. Më ftoi që të shkojmë te familja që iu ishte urdhëruar të largohen nga shtëpia për shkaqe sigurie, sepse ishte tepër afër çadrave ushtarake. Mirëpor kësajë here më kërkohej edhe që të bëja punën edhe të ndërmjetësuesit, e më pakë të përkthyesit. Me ndihmën time arritëm të bëjmë pajtimin për pagimin e pronës së familjes shqiptare Kallari, dy vëllezërve dhe nënës së tyre 70 vjeçare. Pas marrëveshjes që bëmë, që të gjithë anëtarët e familjes u mërzitën, e sidomos nëna e tyre ishte mërzitur tepër shumë. Ajo ishte mërzitur për shkak se tërë jetën e kishte kaluar në atë shtëpi, dhe tani iu duhej të largoheshin. Lokja mu drejtua mua dhe më tha: “O biri im, nuk dua të largohem nga kjo shtëpi. Kjo është shtëpia ku unë dua edhe të vdesë, sepse nuk më kanë mbetur edhe aq shumë vite që të jetojë! ” Lokja ishte në moshë mbi të 80’at. Pas një pauze plaka filloi të flasë përsëri duke mu drejtuar mua me lot në sy, lotët e së cilës edhe neve na e këputën shpirtin. Plaka përsëri vazhdoi të fliste dhe me tha: “O biri lokes, njëherë Enveri na përzuri dhe na i mori të gjitha, edhe shtëpitë, e tani po e përjetoj përsëri lëshimin e vatanin edhe një here. Ky vend i imi ka shumë kujtime, edhe nuk mundë që të harrohet lehtë. Këtu kalova pjesën më të gjatë të jetës time, këtu u plaka o bijtë e mijë!” Më vonë pasi lokja u qetësua nga të folurit, edhe unë me zemër të lënduar ia prita: “Oj loke, duhet të na kuptoni, se ne nuk po bëjmë asgjë që t’ju lëndojmë zemrën tuaj, mirëpo ky është shkaku për sigurinë tuaj po edhe për ushtarakët. Ne erdhëm nga Amerika e largët, dhe ne jemi këtu që të ndihmojmë vëllezërit dhe motrat tona nga Kosova.Po ata të cilët po dëbohen me dhunë prej shtëpive të tyre, po plaçkiten, po digjen, po dhunohen, po vriten, po masakrohen dhe po terrorizohen nga gjakëpirësit sllav. Ata janë shumë e shumë më keq se ju, të paktën juve po iu paguajmë dhe pse nuk keni dokumentacion pronësie, edhe po iu tregojë dhe garantojmë se ne nuk do të jemi për shumë kohë këtu! Shpresojmë se brenda një kohe të shkurtër do të largohemi përgjithmonë prej këndej, e juve mundë që përsëri të ktheheni në këtë vend tuajin, sepse destinacioni ynë është Kosova, e jo Shqipëria!’’Lokja që ishte e mërzitur aq shumë gjerë më tani, disi u kthjell pas fjalëve të mia që i thashë, edhe m’u drejtua duke më thënë: “ Eja biri i lokes që të përqafoj njëherë. Më fal për gabimin që bëra, po e shoh se nuk qenka lehtë që të ndërrosh vatanin edhepse është në mënyrën më paqësore dhe me pagesë, e ku më siç po i ndodhë motrave dhe vëllezërve tanë në Kosovë!”

Shtëpia e tyre ishte e vogël, me material qerpiç- lloçi, pra tulla balte dhe tepër e amortizuar. Dukej sikur t’ishte një lloj shtalle, mirëpor për këtë familje ajo ishte pallati më i bukuri i botës! Për këtë shtëpi, familjes Kallari Armata Amerikane i bëmë shpagimin mjaft korrekt dhe të volitshëm. Ndoshta edhe me mbivlerë për standardin shqiptarë të kësajë kohe, ku i paguajtën $20.000. Pas marrëveshjes që bëmë, njëri nga vëllezërit thirri gruan e tijë që të na bëjë dhe të na gostisë me nga një kafe turke, e cila pas pak minutash pa kurrëfarë vonese na i solli në oborr aty ku po bisedonim. Ajo solli me kafetë edhe nganjë gotë raki shtëpie.Ne të gjithë së bashku me kolonelin Konrad që kishte ardhur enkas që të zgjidhnim këtë problem si dhe kapitenin Lerner, të gjithë së bashku edhe me dy vëllezërit Kallari dhe loken nënën e tyre i ngritëm gotat, dolli për lirinë sa më të shpejtë të popullit shqiptarë në Kosovë! Në  marrëveshje nga  pala amerikane morëm pjesë: unë Ajaz Emini, Koloneli Konrad dhe Kapiteni Lerner kurse nga pala shqiptare ishin familja Kallari, një punëtor i sigurimit, Komandanti i Aviacionit Shqiptarë dhe një përkthyes i tyre. Menjëherë pas marrëveshjes filloi zhvendosja e familjes Kallari me bartjen e plaçkave të tyre, e po në të njejtën kohë edhe nga pala e Ushtrisë Amerikane filloi bartja e çadrave nga“Kampi i Baltës” në anën tjetër afër shtëpisë së familjes Kallari.

Planifikohej që menjëherë pas largimit të familjes Kallari, të gjitha ata ushtarakët të lëvizin në atë pjesë, sepse aty ishte toka e terur dhe nuk kishte baltë.Atje ku ishim vendosur, sipërfaqja e sajë ishte shumë e pa përshtatshme nga uji që kishim nën këmbë, por ishte edhe e rrezikshme sepse ndodheshim shumë pranë pistës së aeroportit të Rinasit.

Qysh nga ardhja ime në Shqipëri nuk pata asnjë lidhje me pjestarët e familjes time, për shkak se edhe ato lidhje telefonike që kishim në aroport ishin lidhje tepër të dobëta, që kinse na i kishin siguru si linjë speciale për tu shfrytëzuar nga pjesëtarët ushtarak amerikan. Edhe sot përsëri tentova për të marrë në lidhje telefonike pjesëtarët e familjes sime por krejt ishte e kotë, sepse nuk munda të kontaktoja askend!

Edhe sonte si në mbrëmjen e më herëshme, përsëri po pritnim urdhërin nga Shtabi i Përgjithshëm i NATO’s për dhënien e dritës së gjelbërt, për dhezjen e raketave kundër caqeve të forcave serbe. Mirëpo, edhe kësajë here përsëri nuk u ndëgjua asgjë. Përsëri dështuam nga politika e Brukselit që tani për një kohë veçëse kishte filluar të bëhet monotone dhe banale. Edhe pjesëtarët e rregullt ushtarak që ishin aty, ishin lodhë nga pritja e kotë të cilët më thonin se kemi ardhë këtu për të kryer punë e jo për të qëndruar në mes të kësajë balte!…

Informacionet e 24 orëve të fundit

Gjatë ditës së sotme sulmet e NATO’s kishin vazhduar me bombardime në një lagje në jug të Beogradit. Sipas informatave të agjencisë së pavarur Beta, ata lajmëruan se në mëngjesin e sotëm NATO’ja kishte qëlluar kazermat ushtarake në Topçider dhe Koshutnjak. Thuhet se forcat serbe ishin evakouar nga këto kazerma ndër më të mëdhajat të Jugosllavisë pakë kohë para se të fillonin bombardimet. Për aty thuhet se: Aty nën tokë gjendet edhe bunkeri më i madh të cilin e shfrytëzon shpeshëherë edhe Presidenti Jugosllav Sllobodan Millosheviqi. Në Paraqin u sulmua depoja e karburantëve, poashtu edhe në Pozhegë që gjindet rreth 70 milja (90 km.) në jug të Beogradit. Gjatë natës u qëllua edhe rafineria e Novi Sadit, si dhe depoja e karburantëve në Smederevë që ishte 25 milja (35 km.) nga Beogradi. U bombardua edhe ura kryesore mbi Lumin Sava, e cila ishte veçëse disa milje në perëndim të Beogradit. Gjatë kësajë kohe kishte pasë edhe tre sulme të gabuara me raketa që kishin ra në teritorin bullgar, mirëpor pa viktima gjatë sulmeve kundër Jugosllavisë. Aeroplanët e NATO’s kishin kaluar gabimisht mbrenda kufirit bullgar, ku çka ata nuk kishin leje për të kaluar mbi territorin e tyre.

Në 24 orët e fundit rreth 2,000 refugjatë kosovarë kishin kaluar kufirin e Shqipërisë, të cilët ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre nga rrethi i Gjakovës…

E enjte 29 prill 1999

Edhe sot ishte një ditë e bukur dhe me diell, ishte një ditë perfekte për të bërë një dush, edhe atë me ujë të ftohët sepse ende nuk kishin rregulluar furnizimin me ujë të nxehtë. Mora një bidon 5 galonesh (rreth19 litrash) me ujë prej cisternës ushtarake që kishim afër, edhe u nisa për në banjo e cila ishte bukur larg nga çadra jonë, në anën tjetër të livadhit. Për fat timin askush nuk kishte qenë në banjo, sepse shpeshherë këto banjot ishin gati se çdo herë të nxanuna nga ushtarët. Aty ishin 3 dushe, 2 prej tyre i mbusha me ujë me planin që pasi ta kryej njërën të kalojë tek e dyta. Dushet ishin të bëra në mënyrë shumë të thjeshtë, ishin strajca lëkure të cilat i mbushje me ujë dhe vareshin lartë në varësen që i kishin bërë dhe të cilat kishin fundet e rregulluar çezmë me shoshë. Kjo ishte pakë a shumë sikur lodra fëmijësh për të lozë gjatë ditëve të verës kur bënte vapë. E lëshova njërën. Në fillim uji ishte trishtues sepse ishte i ftohët, mirëpor pas pak pakë kohe u adaptova edhe pse ishte i ftohët të dukej joshës dhe mjaftë freskues, se edhe trupi iu adaptua temperaturës së ftohtë. Kishte kohë që nuk patëm mundësi bile të largojmë as djersën nga uniforma dhe xhaketat e rënda me anti plumb që bartnim. Pasi e kryejta strajcën e pare, kalova tek e dyta dhe vazhdova me pastrimin e të gjithë trupit. Edhe pse shosha nuk lëshonte aq shumë ujë, merrte bukur kohë të gjatë që të bëje pastrimin siç duhej, por kuptohet me ujë të fohët. Tani edhe larja ishte bërë më e lehtë, pasi se i kisha hjekë flokët një ditë më herët, çka  më  kursente  edhe  në  ujë  dhe  shampon!  Pas pastrimit nuk pata aq shumë punë perveçëse për disa minuta që ndërmjetësova përsëri me familjen tani të mirënjohur Kallari, të cilët ende nuk i kishin lëvizë të gjitha gjërat e tyre prej shtëpisë. Ata tani më treguan se ende nuk ua paskan dorëzuar lekët e shtëpisë. Pas këtijë takimi, përsëri u ktheva te çadra dhe fillova që t’i shkruaja një letër familjes time në Cleveland. Po vendosa t’u shkruaja sepse ishte e pa mundur të bisedoja me telefon, për çka e dija se tani me siguri se jane bërë edhe merak se ç’po ndodhte me mua që nuk iu isha lajmëruar. Në kohën kur fillova ta shkruaj letrën, filloi edhe manovrimi i helikopterëve Apache. Në të njejtën kohë për çdo ditë ndodhte kjo, të cilët ma prishën rahatinë me zhurmën dhe pluhurin që na bënin. Kjo për ndryshe do të ishte një kohë e mire shkrimi, po mos të ishte zhurma e helikopterëve në livadhet e Rinasit . Aty përballë kishim malet e larta të Krujës që dukeshin mjaftë atraktive, aty ku ishte edhe kalaja e mirënjohur dhe muzeu historik i Gjergj Kastriotit-Skenderbeut.

Edhe sonte po pritej fillimi i sulmit me raketa, nga grupi i artilerisë me të cilat isha edhe unë prej ditës time të parë këtu në Aeroportin e Rinasit të Shqipërisë. Tani sa kuptova se përsëri nuk do të ketë sulm ,pasi se edhe helikopterët Apachi ende nuk na qenkan të gatshëm për sulm! Meqenëse koha ishte e mire dhe me diell, tani edhe numri i bombardimeve të Aviacionit të NATO’s veçëse ishte në rritje mbi forcat paramilitaro-ushtarake serbe.

Informacionet e 24 orëve të fundit

Kësaj radhe bombardimet e NATO’s kishin vazhduar edhe në bregdet, në Bar dhe Petrovac, si dhe ishte qëlluar edhe aeroporti ushtarak në Podgoricë të Malit të Zi. Edhe pse Mali i Zi ishte më pro perëndimorë, u mundua që gjatë konfliktit që të mbetej neutral gjatë gjithë kësajë kampanje. Aktivitetet e forcave Serbe me qëllim apo jo, e detyruan NATO’n që të sulmojnë dhe mbrenda Mali të Zi. Gjenerali Giuseppe Marani tha se aviacioni jugosllav nga Podgorica është shumë afër forcave të NATO’s në Shqipëri, dhe për të cilat janë kërcënim eminent, për atë edhe duhet sulmuar. Gjatë ditës së sotme aleanca qëlloi edhe vendlindjen e Millosheviqit, qytetin e Pozharevcit, i cili gjendet 50 milje në juglindje të Beogradit. NATO’ja qëlloi edhe antenat e radios në afërsi të Prizrenit, dhe gjithashtu u sulmuan edhe trupat e policisë speciale serbe në brendi të Kosovës. Detonimet ishin ndëgjuar edhe në Podgoricë, atje ku po sulmohej për të tretën herë mbrenda 12 orëve. Air Marshal John Day i trupës mbrojtëse britaneze tha se forcat ajrore jugosllave nga Podgorica kishin sulmuar edhe refugjatët shqiptarë në Kosovë. Pentagoni lajmëroi se tani ia kishte bashkangjitë sulmeve ajrore të NATO’s edhe 10 bombardues B-52 të Forcave Ajrore Amerikane në Evropë. Sekretari i Mbrojtjes së SHBA’së William Cohen tha: “Ne do të fillojmë të sulmojmë për më shumë orë si dhe më shumë caqe, si dhe prej shumë kahjeve”. Disa bombardues të mëdhenjë B-52 ishin të angazhuar në sulmet  e  NATO’s  që  më  herët  në  Operacionin  e Forcave Aleate…

E premte 30 prill 1999

Përsëri edhe sot mbajti një ditë shumë e bukur pranverore, me diell dhe e ngrohtë. Edhe sot për mua nuk ishte aq ditë e nxanun. Dola dhe ia dhashë një qark ecjeje rreth çadrave ku ishim, prej ku edhe pashë se familja Kallari veçse po i bartnin plaçkat e tyre nga shtëpia. Nga kjo po shihej se së shpejti do të largoheshin prej aty. Pakë më herët erdhi edhe Kapiteni Lerner, dhe në bisedë e sipër ma bëri me dije se sa po të largohet familja Kallari nga shtëpia e cila tani ishte rrethuar nga çadrat e forcave ushtarake, do të shkonim së bashku që ta shohim shtëpinë brenda se a bënë për t’i vu dushët e larjes aty brenda. Po planifikonin që të bëjnë aty dhe një lidhje telefonike civile që të mundë të përdorin personeli ushtarak, të kenë më lehtë kontaktin me familjet e tyre. Gjithashtu të bëjnë edhe një sallë ku do të vejnë një televizor që të lidhemi me botën e civilizuar me ngjarjet botërore, që të paktën të shohim se ç’po ndodhë edhe rreth nesh. Sot gjithashtu pritej që të kemi edhe vizitën e Gjeneralit Suprem Henry Shelton të Forcave të SHBA’së. Prej shtypit të vetmen gazetë që e kishim në bazë ishte gazeta ushtarake “The Stars And Stripes”, që në përgjithësi kishte shkrimet e jetës ushtarake, e cila shtypej edhe na vinte nga Bazat Amerikane në Gjermani. Por kjo gazette kishte edhe mjaftë informacine të shkurtëra dhe të përgjithëshme. Ajo që më interesonte më së tepërmi të lexoja apo ndëgjoja, ishin informacioni se si po zhvillohej dhe ishte gjendja mbrenda në Kosovë. Nga numri më i ri një i kësaj gazete, pashë se gjendja e Kosovës nuk ishte aspak e mire. Akoma po vazhdonte gjendja tragjike me popullin shqiptarë nga vrasjet, dhunimet, maltretimet, plaçkitjet dhe dëbimet prej armikut serb.

Në Bazën Ushtarake Amerikane të Rinasit, aty ku isha edhe unë tani kishim 24 Helikopterë Apache AH-64 të cilët për çdo ditë po bënin përgaditjet e tyre për ndërhyrje në Kosovë. Helikopterët Apache AH-64 ishin ndër helikopterët luftarak më të përsosur në botë, të cilët arrijnë shpejtësinë 227 mph (365 kmh) dhe ishin të armatosur me Stinger, AIM-9, miselsajer-ajër, raketat 70mm, gjuan 650 fishekë në minutë (që janë në gjendje të shpojnë edhe autoblindat) etj. Kryesisht të specializuara për sulm mbi tanke dhe objektivat e ndryshme tokësore.

Gjatë mbrëmjes së sotme isha i ftuar që të merrja pjesë në mbledhjen e përditëshme të shtabit ushtarak në Rinas, ku ishin Gjenerali Joe Hendrix, koloneli dhe kapitenët nga të gjitha njësitë ushtarake që ishin në këtë bazë të Rinasit. Mbledhja ishte shumë informative. Pjesa e mbledhjes që më interesonte mua më së shumti ishte informacioni nga tereni dhe ndodhitë në Kosovë. Aty kuptova për përjashtimin e Drashkoviqit nga kabineti i Serbisë nga Millosheviqi. Kjo gjë më gëzoi sepse po mbetesha me shpresë se po kapeshin partitë serbe në mes veti. Mendoja se përçarja e tyre në mes veti do të ndikojë për më mirë në marrëveshje me palën serbe. Lajmi që më gëzoi më së shumti ishte biseda ku po bëhej plani i sulmit të këmbësorisë dhe artilerisë amerikane nga Shqipëria. Kjo pritej që të fillonte për mbrenda 2-3 ditësh pasi se Milosheviqi nuk e kishte ndërmend që të dorëzohej edhe pas të gjitha atyre rrenave dhe mashtrimeve të tijë që i kishte premtuar Gjeneralit Suprem të NATO’s

Wesley Clark’ut. Aty u bisedua se nga 2 apo 3 maji 1999 do të jetë dita e sulmit dhe hyrjes së trupave të NATO’s nga Shqipëria në Kosovë. Kjo do të ishte një ditë që po na afrohej, ishte një ditë që e kisha ëndërrruar për shumë kohë dhe mezi po e prisja me pa durim. Nga këto pritje edhe stërzgjatje, edhe ushtarët amerikan tani ishin të gatshëm dhe shumë herë më thonin se:“Ne nuk kemi ardhë këtu në pushime, ne jemi këtu që të kryejmë punën tonë dhe të kthehemi andej prej nga kemi ardhur.”

Informacionet e 24 orëve të fundit

Në mesin e objektivave të NATO’s sot ishin edhe autostradat, hekurudhat, urat, depot e karburantëve, fabrika e feronikëlit në Kosovë, pikat kufitare, aeroportet, disa grupe të automjeteve ushtarake siç janë: kaqushat, tanket, tankerët e karburantëve mbrenda Kosovës, vendet e SA3 dhe SA6 SAM, transmetuesi kryesorë i Beogradit, Shtabi i Përgjithshëm Jugosllav, ndërtesa e Ministrisë Federale në Beograd, ndërtesat e policisë serbe si dhe depot e armëve. Me rritjen e caqeve të sulmit u rritë edhe agrisiviteti si nga mbrojtja ajrore serbe ashtu edhe nga raketë lancuesit tokë-ajër.

Sipas Pentagonit tani pritej që të fillojnë edhe bombardimet më së tepërmi me B-2. Mbrenda disa ditësh pritej që t’i shtohen forcave të NATO’s edhe 28 aeroplane furnizues të karburanteve për aeroplanët sulmues që ishin në ajër…

E shtunë 1 maj 1999

Si çdo herë edhe sot në të zgjuar nga gjumi, shkuam dhe morëm ushqimin e mëngjesit, ishte ditë e bukur me diell dhe e ngrohtë. Pas ushqimit të mëngjesit isha caktuar që me kompaninë “Bravo” të dalim në  teren për kalibrime të  reja të  Lancuesve Raketorë MLRS. Më vonë më njoftuan se planet e sodit kishin ndryshuar krejtësisht, dhe nuk  dolëm askund. Meqenëse nuk isha i angazhuar askund,vendosa që të shkoj në mbrendësi të aeroportit të Rinasit dhe ta provoj telefonin përsëri mos po kam fat edhe të mundem të kontaktojë ndonjërin nga pjesëtarët e familjes time në shtëpi. Po, sepse u bë një kohë bukur e gjatë pa patur kurrëfarë kontakti. Hyra në kabinën e telefonit edhe provova disa herë, por kësajë here pata fatin e madh. Kësajë here nga ana tjetër u ndëgjua zëri i zemrës së jetës Shahadisë, e cila edhe ajo ishte bërë shumë merak. Ajo menjëherë m’u vërsul, se pse nuk e kisha telefonu gjerë më tani. Po mendonte se sikur të ishte faji im! I tregova se lidhjet telefonike janë shumë të dobëta, dhe thuajse është e pa mundur apo tepër vështirë për ta marrë lidhjen. I tregova se si po kalonim, por kuptohet veçëse gjëra të mira më positive. Asgjë nuk i tregova për kushtet miserablë që kishim në këtë bazë ushtarake, që edhe ajo të mendojnë se po kalojmë çaste të mira në këtë lloçin e bekuar të Rinasit! Kjo ishte biseda e parë që po bënim që nga fillimi qysh se erdha këtu në Shqipëri. Nga biseda kuptova se që të gjithë ishin mirë, dhe nuk kishte kurrëfarë ndryshimesh. Shahadija më njoftoi se sot në faqet e gazetës së përditëshme të Cleveland’it, “Plain Dealer” ishte botuar intervista ime nga gazetari i Associed Presss, Doug Mellgren me titullin; “ALBANIAN- AMERICAN RESPOND TO A CALL TO DUTY”(“SHQIPTARO-AMERIKANI I PËRGJIGJET THIRRJES SË “ATDHEUT”) dhe gjithashtu me nëntitullin nga fjalët e mia “I OWEBOTH COUNTRIE’S ALOT, TO ALBANIA AND THE UNITED STATES.” (“Ikam shumë borxh që të dy shteteve, Shqipërisë dhe SHBA’së ”). Intervista ishte e zhvilluar disa ditë më herët me disa pika të shkurtëra, për jetën time dhe rrugën deri këtu në Kampin Ushtarak Amerikan të Rinasit. Pas bisedës telefonike u ktheva i gëzuar që pata kontaktin e parë në telefon me të dashurit e mi. Shkova drejtë në çadrën e Shtabit të Përgjithëshëm Ushtarak në Rinas, ku pritej të fillonte edhe mbledhja e radhës me krerët e Shtabit të Përgjithshëm këtu në Rinas. Gjatë mbledhjes së shtabit ushtarak, u bisedua edhe për “Marrëveshjen Paqësore të Millosheviqit” që po e shqyrtonin, si dhe për lirimin e ushtarëve amerikan që ishin nxanë në kufirin e Maqedonisë Perëndimore. Ata ishin kapur diku në afërsi të Kumanovës. Ajo marrëveshje më dukej disi e kotë sepse Millosheviqi deri më tani na kishte dhënë premtime të pa numërta.Ai kishte premtuar kinse do të ndërpresë sulmet, si dhe do të mirrej vesh me shqiptarët për një paqë të vërtetë etj.!

U bisedua edhe për përparimin e forcave të UÇK’s në fronte të luftës për rreth Junikut, dhe në disa pjesë të tjera të Kosovës. Në bazë të bisedës po shihej se si edhe aviacioni i NATO’s me bombardimet e tyre kishin filluar të kenë efektin e tyre në luftën kundër forcave paramilitaro-ushtarake serbe. Gjatë mbledhjes u bisedua se tani nga sukseset e bombardimeve të NATO’s mbi forcat serbe, i paska kapë frika dhe demoralizimi i ushtarëve se kjo luftë atyre nuk do t’i sjellë asgjë tjetër përveçse humbjeve në ushtarë dhe material luftarak. Gjithashtu aty po bëhej fjalë edhe po bëheshin planifikimet e fundit që me 3 Maj 1999 të fillojë sulmi. Sulmi pikë së pari do të kryhej me raketat MLRS që i kishim në dispozicione, ku me raketat e tilla do të arrinin caqet deri në 180 milja (290 km) largësi, sepse deri më tani kishin pasë në dispozicion vetëmse raketat që do të arrinin caqet deri në 90 Milja (145km). Poashtu edhe numri ushtarëve dhe mjeteve tjera ushtarake ishte rritë dukshëm në Bazën e Forcave Amerikane të Rinasit. Morali ushtarak në forcat amerikane ishte shumë i lartë, dhe kishin mendimin se pas dhënies së urdhërit për sulm, shumë shpejtë do të mposhtnin dhe shpartallonin forcat serbe, edhe atë mbrenda një kohe shumë të shkurtër! Thuhej se sulmi i parë do të fillojë nga njësitë e artilerisë të Raketë Lancuesëve MLRS me të cilat isha edhe unë, ku menjëherë pas tyre do të vazhdonin edhe me sulmet nga helikopterët Apachee AH-64, që kishin kapacitetin të shkatërrojnë gjithëçka që do t’i paraqitej nga forcat serbe. Ky do të ishte sulm i pa imagjinueshëm. Gjatë bisedave me shtabin, ishim mjaftë të hapur në bisedë. E dinin shumë mirë mllefin tim ndaj forcave serbe, edhe gjatë bisedës më premtuan se gjatë sulmit të parë edhe unë do të isha pjesëmarrës me to.Ata më premtuan pasi se më konsideronin dhe respektonin sikurëse të isha një ushtarak i vjetër me to! Tani mezi po prisja ditën e 3 Majit e cila ditë do të jetë dita më e dashur e imja, sepse me të do të fillonte sulmi që do të drejtohej edhe prej Shqipërisë.

Informacionet e 24 orëve të fundit

Gjatë ditës së sotme, ishte sulmi i NATO’s drejtë autobusit i cili po kalonte mbi urën në Luzanë në veri të Prishtinës, e cila ishte nyja kryesore për furnizimin e ushtrisë jugosllave si dhe për furnizime të policise speciale në Kosovë. Sipas informatave serbe thuhet se nga ky sulm mbetën të vrarë 40-60 vetë. Gazetarët e pavarur raportuan se ishin të vrarë rreth 15 persona. NATO tha se arma ishte lëshuar për të bombarduar urën, ku fatkeqësisht në të njejtën kohë kur po bombardohej kaloi autobusi i cili u kap nga sulmi.

I njejti incident kishte ndodhuredhe njëherë tjetër, për derisa po kryhej sulmi në një urë hekurudhore kalon treni dhe kapet në të njejtën mënyrë. Sot gjithashtu ndodhi edhe një aksident me një Aeroplan AAV-8B Harrier të Marinës Amerikane i cili ra në ujërat e Adriatikut për derisa po kthehej nga manovra në anije mbajtëse. Nga ky aksident piloti i aeroplanit u shpëtua.

Gjatë ditës së sotme prej SHBA’s arritën në Angli edhe 10 bombardues B-52 të USAF…

E diel 2 maj 1999

Sot në orën 6:30 në mëngjes, erdhi Kapiteni Bernodini më mori që të dalim përsëri me Lancuesit Raketor MLRS në pikat strategjike, për të bërë kalibrimet e zakonshme. Gjatë rrugës nga lancuesit raketor dhe automjetet tjera ushtarake, po ngrihej pluhur aq i madh saqë pas një kohe nga ky pluhur i madhë që të gjithë po dukeshim sikur të ishim mullinjëxhinjë, ashtu siç i mbulon  mielli  ata  gjatë punës së tyre. Në konvojin tonë kishim 12 automjete ushtarake (humvees, kamiona, autoblinda dhe MLRS), ata që ishin prapa nesh nuk mundë të shihnin thuajse asgjë nga pluhuri që po ngrihej nga automjetet para tyre. Në vendin e caktuar ku vajtëm, gjetëm edhe disa lancuesit raketor të tjerë që kishin shkuar më herët, e që ishin në fazat finale të kalibrimit për hapjen e zjarrit. Aty i gjetëm teknikët ushtarak të Lancuesve Raketor MLRS që ende ishin në gjumë, sigurisht nga puna gjatë natës së më parme. Pasi mbërrijmë aty, ushtarakët që nuk ishin në roje filluan të zgjohen dhe mbetën të habitur nga kolona jonë që po i afroheshim. Më vonë vazhduam rrugën edhe për në caqet tjera që ishin vendosë diku në kodrinat përtej Fushë Krujës. Iu ngjitëm edhe një kodrine të lartë pa rrugë dhe mjaftë të pjerrët, në këtë rrugë aty pashë aftësitë dhe vlerën e këtyre makinave ushtarake Hamvee, të pajisura me armë e mitraloz .50ml.mbi to, të cilat po i ngjiteshin kodrinës përpjetë pa kurrëfarë problemi. Pasi arritëm mu në majë të kodrës stopuam dhe të gjithë dolëm jashtë prej Hamvee’s. Të gjithë ndoshta nga rruga e gjatë filluan të urinojnë, dhe pastaj filluam të shijojmë të gjitha ato bukuritë natyrore që po na rrethonin nga të tëra anët për rreth nesh. Ishte një panoramë e bukur dhe shumë piktureske, të cilën e regjistruan shumica e ushtarëve në fotoaparatet e tyre. Në një anë kishim majat e maleve dhe fushave ndërmjet tyre, kurse në anën tjetër të majës së malit kishim pamjen tjetër larg në horizont ku shihej një pamje mahnitëse e detit Adriatik. Pas pauzës që bëmë në majat e malit përsëri filluam të zbresim te poshtë nga maja e malit. Gjatë rrugës te poshtë iu drejtova kapitenit dhe e pyeta se:“Me çfarë qëllimi na solle kaq lartë kapiten, a vetëm për  të  urinu?”  Që  të  gjithë  që  ishim  brenda automjetit ia plasëm gazit, por edhe ai po qeshej në zë dhe i cili mu drejtua duke më thënë: “Shumë me vend e ke, po erdhëm të urinojmë në këtë majë të lartë të malit, por edhe sa për të tregu ty sa e bukur që është Shqipëria. Pata dëshirë të madhe që të vijmë edhe të shijojmë dhe këto bukuritë natyrore që po na rrethojnë, por para së gjithash dihet se detyra jonë kryesore është edhe gjetja e pikave kryesore edhe më strategjike. Ky ishte vendi prej ku do të përqëndroheshin radio-lidhjet kryesore, prej ku do të bëhet koordinimi i pikave strategjike dhe prej ku do të fillojmë sulmin”. Gjithashtu e pyeta se a e din se a do të fillojmë sulmin sonte? Ai mu përgjigj; “Sa për momentin nuk dihet, ashtu ka qenë plani, mirëpo siç po shihet tani edhe kryetari i SHBA’së Bill Clinton po planifikon që me 5 Maj (1999) të na bëjë një vizitë. Nga shkaku i vizitës së tijë ndoshta do të shtyhet edhe dita e sulmit, por ende nuk jemi të sigurtë”! Ky ishte një lajm shumë dëshpërues për mua, po edhe për pjesëtarët tjerë ushtarak. Pas disa orësh bredhjeve nëpër bjeshkët përtej Fushë Krujës përsëri u kthyem në bazën ushtarake të Rinasit.

Gjatë mbrëmjes në mbledhjen e shtabit të përgjithshëm, përsëri u bë fjalë për lirimin e 3 ushtarëve amerikan të kidnapuar diku në afërsi të kufirit të Kumanovës në Maqedoninë Perendimore. Kjo po bëhej me ndërmjetësimin e aktivistit me ngjyrë të SHBA’së Jesse Jackson, i cili para disa vitesh kishte kandiduar edhe për President të SHBA’së. Ky ishte nje shok i aktivistit të njohur amerikan Martin Luter Kingut. Aty u bisedua se tani në bazën e Rinasit kishim në dispozicion 27 Lancues Raketor MLRS. U fol se bombardimi do të fillojë me 12 Lancuesit e Raketave MLRS pa ndërprerje përderisa të bëhet gati 12’tëshi tjetër dhe kështu me rradhë, kurse 3 Lancues Raketash MLRS do të mbeten në rezervë. Nëse ndonjëri do të kishte ndonjë defekt teknik, njëri nga rezervat do ta zavendësojë derisa të rregullohet ai. Gjatë mbledhjes u tha se në mbrendësi të Kosovës gjatë këtyre ditëve nga forcat serbe qenkan përdorë edhe armë kimike! Mua më thanë se tani duhet shkuar dhe të fillojmë përgaditjet për nisje të hershme, menjëherë aty nga ora 4:00 e mëngjesit të ardhshëm me kompaninë “Charlie”.

Informacionet e 24 orëve të fundit

Herët në mëngjesin e sotëm 7 raketa të NATO’s kishin qëlluar rafinerinë e naftës në Novi Sad. U raportua edhe për gjujtjet e mëdha anti-ajrore për rreth bregdetit të Malit të Zi. Disa eksplodime ishin ndëgjuar në rajonin e bregut të Kotorit kur po fluturonin eroplanët e aleancës mbi këtë rajon, të cilët po vinin nga bazat e aviacionit në Itali. Sot gjithashtu u sulmua edhe komanda e kontrollit ushtarak në afërsi të Beogradit, antena e radio-transmetuesit, depo karburanti, urat, si dhe aeroporti i Nishit. Aleanca e NATO’s gjithashtu sulmoi edhe auto blindat, pozicionet e mortajave, postet komanduese, artilerinë,

6 raketlancuesit tokë-ajër si dhe automjetet për kontrollin ajrorë. Sot edhe një Aeroplan Amerikan F- 16 CG u rrëzua afër Meticit, rreth 18 Km. në lindje të vendit të quajtur Kozluk në Serbinë perendimore. Pas dy orësh piloti amerikan u shpëtua nga njësiti ushtarak amerikan.

Gjatë ditës së sotme pati bombardime edhe mbi kazermën ushtarake jugosllave në Sremska Mitrovicë të Vojvodinës. Gjithashtu sot u bombardua edhe stacioni policor dhe fabrika e asfaltit “Kosmet put” në Mitrovicën e Kosovës…

E hënë 3 maj 1999

Ashtu siç më porositën aty para orës 4:00 të mëngjesit erdhi kapiteni që të më zgjojë, edhe pse thuajse nuk kisha fjetë aspak nga gëzimi, sepse e dija se për ku po niseshim. Ishte ende natë, mirëpo kishim një mot  të kthjellët dhe me  shumë yje.  Gjithashtu kishte një shkëlqim të mrekullueshëm të hënës, po dukej sikur të ishte ditë. Si zakonisht edhe sot u nisëm në kohë të saktë, rrafsh në orën 4:00 të mëngjesit. Kësajë here me ne kishim edhe 5 Lancues Raketash MLRS. Sot pasi arritëm atje lartë, tani duhej të kalibroheshin për objektivat e rinjë të sulmit kundër serbisë. Nuk shkuam aq largë nga baza ushtarake e Rinasit, ndoshta rreth 10 milja (17 km) largësi. Gjatë daljes hasëm në vështirësi, pasi se në hyrjen kryesore të bazës dyert e hyrje daljes kishin qenë të mbyllura me dry për sigurinë e ushtrisë. Aty u vonuam disa minuta për derisa gjetën çelësat me ndërmjetësimin e ushtarëve shqiptarë të cilët ishin aty në roje. Për fat ata e kishin ditur se kush po mbante çelësat, cili nga oficerët e ushtrisë amerikane. Pasi dolëm jashtë bazës e bëmë një rrugë disa kilometrash largë bazës me 5 Lancuesit Raketor MLRS, të cilët dikur u ndalën dhe bënë kalibrimin me sukses. Njëri prej tyre kishte problem teknik dhe nuk mundi të kalibrohet. Pas disa orësh mundi, më në fund vendosën që ta lënë për në herën tjetër, sepse problemi nuk po rregullohej shkaku i defektit të një pjese që po mungonte dhe të cilën nuk e kishin me vete. Në çdo vend që shkonim, si spektator të pare që kishim ishin fëmijët kureshtar. Ata dëshironin të na shohin se ç’po bënim, dhe shpeshëherë i shpërblenim me ndonjë sheqerkë që na qëllonte. Më vonë na ofroheshin edhe burrat më të vjetër, por nga burrëria e tyre e mbanin veten sikurse nuk donin të dinin se ç’bënim. Gjatë kësajë here për derisa qëndronin në distancë 10-20 metrash, na u afrua një plak me shtat i vogël dhe me plis. Ai me vete aty afër kishte disa lopë dhe dele për të cilët po kujdesej në kullotën për rreth nesh, i cili disi i habitur deshti të dijë se ç’po bënim?! Unë iu afrova ngadalë dhe e përshëndeta në shqip me: “Tungjatjeta axhë!” Kur më ndëgjoi plaku se po i flisja shqip dhe isha me uniformë ushtarake amerikane, nuk ngurroi  aspak edhe mu afrua edhe më afër edhe më tha: “Të lutem më lejo që të përqafoj o djal i jonë!” U përqafuam si me u pasë njohur për një kohë të gjatë dhe filloi me zë të ulët të më thotë në vesh: “Unë erdha këtu nga rrethi i Kukësit, dhe që ja këtu po merrem me ruajtjen e bagëtisë”. Meqenëse isha i lirë sepse ushtarakët ishin të nxanun me punën e tyre rreth Lancuesit Raketor MLRS dhe nuk kisha punë, filluam bisedën me plakun Kuksjan edhe për disa minuta. Ai erdhi edhe më afër edhe vazhdoi duke më thënë: “ Eh more djalë, pasi se ti po dinë shqip, shiko çka po të them: ne nuk jemi shqiptarë me të thanë të drejtën siç ishin ato të parët tone. Ne jemi meleza a po më kupton? Ne po të kishim qenë shqiptarë të vërtetë, edhe ne sot do të ishim në vijën e parë të frontit. Të gjithë së bashkudo të ishim për t’i ndihmuar vëllezërit tanë shqiptarë atje në  Kosovë.  Po  atje  ku  po  e  luftojnë  serbinë,  e  jo vetëm se me u hëngër me llafe me njëri tjetrin. Shyqyr që keni ardhë ju amerikanët këtu…”, unë i ndërhyra, edhe pse disa herë më herët i tërhoqa vërejtjen dhe i kisha tregu se edhe unë isha shqiptar, por jetoj në Amerikë një kohë të gjatë. I tregova, por nga uniforma ushtarake atij nuk i besohej se isha shqiptar. Ai vazhdoi edhe më tej sikur nuk më ndëgjonte: “E ishalla sa më shpejtë e kryeni me serbët ju amerikanët, se e jona e ka pasë moti kohë, se ne nuk kemi as shtet e as bythë për t’i ndihmuar vëllezërit tanë!” Ne ishim thelluar në bisedë me plakun i cili ishte shumë i dashur dhe po më hiqte mërzinë mua, sepse moti kohë nuk isha parë  apo ndëgjuar edhe me më të afërmit e mi nga trojet shqiptare të Jugosllavisë, prej ku kisha ikë para shumë vitesh. Për derisa ishim të përqafuar me plakun, aty afër na u kishin afruar edhe një grup prej 5-6 gazetarë dhe fotoreporterë ndërkombëtarë, ku ata po shkrepnin fotografi me neve të përqafuar gjatë bisedës! Këta gazetarë dhe fotoreporterë që ishin aty, kishin ardhë nga e gjithë bota, të cilët tani po përcillnin gati se të gjitha lëvizjet tona që po bënim. Po ishin afruar për të na parë prej së afërmi se ç’po ndodhë. Edhe gazetarët dhe fotoreporterët u habitën kur na panë se si unë nga ushtria amerikane po bisedonim me plakun shqiptarë në gjuhën shqipe. Ata kishin pare edhe kontrastin e bukur: unë me uniformë ushtarake amerikane, ndërsa plaku me plisin mbi kokë. Nga të gjitha drejtimet ende po vazhdonin me shkrepjen e fotgrafive të fotoaparatëve të tyre. Ata po fotografonin plakun e përqafuar me mua, i cili më mbante për qafe sikur të isha i biri i tij. Pas disa minutash i pyeta gazetarët se prej nga dhe kush ishin? Filluan të më përgjigjen, njëri më tha se ishte fotoreporteri i “Associed Press”, tjetri më tha se ishte nga “Detroit Free Press”, tjetri ishte nga Zelanda e Re, e një tjetër nga një media e Australisë edhe një tjetër më tha se ishte  nga Televizioni Polak, të cilët na u faleminderuan që pranuam të fotografohemi së bashku me plakun e dashur!

Ky rast para foto reportërve për një moment ma përkujtoi kohën time kur para shumë vitesh isha angazhuar si fotomodel, gjatë viteve ’80, në kohën kur posa kisha ardhë dhe gjatë fillimit tim në Amerikë.

Fotoreportevë iu dukë si skenë interesante. Një plak shqiptar me plisin tradicional së bashku me personin me helmetë dhe uniformën e ushtrisë amerikane. Ne në të vërtetë që të dy ishim të një gjaku, atijë të gjakut Arbërorë dhe pse politika na kishte ndarë!

Shpeshëherë plaku më thonte: “Dhezjani sa më shpejtë serbit, se atyre duhet treguar se çka është forca e vërtetë, sepse ne kemi mbetë për askund, edhe as për vetveten siç po na shihni edhe ju vetë. Njëherë Enveri, mbas andej edhe këto partitë që luftojnë për karrige, pasandaj piramidat e kursimit, e më në fund kur ta shohësh prej neve s’ka asgjë”! Pas një kohe bukur të gjatë bisede, më në fund erdhi koha që të ndahemi sepse kolegët ushtarak më thanë se po ktheheshim në bazë.

Tani kur po e shkruaja këtë ditar, sa më erdhi lajmi se duhet të bëhemi gati, duhet t’i mbledhë të gjitha plaçkat e mia, se sonte rreth orës 1:30 pas mesnate në shoqërinë e Kapitenit Berdonini dhe kompaninë “Charlie” do të shkojmë në teren diku largë për 4-5 netë. Më thanë se gjatë kësaj kohe sigurisht se do t’ia dhezim edhe Serbisë.

Informacionet e 24 orëve të fundit

Sipas informatave gjatë ditës së sotme forcat aleate të NATO’s sulmuan rajonin e Savine Vode në veriperëndim të Kosovës, ku thuhet se u qëllua një autobus i “Djakovica Prevoz” që  po udhëtonte  ne relacionin e njëjtë Pejë-Rozhajë bashkë me një makinë udhëtarësh, diçka që u demantua nga NATO’ja, dhe askund nuk mundën të gjejnë informata për këtë incident…

E martë, 4 maj 1999

Aty rreth orës 1:30 pas mesnate u nisëm nga kampi ushtarak në Rinas, ishte një natë jo e ftohtë. Hëna ndriçonte dhe shihej jashtë për mrekulli. Si zakonisht u nisëm një konvoj i gjatë automjetesh ushtarake, por kësajë here ishim shumë më tepër se sa herëve të tjera. Në këtë kolonë ushtarake kishim edhe 12 Lancues Raketash MRLS. Shkuam të njëjtës rrugë si shumë herë më parë, duke kaluar përmes Fushë Krujës, pastaj vazhduam rrugën për rreth një fabrike të madhe të cimentos që ishte jashtë përdorimit dhe dolëm në një kodrinë përtej Fushë Krujës. Dolëm në një rrafshnaltë kodrinore afër fshatit Patok. Arritja deri në vendin e caktuar ishte mjaftë interesante. Në ç’do udhëkryq kishim mbrojtjen nga ushtarakët e forcave tona amerikane që na jepnin sinjale me dritë të kuqe për vazhdimin e udhëtimit të mëtejmë, derisa u afruam disa kilometra afër cakut të arritjes. Pastaj, secili automjet fiku të gjitha dritat edhe ashtu nëpër terr me përdorimin e dylbive të natës (night vision binolaculars) vazhduam edhe për disa kilometra derisa arritëm në një lëndinë lartë në kodrinë. Aty secili nga automjetet zuri pozicionin e tyre. Shkuam atje ku ishte një qetësi e jashtëzakonshme dhe s’dëgjohej asgjë! Aty kaluam natën dhe qëndruam deri në mbrëmjen tjetër. Ditën e kaluam më tepër sikurse me pas dalë në piknik: kishim haje,  pije, shaka dhe gjumë sa të duash. Neve kësajë here na shoqëronin edhe mediat ndërkombëtare si: gazetarët e“Associated Press”, fotografisti i “USA Today” dhe një ekipë televizive e televizionit amerikan“ABC” me gazetarin e mirënjohur  Ted Kopel, të emisionit “Nightline”. I tërë akcioni udhëhiqej nga Kapiteni Bernardoni të cilin e shoqëroja unë. Edhe kjo ditë ishte e bukur me diell e cila kaloi shpejtë. Ne tanimë po prisnim natën finale, ishte nata e shumëpritur për shumë kohë gjerë më tani. Që të gjithë ishin të gatshëm dhe mezi po prisnin që t’i tregojnë Serbisë forcën amerikane. Po, serbëve që luftonin njerëzit e pa armatosur në Kosovë.Tani kishte filluar të errësohet, isha me kapitenin Bernardoni dhe shoferin në makinë, ku nëpërmjet të radio-lidhjeve që kishim në Humvee ndëgjuam urdhërin nga shtabi i përgjithshëm në Rinas. Ata na urdhëruan që të jemi të gatshëm për sonte që të fillojmë goditjen në orën 1:01 pas mesnate mbi forcat serbe! Nga lajmi i marrë i gjithë personeli ushtarak ndiheshin shumë të gëzuar, por përsëri nuk ma mirrte mendja se ndonjëri prej tyre ishte më i gëzuar se unë! Dikur gjatë ndejës si në shaka i thashë Kapitenit Bernardoni: “A bënë që unë ta dhezi raketën e parë”? “Po, si jo” ma ktheu në hajgare.” Ty të kanë ushtruar në bazën ushtarake të Fort Benning për 15 minuta se si ta përdorësh maskën e gazit, edhe ne po të ushtrojmë nja 20 minuta këtu, edhe ti mere përsipër komandën edhe kryeje punën e karierës tonë ushtarake”! Shumica e ushtarëve të ulur nëpër automjetet e tyre tani i kishte zënë gjumi si me qenë në piknik në natyrë të hapur. Në automjetin ku ishim të ulur ne, në karriget e përparme ishte vozitësi ushtarak i cili quhej Rowlan dhe kapiteni Bernardoni kurse në karrigën mbrapa qëndroja unë i vetëm. Me vonë kapiteni nxorri një orë me alarm edhe e vari në dritare. Gjatë kësajë qetësie të errët siç dukej edhe mua gati se më kaploi gjumi, kurse vozitësi dhe kapiteni veçëse ishin në gjumë sepse ndëgjohej gërhatja e tyre. Fillova të mendojë se si të veprojë, sepse këta i kishte zënë gjumi. A t’i zgjojë apo të presë derisa të zgjohen vetë. E pashë se dikush po afrohej i cili erdhi deri afër dhe m’u afrua mua, ishte gazetari Daug Mellgreni “Associated Press”. Ishte cimeri im i cili më kishte intervistuar para disa ditësh, kishte ardhë dhe donte të merrte lajmet më të hollësishme nga unë. Erdhi sepse tani njifeshim dhe ishim së bashku në të njëjtën çadër, edhe më njihte shumë mirë se unë isha brenda burimit të lajmeve. Ai e dinte se unë isha prezentë edhe në mbledhjet e komandës ushtarake dhe nuk mbanin ndonjë fsheftësi prej meje. E kishin informacionin paraprak se sonte do të ndodhëte diçka e madhe dhe me rëndësi, sepse tani edhe transmetimet direkte të televizionit të ABC jepeshin kohë pas kohe për audiencën Amerikane.  Ishin të gatshme për transmetim me kamerat dhe të gjithë ekipën e tyre të drejtuar drejt Lancuesve Raketor MLRS.

Informacionet e 24 orëve të fundit

Gjatë ditës së sotme u dha lajmi edhe për aksidentin e helikopterit Apachee, ku humbën jetën dy pilotët amerikan, e që shënon viktimat e para ushtarake në Operacionin e Forcave Aleate të NATO’s. Sulmet edhe sot kishin vazhduar rreth zonës kufitare me Shqipërinë, si dhe disa caqe ishin qëlluar në mbrendësi të Serbisë.

Gjatë mbrëmjes forcat e NATO’s qëlluan caqe mbrenda Jugosllavisë, po ashtu qëlluan edhe Brigadën 125 të motorizuar në veri të Kosovës, Brigadën 233 në lindje të Kosovës, duke qëlluar një numër të autoblindave si dhe pozicionet e artilerisë, automjetet ushtarake, postin e komandës, 2 radar si dhe automjetin me raketa tokë-ajër. Sot u sulmua edhe kazerma ushtarake në Vranjë, ura dhe objekti riparues në Kacaç, gjithashtu u qëllua edhe fabrika e përpunimit të derivateve të karburantit në Novi Sad. Në Batajnicë shkatërruan aeroplanët e fundit MiG 29 dhe 2 aeroplanë të tjerë…

(VIJON)

© Pashtriku.org

_______________________

NJË JETË KUSHTUAR ATDHEUT – DITAR LUFTE (V)

Nga Ajaz Emini

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura