ME RASTIN E NDARJES NGA JETA TË SHEFQET BUÇAJT KOMANDANT-MËSUESIT
SHEFQET BUÇAJ, SHEMBULL I LUFTËTARIT FRYMËZUES TË LIRISË
Shkruan: Nuhi Bytyçi, Prishtinë 5 tetor 2023
Gjatë punës sime si gazetar në periudhën e luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kam pasë rastin dhe nderin që të takoj shumë luftëtarë dhe komandantë, të cilët iu kishin bashkëngjitur jo rastësisht kësaj ushtrie vullnetare e përbërë nga të gjitha shtresat e popullit tonë. Njëri ndër ta ishte edhe Shefqet Buçaj, me nofkën e luftës Komandant Mësuesi. Ai ishte vërtetë me profesion mësues i dalluar i shumë brezave në shkollën e fshatit të lindjes në Lladrovc të Malishevës dhe kështu edhe u bë Komandant i famshëm, duke iu dhënë moral të lartë të gjithë luftëtarëve të lirisë, sidomos atyre që ishin më të ri dhe pa përvojë ushtarake.
Në qershor të vitit 1998, bashkë me Zenel Kastratin shkuam për të kontaktuar me luftëtarët e Njësitt Pëllumbi, udhëhequr nga Ferat Shala për të realizuar paraqitjen e parë publike të Zëdhënësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Jakup Krasniqit. Nga bregorja e Grykës së Llapushnikut me kamerën e Abazë Zekës kemi xhiruar pamje të disa fshatrave të Drenasit.
Aty kemi takuar Shefqet Buçajn-Komandant “Mësuesin” nga Lladrovci dhe Shani Sokol Hotin nga Carralluka e Malishevës. Të dytë i njihsha mirë, sepse Shefqet Buçajn-Komandant Mësuesin e kisha familjar të miqve të vëllait tim Njaziut. Ndërsa, Shaniun e kam djalë të dajës së babait. Komandant Mësuesi u gëzua shumë kur më pa mua si gazetar që isha angazhuar për të raportuar për zhvillimet e hovshme në zonat e luftës dhe për herozmin e luftëtarëve të UÇK-së.
Herën tjetër Komandant Mësuesin e kam takuar në malet e Kleçkës dhe në Luzhnicë, ku ishte i angazhuar komandant për moral në kuadër të Njësitit “Çeliku” dhe më vonë të Brigadës 121 të UÇK-së Ismet Jashari – Komandant Kumanova. Më kujtohet përkushtimi i tij i veçantë për të këshilluar luftëtarët e rinj nga të gjitha viset etnike shqiptare, përmes afërsisë së tij si prind, si edukator, frymëzues dhe si prijës luftarak.
Me rastin e përgatitjeve për xhirimin e dokumentarit të parë kushtuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Luzhnicë, Bajrak të Luzhnicës dhe në Kleçkë në qershor të vitit 1998, Shefqet Buçaj ishte në krye të bashkëluftëtarëve të tij, duke kontribuar që dokumentari të realizohet sa më mirë dhe për të sensibilizuar opinionin kombëtar dhe atë ndërkombëtar për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Ai bashkëpunonte ngushtë me Komandant Fatmir Limajn, me Ismet Jasharin-Komandant Kumanovën, Haxhi Shalën-Komandant Topin, Komandant Agim Çeljan-Colin, Sadik Shalën, Habib Zogajn-Arbërin, Nuhi Mazrrekun, Ibrahim Mazrrekun, Refki Mazrrekun, Ajet Kastratin, Nexhmi Krasniqin, Skënder Hotin, Naser Hoxhën, Çerkin Dukollin, Naser Shalën, Valbona Morinën, Shkëndije Zogajn, Shefkije Zogajn, Velvetije Krasniqin, Naser Krasniqin, Januz Mazrekun dhe luftëtarë të tjerë.
Ishte përherë i hareshëm dhe ju jepte kurajo të gjithë luftëtarëve të lirisë se lufta e UÇK-së do të triumfojë dhe një ditë Kosova do të çlirohet nga Serbia. Në këtë kuadër Shefqet Buçaj u angazhua me vullnet të posaçëm në realizimin e suksesshëm të xhirimit të betimit të parë të UÇK-së në Luzhnicë dhe në Kleçkë më 25 dhe 26 qershor 1998.
Kam shumë kujtime nga periudha e luftës me Komandant Mësuesin. Ndër to po veçoj edhe atë me rastin e shënimit të 28 Nëntorit të vitit 1998 në malet e Divjakës, afër Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, duke e udhëhequr manifestimin solemn, parakalimin e njësive elite të Zonës operative të Pashtrikut dhe të SHP të UÇK-së. Ai këtu bashkë me Haxhi Shalën e ngrisin flamurin kombëtar, duke qenë i bindur se festën tjetër kombëatre do ta festojmë në liri.
Po ashtu do të veçoj edhe vizitën që ia bëmë luftëtarëve të Brigadës 121 të UÇK-së natën e vitit të ri 1999 bashkë me Abaz Zekën dhe djalin tim Arianitin. Me këtë rast bashkë me drejtuesit e SHP të UÇK-së dhe të Brigadës 121, Fatmir Limajn, Rexhep Selimin, Haxhi Shalën, Shefqet Buçajn-Mësuesin dhe luftëtarët e tjerë vizituam familjet e dëshmorëve Habib Zogaj, Ali Zogaj, Afrim Buçaj, Avni Buçaj dhe Nuhi Mazrreku, si dhe Batalionin e UÇK-së “Sadik Shala” në Javur dhe Batalionin e UÇK-së në Terpezë dhe Banjë të Malishevës.
Komandant Mësuesi ishte ai që krijonte atmosferën pozitive te luftëtarët e lirisë, duke iu shprehur ngushëllime në mënyrë të veçantë familjarëve të dëshmorëve se “gjaku i tyre do të jetë bazament më i fuqishëm për lirinë e Kosovës”. Optimizmi i tij për përfundimin e luftës me fitoren e UÇK-së, ishte gjithmonë frymëzim për vashat, djemtë dhe mbarë popullin shqiptar të rajonit të Llapushës dhe të mbarë Kosovës.
Pas përfundimit të luftë dhe realizimit të ëndrrës shumëshekullore – çllirimit të Kosovës dhe largimit përfundimtarë të forcave serbe dhe të administratës serbe nga Kosova, Shefqet Buçaj-Mësuesi ishte i angazhuar me përkushtim në udhëheqjen e manifestimeve përkujtimore në territorin e Llapushës. Mbaj mend udhëheqjen e konferencës nga Shefqet Buçaj me shumë emocione të manifestimit përkujtimor më 25 gusht të vitit 1999 në Kleçkë me rastin e shënimit të 1-vjetorit të parë të rënies së dëshmorëve të Brigadës 121 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës “Ismet Jashari”. Ai me konferancën e tij në këtë manifestim e bëri edhe më amdhështor atë, duke sjellë emocione të veçanta te pjesëmarrësit e shumtë, sidomos te famuiljarët e dëshmorëve të lirisë dhe të bashkëluftëtarët e tij. Bashkëpunimi i tij me regjisorët e manifestimit Sadedin Prekazin dhe Çerkin Dukollin, si dhe me luftëtarët e tjerë, që kishin prirje artistike, bëri që ky manifestim të jetë vërtetë madhështor, si kurorëzim i suksesit të luftës së UÇK-së ndaj Serbisë dhe hapjes së një kaptine të re për popullin shqiptar të Kosovës.
Ai ka udhëhequr edhe shumë manifestime tjera përkujtimore pas çlirmit të Kosovës për dëshmorët në komunën e Malishevës. E mbaj mend në mënyrë të posaçme edhe pjesëmarrjen e Komandant Mësuesit në promovimin e memoareve të mia si gazetar të publikuara në “LIBRIN E LUFTËS”, më 4 mars trë vitit 2019 në Hotel Grand Prishtina. Kur e pa këtë libër ai më përgëzoi përzemërsisht dhe më inkurajoi që të punoj edhe më shumë në pasqyrimin e sakrificës së popullit tonë në rrugëtimin e tij drejt lirisë dhe pavarësisë, sidonos në prezentimin e kontributit të dëshmorëve të lirisë.
Lajmi për vdekjen e Shefqet Buçajt-Komandant Mësuesit për mua, si mik i tij, por edhe si bashkëluftëtar i tij në periudhën e luftës, ishte ndër lajmet më tronditëse. Me shkuarjen e tij në amshim, Kosova humbi njërin prej edukatorëve, luftëtarëve dhe komandantëve më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe njërit prej kontribuesve të mëdhenj të ndërtimit të shtetit të ri të Kosovës. Do ti duhej shumë edhe sot Kosovës një persdonalitet si Shefqet Buçaj.
Vepra e tij do të përkujtohet përherë me pietet të lartë nga familja, nga bashkëluftëtarët dhe miqtë e shumtë që kishte ai në Llapushë dhe në mbarë Kosovën dhe në viset e tjera etnike shqiptare.
Lavdi e përjetshme jetës dhe veprës së Komandant Mësuesit!