IBISH NEZIRI: PËRBALLË TRILLIMEVE TË SHUMTA TË BAJRAM GECAJT – KA NJË TË VËRTETË PËR HEROIN E KOMBIT XHEMAJL FETAHAJN ( FOTO + VIDEO )

Pashtriku.org, 04. 06. 2015 – (Reagim me shkas) – Se një përvjetor për kujtimin dhe nderimin e një dëshmori mund të keqpërdoret nga të gjallët dhe foltorja e atij përkujtimi mund të shfrytëzohet për të plasuar gënjeshtra rreth figurës së të rënit, deri tani nuk kam besuar se mund të ndodh kjo gjë dhe nuk ma ka marrë mendja se mund të dëgjojë ndonjëherë. Por, ja që në ditët tona dhe në vendin tonë dëgjon njeriu dhe këso absurditete!
Me 31 maj, në Teatrin Kombëtar të Kosovës në Prishtinë, në 16-vjetorin e rënies, u mbajt akademi përkujtimore për dëshmorin e kombit – Heroin e Kosovës Xhemaj Fetahajn. Duke mos i besuar asaj që më dëgjuan veshët, pyeta edhe të tjerë dhe pasi edhe të tjerë ma vërtetuan se folësi Bajram Gecaj, në akademinë përkujtimore pa pikë turpi paskësh thënë se: „Xhemajl Fetahaj iu paskësh bashkuar radhëve të FARK-ut me që kishte besim në Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës dhe se donte të ishte pjesë e stafit profesionistë ushtarak“, nuk munda të hesht. Si njohës dhe studiues i jetës dhe veprës së tij, ta kishte thënë këtë një kushdoqoftë, nuk do të më kishte bërë përshtypje dhe unë nuk do të kisha reaguar, por do ta kisha injoruar plotësisht. Mirëpo, meqë kjo erdhi nga kabineti i kryeministrit të Kosovës – Isa Mustafa, ndërgjegjja ime dhe njohuritë e mia mbi rrugën jetësore të Xhemaj Fetahajt, si biograf i tij, nuk më lan të hesht.

Heroi i Kombit Xhemajl Fetahaj (27. 05. 1964 – 31. 05. 1999)

Xhemajl Fetahajn pos që e kam njohur personalisht, për katër vjet e gjysmë me radhë jam marrë me te, e kam studiuar çdo detaj të jetës së tij, duke filluar nga fëmijëria e tij e hershme e deri te dita e 31 majit të vitit 1999, ditë kjo kur Xhemajl Fetahaj bie heroikisht në përleshje nga afërsia pothuajse trup më trup me forcat serbe në Majën e Zezë.
Në saje të punës sime, ka dalur libri „Këtu jam për t’i luftuar armiqtë“ – Monografi për dëshmorin e kombit Xhemajl Fetahaj – në 460 faqe, i botuar nga Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës në vitin 2013 dhe i promovuar në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës në Prishtinë më 27 maj, në ditëlindjen e heroit dhe më 28 maj të vitit 2013 në vendlindjen e tij, në Pejë.
Kisha në duar qindra e qindra dokumente që kanë pasur të bëjnë me Xhemajl Fetahajn. Kam pasur në duar dorëshkrimet e tij të shumta dhe nuk kam hasur kund në të dhëna që dëshmojnë se Xhemajl Fetahaj iu paskësh bashkuar FARK-ut. As në listat e pagesave që Qeveria e Bujar Bukoshit e Isa Mustafës që ua ka bërë „ushtarëve profesionist të FARK-ut“ në Koshare, (të cilat i kam në dispozicion dhe të cilat nuk ishin pjesë e interesimeve të mia për librin) nuk gjendet emri i Xhemajl Fetahajt.
Folësi do ishte dashur të paktën sa për kulturë personale, para se ta merrte lapsin në dorë, apo ta hapte kompjuterin për ta hartuar fjalën e tij, ta shfletonte librin e të mos e keqpërdorte foltoren dhe as pozitën institucionale për të dezinformuar! Sikur ta kishte shfletuar librin, në të do të kishte gjetur shumë dokumente që dëshmojnë të kundërtën e asaj që e ka thënë folësi. Aty do ta gjente edhe prononcimin e bashkëluftëtarit të Xhemajl Fetahajt, Anton Qunit, por edhe të bashkëluftëtarëve tjerë.
Xhemajl Fetahaj ka qenë anëtar i organeve më të larta drejtuese të LPK-së, Dega Jashtë Vendit. Ka qenë nënkryetar i Fondit „Vendlindja Thërret“ dhe si i tillë iu ka bashkuar UÇK-së, në radhët e së cilës ka kryer detyra me shumë rëndësi, derisa ka rënë ditën e 31 majit të vitit 1999.
Tani, 16 vjetë pas rënies u shfrytëzua akademia përkujtimore dhe u keqpërdor transmetimi i drejtpërdrejt nga RTK për të lansuar në opinion dezinformata se Xhemajl Fetahaj i ishte bashkuar FARK-ut, formacion ky paraushtarak.
Në lidhje me këtë trillim, fare nuk po e ndjej të nevojshme që t’ia bëj të ditur z. Gecaj se cila ishte e vërteta përballë trillimeve të tija. Atij jo, por opinionit që ka dëgjuar fjalën e tij përmes transmetimit të drejtpërdrejtë në RTK po i them me një fjali të vetme se të vërtetën rreth figurës së dëshmorit Xh. Fetahaj do të mund ta gjejnë më të plotë në librin tim. Përballë trillimeve të Z. B. Gecajt dhe strukturave që atë ditë ka përfaqësuar ai ka vetëm një të vërtetë dhe ajo është se kur ky formacion paraushtarak i quajtur FARK del në skenë, Bajram Currin, Tropojën, Hoxhajt e Kosharen Xhemjl Fetahaj tani më i kishte shtëpi të veta dhe bënte gjithçka që edhe ato radhë të indoktrinuara me mençuri e durim t’i rreshtonte në radhët e rregullta të UÇK-së.
– Ibish Neziri, autor i librit „Këtu jam për t’i luftuar armiqtë“ – Monografi për dëshmorin e Kombit Xhemajl Fetahaj.
***

SHTOJCË NGA EDITORI I PASHTRIKU.ORG

Reagim përkitazi me shënimin e përvjetorit të 16 të rënies së heroit Xhemajl Metë Fetahaj:
XHEVAT FETAHAJ: ZYRA E KRYEMINISTRIT FALSIFIKON NË MËNYRË ORDINERE AKTIVITETIN ATDHETAR TË XHEMËS! XHEMA NUK KISHTE LIDHJE ME MERCENARËT E ‘FARK-ut’!

HAPE: https://pashtriku.org/?kat=46&shkrimi=4112

*********************************************

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura