ANËTARËT E LIDHJES SË II TË PRIZRENIT (1943), NË SHËNJESTËR TË UDB-së

Nga Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha
ANËTARËT E LIDHJES SË II TË PRIZRENIT (1943), NË SHËNJESTËR TË UDB-së
Lufta e Dytë Botërore dhe shpërbërja e Jugosllavisë, tek shqiptarët zgjoi shpresat për një zgjidhje të drejt të çështjes së tyre kombëtare. Një pjesë e lëvizjes politike e ushtarake shqiptare, gjatë asaj kohe ishte në krah të bllokut antifashist. Andaj, ekzistonte shpresa se problemet kombëtare do të zgjidhen drejt, duke ua njohur edhe popujve të mbetur nën pushtim të drejtën e vetëvendosjes, prandaj forcat e LNÇ-së, në Kosovë, nxorën Rezolutën e Bujanit (31 dhjetor 1943-1,2 janar 1944), ku vendosën bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Por, ekzistonte edhe mendimi tjetër, ku merrnin pjesë të gjithë nacionalistët të cilët me kohë kishin hetuar tradhtinë e madhe që po përgatitnin komunistët jugosllavë, ngase përvoja historike na kishte mësuar, se, bashkëpunimi i Lëvizjes Antifashiste me LNÇJ-në, dhe PKJ-në do të përfundonte me rivendosjen e pushtetit jugosllav në Kosovë dhe në trevat shqiptare nën Jugosllavi.
Për këtë arsye, nacionalistët shqiptarë, kërkonin të mbronin me çdo mjet kufirin etnik, nga synimet grabitqare serbo-malazeze-bullgare. Përfaqësuesit e këtij grupimi, pas kapitullimit të Italisë, vun themelet e një organizate politike, në shtator të vitit 1943 me angazhimin e 45 përfaqësuesve nga Ohri, Struga, Gostivari, Dibra, Shkupi, Tetova, Prizreni, Sharri, Theranda, Kolesjani, Rahoveci, Gjilani, Prishtina, Ferizaj, Mitrovica, Rugova, Peja, Istogu, Drenica, Pazari i Ri, Senica, Rozhaja, Plava, Gucia, Gjakova dhe Malësia e Gjakovës. Ata, dolën me idenë, për thirrjen e një Kuvendi kombëtar në Prizren, i cili do të hidhte bazat për krijimin  e një organizate kombëtare, me mision të ngjashëm, me atë, të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të vitit 1878. Mbrojtjen e Kosovës nga sulmet serbe e malazeze, krijimin e Shqipërisë në kufijtë e saj etnik. Ideatorë të kësaj organizate, në themel me aspiratë fisnike kombëtare, ishin Xhafer Deva dhe Asllan Boletini, biri i Isa Boletinit të madh etj.

Pas 17 nëntorit 1944 kur shumica e anëtarëve të Komitetit Qendror të lidhjes së Dytë të Prizrenit vendosën të lëshonin vendin, në mesin e atyre mdodheshin edhe disa anëtarë që nuk deshtën të largohen nga vendi. Pothuaj të gjithë ata që mbetën në Kosovë ose që kaluan në Shqipëri u ekzekutuan nga ana e organeve të pushtetit serb, i cili u vendos në Kosovë në fund të Luftës së Dytë Botërore.

Gjendja e rëndë që u krijua në Kosovë dhe në trevat e tjera shqiptare pas Kuvendit të Prizrenit (8-10 korrik 1945), bëri që të marrë hov rezistenca e popullit shqiptar kundër shtypjes dhe okupuesit të ri. Periudha pas vitit 1945, do të mbetet e shënuar edhe si periudhë e gjyqësisë së çeliktë apo si kohë e sundimit të politikës së ashpër ndëshkuese të ish-Jugoslla­visë ndaj shqiptarëve. Në bazë të të dhënave që kemi arritur t’i grumbullojmë dhe sistemojmë mund të vihet në përfundim se burgosjet, ndjekjet dhe torturat që janë bërë ndaj popullatës shqiptare kanë qenë të përgatitura në formë institucionale në mënyrë që të burgoset, të ndiqet dhe të torturohet një po­pull i tërë, i cili me shekuj kishte gjakuar lirinë. Në një pozitë jashtëzakonisht të vështirë dhe nën kërcënime për likuidim fizik u vunë të gjithë shqiptarët demokratë e atdhetarë që nuk u pajtuan dhe dënuan haptas politikën antishqiptare. Shumë nga këta patriotë u bënë viktima të këtij terrori e sidomos anëtarët e Lidhjes së Dytë të Prizrenit si: Bedri Pejani, Kolë Margjini, Musa Shehzade, kolonel Qazim Komoni, kolonel Fuat Dibra, Bedri Gjinaj, Aqif Blyta, vëllezërit Begolli, Asllan Boletini, Shaqir Curri, mulla Nuredin Haliti, av.Esat Berisha, Faik Okllapi, Shemsi Ferri,  Jahja Fusha, Sali Rama, Halim Spahija, Is’han Taniku e shumë të tjerë, të gjithë këta, patën një fund tragjik si rrjedhojë e terrorit gjakatar të pushtetit okupues serbo-komunist në bashkëveprim të ngushtë me vazalët e tyre shqiptarë.
Gjithashtu shumë të tjerë nga terrori i papar i pushtetit të ri jugosllav, qen të detyruar që të largohen nga vendi dhe të migrojnë në shtetet perendimore, duke shkuar në Amerikë e në Australin e largët si:
1. Prof. dr. Rexhep Krasniqi, u vendos në SHBA, vdiq në New York më 1999.
2.Tahir (Shaban) Zajmi, vendoset në Izmir të Turqisë, e më vonë kalon në Belgjikë, vdiq në vitin 1971.
3.Ismail (Halim) Gorani kaloi në ilegalitet, emigroi në Greqi e pastaj u vendos në Damask, vdiq më 1974.
4. Rexhep Mitrovica, emigroi në Austri dhe më pas u vendos në Turqi ku edhe vdiq në vitin 1960.
5. Shaqir Curri, u dënua më 20 vjet burg. Pas daljes nga burgu emigroi në Shqipëri.
6. Adem Selimi-Gllavica, migroi në Australi, vdiq më 2001. 
7. Xhafer (Ibrahim) Deva, shkoi në Austri, Egjipt dhe në fund u vendos në Kaliforni, vdiq në vitin 1978.
8. Luan Gashi, gjithashtu u detyrua të largohej për Amerikë.
9. Avdyl Henci, gjithashtu u vendos në Amerikë.
10. Prof. Ibrahim (Osman) Kelmendi, emigrojë në Greqi, Gjermani dhe në fund, në Melburn të Australisë, vdiq më 1979.
11. Qazim Sefë Llugaxhia, në shtator të vitit 1945 u largua jashtë vendit, por pa e ndërprerë veprimtarinë në dobi të çështjes kombëtare, vdiq më 1985.
12.Tahir Kolgjini, U vendos në Boston të SHBA-ve, dhe vdiq më 1985.
13. Hysen Tërpeza u largua në Evropë e SHBA,
14. Xhelal Mitrovica, vdiq në ekzil më 1957 , në SHBA.
Sipas disa shënimeve që disponojmë, vetëm gjatë vitit 1945 repartet e gjeno­ci­dit e të tmerrit në burgjet e ish-Jugosllavisë mbanin hiç më pak se 12.000 shqip­tarë. Disa nga këta të burgosur më vonë u likuiduan pa gjyqe, kur­se shumica iu dorëzuan gjykatave ushtarake anemban vendit. Disa u dë­nu­an nga gjykatat popullore të qarqeve në Kosovë dhe jashtë saj.
Sipas një statistike të organeve të pushtetit, gjatë vitit 945, u eliminuan 1.416 të arratisur, prej të cilëve 292 u vranë, 148 u zunë, ndërsa 195 u dërëzuan. Nga njësit e UNÇJ-së u vran 9 dezertor, kurse u dërëzuan 847 veta. Në Greqi ikën 196, kurse në Shqipëri 25 veta. Më vonë me kërkesën e Jugosllavisë disa prej tyre u ekstraduan në vend. Por duhet theksuar se disa të dhëna, që prof. Ymer Berisha ia dërgon në emër të organizatës ilegale shqiptare “Besa Kombëtare” gjeneralit anglez Hadson në Tiranë, gati përputhën me të dhënat e pushtetit jugosllav.
Vitet 1945-1948 i karakterizojnë orvatjet e Partisë Komuniste Jugosllave dhe të pushtetit të instaluar okupues për të forcuar dhe për të konsoliduar pushtetin e ri, për të ruajtur pozitat e veta dhe për të likuiduar e arrestuar elementin “armiqësor”, siç i quanin forcat patriotike që vepronin në Kosovë dhe në territoret tjera të banuara me shqiptarë. Mirëpo, në bazë të statistikave që kanë gjykatat e qarqeve në Kosovë, del e dhëna se në vitin 1945 u dënuan 344 persona. Prej tyre 295-ve iu shqiptuan dënimeve me vite të rënda burgimi, duke filluar nga 1 – 20 vjet, ndërsa 49 veta u dënuan me pushkatim.
Nga katër gjykata të qarqeve të cilat vepronin në atë periudhë, Gjykata e Qar­kut e Prishtinës kishte dënuar 76 veta. Në këtë periudhë ishin au­to­ri­zu­ar edhe gjykatat ushtarake të cilat i kishin duart e lira në dënimin e shqip­ta­rë­ve, andaj edhe nuk befason fakti se këto gjykata, kanë shqiptuar numrin më të madh të dënimeve, 164 veta. Dënimet me pushkatim më së shpeshti i shqiptonin gjykatësit ushtarakë dhe ato të shumtën e rasteve kryheshin pa zhur­më dhe pa lënë asnjë dëshmi a gjurmë për zhdukjen e njerëzve.
 Vitet 1946 e 1947 në krahasim me një vit më parë shënojnë shkallën me të lartë të dënimeve të shqiptuara. Derisa në vitin 1946 u dënuan 363 per­sona, më 1947 ky numër u shtua në 364. Nga proceset gjyqësore UDB-ja krijonte spektakle, duke i de­ty­ru­ar qytetaret t’i mbushnin sallat e kinemave për të përcjellë seancat e tor­tu­rave psikologjike. Para procesit gjyqësor i burgosuri i ekspozohej një var­gu të gjatë torturash. Për dhjetë vjetët 1945-1955, që kam analizuar janë dënuar gjithsej 2089 veta.
 Të dënuarit e kësaj periudhe ishin kryesisht anëtarë të organizatave ilegale, si të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, të NDSH-së dhe anëtarë që iu përkisnin grupeve më të vogla ilegale. Gjykata e Qarkut në Prishtinë për 10 vjet kishte dënua 702 veta, ajo e  Prizrenit 304, e Pejës – 404 veta, dhe ajo e Gjilanit, kishte dënua – 285 veta. Gjatë këtyre viteve nuk mbeten pas as gjykatat ushtarake të instaluara në Kosovë. Ato do të dënojnë gjithsej 245 veta. Numri më i madh i dënimeve me pushkatim u shqiptua gjatë viteve 1945-1952 dhe llogaritet të ketë pasur shumë më shumë se që thonë të dhënat, për vetëm 121 persona.
Të burgosurit politikë për nga mosha ishin relativisht të rinj. Edhe qëllimi i udbashëve ishte që në burgje të fusnin pjesën më vitale të popullsisë shqiptare, t’i asgjësonin dhe të tmerronin popullatën e pafajshme. Në këtë periudhë, sipas disa të dhënave, dominon mosha prej 30- 39 vjeçe.
Vlen të ceket se, gjatë periudhës 1945 – 1948, Aleksandër Rankoviqi dhe OZN- a,  e më vonë UDB-ja e tij , ishin mbi të gjitha: edhe mbi ligjet; edhe mbi kushtetutën; edhe mbi vet Kuvendin Federativ, që e kishte bë kushtetutën. UDB-eja zbatonte urdhra dhe jepte urdhëra për ndjekjen e ilegalistve; për burgosjet e tyre; për hetuesi; për dënime marramendëse dhe për likudime e pushkatime të shumta. UDB-ja me repartet e saja të ndjekjes dhe të terrorizimit kishte fushë dhe dorë të lirë veprimi në veçanti në trevat shqiptare.

Duhet shtuar edhe këtë të dhënë se, para se të ndodhnin proceset gjyqësore (që ishin të shumta në të gjitha periudhat kohore, herë-herë me oscilime të pakta), okupuesi u kujdes që me nguti të bëjë serbizimin në gjykatat e qarqeve. Me vendimin e Kryesisë së Kuvendit Popullor të Serbisë për formimin e gjykatave popullore të qarqeve, u suprimua Gjyqi Popullor Krahinor dhe, me kërkesën e drejtpërdrejtë të Dushan Mugoshës, u krijuan katër gjykata qarqesh. Në Gjykatën Popullore të Qarkut me qendër në Prizren për kryetar u propozua Dragutin Jakiq.  Për Gjykatën Popullore të Qarkut të Gjilanit me qendër në Ferizaj krye­tar u zgjodh Svetozar Nediq. Në Gjykatën Popullore të Qarkut në Prishtinë kryetar u zgjodh Vojin Stankoviq. Në Gjykatën Popullore të Qarkut në Pejë kryetar u zgjodh Petar Shosh­kiq.

Nga këto të dhëna shihet se të katër kryetarët e gjykatave u caktuan nga radhët e serbomalazezve. Po kështu u veprua edhe në gjykatat e rretheve në Kosovë. Kështu ndodhi edhe në gjykatat që ndodheshin në Serbi, Maqedoni e Mal të Zi, pra të gjithë gjykatësit ishin të përkatësisë serbe, malazeze dhe maqedo­nase.

Dhe krejt në fund, mund të përfundohet se aspiratat e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, përkundër masave të egra që ushtroi pushteti okupues komunist jugosllav nuk u shuan kurrë. Përkundrazi, atdhetarët shqiptarë gjetën forca të vazhdonin luftën për çlirim dhe bashkim kombëtar prej ripushtimit të Kosovës më 1944 e deri në organizimin e Luftës çlirimtare të viteve 1998-2001 në Kosovë, në Luginën e Preshevës dhe në Maqedoni.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura