Para portretit të derdhur në bronz të Usta Isuf Myzyrit, emblemës më të re të muzikës popullore qytetare të Elbasanit
Nga Gjekë Gjonaj
Ishte viti 2000 kur për herë të parë vizitova probatinin e babait tim në Elbasan. Atë pasdite qershori, përveç njoftimit me familjarët e probatinit, pritjes së ngrohtë vëllazërore të kësaj familjeje malësore nga fshati Selishtë të Grudës së Malësisë së Mbishkodrës, shoqërimit dhe shëtitjes së përbashkët rrugëve të këtij qyteti turistik të Shqipërisë së Mesme, e mbaj mend edhe për një rrëfim mbresëlënës për figurën e Usta Isuf Myzyrit, para Muzeut Etnografik të Elbasanit, një shtëpi në dy kate e shekullit 18-të, jo larg Kalasë së Elbasanit, e cila rrëfen kulturën, folklorin dhe stilin e jetës së qytetit.
Në lulishten e këtij muzeu qëndronte portreti i derdhur në bronz i Isuf Myzyrit, me violinën e tij të famshme në dorë. Pata përshtypjen sikur kjo figurë emblemë e muzikës popullore qytetare të Elbasanit priste mysafirët dhe kalimtarët e rastit me atë melosin dhe zërin e tij të njohur, të ëmbël, qetësues dhe frymëzues. Prej atëherë kanë kaluar 23 vjet dhe unë, pasi rastësisht gjeta notesin tim të gazetarit me disa shënime për këtë vjershëtar e këngëtar të shquar, kompozitor, themelues të orkestrinës popullore dhe Artist i Popullit, po e kujtoj në shenjë respekti e nderimi për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në fushën e muzikës qytetare të Elbasanit në veçanti, dhe të muzikës shqiptare në përgjithësi.
Informatori im, Mark Lulgjuraj, tashmë i ndjerë, më njofton për jetëshkrimin e kryemjeshtrit të muzikës qytetare të Elbasanit dhe njërit prej mjeshtërve më të mëdhenj të muzikës shqiptare. Isuf Myzyri lindi në Elbasan në mars të vitit 1881, në një familje të varfër. Për të ndihmuar familjen ai në moshë shumë të re filloi punën si bahçevan e më pas si berber e qeleshexhi . Këto zanate të cilat i mësoi nga prindërit e tij i ushtroi deri në moshën 25 vjeç. Krahas këtyre zanateve ai gjithmonë gjente kohë për muzikën. Pas punës së lodhshme të tij, bashkohej me shokët dhe këndonin së bashku. Muzika dhe kënga i jepnin atij kënaqësi të posaçme. Në këtë mënyrë Isufi i ri e ndante këngën popullore me të tjerët. Dallohej me zërin e tij të veçantë, veshin e tij muzikor dhe mënyrën se si i binte veglës së tij të dashur muzikore që e kishte mësuar prej shokëve – violinës. Ai , falë talentit të tij dhe dashurisë së madhe për këngën popullore qytetare elbasanase, rreth vitit 1905 themeloi një orkestër popullore të cilin e udhëhoqi vetë, në të cilën grumbulloi disa shokë të tij, që dinin t’i binin veglave muzikore, si: lahutës, dajres, klarinetës… Themelimi i kësaj orkestre popullore ishte një ngjarja me rëndësi kombëtare për kohën e atëhershme , sepse ka qenë orkestrina e parë e mirëfilltë popullore me instrumente kombëtare. Orkestra bëri bujë të madhe jo vetëm në Elbasan, por edhe në qytete tjera të Shqipërisë. Kudo shkonte (lëvizte) me orkestrën e tij nëpër Shqipëri mirëpritej me shumë dashuri nga adhuruesit e këngës dhe valles popullore shqiptare. Me vargjet dhe meloditë e krijuara nga ai vetë i këndonte dashurisë për vendlindjen e tij Elbasanin, traditës së qytetit, natyrës së bukur, vajzës (gocës) elbasanase, bujarisë, por edhe shpirtit shqiptar. Këngët e tij janë kënduar dhe këndohen edhe sot në çdo cep të Shqipërisë.
Isuf Myzyri, ka qenë analfabet (i pashkollë). Nuk ka ditur të lexojë notat e muzikës, por ka pasur memorie të mirë , talent të madh . “Sa inat më vjen që nuk di me shkru. Natën, para se me ra n’ngjumë, m’vijnë menime shumë t’bukra”, kishte thënë në një rast Myzyri.
Se sa njeri krenar e me dinjitet ishte tregojnë fjalët e tij, kur deshën ta dekoronin para shkuarjes në amshim, të cilat ua tha anëtarëve të komisionit se “nuk e dua dekoratën tuaj, sepse më latë tan’ jetën n’zindan (vuajtje)” dhe u largua në mënyrë demonstrative nga tubimi i rastit, tek ish-Shtëpia e Kulturës në Elbasan.
________________
Kur pata nje lule te bukur (Elbasani) – I. Myzyri