ALBIN KURTI: DËSHTIM ME PARAMENDIM

(Prishtinë, 12. 04. 2012) – Selver Haradinaj u varros shpejt e shpejt të dielën pasdite. Po atë ditë, në orën 01:30 pas mesnate, ai ishte vrarë nga shpërthimi i eksplozivit që ia kishin montuar në dritare të katit përdhesë ku banonte. Gruaja dhe katër fëmijët e tij u plagosën e u lënduan. Nëse është kryer obduksioni i trupit të pajetë të Selverit, ai nuk besoj të jetë bërë siç duhet. Dikush u ngut që Selver Haradinaj të varrosej sa më parë. Ndërkohë, institucionet e Kosovës ndodheshin në pushim të zgjatur për shkak të festës së Pashkëve dhe ditës së Kushtetutës. Serbia po e vazhdon spastrimin e heshtur etnik të shqiptarëve në veriun e Kosovës. Derisa Serbia po bën spastrimin etnik, politikanët shqiptarë po heshtin.
     As Qeveria e Kosovës dhe as Kuvendi i Kosovës nuk arrijnë as të mblidhen urgjentisht për çështje kaq të rëndësishme të sigurisë. Qeveria e Kosovës rregullisht sjell në Kuvendin e Kosovës mori ligjesh, për të cilat kërkon miratim të përshpejtuar. Ajo e imponon tempon e nxituar dhe gjendjen emergjente në emër të rëndësisë së veçantë. Në fakt, ligjet e normalitetit procedohen dhe aprovohen shpejt e shpejt, kurse situata jonormale trajtohet me avashllëk.

______________________________________

VETËMBROJTJA NË MUNGESË TË MBROJTJES INSTITUCIONALE!

________________________________

     Të nesërmen e sulmit terrorist mbi familjen Haradinaj, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, dërgoi një pikë statike të policisë atje, objekti i së cilës u demolua për fare pak minuta, kurse një polic kosovar u zu peng. Veprime të tjera të policisë nuk pati. Dhjetë ditë më parë, dy policë të Kosovës ishin rrëmbyer në kufi me Serbinë në fshatin Dumnicë të Besianës nga pjesëtarët e xhandarmërisë serbe. Ndërkaq, tre ditë para kësaj u arrestua kryesindikalisti i metalistëve, Hasan Abazi. Para tij ishte arrestuar Adem Murseli, kurse pas tij Burim Telaku. Që të gjithë këta, bashkë me Shemsi Nuhiun që u ekstradua nga Zvicra në Beograd, vazhdojnë të mbahen nëpër burgje të Serbisë.
     Pra, pas arrestimeve të shpeshtuara në kufi me Serbinë, Qeveria e Kosovës i dërgon vetëm dy policë të zakonshëm të kufi, të cilët me lehtësi kidnapohen; pas vrasjes së Selver Haradinajt me eksploziv plastik të sofistikuar, dërgohen dy a tre policë, sërish të zakonshëm, në veri të qytetit të Mitrovicës! Në përgjithësi, pas gjithë këtyre ndërhyrjeve të shtuara kriminale të Serbisë në Kosovë, t’i dërgosh fare pak policë të hënën që shkoi në një konteiner statik te Tre Rrokaqiejt në veri të Mitrovicës, është më shumë se papërgjegjësi. Këto gjeste pa plan, këto reagime të veçanta pa strategji, kanë vetëm një shpjegim: thjesht, Qeveria e Kosovës po dështon me paramendim.
     Qeveria e Kosovës me kryeministrin dhe ministrin e Brendshëm të saj po e organizojnë dështimin sistematik të policisë dhe gjithë shtetit të Kosovës, sidomos që prej 26 korrikut të vitit 2011 e këtej. 
     Të martën, ministri Rexhepi kishte vendosur të mos flasë aspak me askë. Mirëpo, disa gjëra i mësuam prej shefit të Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës i cili, përveç që tha se Policia e Kosovës është më e reja në rajon, se ligji e Kushtetuta nuk shkilet vetëm në veri por edhe kudo nëpër Kosovë e nëpër të gjitha shtetet në rajon (sic.), se gazetarët do të mund të shkruanin edhe për gjëra të mira në Mitrovicë dhe jo vetëm për ato të këqijat (sic!), njëkohësisht tregoi që Policia e Kosovës ka informata për gjithçka që ndodh në veri dhe se ai i merr rreth 100 sms-a në ditë me të dhëna të ndryshme. Pra, pasiviteti i Policisë së Kosovës në veriun e Kosovës dhe posaçërisht në Mitrovicë nuk vjen nga mungesa e informacionit por, ndoshta, nga tepria e tij.
     P.sh. ky shef policie e bëri publike që e ka ditur që nënkryetari i Republikës Serbe të Bosnjes ka qëndruar tri javë në veriun e Kosovës në shtatorin e vitit 2011. Ndërkaq, kur u pyet nëse e ka takuar ndonjëherë kryetarin ilegal të komunës së Mitrovicës, Pantiq, tha se do ta arrestonte menjëherë në rast se do ta takonte. Mosintervenimin në veri e arsyetonte me vendosjen e popullsisë civile serbe në barrikada para strukturave ilegale e kriminale të Serbisë, si maskë për këtë të dytën. Kësisoj, në fakt, është Policia e Kosovës e cila po fshihet prapa kësaj maske dhe jo strukturat ilegale të Serbisë në veri që hapur sulmojnë shqiptarët në veriun e Kosovës.
     Kriminalizimi i popullsisë serbe atje, për të cilën fliste ky shef policie, ka si përgjigje nga ana policisë politizimin e zbatimit të ligjit. Çdo sulm i Serbisë nuk vlerësohet për pasojat e shkeljet që bëri, por për kërcënimin e një sulmi tjetër të ri: ku, çka dhe si mund të sulmohen sërish shqiptarët?! Gjendja aktuale në Mitrovicë shikohet si normale kur s’ka sulme konkrete e fizike duke u shpërfillur fakti që gjendja e këtillë rezulton normalisht me sulme të kohëpaskohshme që janë shpeshtuar e intensifikuar këto ditë.
     Top Channel njoftoi se Selver Haradinajt i qenka ndërprerë ndihma sociale në nëntor të vitit 2011 nga komuna, si i papunë që ishte. Kjo Qeveri që po na udhëheq me vota të vjedhura; kjo Qeveri që qytetarëve të varfër ua heq edhe bukën e gojës; kjo Qeveri që e ka braktisur popullin e Kosovës në përgjithësi dhe shqiptarët e veriut në veçanti; kjo Qeveri pa pikë morali dhe pa kurrfarë përgjegjësie për qytetarët e vet që po vriten nga sulmet terroriste të Beogradit; kjo Qeveri ka vetëm një zgjedhje – të dorëhiqet për të mirën e Kosovës, apo ta thyejë qafën për taksirat të vetin.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura