RAMIZ CERNICA IDEOLOG I KOMBIT

I dashur Daja Abdyl Hoxha, e nderuar familje e Ramiz Cernicës!

E nderuara Nënkryetare e Komunës znj. Leonora Morina!

I nderuar Drejtor për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Gjilanit Kushtrim Zeqiri!

Te dashura familje të Dëshmorëve të Kombit, të dashur invalid e veteran të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!

Të nderuar deputet të Kuvendit të Kosovës, i nderuar Deputet i Luginës, i nderuar Komandant i Zonës Ahmet Isufi, i nderuar Zv. Ministër i Mbrojtjes Shemsi Syla!

Të nderuar të pranishëm të Cernicës, të Gjilanit, të Kosovës, të Luginës dhe të gjitha viseve shqiptare!

Zonja dhe zotrinj!

Kanë kaluar vite të tëra prej kur e kam dorëzuar për herë të parë kërkesën në emër të Kryetarit të Klubit Politik”Afrim Zhitia” për Sheshin dhe Shtatoren e Tribunit të Kombit Ramiz Cernica në Gjilan!

Por vetëm pas ardhjes në pushtet të Lëvizjes Vetvendosje, ia arritëm, vitin e kaluar, saktësisht më 25 Nëntor 2022, bashkë me Kryetarin e Gjilanit Alban Hysenin, bashkë me Udhëheqësin e popullit shqiptar Ali Ahmetin, bashkë me Dajën Abdyl Hoxha dhe të tjerë personalitete të shquara, hodhëm beton në gurëthemel, dhe ja sot një vit ma vonë, në ditën e Flamurit po e inaugurojmë shtatoren e Tribunit të Kombit Ramiz Cernica!

Gjilani sot është më i bukur se kurrë më parë në historinë e tij, Shtatorja e deputetit historik të popullit shqiptar Ramiz Cernica, ia ka shtuar hjeshinë, i jep shkelqim edhe më të madh!

Serbët antishqiptar vrasës, gjakpirës e kolonizator të  Kosovës, që kanë sunduar në Gjilan, që kanë rrahur e torturuar, që kanë shetitur në qendër të qytetit, në ketë shesh e në çdo skutë, që kanë thënë se Kosova është djep i Serbisë, si Toma Popoviq, Dushan Ristiq, Can Periq e tjerë, por edhe tradhëtar shqiptar në ballë me Ali Shukriun e klikën e tij, kudo që kalben në varreza serbe në Beograd e gjetiu, por edhe të vdekurit të gjallë, si ata, mbetje pushtuesish dhe tradhëtarësh, duhet ta dijnë, njëherë e përgjithmonë, se Anteu shqiptar i parlamentarizmit, Tribuni i Kuvendit të Kombit, 5 herë i burgosuri politik, Titani Ramiz Cernica, sot është inauguruar në përmendore bronzi dhe populli e kombi i përulet me respekt dhe e nderon me dashuri të madhe e mirënjohje të thellë!

Motra dhe vëllezër,

Para 78 viteve, në Korrik të vitit 1945, Heroi Legjendar i Kuvendit të Kosovës në Prizren, Tribuni trim e sypatrembur Ramiz Cernica, me qëndrimin e Tij burrëror në mbrojtje të Kosovës, në Parlament, në rrethim me kordon të hekurt ushtarako-policor të ushtrisë dhe policisë pushtuese Jugosllave, ia ka ndërtuar vetës së tij përmendoren në zemër të popullit, por  edhe ia ka shkrirë shtatin e Tij të derdhur në bronz!

Si anëtar në udhëheqje të lartë të Lëvizjes Popullore të Kosovës, si ushtarë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë Medvegjë e Bujanovc dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, bashkë me shokë, bashkëveprimtarë e bashkëluftëtarë, kemi pasur përgjegjësi të veçantë për të nderuar Heroin e Kuvendit të Kosovës, Simbolin e Bashkimit me Shqipërinë, Tribunin e Kombit Ramiz Cernica!

Ramiz Cernica ishte vazhduesi me besnik dhe kopja më origjinale e ideologëve të kombit, Abdyl Frashëri, Hasan Prishtina e Ismail Qemali!

Ramiz Cernica front final të kryeveprës së Tij dhe arenë gladiatori e kishte Parlamentin e Kosovës dhe përfaqësonte trurin e Kombit, por edhe ishte pararoja e mendjendriturve të Atdheut, e atyre që më vonë u bënë frymzim i tërë brezave, në ballë të cilëve ishte Simboli i Rezistences Adem Demaçi, Çeliku i Qendresës, Heroi i Kombit Rexhep Malaj, Organizatori i famshëm i diasporës, Heroi i Kombit Kadri Zeka, deri te i fundit, Komandanti Legjendar i Ushtrisë Çlirimtate të Kosovës Adem Jashari!

Dalëzotësin e Kosovës, birin besnik të saj, shqiptarin trim e të pamposhtur, Kryetarin Ramiz Cernica, i cili ishte ngritur si ortek gjigant dhe duke qenë Ai i pari dhe i vetmi që ua përplasi në surrat kriminelëve serb dhe tradhëtarëve shqiptar në Kuvend të popullit në Prizren, se Kosova nuk dëshiron të jetë e ndarë nga Nëna e saj. Ne pasardhësit e Tij besnik, e kemi kujtuar kurdoherë e në çdo rrethanë, sikur para luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ashtu edhe pas çlirimit nga Serbia pushtuese, por edhe pas Shpalljes së Pavarësisë të Kosovës!

Pjesën e parë të thënies së tij gjeniale JO ME SERBINË, me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe me ndihmën e aleatit tonë të madh Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s e kemi bërë realitet!

Me gjeneratat që do të vijnë, do të vazhdojmë pjesën tjetër, PO ME SHQIPËRINË!

Askush nuk mund të krahasohet me birin e madh, Udhëheqësin e lavdishëm të popullit tonë, Simbolin e Bashkimit të Kosovës me Shqipërinë Nënë, Tribunin e Kombit Ramiz Cernica!

Si veprimtar e luftëtar kombëtar, si ushtar çlirimtar, nuk mund të qëndrojmë duarkryq kur përballemi me tendenca inatesh e klanesh, fisesh e familjesh, personalitetesh e profesionesh, ngado që vijnë ato, për të mos ia dhënë vendin e merituar, në formë dhe përmbajtje, kudo e kujtëdo, e në mënyrë të veçantë mbrojtësit më të madh të Kosovës, politikanit e intelektualit popullor dhe ideologut kombëtar,  Tribunit të Kombit Ramiz Ahmetit nga Cernica e Gjilanit!

Fjalimin e Tij programatik për bashkim të Kosovës me Shqipërinë, në Kuvendin e Kosovës në Prizren e kemi kuptuar dhe i kemi bërë jehonë kudo, dhe me vendosmëri e besnikëri të madhe kemi vepruar në nderim të aktit të Tij, që e ka bërë të paarritshëm nga askush, edhe nga ata ia kanë kushtuar tërë jetën popullit, Atdheut dhe Kombit!

Ne vazhduesit e idealeve të mëdha, nuk jemi mjaftuar vetëm me dëgjimin e tregimeve nga të parët tanë për burrin e madh Ramiz Cernicën, por kemi vepruar praktikisht, kemi përballuar çdo pengesë dhe kemi shpartalluar çdo bllokadë, dhe ja ku jemi sot, përballë shtatit të Tij të derdhur në bronz në Qytetin e Gjilanit, ku nuk sundon më çizmja pushtuese serbe dhe tradhëtare, por as mbetjet e tyre!

Kosova e Tribunit të Kombit Ramiz Cernica, simbas parashikimit të Tij gjenial që në vitin e largët 1945 të shekullit të kaluar, tani është e lirë dhe e pavarur, është e njohur dhe e pranuar ndërkombëtarisht e me aleat të mëdhenj si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Italia dhe aleat të tjerë të rëndësisë së vëçantë kombëtare e ndërkombëtare!

Faleminderit i dashur dhe i nderuar Kryetar i Komunës së Gjilanit Alban Hyseni, qe e lejove ngritjen e shtatores së Ramiz Cernicës dhe vendosjen në vendin më të mirë, e më të rëndësishëm, para Komunës së Gjilanit, në rresht me Kryeheroin kombëtar Gjergj Kastriotin Skënderbeun, dhe me simbolin e thyerjes se kufirit Kosovë – Shqipëri, Heroin e Kombit, Agim Ramadani!

Të nderuar të pranishëm,

Për Babain e Parlamentit të Kosovës, dhe birin e madh e besnik të Shqipërisë Ramiz Cernicën, unë sot kam katër propozime:

1. Ramiz Cernicës t’i ngritet Shtatorja para Parlamentit të Kosovës në Prishtinë!

2. Ramiz Cernicës t’i ngritet shtatorja para Parlamentit të Shqipërisë në Tiranë!

3. Gjimnazit në Prizren, ku është mbajtur Mbledhja e Kuvendit të Kosovës në vitin 1945, aty ku Deputeti i Popullit Ramiz Cernica, i ka vënë themelet e Kosovës JO ME SERBINË, t’i vihet emri Tij!

4. Para Gjimnazit “Ramiz Cernica” në Prizren të ngritet Shtatorja e Tij!

Motra dhe vëllezër,

Në këto momente feste, gëzimi e hareja që natyrshëm na vijnë:

përballë Intelektualit e strategut popullor;

përballë Babait të Kuvendit të Kosovës;

përballë Ideologut  të Kombit;

përpallë Deputetit Legjendar të popullit shqiptar e Heroit të Kuvendit të Kosovës në Prizren, me përulje e me nderim, në emër të të gjithë brezave, stërgjyshërve e gjyshërve, nënave e baballarëve, në emrin e Klubit Politik “Afrim Zhitia”, në emër të familjes time e në emrin tim, i thërrasim me gjithë fuqinë e zemrës,

LAVDI RAMIZ CERNICA!

Ismet Sylejmani,

Gjilan, 28 Nëntor 2023!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura