GJOKË DABAJ: SHQIPTARËT DUHET TË DINË KUSH JANË (I)

(Pashtriku.org, 12. 04. 2012) – Që të mund të pohosh se je dikushi, në radhë të parë duhet ti vetë të dish kush je. Për ne shqiptarët është një fatkeqësi e madhe që, jo vetëm një shumicë e jona, por edhe në shkallë dijetarësh, vërtitemi rreth disa njohurive që as përafërsisht nuk janë të plota. Në masën e gjërë të Kombit vihet re një huti e vërtetë. Njerëzit e dinë që janë shqiptarë, por më tutje nuk dinë të ta thonë as edhe një fjalë, në mos për të sharë dikënd: Jugun, Veriun, kosovarët, çamët, malokët, myzeqarët, krahinën fqinje, kushëririn, vëllanë, kunatën. Në një shumicë familjesh, fisesh, fshatrash apo krahinash, tash edhe qytetesh që janë rritur me banorë ti rinj, njohuritë sillen si kali i lidhur pas hurit të lëmit, rreth disa gojëdhënash dhe me kaq duket sikur i quajnë të mjaftueshme njohuritë që kanë për vete. Si mund të jetë patriot një popull i tillë?!
     Është e domosdoshme, pra, që njohuritë jo të plota, konkluzionet e pastabilizuar, tezat ende të pavërtetuara apo tezat që janë hedhur poshtë pa u thelluar sa duhet, të kalohen më me kujdes, më me vëmendje, më seriozisht dhe më me përkushtim, nëpër sitën rigoroze të shkencës. Albanologjia, ilirologjia dhe në përgjithësi ballkanologjia, në sh XXI do të kenë shumë punë. Duhet jo vetëm të dihet, por edhe të kuptohet shqetësueshëm që në shkencat ballkanologjike ka shumë teori e teza me tendenca thjeshtë etnocide e në drejtim të shqiptarëvet revoltueshëm shqiptarocide. Por ne nuk duhet të merremi fort me revanshe. Ne duhet të njohim vetëveten!
     “SHQIPËRIA, Ç’KA QENË?”
     Koha parailire
     Duhet t’ia nisim nga fillimi, se në të vërtetë, ashtu nisen të gjitha punët, kur duam të nxjerrim diçka në krye. Ta rishqyrtojmë e ta ritrajtojmë së pari njërin nga problemet tanë më madhorë: A kemi qenë këtu para se të vijnë helenët në këtë gadishull, apo nuk kemi qenë këtu? Kjo nuk duhet vetëm të thuhet, por duhet të vërtetohet në mënyrë të atillë që, në të ardhshmen, asnjë helenist apo ballkanolog të mos mund të thotë ndryshe.
     S’është fjala për gjithfarë pedantësh të painformuar, që i lexojnë a s’i lexojnë gjithë jetën 7 libra, edhe ata tmerrësisht të njëanshëm, që japin ligjërata nëpër universitete dhe që botojnë në formë librash konspektet e ligjëratavet të veta, si fjalë e fundit e kompetentit, i cili me doemos duhet besuar. Duhet besuar, sepse para emrit të një të tillë “kompetenti” shkurtesat Ak.Prof.Dr. ta imponojnë detyrueshëm besimin. Fjala është për shkencën e mirëfilltë. Shkencat e mirëfillta, albanologjia, helenistika, sllavistika, krejt ballkanologjia, duhet ta gjejnë me doemos stabilitetin e nevojshëm. Përndryshe, as që mund të ecet më këndej, pa hasur në probleme deri edhe tragjikë. Mosnjohjet ose shtrembërimet në filologji sjellin luftëra, sjellin gjakderdhje popujsh.

__________________________

PARAILIRËT…

____________________________

     Nëse nuk kemi qenë këtu para helenëvet, është vetëvetiu e kuptueshme që gjuha dhe kultura helene (greke) në pikëpamje kohe, janë primare në këtë vend dhe pastaj vijnë gjuhët dhe kulturat e popujvet të tjerë, midis të cilëvet do të duhej ta gjenin vendin e vet edhe gjuha dhe kultura e shqiptarëvet. Por kjo nuk mjafton thjeshtë të thuhet. Kjo kërkon të vërtetohet.
     Nëse kemi qenë këtu, kur kanë ardhur helenët (E dihet që ata nuk kanë zbarkuar këtu me kartë e laps në xhep.) atëherë si shpjegohet që të mos hasen albanizma në gjuhën greke? Thënë ndryshe, si shpjegohet që të mos hasen në gjuhën greke pellazgo-ilirizma, të cilët të mund të krahasohen e zbërthehen me ndihmën e shqipes së sotme?
     Teza jonë është: O duhet të ketë një numër të madh pellazgo-iliro-albanizmash, jo vetëm në gjuhën e vjetër greke, por në të gjitha sferat e kulturës së tyre, o ne nuk kemi qenë këtu, kur ata kanë ardhur në këtë gadishull.
     Po marrim nja 2 a 3 fjalë, për të cilat është thënë që janë greqizma të lashtë në gjuhën shqipe: MAKHANON, LAKHANON, PRASANON. Ne na duket se është e kundërta. Janë pellazgo-ilirizma që shpjegohen me gjuhën e sotme shqipe. E para mund të zbërthehet në MA-, e krahasueshme me një parashtesë *ËMË-, në –KHA-, e krahasueshme me foljen shqipe ME IK(Ë), me lëvizë, dhe në –NON, e krahasueshme me një prapashtesë të shqipes -*ËNË. Pra: *ËMËIKËNË, diçka që IKËN, që lëviz, që rrotullohet. E kjo është MOKËN apo si i themi në gjuhën standarde: MOKËR. E dihet që MOKRA rrotullohet, lëviz, IKËN.
     Fjala LAKHANON mendojmë se është e zbërthyeshme në LAKH- dhe –ANON, kurse PRASANON, në PRAS- dhe –ANON. Formanti –ANON është, siç thamë më sipër: *ËNË, kurse LAKH- dhe PRAS- janë rrënjët. Mbetet të diskutohet më vete nëse formanti –ANON, që ne e krahasojmë me -*ËNË(N), është edhe ai një pellazgo-ilirizëm, pra një albanizëm në greqishten e vjetër, apo ka ndonjë shpjegim tjetër.
     Kemi edhe fjalën AULONA e, lidhur me këtë, edhe disa toponime AULONA, fjalë që është quajtur si greke me kuptimin lugina. Mirëpo, ne na duket që edhe kjo e ka shpjegimin në gjuhën shqipe me formën *E ULËNA, gjë që gjithkështu duhet të ketë pasur kuptimin luginë, vend I ULUN, i ulur.
     Po të jetë se fjala MAKHANON shpjegohet vërtet me foljen shqipe IKI, atëherë edhe vargu i gjatë i fjalëvet, sot ndërkombëtare, MEKANIKË, MEKANIZËM, MEKANIZIM, MAKINACION etj.etj. duhet të konsiderohen si albanizma në të gjitha gjuhët e Botës.
     Po kështu edhe fjala e greqishtes së vjetër MINA, me kuptimin xehe, mund të ketë shkuar në atë gjuhë nga fjala * ME MIH(Ë), me gërmue, e pellazgo-ilirishtes. Fjalën MIN(Ë) ne e rindërtojmë *MIHNË, ajo që del nga e MIHUNA, e mihura. Dihet që xehja, minerali, sigurisht nga e MIHUNA del. Dilte sidomos në ato kohëra. Por, së këndejmi do të konkludohej që grekët e vjetër edhe zanatin e nxjerrjes së xehevet e kanë mësuar po prej nesh. Dhe kjo nuk do t’ishte më pak e rëndësishme se ajo që ne, psh, kemi marrë prej botës moderne, sot më të përparuar se ne, nxjerrjen e naftës.
     Një kapitull shumë i rëndësishëm i të përgjigjurit në këtë pyetje: A na kanë gjetur këtu helenët apo jo, është ai i mitologjisë. E kujt është mitologjia? A është e grekëvet apo nuk është e grekëvet? Si pasojë, a do të jetë e drejtë të përdoret më nëpër Botë shprehja “mitologjia greke”, nëse do të rezultojë që ajo nuk është greke?
     Duke përqasur vetitë apo “funksionet” e disa perendive të kësaj mitologjie me emrat që ato mbajnë, ne na rezulton shpeshherë një përafri e çuditshme. ATHINA (ATENA) na del e përafërt me shqipen E THËNA, me kuptimin e mundshëm mençuria. E me të vërtetë, miti thotë që Athina ishte perendesha e dijes dhe e shkencës dhe thotë gjithashtu që atë Zeusi e kishte nxjerrë nga koka e vet. S’ka mëdyshje, pra, që ajo personifikon të thënën, mençurinë e vetë Zeusit, sepse mençuria del nga koka pikërisht me anë të së thënës, me anë të fjalës. Këtu është gjithkështu e pasqyruar edhe mençuria e popullit që e ka krijuar këtë perendi dhe që ia ka vënë edhe emrin.
     Perëndesha HERA e ruan emrin e vet në një fjalë të shqipes, MUSHTJERRË. I hiqen 2 parashtesat MU(MË)- dhe SHT- dhe mbetet emri -(J)ERRË, tingëllisht krejt e afërt me HERË. Në Shestan formën JERR e shqiptojnë pa ndajshtesa, si pasthirrmë që përdoret për të ndjellë lopën. Miti, në anë tjetër, thotë që HERA identifikohej pikërisht me mushtjerrën.
     AFËRDITA ka sinonim Yllin e Mëngjesit ose planetin Venera, i cili njihet si ylli që lajmëron DITËN e re. Miti thotë që perëndesha AFËRDITË ka dalë prej detit, e ka krijuar shkuma e detit në ishullin Qipro. Nëse shikojmë pozicionin gjeografik të Qipros, gjithkush do ta kuptojë që DITA atje s’ka nga “del” tjetër, veçse prej detit. Në fillim ai krah nga vjen DITA, skuqet, pastaj së shpejti vjen edhe zbardhja, në kohën kur planeti, lajmëtari i DITËS, e cila tashmë është AFËR, ndodhet diku sipër detit. Edhe në shumë pjesë të tjera të Greqisë së sotme DITA “del nga deti”, sepse deti ndodhet në lindje. E vetmja gjë që e çudit njeriun, i cili e bën këtë analizë logjike duke lidhur mitin me emrin, është: A është e mundur që fjalët AFËR dhe DITË të mos kenë pësuar kurrfarë ndryshimi kuptimor apo tingullor në më se 30 shekuj? Prandaj dhe kërkohet që mendimet të argumentohen gjithanshëm e jo thjeshtë të thuhen.

_____________________________

VARROSJA E HISTORISË ILIRE!!!!

___________________________

     Perëndia APOLLON konsiderohet, midis tjerash, edhe si mbrojtësi i pjellorisë. Mendja na shkon te folja ME PJELLË në të kryerën e thjeshtë, në aorist, POLLI. Kjo formë e foljes ME PJELLË, me një prapashtesë –(Ë)NI, do të jepte: *POLLËNI. A mund të krijohen emra me aoristin e një foljeje? Veç kësaj, aoristi, e kryera e thjeshtë, a është kaq i lashtë në gjuhën tonë?
     Një gjuhëtar i yni thoshte: “Përqasje mekanike tingujsh mund të bëhen me cilëndo gjuhë të Botës. Me përqasje mekanike, pa një mbështetje mbi evolucionin e fjalëvet, mbi ligjet e ndryshimit të tingujvet, ne mund ta lidhim gjuhën tonë edhe me gjuhën kineze.” Edhe ne e dimë që kështu është. Megjithatë, lidhur me mitologjinë, të quajtur “greke”, jemi të detyruar të ndalemi. Jemi të detyruar të ndalemi edhe se në këtë drejtim, në drejtimin e përafrimit të kësaj mitologjie me elementë të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare, janë marrë shumë dijetarë, duke filluar që nga Rilindja e këndej. Praktika e të hedhurit poshtë me procedurë të shkurtër, ka bërë që dijet tona nuk i kanë dhënë zgjidhje këtij problemi. Dhe kjo ka ndodhur kur psh emrat e Dardanisë (prej dardhë) dhe të Dalmacisë (prej delme), shpjeguar kështu prej gjuhëtarësh të huaj, i kemi marrë si të saktë pa kurrfarë kundërshtimi.
     Në lidhje me APOLLONIN na ka rënë në sy edhe një pjesë e mitit mjaft interesant. Në një ishull të Egjeut qenkëshin përhapur MINJTË dhe e paskëshin asgjësuar të gjithë prodhimin. Banorët nuk ditën të gjejnë mënyrë tjetër, veçse t’i bënin fli e t’i luteshim APOLLONIT, perëndisë së pjellorisë. Ata i bënë fli APOLLONIT në majën më të lartë të ishullit dhe “mrekullia” ndodhi: MINJTË u shfarosën dhe jeta në ishull u normalizua. Që atëherë banorët e ishullit nuk thanë më “perëdia APOLLON”, por thanë “perëndia SMINTE”, me kuptimin perëndia që na i zhduku MINJTË. Edhe vetë ishullit ia vunë emrin: Ishulli SMINTE. Në gjuhën e sotme shqipe ky emër SMINTE mund të zbërthehet në një parashtesë me kuptim mohues S- dhe në shumësin e shquar të emrit MI, që bën edhe sot: MINJTË. A mund të konsiderohet i mundshëm një fjalëformim i këtillë, parashtesë plus shumësi i shquar i një emri? Në anë tjetër, emri MI a s’është huazim në shqipet? Kuptimisht emri SMINTE përputhet plotësisht me mitin. Po gjuhësisht a mund të përligjet një formim i tillë? Dihet që APOLLONI është nderuar edhe në viset e Ilirisë njëlloj si në Greqi. Aq sa ai i ka dhënë edhe emrin njërit prej qytetevet tanë më të njohur: APOLLONISË. Ky adhurim, i konkretizuar edhe në një emër qyteti, ashtu siç ka qenë konkretizuar emri i perëndeshës ATHINA në emrin e një qyteti grek, a është ndikim i kulturës greke te ilirët, apo në rastin e emrit të ATHINËS, është ndikim i kulturës pellazgo-ilire te helenët e hershëm?
     Janë 2 perënditë e mjekësisë MAKAONI dhe PODALIRI, me emrat e të cilëvet mund të bëjmë një përqasje me gjuhën e sotme shqipe: Me MËKUE do të thotë me ushqye nëpërmjet gojës. Me MËKUE foshnjën, me MËKUE të sëmurin. MAKAONI, në mos gabohemi, është perëndia që shëron sëmundjet e brendshme, për të cilat dihet se shërohen me anë të të MËKUARIT. Ndërkaq, me DËLIRË në shqipen e sotme do të thotë: me pasture. PODALIRI , në mos gabohemi, është perëndia e shërimit të plagëvet. Ç’bën mjeku kur mjekon plagët? Ai i DËLIR ato, i pastron prej infeksionevet, që shfaqen me mahisje e me qelb. Te emri i MAKAONIT mund të vërejmë një parashtesë tashmë të përsëritur në shumë raste: *ËMË-, MË- ose MA-. Te emri i PODALIRIT vëmë re pjesëzën pohuese PO- në rolin e parashtesës.
     ILITIA (ELITIA) është hyjnesha e lindjes së fëmijëvet. ILITINË e dërgonte e ëma Hera për të ndihmuar gratë që LINDNIN. A është e mundur që ky emër të lidhet me foljen e sotme të shqipes me LINDË dhe me emrin e dalë prej kësaj foljeje: LINDJE? A mund të kenë ekzistuar edhe në atë kohë të largëta po kjo formë e foljes me LINDË dhe po kjo prapashtesë –JE? Dmth a ka vepruar edhe atëherë po ky fjalëformim si në kohën e sotme? Duhen thirrur në ndihmë gramatika historike dhe fonetika historike. Shembuj të këtillë nga mitologjia ka disafish më shumë se ç’i sollëm këtu, vetëm sa për ilustrim të idevet tona.
     Problem tjetër që duhet të trajtohet në raportet tanë me helenët, është ai i poemavet homerike. Ç’gjuhë kanë folur trojanët? Kush ishin trojanët? Është lehtë të thuhet: Trojanët kanë qenë njëri nga fiset grekë të Azisë së Vogël dhe Lufta e Trojës ishte një luftë për mbisundim midis fisevet të ndryshëm grekë. Është lehtë të themi: Përderisa poemat homerike janë shkruar në gjuhën greke, vetëkuptohet që ato janë një krijim i grekëvet dhe janë madje një nga themelet e madhështisë së grekëvet të Antikitetit. Por studiuesit kanë për detyrë të ndalen dhe ta shqyrtojnë gjithanësisht objektin e studimit, jo të mjaftohen me disa pohime të gjetur të gatshëm dhe, aq më keq, t’i shndërrojnë ata në pohime tabu.
     Pra, kush kanë qenë trojanët? Ç’gjuhë kanë folur ata? Emri DARDAN, me të cilin cilësohen trojanët, nuk është për t’u anashkaluar pa vëmendje. Mbreti i Trojës quhet Priam Dardani. Vetë Troja ka mitin përkatës të krijimit që nuk lidhet asgjëkundi me helenët. A është e mundur që emërtimi PRIAM të ketë kuptimin e emrit të përgjithshëm prijës? Folja me PRI, që për mendimin tonë vjen nga numërori rreshtor I PARË, a është e hershme në gjuhën tonë? 
     Ose le të kthehemi te një personazh tjetër mitologjik, te njëri nga paraardhësit e Priamit, Laomedonti. Miti i Laomedontit është miti i shkeljes së besës. Te shkelja e besës prej Laomedontit, si te një spirancë e hedhur keq prej vetë atij, janë lidhur të gjitha fatkeqësistë e pasardhësvet të tij. Le të jetë i mirë Priami! Le të jetë Hektori një hero! Çdo gjë është e kotë, derisa një nga gjyshërit e tyre ka bërë deliktin më të madh ndaj njerëzvet dhe ndaj perëndivet: Ka shkelur besën.
     Në të njëjtën kohë dihet që institucioni i besës, në të gjithë historinë e derisotme të shqiptarëvet, është njëri nga institucionet tanë më problemorë. Mbajtja e besës dhe shkelja e besës janë 2 konstruktet kryesorë në godinën e moralit të shqiptarëvet: njëri shtyllë, tjetri antishtyllë. I kemi në jetën e përditshme: Për këtë besë! Paska qenë burrë i pabesë! I kemi në kodet tanë kanunorë: Kur i ke dhënë besën tjetrit, nuk ke të drejtë ta vrasësh, edhe nëse të ka vrarë njeriun më të afërt. I kemi në folklorin tonë, pasqyrë e të gjithë kompleksitetit të një etnie: Te balada e Rozafës, njëri vëlla e mban besën, 2 të tjerët e shkelin. Te cikli i kreshnikëvet, nëna dhe motra e tradhtojnë Mujin, me të shkelur të besës. Po kështu edhe Ibrahim Ketën e Ri. Te balada e Ymeragë Ulqinit, nusja e tij e mban besën deri në afatin e paravendosur. Konstantini nuk e harron besën, që i ka dhënë së motrës, as në varr. Kjo është linja e pashkëputur e institucionit të besës te pellazgo-iliro-shqiptarët që nga Laomedonti e deri në kohët moderne. Ndoshta e kanë edhe grekët këtë linjë. Ne nuk e dimë. Por nëse ata nuk e kanë të kësaj forme siç e kemi ne, atëherë ka një bazë që Laomedonti të jetë krijesë e mentalitetit tonë.
     KASANDRA është e bija e Prijamit, e cila ka cilësinë për të THËNË ËNDRRA. Tingulli S paraqitet shpeshherë si një TH e transformuar. Kështu fjala SIKA njihet edhe në latinisht, edhe në shqiptimin sllavisht për THIKË. A mund të përfytyrohet emri KASANDRA si një *KA THANË ANDRRA? Do t’ishte një fjalëformim gati i pakonceptueshëm për shqipen e sotme: Një folje në kohën e kryer dhe një emër në shumës. Veç kësaj, fjala ANDËRR (ËNDËRR) a është aq e vjetër në shqip? Është edhe lumi KSANT, i cili kalon pranë Trojës, por është më shumë i thatë se me ujë. Pra, lumi i KTHANËT, lumi që thahet. Hidronimia shqiptare e sotmja është plot me: Lumi i Thatë, Përroi i Thatë. Një të tillë hidronim tonin sllavët e vonë bëjnë sikur e kanë “përkthyer” duke e quajtur Suva Reka, por në të vërtetë ai emër dokumentohet aty shumë kohë para ardhjes së sllavëvet. Do të shohim pak më vonë që sllavët edhe fjalën SUV, edhe REKA i kanë imarrë prej iliro-arbërishtes.
     Njeri prej kapitujve shumë të rëndësishëm të homerologjisë do të duhej të ishte raporti etnik midis Atridëvet nga njëra anë, dhe Akilit e Uliksit nga ana tjetër, kapitull, të cilin, si duket, homerologëvet as që u ka shkuar ndërmend për ta trajtuar. Atridët (Agamemnoni e Menelau) janë teukër (helenë). Akili dhe Uliksi nuk janë helenë. Akili është mirmidonas, Uliksi është thjeshtë itakas, zot i një ishulli. Mënyrat se si shkuan këta në luftë kundër Trojës, ose si u çuan në atë luftë, janë fabula tepër interesante dhe ato mund të shërbejnë për të nxjerrë konkluzione të rëndësishëm. Një nga konkluzionet mund t’ish se ata ishin të së njëjtës etni me trojanët. Mu për këtë arsye duket se në poema ata trajtohen si shkaktarët kryesorë të tragjedisë dhe secili prej tyre merr edhe dënimin që “i kanë caktuar zotat”, sipas meritës. Natyrisht, ne nuk mund të ndalemi këtu për t’i zbërthyer këto pjesë substanciale të poemavet, sepse, siç thamë, ato do të përbënin kapituj më vete të homerologjisë. Do të sjellim vetëm 2 a 3 hamendje lidhur me emrat e këtyre 2 kryeprotagonistëve. Akili ka 2 emra: ASPETI, që gjuhëtarët e kanë shpjeguar me fjalën shqipe *I SHPEJTI, dhe AKIL, që ne e gjejmë të afrueshme me formën e mundshme shqip: *IKËLI. Si *I Shpejti, si *Ikëli, kanë të njëjtin kuptim, janë sinonime: Njeri që vrapon shpejt, që ikën shpejt, njeri i shpejtë. ODISEJA është poema që na rrëfen udhëthyerjet dhjetëvjeçare të Uliksit. S-ja, siç thamë, mund të merret si TH, nëse edhe në ato kohë të tejhershme ka ekzistuar ky opozicion, ndërsa D-ja mund të jetë një DH. Pra, *UDHËTHEJA, peripeciada e ravgimevet të Uliksit nëpër detra. Ndërkaq, ODISEU do të mund të shqiptohej në gjuhën jogreke, në gjuhën vendase, *UDHËTHEU, njeriu që theu udhën, ndaç me kuptimin tradhtar, njeriu që e tradhtoi etninë e vet, ndaç me kuptimin njeriu që e pagoi në këtë mënyrë thyerjen e udhës.
     Një çështje e katërt apo e pestë, për t’u zgjidhur, është kultura kreto-mikenase. A kanë qenë të parët tanë, të parët e shqiptarëvet, ata që e kanë krijuar atë kulturë, apo ka qenë atje ndonjë popull tjetër? Nëse ka qenë një popull tjetër atje, atëherë gjurmë të asaj kulture nuk do të duhej të kishte në ish-Iliri. Nëse gjenden gjurmë të asaj kulture, si psh muret e stilit ciklop, mënyra e ndërtimit të të ashtuquajturave shtëpi-qytete, mënyra të qeverisjes si në Kretë e në Mikenë, gjurmë mitesh të ngjashëm me ata të atyre 2 qytetërimeve, ritet e varrosjevet etj. Kjo është punë sidomos e arkeologëvet, por edhe e studiesvet të arkitekturës, e etnologëvet etj.
     Një çështje e pestë apo e gjashttë mbetet ajo e ndërtimit të kolonivet të grekëvet të lashtë. Thuhet se filan qytete brgdetarë i themeluan grekët dhe numërohen një tufë qytetesh, të cilëvet duket sikur ua kanë vënë ata gurin e themelit. Thuhet që këto koloni janë krijuar për tregti dhe se për metropolet e tyre ata kanë qenë një burim i madh pasurimi. Pyetja është kjo: A vërtet janë grekët ata që i themeluan këta qytete? Këtu vjen prapë në ndihmë, përveç arkeologjisë dhe shkencave të tjera, edhe gjuhësia. Psh. BIZANTIN, thonë grekët se e kanë themeluar ata. Mirëpo ne na duket se ky emër vendi, gjuhësisht mund të shpjegohet vetëm me shqipen: *MBIZANËTË, me kuptimin mbi ngushticë, mbi vendin ku ngushtohet deti, ku i ZIHET gryka detit. Krs. me ZANË, i ZANUN, i ZËNË. Formanti -*(Ë)TË do t’ishte mbaresë shquese e emrit asnjanës: (TË) ZAN-ËTË. Në anën tjetër të gadishullit DYRRAHU (Durrësi) na del: *DY RRAHE. Në shqipen e sotme RRAH do me thënë vend i shpyllëzuar midis një pylli. Prapë edhe këtu lind dilema: A janë aq të vjetra në gjuhën shqipe fjalët: MBI, ME ZANË, DY edhe RRAH? Nëse janë, atëherë s’kemi pse dyshojmë në një të këtillë shpjegim për emrat e hershëm, as të Bizantit, as të Durrësit.
     Pyetje tjetër: Kanë qenë apo nuk kanë qenë popuj të kulturuar, dmth popuj me qytetërim, ata popuj, ku grekët kanë sajuar kolonitë e veta? Këtu, për të ndriçuar shkallën e zhvillimit të pellazgo-ilirëvet, duhet të bëhen jo studime vetëm për të dëshmuar praninë greke, por edhe për të dëshmuar praninë dhe veçantitë e vendësvet. Dimë që kolonizuesit evropianë, në shekujt që kaluan, bënë që të tjetërsohen kontinentet. A bënë tjetërsim të popullsisë sonë grekët, kur erdhën si kolonë në brigjet e detravet tanë? Nëse nuk kanë bërë tjetërsim të popullsisë, kjo do të thotë që kultura e paraardhësvet tanë nuk ka qenë nën nivelin e kulturës së kolonëvet.
     Çfarë ishin dakët, thrakët, maqedonët dhe epirotët në raport me ilirët nga njëra anë, dhe në raport me grekët nga ana tjetër? Këtë çështje duhet ta ndriçojë ballkanologjia saktë dhe qartë. A kishin afri njëri me tjetrin popujt që përmendëm apo ishin etni krejt të ndryshme? Në lidhje me afritë apo largitë midis ilirëvet dhe dakëvet, mund të na ndihmojnë sadokudo 2 gjuhët tona, sepse janë gjuhë të gjalla. Edhe gjuha rumune është e gjallë, sado që është e latinizuar. Kurse në lidhje me thrakët dhe maqedonët është më e vështirë. Ndërkaq, puna e epirotëvet, emërtim ky që ka lëvizur disa herë drejt veriperendimit, do parë jo vetëm në gjuhën të thuash shtetërore, që ata mund ta kenë përdorur ndonjëherë, por edhe në gjuhën që e ka përdorur populli dhe do parë çfarë mund të quhet ndikim i kulturës greke dhe çfarë do t’ishte vetë kultua greke. Sidoqoftë, ne aktualisht mendojmë që epirotët s’kanë qenë tjetër veçse ilirë të jugut. Ndërsa maqedonët kanë qenë të afërt me ilirët, në mos të njëjtë, dhe krejt të ndryshëm nga grekët.
VIJON…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura