SHERADIN BERISHA: KALAJA DHE KATEDRALJA E ARTANËS (NOVOBËRDËS) / FOTO + VIDEO /

Pashtriku.org, 16. 11. 2015: Artana (Novobërda) shtrihet në lindje të Kosovës. Në veri kufizohet me Prishtinën, në perëndim me Lipjanin, në jug me Gjilanin dhe në lindje me Dardanën (Kamenicën). Në këtë lokalitet, rreth 30-35 km në perëndim të Gjilanit dhe 35 kilometra në jug-lindje të Prishtinës, mbi një kodër malore (ndërmjet fshatrave Përlepnicë dhe Krivarekë) ruhen rrënojat e Kalasë – qytetit të lashtë të Artanës (Novobërdës). Ky kompleks monumental është ngritur mbi një kodër, prej 1.124 metra mbi nivelin e detit dhe i ka të gjitha elementet e një qyteti të lashtë, me lagje, objekte të kultit, varreza, kthina, strehimore e puse. Në veri ka minierën, ndërsa në kodrat paralele me të, por më të ulëta, ekzistojnë rrënojat e Katedrales, e ndërtuar mbi themelet e një tembulli antik të shekullit IV para erës sonë. Gjatë gërmimeve arkeologjike (jo sistematike) në periudhën 1951-2003, janë gjetur fragmente të qeramikës dhe monedha bronzi të periudhave të ndryshme, që nga periudha e bronzit, hekurit, pastaj nga shekulli IV dhe III para erës sonë. Dhe këto artefakte tregojnë se qyteti mesjetar “Novobërdo”, ishte ngritur mbi bërthamën e një vendbanimi të lashtë – antik.
Në shekullin I p.e.s. Straboni në veprën e tij “Geographica” përmend shumë qytete urbane të Ilirisë, të cilat i quan qytete të vjetra (Polis arhaia). Përpos Scupit (Shkupit), Naissusit (Nishit), ai përmend edhe vendbanimet mbi Ulpianë, qytetin në Veletin të Janjevës, dhe atë mbi Artanë (Novobërdë). Lokacioni i Artanës (Novobërdës) njihej si zonë e minierave të argjendit dhe arit dhe ishte i njohur për zhvillim të farkëtarisë dhe prerjes së monedhave.

– Kalaja e Artanes – 

Sipas dokumenteve të zbuluara deri më sot, ky vendbanim me këtë emër për herë të parë përmendet në dekadat e para të shekullit XIV, me emërtimin “Nuovo Monte”. Ky lokalitet ishte një koloni romake e shekullit të IX, dhe rëndësia e saj ekonomike është bazuar pikërisht në minierat e saj të argjendit dhe të arit. Puset e vjetra të minierave mund të gjenden ende në kodrat përreth.
KALAJA E ARTANËS
Kalaja e Artanës (Novobërdës), e emërtuar si “Mbeturinat e Kalasë Mesjetare”, daton nga shekulli XIII-XIV. Strukturat e para të Kalasë janë ngritur nga aktivitetet e hershme minerare. Kalaja është ndërtuar në një kodrinë shumë strategjike në formë të tipit fortifikatë dhe përbëhet nga dy pjesë, nga: Kalaja e sipërme e quajtur “Citadela” dhe ajo e poshtme. Kalaja e sipërme është ndërtuar në pjesën më të lartë të kodrës (1.124 metra mbi nivelin e detit), ndërsa ajo e poshtmja shtrihet në kodra më të ulëta, në lindje dhe juglindje (në formë të freskores), deri te miniera nën Malin e Madh.
Kalaja e sipërme ka gjashtë kulla. Kulla lindore dhe ajo perëndimore kanë bazë drejtkëndëshe, kurse të tjerat bazë katrore, dhe kanë një sipërfaqe rreth 0.05 hektarë.
Kalaja e sipërme ka qasje vetëm nga pjesa lindore, ndërsa nga pjesët tjera, pjerrtësia e kodrës është shumë e rrëpirët në drejtim të luginës. Në pjesën lindore, terreni ngrihet gradualisht dhe kalon në një kodër tjetër më të vogël, në platenë e epërme, nën të cilën gjenden rrënojat e një kishe të madhe mesjetare të tipit katedrale.

KALAJA E NOVOBERDES, 03 09 2013

***
RESTAURIMI DHE KONSERVIMI I KALASË SË ARTANËS

Për ti ruajtuar muret dhe artefaktet e shumta të Kalasë, qysh nga vitin e kaluar (2014) Instituti Arkeologjik i Kosovës (me financim të Komisionit Europian), ka nisur projektin për restaurimin dhe konservimin e saj. Në këtë projekt kanë punuar arkeologë kroatë dhe shqiptarë.
“Fazën e parë e kemi përfunduar. Është bërë zbulimi, hapja e mureve. Pastaj matjet, dizajnimi i tyre dhe tani përgatitjet për fazën e dytë, ku bëhet fjalë për konservimin, ndërtimin e mureve. Jo si kanë qenë më herët, por në njëfarë mënyre të konservuara mirë. Zakonisht hasim nëpër artefakte të vjetra, bëhet fjalë për artefakte nga mesjeta deri tek ato të luftës së fundit, të Luftës së Dytë Botërore”, – kështu ka thënë për Top Channel, Fitim Bunjaku – menaxher i projektit për konservimin e kalasë. Arkeologët kanë gjetur edhe hyrjen kryesore të kalasë, puset e ujit, si dhe gjëra të tjera që shfrytëzoheshin nga banorët e kalasë.
Shikoni videomaterialin:
Kalaja e Novobërdës – Top Channel Albania – News – Lajme

***
Ndërkaq në tetor 2015, gjatë restaurimit dhe konservimit të Kalasë së Artanës është zbuluar edhe një kishë e vogël. Arkeologu Haxhi Mehmeti, ka thënë se për këtë kishë askush nuk ka qenë në dijeni më herët. Sipas tij bëhet fjalë për një kishë të vogël, e cila mendohet të jetë ndërtuar diku në shekullin XIV’të, e që u shërbente vetëm banorëve, para sundimit të tyre nga osmanët, – transmeton Klan Kosova.

Shikoni këto videomateriale:
Restaurimi dhe konservimi i kalasë së Novobërdës – 22.10.2015 – Klan Kosova

Kalaja në Artanë – 01. 08. 2015

KATEDRALJA E ARTANËS
Në veri – lindje të Kompleksit të Kalasë së Artanës (Novobërdës) gjinden rrënojat e një Katedrale katolike, e cila është ndërtuar në shekullin XIV’të, ndërsa është shkatërruar dhe rindërtuar sërish në shekullin e XV’të. Gjatë gërmimeve arkeologjike në vitet 1956-1957 janë zbuluar gjurmët e një kishe më të vjetër se shekulli XIV si dhe shumë varre të vjetra. Sipas dëshmive, në shekullin e XV’të Dubrovnikasit ishin ata që rindërtuan Katedralen, duke e ngritur një metër mbi muret e kishës së vjetër. Ekzistojnë të dhëna se, një periudhë kjo Katedrale ka shërbyer si Seli e Kishës Katolike (Selia e Ipeshkvisë) në të cilën ka shërbyer edhe Pjetër Bogdani.
Në qershor 1455 Artana u pushtua nga Ushtria Osmane dhe shumë objekte në Kompleksin e Kalasë së Artanës, u dëmtuan ose u shndërruan në objekte kulti të fesë islame. Në këto rrethana, në vitin 1466 Katedralja e Artanës, u shndërrua në xhami, duke iu shtuar edhe minareja. Dyshemeja mendohet se është shtruar më vonë, rreth shek. XVII – XVIII.
***
Katedralja e Artanës, nga konstruktimi duket se është ndërtuar sipas stilit romanik. Dimensionet e saj janë 30.7 metra në gjatësi dhe 23.4 metra në gjerësi. Katedralja zotëronte dy pjesë: pjesën e vjetër në perëndim dhe pjesën e re në lindje. Sot në muret e gërmadhave të Katedrales, duken mbetjet e pikturave dhe fasadave të larmishme. Gurët e mureve kanë një gdhendje karakteristike, ndërsa gurët që lidhin këndet (qoshet) e Katedrales kanë dimensione të mëdha dhe janë shumëngjyrëshe. Disa gurë kanë ngjyrë kafeje në të çelur e disa të tjera janë të murrme në të bardhë. Brenda hapësirës së Katedrales, ka shumë gurë të latuar, shtylla të thyera në formë të rrumbullakët, ndërsa në disa vende ekzistojnë edhe shtylla prej guri me tri shtresa. Shtresa e parë ka formë katrore dhe dy shtresa tjera janë në formë të rrumbullakët. Në hapësirat brenda mureve të Katedrales duken gjithashtu edhe disa varreza të vjetra, e që mendohet të jenë rreth 900 varreza. Të gjitha këto mbetje (rrënoja) karakteristke të Katedrales së Artanës, mbeten fushë e studimit profesional nga arkeologët tanë!
TYRBJA
Në afërsi të Kalasë së Artanës ndodhet edhe Tyrbja e vjetër osmane, e ndërtuar në shekullin e XVI’të, që i kushtohet ushtarit me emrin Mehmet, i njohur për trimërinë e tij. Në këtë Tyrbe (të pambrojtur nga askush), është një varrë i mbuluar me një shtrojë të gjelbër me shkronja arabe. Gjatë vizitës që i bëra këtij lokaliteti, më 10 gusht 2014, një i moshuar i këtij vendi tregoj se, në maj të çdo viti kjo tyrbe vizitohet nga banorët e rrethinës.
XHAMIA
Përballë Tyrbes, në vitin 1758 është ndërtuar edhe Xhamia e Osman Efendisë, dhe sot si dëshmi ka mbetur vetëm minarja, ndërsa mbi themelet e xhamisë së vjetër (në vitin 1970) është ndërtuar një Xhami e Vogël.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura