HASAN UKËHAXHAJ: KOMITETI I DEÇANIT – LNÇKVSHJ (10)

DEMONSTRATAT E NJË E DY PRILLIT TË VITIT 1981 NË PRISHTINË

Njëmbëdhjetë e njëzetegjashtë marsi paralajmëruan se ajo pranverë në Kosovë e në vise të tjera arbërore do të jetë tjetër fare. Madje, në rrafshin politik e ushtarak do t’i trazojë Jugosllavinë e Shqipërinë. Mund të thuhet, jo vetëm ato.

Përmes Faikut, Avdullahu më propozoi që më 31 mars të shkojmë në Prishtinë për të parë nga afër gjendjen e krijuar. Propozimin ia dërguam edhe Ismailit, i cili na porositi që të jemi të kujdesshëm që të mos binim në ndonjë “pritë”. Duke e pritur autobusin në Pejë, Avdullahun e njoftova se do të kthehet pa mua, sepse një natë do të ndalem te Zenuni… Dritën e gjetëm aty ku punonte – në gjimnazin “Xhevdet Doda”. I treguam se pse ia kishim mësyrë Prishtinës, e ajo na njoftoi me të dhënat që i kishte dëgjuar. Në qendrën e studentëve i takuam në mesin e të tjerëve edhe disa nga nxënësit tanë, të cilët na pasqyruan zhvillimin e demonstratave e sidomos të sjelljes barbare të milicisë serbe. Nga ana jonë, ne i këshilluam që meqë Kosova po eksploatohet pamëshirshëm nga Serbia, atëherë edhe rinia, apo tërë shqiptarët duhet të ngrihen për të mbrojtur pasurinë e Kosovës dhe perspektivën e tyre. Me Avdullahun u ndamë në stacionin e autobusëve.

Me Zenunin banonin tre studentë – djali i axhës së tij, djali i vëllait tim dhe një stërnip i familjes sonë. I ramë kryq e tërthor gjendjes së krijuar deri pas mesnatës; ndërkaq, në mëngjes u dëgjua një trokitje në derë. Doli njëri nga studentët dhe u kthye me kushtrimin “dasma u nis”, i kishte thënë kolegu. Pas të treve, që u përgatiten për demonstratë, edhe Zenuni u nis për në Akademi. Të gjithë më thanë: mos dil nga shtëpia, të gjithëve ua bëra rrafsh…

Shtëpia ishte e Fadil Çelajt nga fshati Kishnarekë i Drenicës, që punonte në Gjermani e fati i jetës në mërgim i kishte përpjekur në të njëjtin vendpunim ku punonte axha i Zenunit. Edhe Drenica e Dukagjini, sikur trevat e tjera shqiptare, krahas të përbashkëtave, i kanë pasur edhe i kanë të veçantat e tyre.  Megjithatë, dy mërgimtarët ishin shoqëruar në ato përmasa saqë kur vinin në Kosovë e vizitonin njëri-tjetrin.  Prandaj, kur kishte dëgjuar se Zenuni jetonte në Prishtinë, drenicaku i kishte thënë axhës së tij se profesori do të vendoset në shtëpinë time; ia di edhe për nder, se ai truall më bëhet me zot.

E ndërtuar në njërën nga kodrat sipër qytetit, Zenuni mbase e hiqte mallin e vendlindjes, mallin e katundit të vogël me emrin Gjocaj, i cili, në saje të penës së Dinë Mehmetit e më vonë edhe të Zenunit, u bë i njohur anekënd Kosovës. Pra, nga ajo kodër i dukej se po e shikonte edhe Junikun, por jo vetëm atë, por tërë Rrafshin e Dukagjinit, sikurse edhe nga bjeshka jonë mund ta identifikonim vendlindjen – Carrabregun… Në oborrin e shtëpisë së drenicakut qëndrova më tepër se një orë. I dëgjoja brohoritjet e demonstruesve, prandaj e ndjeja për detyrë që ta përcjell zhvillimin e ngjarjeve. Vendosa të nisem me shpresë se ndoshta rrugët nuk janë bllokuar.  Brohoritjet e demonstruesve që dëgjoheshin, e pastaj edhe zhurma e makinave të milicisë më emocionuan dhe për një çast m’u kujtuan disa nga vargjet e “Iliadës” shqiptare:

“Me sy t’vrant kundron Alia

Se sa bukur shqyptaria

Rreth e qark i shtrohet para

Me liqej, me lume e ara

Edhe syt i mbushen vaj

kah mendon se fati i saj

Ndër duer t’hueja gjithmonë ngeli

Se ma i keqi përherë e shkeli…”

Kur iu afrova qendrës së qytetit, përveç të tjerave, dëgjoheshin brohoritjet e parullave: “ Trepça punon Beogradi ndërton”, “Jemi shqiptarë nuk jemi jugosllavë” … E para ishte derivacion i “Yllit”, ndërsa e dyta e përshpëritjes së Titos për të krijuar kombin jugosllav, shëmbëllyeshëm synimit të Moskës për ta krijuar kombin sovjetik.

Jam dëshmitar i vetëvetes, sepse i kam dëgjuar edhe brohoritjet “Rroftë Shqipëria!”, “Rroftë Enver Hoxha!” pa arritur ende te gjimnazi tash “Sami Frashëri”. Ndërkaq, dominuese ishte brohoritja e parullës “Kosova Republikë!”

Nuk ishte vështirë të konstatoje se populli shqiptar i Kosovës dhe i viseve të tjera po e shkruante një faqe të re të historisë së vet. Më 1 prill, u zhdavarit mëdyshja se ajo që kishte filluar më 11 mars do të vazhdojë; ndërkaq, përmasat kush mund t’i parashikonte. Isha i vetëdijshëm se çmimi do të jetë i lartë, por liria nuk ka çmim. Ilegali në bli e pat kryer misionin e vet… fillova të mendoj për “vete”: si të kthehem në vendlindje dhe me bashkëveprimtarët t’u përgjigjemi rrethanave të krijuara. Në mesin e asaj mizërie njerëzish e dëgjova zërin, që e njihja: Paske dalë?! Iu përgjigja me pyetjen:  E ti? Ishte Zenuni, i cili në orën e fundit të mësimit kishte shkuar në klasë pa ditarin e punës dhe u kishte thënë nxënësve: pas meje…

Në shtëpinë e drenicakut arritëm vonë, e ndonjë orë pas nesh erdhën dy nga tre studentët. Dërvishi erdhi të nesërmen në mëngjes. Nuk priti pyetje: na zunë duke e tërhequr një të plagosur, e natën e kaluam në një sallë sporti. Afërsisht pas një ore, sërish kushtrimi: “dasma po vazhdon”. Pas studentëve edhe “i zoti i shtëpisë” u nis për në Akademi dhe më prangosi duke më treguar kohën se kur do të kthehej.

Isha i ulur në oborr kur u kthye Zenuni. Përveç uturimës së helikopterëve, që i binin kryq e tërthor qytetit, dëgjoheshin sirenat e automjeteve të milicisë e të ndihmës së shpejt, shiheshin autoblindat dhe njësitë speciale të ardhura nga Beogradi, duke u përleshur me demonstruesit duarthatë. Më shumë mendonim se flisnim, natyrisht, e bluanim të njëjtin “grur”.

 Në mbrëmje, kur studentët erdhën njëri pas tjetrit, Zenuni doli nga shtëpia pa na thënë se ku po shkonte. Pas një ore u kthye i zymtë; meqë e vërejti se po e prisnim ç’të re na solli, e theu heshtjen: Ishte plagosur një nxënës imi, siç më tha familja, jetën e ka në rrezik. Studentët prisnin prej nesh vlerësimin për ngjarjet e zhvilluara, madje edhe parashikime. Flisnim e heshtnim… Më 3 prill u shpall gjendja e jashtëzakonshme; megjithatë, kur u err Zenuni doli sërish nga shtëpia. Më shkoi mendja se për ku u nis; megjithatë, meqë u vonua më tepër se ç’pritej, shqetësimi im shtrihej në dy linja: Ose i riu mund të ketë shkuar në përjetësi, ose Zenuni mund të jetë arrestuar si pasojë e gjendjes së jashtëzakonshme. Ndëkohë, kur unë po i bluaja këto mendime dyshuese, ai erdhi, po më i zymtë se natën e mëparshme. Po të dëgjojmë? Nxënësi kishte shkuar në përjetësi. Nesër do të jem njëri nga shtatë ose tetë pjesëmarrësit në varrim. I bashkova ngushëllime e dhembje për dëshmorin. Më vonë, në Burgun e Nishit, mora vesh se i riu kishte qenë djali i vëllait të veprimtarit Mehmet Hajrizi. Të nesërmen, pasi u përshëndetëm me Zenunin, unë e stërnipi Mon Selmanaj u nisëm për në Dukagjin, e Dervishin e Xhavitin i lamë duke i ndrydhur gishtërinjtë. Nga Prishtina u nisëm diku kah ora 8 e mëngjesit, e në Carrabreg arrita në të njëjtën orë të mbrëmjes. Vetëm në Kryeqytet i plakëm jo më pak se katër orë, nëpër postblloqet që i kishte ngritur milicia e Serbisë. Kur arritëm në Gjakovë, i vërejtëm gjurmët e demonstratës… Qytetin e kishte kapluar një heshtje e trishtë…

Ngjarjet e asaj pranvere janë trajtuar gjatë këtyre katër dekadave, përveçse nga studiues të fushave të ndryshme, edhe në simpoziume e konferenca shkencore, ku nuk ka munguar as kontributi i protagonistëve, si për organizimin, ashtu edhe për mendimet e tyre për segmentet që i karakterizojnë ato. Një ndër tablotë më dinjitoze nga ky aspekt, sipas mendimit tim, e ka dhënë prof. Shaban Sinani. Ndërkaq, në tridhjetëvjetorin e organizimit të tyre, në Prishtinë u mbajt edhe një Konferencë Shkencore… Për të dalë aty ku po synoj, më duhet ta citoj studiuesin e sapocekur: “… Janë vënë ballë për ballë teza e kundërteza, thënie e kundërthënie, gjykime e paragjykime.”

Kjo gjendje mund të ilustrohet me fjalën popullore: njëri i bie thumbit e tjetri patkoit. Prandaj do t’i qasem njërit nga segmentet, për të cilat ka mendime të ndryshme: Cili është emri i atyre ngjarjeve, që ka bazë shkencore: Demonstrata, Kryengritje apo Revolucion se Kundërrevolucion i pat shpallur Jugosllavia, pagëzim me të cilin nuk ia vlen të merrem, sepse është gënjeshtër e paskrupullt politike. Prandaj, po vazhdoj me të sapocekurat përmes një citati: “Me kryengritjen shqiptare në ish-Jugosllavi…”  Këtu më duhet ta sqaroj lexuesin se autori termin e dytë e përdor në përmasa standarde në atë punim prej gjashtë faqesh, me të cilin hapet vepra e cituar. Nuk po vazhdoj me studiues të tjerë, por po theksoj se Simpoziumin e parë për demonstratat e vitit ’81 e ka organizuar Lëvizja Popullore e Kosovës – Dega jashtë vendit, ku morën pjesë, përveç studiuesve dhe protagonistë të ngjarjeve, bashkë me ata që jetonin e vepronin në Gjermani e Zvicër. Ndërkaq, Simpoziumin e nderuan me pjesëmarrjen e tyre edhe dy titanët e Lëvizjes Kombëtare – Adem Demaçi dhe Ramadan Shala. I pari nga Londra e i dyti nga Suedia, ku ishte duke jetuar.  Simpoziumi u mbajt në prill të vitit 1996 në Dyseldorf, për ta shënuar 15-vjetorin e organizimit të tyre.

Pra, pikëpamja se ngjarjet e asaj pranvere ishin kryengritje në kuptimin shkencor të fjalës është krejtësisht e paqëndrueshme. Këtë po e ilustroi me një citat, përmes të cilit, përveç çështjes që po e trajtojmë, marrin përgjigje edhe mendimet tendencioze: “… Masa e dytë me karakter ushtarak … ishte reforma për ristrukturimin e të gjitha forcave të armatosura të Shqipërisë me idenë që, në rast se populli shqiptar në Kosovë nga demonstrata masive do të kalonte në kryengritje të armatosur, Shqipëria të ishte e gatshme të hyj menjëherë.”  Megjithatë, mendoj se pikëpamjet e ndryshme rreth pranverës së vitit ’81 nuk janë të atyre përmasave qysh i mendon studiuesi i cekur më lart. Prandaj, po përpiqem t’i rezymoj të përbashkëtat dhe të kundërtat. Po filloj me të dytat, sepse aty kryqëzohen shpatat. Së pari, po ritheksoj se ngjarjet e asaj pranvere, qysh është bërë zakon të quhen, kanë qenë demonstrata të mirëfillta; si të tilla filluan edhe mbaruan. Pra, nuk ishin as kryengritje e aq më pak revolucion, siç po pëshpëritet aty – këtu edhe nëpër auditoriume…

Së dyti, konstatimi se demonstratat i organizuan studentët, në njërën anë, është i padiskutueshëm; por, në anën tjetër, mendoj se konstatimi mund të saktësohet. Konkretisht, studentët janë “pronarë legjitimë” vetëm të 11 Marsit në Prishtinë, të 25 Marsit në Prizren dhe të atyre që u zhvilluan një ditë më vonë në Prishtinë. Ndërkaq, nga ato të 1 e 2 prillit e deri te ajo e fundit gjatë asaj pranvere “pronar” i tyre është i tërë populli. Po e ilustroj me një nga segmentet që i karakterizojnë: Në mbrëmjen e 1 prillit, përveç të tjerave, edhe amviset e qytetit të Prishtinës dilnin në rrugë për t’u dhënë bukë e ujë demonstruesve, ato i hapnin edhe dyert e shtëpive për t’i strehuar demonstruesit, që ishin përballur me gazin lotsjellës. Se mos nuk u aktivizua i tërë personeli i mantelbardhëve për t’i ndihmuar të plagosurit. Nuk po vazhdoj me segmente të tjera…

Po sovranin e kishte përgatitur dikush, jo me ditë po me muaj e vite. E ai dikushi nuk ishte kurrkush tjetër përveçse Lëvizja Ilegale. Prandaj, gjatë atyre ditëve nuk kishte më as marksistë-leninistë, as Lëvizje, as Front, as PKMLSHJ, ata ishin atdhetarët, të cilët u përcaktuan për kauzën Kombëtare. Prishtina e qytetet e tjera të Kosovës, madje dhe fshatra, në vitet e 70-ta u stolisën me trakte e pamflete, përmes të cilave popullit i bëhej me dije se liria nuk fitohet pa sakrifica, në anën tjetër, pushtuesit po ashtu i bëhej me dije se Lëvizja Ilegale po jetonte në gjirin e popullit.

Titulli i kapitullit nuk më lejon të kthehem prapa më larg se në dy vjetët e fundit para atij që hyri në faqet e historisë sonë të re. Në duart e rinisë së Kosovës, në harkun e sapocekur kohor, si stafeta, përcillej shtypi ilegal: “Liria”, “Bashkimi”, “Lajmëtari i Lirisë” e “Zëri i Kosovës”…

Dihet gjeneza dhe odiseja e kërkesës për Kosovën Republikë; Ndërkaq, Lëvizja Ilegale në programet e saj në vitet e 70-ta e kishte bashkimin kombëtar. Ndërsa, në Demonstratat e Pranverës së vitit 1981 u brohorit në përmasa plebishitare kërkesa për Kosovën Republikë. Prandaj, OMLK-ja ishte e para Organizatë e Lëvizjes Ilegale, që e përqafoi edhe në përmasa programore kërkesën për Kosovën Republikë “Teza rreth frontit popullor për Republikën e Kosovës”, botuar dhe shpërndarë brenda Lëvizjes Kombëtare të Kosovës në maj të vitit 1981.  

Ndërkaq, nuk mund të mos theksohet se edhe Shqipëria, duke iu përgjigjur akuzave të Jugosllavisë se gjoja edhe ajo kishte dorë në ngjarjet e asaj pranvere, e mbështeti kërkesën për Kosovën Republikë. Të dy alternativat mund të jenë objekt analize për një punim të veçantë, prandaj kapitullin po e mbyll me një mendim të Ukshin Hotit: “Viti ’81 përfundon në janarin e vitit ‘90”, që do të thotë se Jugosllavia gjatë tërë asaj dekade nuk arriti ta nënshtrojë Kosovën. Prandaj, ai vit ishte edhe fillimi i fundit të saj. Nga mendimi i studiuesit rezulton se demonstratat i vunë themelet e historisë së re të Kosovës, pra një epokë, e cila flamurin e rezistencës e çoi në duart e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që rezultoi me çlirimin e saj përfundimisht nga Serbia.

(VIJON)

© Pashtriku.org

__________________________

HASAN UKËHAXHAJ: KOMITETI I DEÇANIT – LNÇKVSHJ (11)

KOMITETI I DRENASIT

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura