Ushtria Çlirimtare e Kosovës në tri kohë
Nga Bedri Zyberaj
Hyrje
Sot pothuajse për secilin që ka një rezon minimal të analizës dhe gjykimit racional për proceset historike të zhvillimit të Kosovës, dëshmitarë të së cilës kohës jemi pothuaj çdonjëri prej nesh këtu, është bërë krejtësisht e qartë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) ishte një realitet i domosdoshëm ushtarak dhe politik e cila tanimë është deponuar si e tillë në thesarin e historisë sonë më të re.
Kjo ushtri është themeluar në një kohë mjaft të vështirë dhe, për disa vjet rresht, derisa nuk filloi lufta e hapur, ka qenë e detyruar që të veprojë në rrethana jashtëzakonisht të vështira dhe të mundimshme.
Në rrethana, po ashtu të vështira dhe të mundimshme, ka qenë e detyruar ta zhvillojë edhe luftën, pas përfundimit të së cilës, për shkak të trysnisë politike, brenda një kohe shumë të shkurtër, saktësisht më 19 shtator të vitit 1999, detyrohet të transformohet në një strukturë të re, që e dimë se është quajtur Trupat e Mbrojtjes së Kosovës (TMK) e që dhe kjo, pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, do të shuhet. Vini re! Do të shuhet.
Do të shuhet e jo do të transformohet nga TMK në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) që, kundruar nga këndvështrimi politik, nuk është e njëjta gjë, me atë procesin e mëparshëm të transformimit të UÇK-së në TMK.
Por a përmbyllet i gjithë kapitulli i historisë së kësaj ushtrie pas transformimit të saj në TMK dhe shuarjes së TMK-së më vonë?
Jo.
Para se të shpalos disa çaste të fazave nëpër të cilat ka kaluar historia e krijimit, e zhvillimit dhe e shuarjes së kësaj ushtrie (Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës), më duhet ta vë në pah se ajo (UÇK-ja), si e tillë, me luftën që ka bërë, paraqet kurorëzimin e përpjekjeve të shqiptarëve për çlirim nga ish-Jugosllavia e të gjitha formave të rregullimit të saj (monarkiste, republikane, moniste, pluraliste etj.).
Për mendimin tim, e gjithë historia e zhvillimit dhe e luftës që ka bërë kjo ushtri ka kaluar nëpër tri faza, që e kanë karakterizuar me vështirësi të shumta dhe dinamikë, po ashtu të shumtë, në përmbajtje dhe heroizëm e diplomaci në veprim, për një periudhë mjaft të shkurtër (rreth pesë vjet) të ekzistencës së vet.
Me këtë rast nuk duhet harruar as parahistorinë e saj por që, duke pasur parasysh natyrën e këtij tubimi shkencor, nuk mendoj se është e nevojshme të lëshohem në një analizë të hollësishme të asaj periudhe, për arsyen e thjeshtë, se UÇK-ja, mendoj unë, është e rëndësishme jo për atë që i ka paraprirë formimit të saj, por më shumë, jetësisht më shumë, për atë që ka qenë gjatë ekzistencës së vet dhe për efektet që ka prodhuar në saje të asaj ekzistence.
Megjithatë, fare shkurt do të mund të thuhen në këtë rast disa fjalë edhe për këtë periudhë.
Nëse për demonstratat e vitit 1981 mund të thuhet se nxorën në skenë çështjen e pazgjidhur të shqiptarëve në ish-Jugosllavi, UÇK-ja me luftën e saj imponoi domosdonë e zgjidhjes së një pjese të kësaj çështjeje, atë të Kosovës.
Po cilat ishin fazat nëpër të cilat ka kaluar historia e kësaj ushtrie?
Faza I
UÇK-ja është themeluar më 17 nëntor 1994.
Ky ishte një akt, ndërsa themelimi dhe organizimi i kësaj ushtrie ishte një proces që ka parahistorinë dhe historinë e vet.
Mund të thuhet kështu, sepse akti i themelimit të UÇK-së nuk mund të trajtohet si një moment i izoluar nga koha pararendëse dhe paskoha që i vjen kësaj date.
Akti i themelimit të UÇK-së është rezultat i një historie më të gjatë dhe ka një sfond politik dhe kombëtar të krijimit të vet.
Po cili ishte ky sfond politik në të cilën u krijua kjo ushtri?
Shtrirja e këtij sfondi në thellësi kohore tangon dhe mesjetën, por atë vetëm përmes ideve të Rilindjes Kombëtare të shqiptarëve. Por, formësimin e saj embrionale duhet kërkuar te kjo Rilindje e këtej, e sidomos pas vitit 1913, kur kishte përmbyllur punimet Konferenca e Ambasadorëve në Londër dhe pjesën më të madhe të trojeve shqiptare, përfshi dhe Kosovën, e kishte shkëputur nga trungu amë.[1]
Por, le të kthehemi tek e djeshmja e afërt.
Rreth një dekadë pas demonstratave të vitit 1981 filloi të ndihet më e afërt fryma e një ndryshimi, jo vetëm në ish-Jugosllavi, por gjithandej Evropës Lindore.
Pikërisht në prag të jetësimit këtij ndryshimi, hegjemonizmi serb ia del t’i imponojë ndryshimet kushtetuese të cilat, shqiptarëve në përgjithësi dhe Kosovës në veçanti, ua rënduan më shumë jetën politike dhe shoqërore. Pas aprovimit të këtyre ndryshimeve dhe në saje të tyre jeta institucionale u paralizua pothuajse plotësisht.
Ndryshimet kushtetuese të cilat, pavarësisht prej vullnetit të popullsisë që të mos lejoheshin (por jo dhe të politikës dhe një pjese të inteligjencës sonë të asaj kohe), u formalizuan në mbledhjen e Kuvendit të KSA të Kosovës më 23 mars 1989 e pas një jave, më 28 mars 1989, në Kuvendin e RS të Serbisë, në Beograd. Për shqiptarët e Kosovës këto ndryshime shënuan regresin më të madh që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Me anë të tyre KSAK-së iu mor edhe ajo shtetësi e paktë që e kishte deri në këtë kohë.
Okupimi klasik i cili pasoi këto zhvillime politike rezultoi me përjashtimin e shqiptarëve pothuaj nga të gjitha sferat e jetës politike dhe institucionale. Ata, që të mos i nënshtroheshin këtij okupimi, filluan të bëjnë një lloj organizimi paralel të jetës politike (organizimi në parti dhe shoqata të ndryshme) dhe, pse jo, edhe institucionale (këtu duhet pasur parasysh sidomos shkollimin e të gjitha niveleve dhe shëndetësinë), por që koha me rrjedhën e vet po e dëshmonte se nuk ishte e mjaftueshme për të ardhur deri te çlirimi, përkatësisht deri te liria e plotë e tyre, të cilën e kishin aspiruar me dekada, prej kohës së ndarjes nga trungu amë, më 1913 e këtej.
Përveç organizimeve politike legale, të cilat monitoroheshin pothuaj plotësisht nga shteti i Jugosllavisë së asaj kohe e sidomos nga Republika e Serbisë që në këtë kohë e kishte instaluar kontrollin mbi çdo pore të jetës së shqiptarëve, për fat të mirë, kishte edhe organizata të fshehta antipushtuese që kishin një përvojë më të gjatë veprimi në këtë mënyrë. Të tilla ishin sidomos LPK dhe LKÇK.
Pikërisht në një sfond të këtillë politik, kombëtar dhe shoqëror, lindi UÇK-ja, në saje të një vendimi të LPK-së të datës 17 nëntor 1994, në mbledhjen e Kryesisë së saj, në Arau të Zvicrës.
Kjo datë paraqet pikënisjen e fazës së parë të kësaj ushtrie.
Sprova kryesore që do ta përshkojë këtë fazë mund të përmblidhet me dy fjalë: A do të mund të bëhej ushtria?
Për t’u realizuar bërja e kësaj ushtrie duhej të kalonte shumë sprova të tjera, herë të njëkohshme, herë të njëpasnjëshme, derisa nuk legalizohet më 28 nëntor 1997. Këto sprova ishin të kushtëzuara nga ndërthurja e faktorëve të shumtë, duke filluar prej atyre historikë e deri te faktorët politikë.
Ishte e detyruar të formësohej, zhvillohej dhe të zgjerohej në fshehtësi të thellë, me numër të kufizuar pjesëtarësh, me vështirësi të furnizimit me armatim dhe, sidomos, me një injorim politik nga organizimet politike në Kosovë (në disa raste dhe me akuza të rënda në adresë të saj[2]) që po ushtronte veprimtari “legale” në bazë të legjislacionit të ish-Jugosllavisë së mbetur (Serbi – Mali i Zi).
Edhe në raport me shtetin amë – Shqipërinë – kishin ndryshuar rrethanat politike. Forcat e reja që kishin ardhur në pushtet, LPK-në dhe krijesën e saj, UÇK-në, nuk i shikonin me sy të mirë për shkak të, gjoja, orientimit të tyre majtist dhe traditës së lidhjeve të kësaj organizate me ish-partinë shtet të kohës së monizmit. Në fakt, e vërteta në lidhje me këtë pretendim nuk mund të shpjegohet në këtë mënyrë, sepse këto organizata të fshehta nuk i kishin të konsoliduara lidhjet për arsye ideologjike, por për arsye praktike dhe ishin lidhje dhe raporte me shtetin shqiptar.
Kështu, nëse mund të thuhet se lëvizjet e pjesëtarëve të UÇK-së në ish-Jugosllavinë e mbetur ishin të vështira, në shtetin shqiptar tani u bënë më të kufizuara. Megjithatë, UÇK-ja, siç dihet tanimë pothuajse nga të gjithë, pavarësisht prej këtyre pengesave dhe vështirësive, ia kishte dalë të mbijetonte dhe, gradualisht, të konsolidohej për t’i dhënë vulën e vet një kohe të mëvonshme që paraqet fazën e dytë dhe më kulmore të veprimtarisë së saj.
Ajo është periudha e viteve 1997-1999.
Faza II
Më 28 nëntor 1997, tre ushtarë të UÇK-së (Rexhep Selimi, Mujë Krasniqi dhe Daut Haradinaj), në Llaushë të Skenderajt do të paraqiten në varrimin e mësuesit Halit Geci, i vrarë nga forcat serbe një ditë më parë, dhe do ta dëshmonin publikisht ekzistencën e UÇK-së, për të cilën deri në këtë kohë flitej me dyshim.
Ky çast ishte pritur me entuziazëm nga qytetarët.
Akti i flijimit të familjes Jashari në Prekaz më 5, 6 dhe 7 mars 1998, përkundër asaj që kishte synuar e planifikuar shteti i Serbisë, i dha luftës një impuls të ri, por edhe për UÇK-në ishte një sprovë e re, sepse tani i duhej ta përballonte edhe presionin publik të popullsisë e cila manifestonte një entuziazëm dhe gatishmëri të paparë që të rreshtohej e t’i kapte armët e kësaj ushtrie.
UÇK-ja nuk e kishte atë mundësi që t’i përgjigjej pozitivisht kësaj kërkese. Derisa veshmbathja dhe ushqimi nuk ishin problem, armatimi, që në këtë kohë duhej më shumë se buka, ishte elementi më i vështirë për t’u siguruar.
Sprova e fazës së parë, se a do të mund të bëhej ushtria, në fazën e dytë kishte ndryshuar. Prapë si mundësi, por me një qëllim tjetër. A do të mund të bëhej lufta?
Qëndresa heroike dhe flijimi i familjes Jashari nuk pati ndikim vetëm te faktori i brendshëm, por sidomos tek ai i jashtëm. Këtë na e dëshmon ish-sekretarja shtetërore e ShBA-së, znj. Medlin Ollbrajti (Madeleine Albright), në librin e saj autobiografik “Zonja sekretare” ku, duke iu referuar luftës së familjes Jashari, shkruan: “Po të kish qenë një incident i veçuar, do të kishte qenë një tragjedi pa ndonjë ndikim në shkallë botërore, por vrasjet (në familjen Jashari – B. Z.) duheshin parë në kontekstin e tyre historik”.[3]
Ky kontekst historik, të cilin e thekson znj. Ollbrajt, zë fill që nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër më 1913, atëherë kur, siç thotë prof. dr. Arben Puto, “në kundërshtim me parimin e kombësisë dhe pa marrë parasysh fare shprehjen e vullnetit të popullsisë vendëse, Shqipërisë iu shkëputën krahina të tëra si Kosova, Rrafshi i Dukagjinit dhe tokat shqiptare të pjesës perëndimore të Maqedonisë” [4] dhe i ishin dhënë Serbisë e Malit të Zi.[5]
Pra, qasja e aktorëve me ndikim në faktorin ndërkombëtar, ShBA-së në këtë rast përmes sekretares shtetërore ndaj këtij akti, shënon një kërcim cilësor, sepse luftën e familjes Jashari nuk e konsideroi si një “incident” të izoluar por, duke e vënë në kontekstin historik të zhvillimit të ngjarjeve në Kosovë, mundësoi krijimin e një parakushti të favorshëm për ndërgjegjësimin e mëvonshëm të tij, angazhim i cili, siç do të shihet më vonë, do të përfaqësohet dhe mbrohet nga ShBA-ja në rend të parë, pastaj nga Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia dhe vende të tjera të botës perëndimore.
Por le të kthehemi në zhvillimet e ngjarjeve të vitit 1998-1999, në Kosovë dhe rreth saj që, sido që ta marrësh, nuk mund t’i shkëpusësh nga vendimet e asaj Konference, sepse janë pasojë e tyre.
Luftërat janë fenomene komplekse dhe komponentë e rëndësishme, për të mos thënë vendimtare, është gjetja e aleatëve dhe përfitimi i përkrahjes së tyre si dhe bashkëpunimi me ata që mbështesin kauzën e për të cilën fillohet lufta. Nga kjo e vërtetë s’ka se si të bënte përjashtim dhe lufta e UÇK-së. Prandaj, drejtuesit e saj do të nisin të bëjnë kontakte me faktorët me ndikim dhe vendimmarrës në politikën ndërkombëtare. Këto kontakte, në krye të herës do të bëhen, larg syrit të opinionit publik që më i rëndësishmi ishte takimi i parë i z. Hollbruk me përfaqësuesit e UÇK-së në Zvicër.[6] Pas rreth një muaj po ky ambasador do ta bëjë takimin e dytë, në Junik, më 24 qershor 1998[7] që, sipas Bedri Islamit, nuk ishte asgjë tjetër, përpos njohje “faktike e saj (UÇK-së – B. Z.) si forcë politike e jo vetëm ushtarake”.[8]
Në fakt, ky ishte “qëndrimi i ri amerikan ndaj UÇK-së”[9], siç konstaton me të drejtë Paskal Milo, ministër i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë në atë kohë, qëndrim që s’do mend se i dha një shtysë të fortë promovimit të UÇK-së si forcë politiko-ushtarake në arenën ndërkombëtare.
Depërtimi në arenën ndërkombëtare dhe vënia e relacioneve të nevojshme me faktorët e duhur ndërkombëtarë ishte një domosdoshmëri tjetër për UÇK-në, në këtë kohë dhe, edhe këtë domosdoshmëri UÇK-ja po e përmbushte me sukses.
Bashkëpunimit me faktorin ndërkombëtar, që ishte një front më vete, UÇK-ja i kushtoi vëmendjen e duhur dhe arriti t’i japë zgjidhjen e duhur. Në saje të tejkalimit me sukses të kësaj sfide, pak më pak se një vit pas fillimit të luftës në përmasa më të gjera, bota demokratike do ta pranojë arsyeshmërinë e kësaj lufte dhe do të angazhohet për t’i gjetur një zgjidhje të lakmueshme. Prandaj, për këtë arsye dhe u thirr dhe u mbajt ajo që tani njihet si Konferenca e Rambujesë (6 – 23 shkurt)[10] dhe 14-19 mars 1999)[11], nga e cila rezultoi ndërhyrja ushtarake e NATO-s me sulme ajrore kundër infrastrukturës dhe segmenteve të sigurisë të shtetit të ish-Jugosllavisë, respektivisht kundër Serbisë, pasi që kjo e fundit diktonte krejtësisht politikën e asaj federate jugosllave që kishte mbetur pas shkëputjes së Sllovenisë, Kroacisë, Maqedonisë dhe Bosnjë-Hercegovinës.
Në një takim të kryesisë së delegacionit që e përfaqësonte Kosovën në këtë Konferencë (Hashim Thaçi – kryetar, ndërsa Ibrahim Rugova dhe Rexhep Qosja – anëtarë) me ministrin e Punëve të Jashtme të Italisë, z. Lamberto Dini që, në emër të Grupit të Kontaktit, kishte shkuar në Rambuje, përkundër faktit që ai dhe vendi i tij kishin një lloj rezerve dhe hezitonin për përkrahjen e luftës së UÇK-së. Ai, ndër të tjera, deklaron: “Suksesi (e ka fjalën për suksesin e Konferencës që duhet të jetë marrëveshja – B. Z.) duhet të arrihet sepse ju keni luftuar për të. Po të mos kishit luftuar, autoritetet e Beogradit nuk do të vinin këtu”.[12]
Me Marrëveshjen që nënshkroi delegacioni i Kosovës, në krye të të cilit ishte drejtori i Drejtorisë Politike të UÇK-së, z. Hashim Thaçi, UÇK-ja e plotësoi veten dhe me një tjetër lloj arme – ajrore, e cila ishte në pronësi të strukturës më të fuqishme ushtarake në historinë e njerëzimit – NATO dhe udhëhiqej e përdorej prej saj kundër Serbisë gjakatare.
Luftimet që po zhvilloheshin në terren nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës do të plotësoheshin me sulmet e NATO-së që filluan më 24 mars 1999 dhe që i dhanë vulën përfundimtare çlirimit të Kosovës.
Pas 78 ditë sulmesh, më në fund Serbia pranon të dorëzohet, por vetëm para faktorit ndërkombëtar. Ky akt formalizohet me Marrëveshjen e Kumanovës.
Edhe kjo fazë që, kuptohet, ishte ndër më të vështirat, sepse politika jo që nuk i jepte mbështetje UÇK-së dhe luftës së saj por, për më tepër, vazhdonte ta kundërshtonte atë si “të paduhur”, “të panevojshme”, “të nxituar”, “aventuriere”, për të mos thënë edhe “të gabuar”, u përmbyll me sukses.
Faza III
Pas Marrëveshjes së Kumanovës dhe miratimit të Rezolutës së KS të OKB-së me nr. 1244, në qershor të vitit 1999, brenda pak ditësh, në Kosovë u dislokuan administrata e UNMIK-ut dhe forcat e KFOR-it.
Ky veprim do të pasohet me bisedimet për t’i gjetur një zgjidhje problemit të UÇK-së dhe pak më pak se tre muaj pas përfundimit të luftës, saktësisht më 19 shtator 1999, në praninë edhe të komandantit të NATO-s, Vesli Klarkut, përkundër dëshirës së drejtuesve dhe pjesëtarëve të UÇK-së, do të bëhet transformimi i saj në TMK, që ishte një lloj vazhdimësie e të parës, pavarësisht se kishte emër të ri. Transformimi i UÇK-së në TMK mund të pranohet si i arsyeshëm, sepse tani në Kosovë ishte dislokuar NATO përmes strukturës së saj KFOR, dhe misioni i asaj që e trashëgoi TMK-ja ishte i ri, ngaqë kishin pushuar rrethanat e luftës.
TMK-ja do të funksionojë si e tillë deri më 21 janar të vitit 2009, kur do të bëhet shuarja e saj dhe do të formohet FSK-ja.
Për mua këtu përmbyllet historia e ekzistimit të UÇK-së.
Përmbyllet kapitulli i të bëmave të saj si strukturë politiko-ushtarake por, si për ironi, kjo gjë nuk do të ndodhë dhe për themeluesit, drejtuesit dhe pjesëtarët e saj.
Administrata e UNMIK-ut, pas saj edhe e EULEX-t, paralelisht me hetimet për krime të luftës të palës serbe, do t’i fillojnë dhe do t’i bëjnë edhe ndaj pjesëtarëve të UÇK-së.
Një gjë e tillë kishte ardhur si rrjedhojë e një fakti të cilin vite më parë e kishte pikasur Arbën Xhaferi dhe e kishte vlerësuar si lëshim të faktorit ndërkombëtar që, edhe pas katër luftërave që ishin bërë në ish-Jugosllavi (Slloveni, Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë dhe Kosovë) nuk e kishte definuar fajtorin, paçka se Serbia kishte qenë shkaktarja e secilës prej këtyre katër luftërave.
Kjo qasje, në rastin e Kosovës dhe me UÇK-në, mëtonte (dhe jo pa sukses ia doli) që t’i barazonte palët duke i konsideruar të dyja fajtore. Në saje të kësaj filloi një gjueti e ethshme kundrejt pjesëtarëve të UÇK-së, dhe grupe të shumta të tyre të zonave të ndryshme të UÇK-së u arrestuan dhe u gjykuan e dënuan me vite të tëra burgim.
Megjithatë, si duket kishte të atillë që nuk u kënaqën me atë që u bë kundër pjesëtarëve të UÇK-së nga gjykatat ndërkombëtare (UNMIK dhe EULEX) në Kosovë dhe në Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës, ku u gjykuan dhe dy nga figurat e rëndësishme të luftës sonë, Fatmir Limaj dhe Ramush Haradinaj.
Të tillët vazhduan të bironin e zhbironin mundësi që të gjenin ndonjë formë apo ndonjë arsye për ta vazhduar përpjekjen me të vetmin qëllim që ta komprometonin luftën e UÇK-së dhe, rrjedhimisht, edhe NATO-n që gjatë kohës së luftës i kishte dhënë mbështetje luftës së kësaj ushtrie. Këto përpjekje u shtuan sidomos pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008. Dhe u gjetën argatët e errësirës, sepse të tillët nuk kishin munguar as gjatë kohës së luftës. Le ta kujtojmë në këtë rast qëndrimin e Rusisë, i cili shpaloset në një shkrim të gazetës ruse Izvestia më 22 korrik 1998. Kjo gazetë në këtë artikull i referohet luftës së Rahavecit të datës 17 deri më 21 korrik të vitit 1998, me ç’rast, përveç që shpalos qëndrimin solidarizues të Moskës zyrtare me Beogradin, shprehet edhe kundrejt luftës së UÇK-së, duke ua hedh shqiptarëve “gjithë fajin për acarimin e situatës”.[13]
Pa u plotësuar as një dekadë nga koha e përfundimit të luftës së Kosovës, fillimisht ish-prokurorja e Tribunalit të Hagës për krimet e luftërave në Jugosllavi, në librin e saj të titulluar “Gjuetia – unë dhe kriminelët e luftës” e kishte bërë publik idenë se, gjoja, pjesëtarët e UÇK-së kanë bërë krime monstruoze. Them idenë, por jo dhe faktet, sepse po të ishte e vërtetë ajo që thuhet në këtë libër nga autorja, ish-kryeprokurorja nuk do të kishte kursyer asgjë për ta ndriçuar të vërtetën sa ka qenë kryeprokurore e Tribunalit të Hagës, sepse e ka pasur dhe detyrim ligjor e jo tani ta bënte këtë përmes propagandës. Megjithatë, kjo ide që ishte lansuar nga ky libër në formë tullumbaceje, ishte brumi fillestar që më 2008 që do të merret nga deputeti rus Konstantin Kosaçev, për t’ia dorëzuar pastaj stafetën kryetarit të Komisionit për Politikën e Jashtme në Këshillin e Shteteve të Konfederatës Helvetike, Dik Martit. Ky i fundit, i yshtur mbase dhe nga antiamerikanizmi i tij i theksuar[14], duke iu kundërvënë politikës zyrtare të Zvicrës, e cila ishte ndër të parat shtete që e njohu Pavarësinë e Kosovës, në dhjetor të vitit 2010 doli me një Raport që e dërgoi për shqyrtim dhe miratim në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe kjo Asamble e miratoi atë Raport që, siç do ta dëshmojnë hetimet e mëvonshme, do të rezultojë të jetë i trilluar ngaqë asgjë nga pretendimi se ka pasur trafikim organesh nuk do të vërtetohet jo nga gjykata, por as edhe nga hetuesia dhe prokuroria që do të bëjnë punën paraprake. Me këtë rast, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës e, mbase, vetë Dik Marti, do të futen në lajthitje nga Konstatn Kosaçevi prej Rusisë.
Miratimi i këtij Raporti prodhoi jo vetëm efekt juridik por, pse jo, dhe moral e politik.
Për pasojë, pas miratimit të këtij Raporti, qasja e mëparshme e botës demokratike ndaj shqiptarëve dhe sidomos ndaj UÇK-së do të përmbyset pothuaj tërësisht.
Formalizimi i Raportit krijoi një parakusht të pashmangshëm në bazë të të cilit do të fillojë të trajtohet ky pretendim dhe, për pasojë, do të vihen në lëvizje politikanë, shtete e mekanizma ndërkombëtarë, përkrahës të luftës së djeshme të UÇK-së, dhe do të kërkojnë nga udhëheqja e Kosovës që të formojnë një tip gjykate që, unë nuk di të ketë ekzistuar më parë në ndonjë vend tjetër të botës dhe për ndonjë luftë.
Kuvendi i Republikës së Kosovës, më 3 gusht të vitit 2015, kuptohet nën presionin e kësaj trysnie të madhe politike dhe diplomatike, miraton Ligjin nr. 05/L -053 për Dhomat e Specializuara dhe Prokurorinë e Specializuar.
Këto dhoma u imponuan nga vendimi i sipërpërmendur, bazuar mbi një akuzë krejtësisht politike e të pavërtetë, e ideuar e hartuar më parë nga një politikan, sipas të cilit, “struktura të UÇK-së kanë kryer trafik të organeve të qenieve njerëzore me robërit e luftës”, por që nuk u vërtetuan (nuk u vërtetuan se nuk ka pasur) nga hetimet paraprake të Klint Williamsonit (Klint Viliamson), që rezultuan si rrjedhojë e aprovimit të Raportit. Megjithatë, pavarësisht se këto pretendime nuk u vërtetuan, Dhomat e Specializuara dhe Prokuroria e Specializuar ngelën.
Ky pretendim ishte një akuzë e re e monstruoze, që legjitimoi politikisht shkeljen e parimit të mosgjykimit të gjësë së gjykuar, madje nga një gjykatë në hierarki më të ulët se gjykata a mëparshme që ishte Tribunali i Hagës për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi, një rast ky i paprecedent në të drejtën ndërkombëtare e në praktikën e çdo shteti demokratik.
Mbi bazën e këtij ligji, tani, pothuaj të gjithë drejtuesit kryesorë të UÇK-së gjenden në paraburgim dhe presin gjykimin.
Dhomat e Specializuara janë një precedent historik; ato janë imponuar me vendim politik të Këshillit të Evropës, bazuar mbi një aktakuzë publike, gjithashtu politike. Po të kishte diçka faktike, do të ishte e pamundur që të mos i binte në gjurmë prokuroria e Tribunalit të Hagës për luftërat në ish-Jugosllavi, Tribunal i cili ka bërë hetime dhe ka zhvilluar gjykime, siç e thash më lart, edhe për UÇK-në.
Nisur nga ky fakt, tani natyrshëm na imponohet pyetja se: si është e mundur që të gjitha krimet e luftërave që pasuan shkatërrimin e RSFJ-së, përfshirë dhe ato të shkaktarit kryesor të këtyre luftërave – shtetit të Serbisë, të trajtohen vetëm nga Tribunali i Hagës për ish-Jugosllavinë dhe nga gjykatat vendëse, ndërsa për pjesëtarët e UÇK-së, përveç këtij Tribunali dhe gjykatave të UNMIK-ut dhe EULEX-it (gjykata që më së paku mund të quhen vendore), të ngrihet edhe një mekanizëm i veçantë, i paparë në historinë moderne, të emërtuara Dhoma të Specializuara që ndjekin krimet mbi bazën e kriterit etnik, më saktë vetëm “të përkatësisë” së UÇK-së?!
Për më tepër, është i papaarsyeshëm zgjerimi i fushëveprimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara përkitazi me lëndën arkivore të punës së këtyre dhomave dhe instancave të tjera, nën parimin “lex specialis”.
Këtu do të ndalesha te dy paragrafët e Nenit 62 të Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.[15]
Ç’emërtim interesant!?
“Dhomat e specializuara”, që nënkupton gjykatat dhe “Prokuroi i specializuar”!
Emërtimet e këtilla na thonë se këta (gjykatësit dhe prokurorët e mandatuar me këtë ligj) janë të specializuar. Kjo gjë i bën ata të ndryshëm nga gjykatësit e prokurorët e tjerë (të Tribunalit të Hagës, përfshirë dhe ata të UNMIK-ut, EULEX-it, por dhe vendorë), sepse janë “të specializuar”. Po gjykatësit dhe prokurorët e Tribunalit të Hagës për Jugosllavinë, të UNMIK-ut dhe EULEX-it që, po ashtu, me mandat ligjor kanë pasur obligim dhe i kanë hetuar krimet e luftërave në ish-Jugosllavi, përfshirë dhe Kosovën[16], deri në miratimin e Rezolutës së Dik Martit nga Këshilli i Evropës), nuk kanë qenë të specializuar?!
Praktika na tregon se mund të ketë gjykatës e prokurorë të mirë, më të mirë dhe shumë më të mirë, të zotë ose shumë më të zotë, por të ketë dhe gjykatës e “prokuror të specializuar”, që nënkupton dhe të kundërtën, të paspecializuar, këtë nuk e kam dëgjuar ndonjëherë.
Por le të kthehemi te përmbajtja e dy dispozitave të nenit 62 të ligjit që e theksova më lart.
Në to thuhet:
Duke i pasur parasysh rrethanat e sigurisë dhe privatësisë, dokumentet, letrat, të dhënat dhe arkivat e Dhomave të Specializuara, Zyrës së Regjistrimit dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar nuk konsiderohen dokumente publike të Kosovës. E drejta e përgjithshme për të pasur qasje në të dhënat apo arkivat e Dhomave të Specializuara, përfshirë të Zyrës së regjistrimit dhe të Zyrës së Prokurorit të specializuar, nuk ekziston (nëviz. imi – B.Z.)
Ky mohim i të drejtës, për të pasur qasje në dokumentacionin që prodhojnë këto dhoma të cilat janë institucione të Republikës së Kosovës, nuk nënkupton vetëm mohimin e të drejtës për të pasur qasje personat fizikë që mund të jenë studiues dhe hulumtues të ndryshëm në të ardhmen por, për më tepër, duke saktësuar se dokumentet që prodhojnë këto dhoma që thonë se janë institucione të Kosovës nuk konsiderohen dokumente publike të Kosovës, e privon shtetin e Kosovës dhe sidomos Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës nga e drejta e pasjes në administrim të një sasie të konsiderueshme të materialit arkivor të cilin institucioni ynë – Arkivi i Kosovës – është përgjegjës për ta mbledhur, ruajtur dhe dhënë për shfrytëzim sipas legjislacionit që është në fuqi.
Me këtë ligj, dorëzimi i dokumentacionit që do të prodhojnë këto dhoma dhe kjo Prokurori, rrjedhimisht dhe pranimi nga ana e Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, nuk do të bëhet asnjëherë. Dokumentacioni që do të prodhojnë këto institucione nuk do të kthehen në Kosovë dhe, rrjedhimisht, nuk do të dorëzohen në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës siç rregullohet kjo çështje me Ligjin për Arkivat nr. 08/L-111, konkretisht me paragrafët 2 dhe 3 të Nenit 13 të këtij ligji. Mospërfillja e këtyre dy dispozitave do të rezultojë me një të vërtetë të hidhur. I gjithë fondi i dokumentacionit që do të prodhojnë këto dhoma deri në momentin e shuarjes së tyre nuk do të dorëzohet në Agjenci si institucioni i vetëm përgjegjës për ruajtjen dhe për administrimin e dhënien për shfrytëzim të materialit arkivor të Kosovës, jo vetëm pas shuarjes së tyre siç rregullohet kjo çështje me paragrafin 3 të këtij neni, por duke mos i konsideruar dokumente publike të Kosovës, ato nuk do të dorëzohen në AShAK edhe pasi ta përmbushin afatin prej 30 vjetësh siç thuhet në paragrafin 2 të të njëjtit nen dhe ligj.
Kësisoj, Arkivi Qendror, që është një prej arkivave që me ligj definohet se është institucion shtetëror ose joshtetëror i specializuara që mbledh, përpunon, administron, ruan dhe e ofron për shërbim pasurinë arkivore e cila mbrohet dhe sigurohet nga shteti,[17] privohet nga e drejta e pranimit dhe e posedimit të atij numri të dokumentacionit që do të prodhohet nga këto dhoma.
Kjo për Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, në kuadër të së cilës është edhe Arkivi Qendror, paraqet jo vetëm një mosbesim në këtë institucion për përmbushjen e detyrave të përcaktuara me mandat ligjor por, për më tepër, edhe një privim të tij nga e drejta e posedimit të një pjese të thesarit arkivor me vlera të veçanta për historinë e re të Kosovës si vend dhe sidomos si shtet i cili ka rezultuar si produkt i natyrshëm i një lufte titanike me të cilën, tani, 20 vjet pas përfundimit të saj dhe 12 vjet pas shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, ka filluar një odisejadë e re e marrjes me atë luftë.
Ky paragjykim për AShAK-në si institucion përgjegjës për ruajtjen e pasurisë arkivore të Kosovës, i normëzuar tani me ligj, ishte arsyeja e dytë, pas asaj të parës që ishte Raporti i Dik Martit, të cilat drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, z. Ardit Bido dhe mua, në cilësinë e drejtorit ekzekutiv të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, në krye të herës, na e ngacmoi idenë për të dalë me një reagim të përbashkët të dy institucionet tona. Kjo gradualisht u formësua dhe si reagim kundrejt një padrejtësie që po i bëhej luftës së shqiptarëve për çlirim, për barazi dhe të drejta të plota siç i gëzojnë të gjithë qytetarët e kontinentit të Evropës.
Kësaj nisme menjëherë iu bashkua edhe Instituti Albanologjik i Prishtinës, respektivisht drejtori i këtij Instituti, prof. dr. Hysen Matoshi, për t’u zgjeruar më tej dhe me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Shqipërisë dhe institucionet e tjera me të cilat kemi hartuar dhe një deklaratë kundër kësaj padrejtësie që po i bëhet luftës së UÇK-së dhe gjithë Kosovës e të cilën e kanë nënshkruar drejtuesit e institucioneve pjesëmarrëse në këtë sesion shkencor.
Deklaratën e kemi publikuar më 25 nëntor 2020, datë në të cilën kishim planifikuar ta mbanim këtë sesion shkencor, por që qemë të detyruar ta shtyjmë për shkak të masave kufizuese kundrejt pandemisë Covid-19.
Përfundim
Nga sa u vu në pah më lart, mund të përfundoj se qasja e drejtësisë, duke manifestuar paragjykim të nënkuptuar ndaj një etnie, si në këtë rast kundër UÇK-së që, siç thashë në fillim, është produkt i një përpjekjeje të gjatë të shqiptarëve për çlirim dhe liri njerëzore, nuk është rruga e duhur për të shkuar drejt një kuadri të vlerave e synimeve shoqërore e kolektive të përbashkëta, sipas shembujve të shteteve më të përparuara për respektimin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, demokracisë liberale dhe të shtetit të së drejtës.
Sipas gjykimit tim, dhe mendoj se kam të drejtë në këtë që e them, kjo lëndon rëndë parimet themelore të drejtësisë, më saktë është në kundërshtim me parimin e barazisë së palëve para ligjit që drejtësia e çdo vendi dhe e çdo institucioni përgjegjës për ndarjen e saj duhet ta ketë alfën e saj.
Duke i sendërtuar këto dhoma me një ligj të tillë, kuptohet për shkak të një trysnie ndërkombëtare, kemi krijuar kushtet për një ndërmarrje juridike në emër, të gjoja, drejtësisë por që, në fakt, nuk është asgjë tjetër përpos mundësi ligjore për realizimin e përpjekjeve të qarqeve e individëve të caktuar për të përbaltur e deformuar të vërtetën historike.
UÇK-ja në krye të herës ka qenë fryt i një reagimi të shqiptarëve kundër robërisë dhe shtypjes së gjatë të shtetit të Serbisë, ndërsa lufta e saj ishte përpjekje për mbrojtje të ligjshme të shqiptarëve nga dhuna, dëbimet, shpërnguljet dhe vrasjet masive të shtetit të Serbisë, me qëllim të spastrimit etnik të Kosovës. Pra, lufta e saj, që nënkupton dhe luftën e shqiptarëve të Kosovës, ishte luftë çlirimtare.
Lufta çlirimtare, e udhëhequr nga UÇK-ja, në thelbin e saj programor, kishte shpëtimin e qenies etnike shqiptare nga shfarosja, mbrojtjen e ndaljen e krimeve ndaj shqiptarëve dhe jo ushtrimin e tyre ndaj të tjerëve.
Çdo deformim i rolit të UÇK-së, i misionit dhe qëllimit themelor të saj; çdo njollosje e kategorizim i UÇK-së si një ndërmarrje kriminale e jo si një ushtri popullore, vullnetare, çlirimtare e vetëmbrojtëse, përbën në vetvete një përpjekje për të njollosur jo individë të caktuar, por vetë vlerat kombëtare të popullit shqiptar të Kosovës, si një popull liridashës e paqësor, si një popull viktimë e spastrimeve etnike e jo nxitës e promotor i politikave gjenocidiale. Për më tepër, kjo është një përpjekje për t’i minuar themelet e shtetit të Kosovës, ngrehina e të cilit, pa luftën e UÇK-së, as që mund të paramendohet.
Nga sa u tha më lart, rrjedh se UÇK-ja me luftën e saj tani më është pjesë e historisë së kombit tonë dhe, edhe pse pati një histori të shkurtër, ajo i ka dhënë vulën e vet historisë më të re të Kosovës dhe jo vetëm asaj. Por në të njëjtën kohë, edhe pse në luftën e saj (UÇK-së) u mishërua rezistenca kundër shtypjes dhe robërisë njëshekullore dhe morën vlerë sakrificat e brezave të tërë për liri kombëtare, barazi e drejtësi sociale për shqiptarët e Kosovës, si asnjë rast tjetër, “drejtësia” rend pas saj si një hienë e pangopur.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës, duke qenë organikisht e lidhur me historinë e kombit shqiptar, si asnjë strukturë tjetër, ndanë fatin me këtë histori, të vërtetën e së cilës, Xhevahir Spahiu, në poezinë “Historia jonë”, e ka skalitur me vargjet: ehut të shpatës kemi ecur rrufe / Pastaj shpata ka ecur mbi ne.[18]
(Marrë nga libri “Ushtria Çlirimtare e Kosovës, vlerë kombëtare”, botuar nga Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës. Kjo kumtesë është paraqitur në sesionin shkencor mbajtur në Prishtinë më 7 mars 2022, organizuar nga: Instituti Albanologjik i Prishtinës, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave e Shqipërisë dhe Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës. Kumtesat e njëzet intelektualëve shqiptarë gazeta “Epoka e re”, përpos në portal, do t’i botojë për njëzet ditë me radhë edhe në formatin pdf. Librin mund ta gjeni në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës.).
……………………..
[1] Arben Puto, Historia diplomatike e çështjes shqiptare 1878-1926, Dudaj, Tiranë 2010, f. 144. [2] Bedri Islami, në librin e tij Triada e Kosovës, [Autori], Tiranë, 2021, përveç të tjerave, në f. 173-174 sjell dhe këtë shënim: Më 25 mars 1998, kur në Kongresin Amerikan po dëgjoheshin dëshmitë për Kosovë, pyetjes së ambasadorit Gelbard drejtuar kryeministrit në ekzil, z. Bujar Bukoshi, se ç’mendim kishte për UÇK-në, z. Bukoshi i ishte përgjigjur: Ushtria Çlirimtare e Kosovës është një grupacion i njerëzve të frustruar, fshatarëve injorantë, të manipuluar nga fundërrinat e marksizëm-leninizmit dhe të sigurimit të Enver Hoxhës të cilët me veprimet e tyre terroriste (Vini re: terroriste, – B. Z.) provokojnë policinë serbe”. [3] Madeleine Albright, Zonja sekretare, Dudaj, Tiranë 2004, f. 442. [4] Arben Puto, Historia diplomatike e çështjes shqiptare 1878-1926, Dudaj, Tiranë 2010, f. 144. [5] Më gjerësisht për këtë çështje shih kapitullin VI, Historia diplomatike e çështjes shqiptare 1878-1926, Dudaj, Tiranë 2010, f. 129-154. [6] Më gjerësisht shih te Bedri Islami, Triada e Kosovës, Tiranë 2021, f. 281-304. [7] Hajdin Abazi, Takimi në Junik, takimi i parë publik diplomatik ShBA-UÇK, AAB, Prishtinë, f. 27. [8] Bedri Islami, Triada e Kosovës, Tiranë 2021, f. 170. [9] Paskal Milo, Ditari i një ministri të Jashtëm, Konflikti i Kosovës 1997-2001, Toena, Tiranë, 2009, f. 73. [10] Në Konferencën e Rambujesë delegacioni i shqiptarëve, duke e caktuar Hashim Thaçin shef, i dha fuqi legjitimitetit të luftës së UÇK-së. Për këtë më gjerësisht në pjesën Zgjedhja e Shefit të Delegacionit, në librin e Rexhep Qosjes Paqja e përgjakshme, botim i Institutit Albanologjik të Prishtinës, Prishtinë, 2020, f. 33-36. [11] Më gjerësisht shih te Ramë Buja, Konferenca e Rambujesë, Prishtinë 2006, f. 57-147 dhe te Ramë Buja, Çështja e Kosovës dhe shkatërrimi i Jugosllavisë, Universiteti AAB, Prishtinë, 2007, kapitulli i pestë, f. 299-453. [12] Rexhep Qosja, Vepra XIX, Paqja e përgjakshme, Instituti Albanologjik, Prishtinë 2010, f. 119. [13] Më gjerësisht shih te Shaqi Vukaj, Rusia dhe Kosova, shënime të një diplomati, Tiranë, 2007, f. 162 e tutje. [14] Mund të thuhet kështu sepse ShBA-ja, së bashku me Britaninë e Madhe, ishin mbështetësit kryesorë të luftës së UÇK-së dhe udhëheqësit e fushatës së bombardimeve të infrastrukturës së sigurisë së ish-Jugosllavisë, përkatësisht Serbisë. Dhe jo pak zëra janë kundër ShBA-së të cilët nxjerrin kokën kurdo që u jepet mundësia për një gjë të tillë, vetëm që të krijojnë efekt politik antiamerikan. [15] https://gzk.rks-gov.net/ActDetail.aspx?ActID=11036 [16] Po të mos ishte kështu, nga Tribunali i Hagës për luftërat në ish-Jugosllavi nuk do të zhvilloheshin proceset gjyqësore ndaj Fatmir Limës, Haradin Balës e Agim Musliut, si dhe ndaj Ramush Haradinajt, Lahi Brahimajt dhe Idriz Balajt. [17] Paragrafi 1.2 i nenit 3 të Ligjit nr. 08/L-111 për Arkivat. [18] Xhevahir Spahiu, Kohë e krisur, Shtëpia Botuese e Lidhjes së Shkrimtarëve, Tiranë, 1992, f. 105.