(Durrës, 14. 04. 2012) – Po mbushen 13 vjet që kur Mitrovica Veriore dhe komunat në veri të Rep.së Kosovë, janë marrë peng prej forcavet sherrkërkuese të Sërbisë, ndihmuar prej miqvet të tyre. Po mbushen 13 vjet që sërbët veprojnë pa pushim për ta zhbërë Rep.e Kosvës (duke filluar me Mitrovicën), ndërsa ne bëjmë pa pushim lëvizjet që bën i rrëzikuari për t’u mbytur, kur nuk e di notin.
Për të dalë nga figuracioni, i cili nuk mungon kur s’ke të tjera armë, po kalojmë te zbërthimi konkret i pyetjes: Çfarë duhet të bëjnë shqiptarët në një të këtillë gjendje, e cila, po u vazhdua kështu, çon pashmangshëm te humbja e Mitrovicës?!
Kur themi humbja e Mitrovicës, të gjithvet duhet të na shkojë mendja te Shkodra e vitevet 1912-1013. Ç’do të kish ndodhur, nëse Shkodrën do ta kishin mbajtur sllavët? Përgjigjja është e pakundërshtueshme: Pavarësia nuk do të realizohej! Shteti ynë i saposhpallur nuk do të mund të mbijetonte dhe ne sot nuk do ta festonim dot 100-vjetorin. Është e vërtetë që në moslënien e Shkodrës në duart e sllavëvet, luajtën rolin e vet edhe ndërkombëtarët. Por është edhe më e vërtetë që, në Tarabosh, në Kodrat e Bardhanjvet dhe në Bërdicë, luftuan shqiptarët e jo ndërkombëtarët.
Në vitet 1912-1913, sllavët na i kishin marrë: Podgoricën, Tivarin, Plavën, Ulqinin, gjysmën e Malësisë Madhe. Kërkonin të na merrnin edhe Shkodrën! Në vitet 2012-2013, sllavët i kanë marrë (prej kohësh): Pazarin e Ri, Kurshumlinë, Toplicën, Medvegjën, Bujanivcin, Vranjën, Preshevën. Kërkojnë tani të na marrin edhe Mitrovicën!
Shtëpia e Selver Haradinajt pas aktit terrorist nga çetnikët serbë!
____________________________________
Çfarë u kërkon shqiptarëvet, koha, gjithsesi kritike, në këtë situatë? VEPRIM TË BASHKUAR! Kjo është përgjigjja. VEPRIM TË BASHKUAR! S’ka rrugë tjetër!
Gjëja e parë që shqiptarët duhet të kuptojnë, në këtë 100-vjetor, është kjo: PROBLEMI YNË MË I RËNDËSISHËM ËSHTË MITROVICA! Shqiptarët kanë shumë probleme në këtë festë të tyren jubilare, por para Mitrovicës nuk mund të vihet asgjë tjetër, sepse, po u humb Mitrovica, të gjithë vitet, mbas këtyre 100 vjetëve, s’do të jenë tjetër, veçse vite të dekompozimit, të shkërmoqjes, jo vetëm të Rep.së Kosovës, por edhe të Rep.së Shqipërisë. (A e dëgjuat që pardje grekët mbajtën një të kushedisatën mbledhje për Vorio-Epirin, në një kohë kur ne s’kemi mbajtur asnjë mbledhje për Notio-Epirin?! Dhe as që e kemi zënë ngoje ndonjëherë Notio-Epirin. E pra, duhej të bënim NE mbledhje, sepse NE na janë marrë tokat, jo grekëvet!) Po s’u kuptuan kështu punët, s’na mbetet gjë tjetër, veçse të numërojmë humbjet, duke fajsuar përjetësisht të huajt.
Po rendis këtu një pjesë të punëvet, që mund dhe duhet t’i bëjnë shqiptarët në mbrojtje të Mitrovicës. Të gjithë organizmat, shtetërorë, politikë, fetarë (Të mos harrojmë se, në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ishin hoxhët ata që i nxisnin shqiptarët për t’iu kundërvu Perandorisë Osmane!), organizmat e quajtur joqeveritarë, organizmat me programe nacionalë (Sigurisht, këtyre u takon të jenë të parët.), organizmat me programe jonacionalë, por që në përbërjen e vet kanë shqiptarë dhe veprojnë në Shqipëri (Kur themi Shqipëri, kuptojmë krejt Shqipërinë), të gjithë këta organizma, duhet të ORGANIZOJNË tubime në përkrahje të Veriut të Rep.së Kosovës.
Kryetarët e bashkivet e të komunavet… (Mos u habitni që po i vë këta të parët, sepse ai, i shkreti kryetar i Mitrovicës, i mbetur vetëm, a e patë sa ngusht kish rënë?!). Pra, kryetarët e bashkivet e të komunavet, të mbledhin banorët e vet dhe t’u thonë: Jemi mbledhur këtë herë për Veriun e Rep.së Kosvës. Ju e dini që në bashkinë (komunën) tonë kemi një mori hallesh, papastërtitë, rrugët, ujësjellësit, rryma elektrike, korrupsioni, taksat, bizneset, por sot kemi nevojë më se urgjente, më se të ngutshme, për të shprehur kundërshtimin tonë ndaj veprimevet të Sërbisë kundër nesh.
Kështu të veprojnë të gjithë kryetarët e bashkivet e të komunavet të krejt Shqipërisë dhe jo t’ia lënë këtë punë vetëm atij të Mitrovicës.
T’u thonë banorëvet të vet që problemi i Veriut të Kosovës është problem KOMBËTAR dhe se për mbrojtjen e asaj pjese të Atdheut tonë kanë detyrime të gjithë shqiptarët, pavarësisht se ku gjeden: në Korçë, në Vlorë, në Gjakovë, në Gjilan, në Gostivar apo në Ulqin.
Sërbëvet të Sërbisë (me anë të deklaratavet publike), t’u thuhet: Të parët tuaj na kanë marrë Pazarin e Ri, Peshterin, Kurshumlinë, Jabllanicën, Leskovcin, Vranjën. Megjithatë, ne nuk po kërkojmë rishikimin e kufijvet. Po pranojmë kufijtë ekzistues. Po e bëjmë këtë lëshim, tragjik dhe të pafalshëm, për 2 arsye: e para, sepse nuk kemi fuqi, nuk jemi të zotët t’i rikthejmë ato toka që na i kanë rrëmbyer të parët tuaj, dhe e dyta, sepse, për humbjen e atyre krahinave, kanë faj edhe të parët tanë, që nuk kanë ditur t’i mbrojnë. T’u thuhet edhe kjo sërbëvet të Sërbisë: Kufijtë e Rep. së Kosovës nuk i kemi vendosur ne. I kanë vendosur të parët tuaj dhe ju duhet të jeni shumë të kënaqur që s’kanë qenë të parët tanë të zotë për t’i vënë ata kufij më në veri. Tani s’ka më lojëra me tokat tona. Mos ëndërroni dhe mos e gënjeni veten, që mund të na e merrni edhe Mitrovicën!
Në këta tubime, të bashkivet apo të komunavet, të ftohen edhe banorë, të parët e të cilëvet kanë ikur prej Vranjës, Medvegjës, Toplicës, Kurshumlisë, Preshevës, apo edhe prej vetë trevavet të Mitrovicës. Ka të tillë me mijëra nëpër Shqipëri, që nga Kamenica e Podujeva deri në Lushnjë e Fier. E pakta deri në Lushnjë e Fier, por mund të ketë edhe më në jug. Të ftohen aty të tillë pasardhës “muhaxhirësh”, të ikurish, dhe t’u rrëfejnë të pranishmëvet mbi mënyrat se si janë dëbuar gjyshërit e tyre prej vatravet të veta. Të bëhen edhe regjistrime e publikime, emër për emër, të atyre popullatave me prejardhje prej atyre trojeve, në mënyrë që, edhe ne, edhe bota, ta shikojmë e kuptojmë në anën e kujt qëndron e drejta për Veriun e Rep.së Kosovës.
Sërbëvet të Zubin Potokut, Leposaviqit, Mitrovicës së Veriut dhe të gjithë të tjerëve, t’u thuhet (sigurisht, nëpërmjet daklaratave publike, hartuar në secilin prej këtyre tubimeve): Ju nuk keni asnjë arsye për të mos pranuar të jetoni me ne. Bashkëkombësit tuaj, në Berlin, Këln, Paris e Londër, pranojnë të jetojnë së bashku me vendësit e atjeshëm. Bashkëkombësit tuaj në Otavë, Çikago, Rio e Buenos Aires, pranojnë të jetojnë së bashku me vendësit e atjeshëm. Ata nuk po organizojnë atje kurrfarë zgjedhjesh, as lokale, as jolokale, që lidhen me qeverisjen prej Beogradit. Sërbët e atjeshëm po jetojnë atje së bashku, shpeshherë në të njhëjtët pallate, me myslimanë, me hebrej, me zezakë, me mulatë evroamerikanë, dhe s’po ankohen aspak për praninë e tyre në ata ambiente. Ju, përse të mos doni të jetoni në të njëjtin shtet me ne shqiptarët?! Madje këtu, siç e dini, ju keni shumë më tepër të drejta sesa shumë nga bashkëkombësit tuaj në vende të tjerë të botës.
Shqiparëvet të Mitrovicës, ndërkaq, në të këtillë tubime bashkish e komunash, t’u çohet fjalë: Jemi me ju! Po të jetë nevoja, më 28 Nëntor, nuk shkojmë në Vlorë, por vijmë dhe e festojmë 100-vjetorin atje në Mitrovicën e Veriut, bashkë me ju.
Tubime, për të përkrahur Veriun e Rep.së Kosovës, duhet të organizojnë që të gjitha partitë politike shqiptare. Sa parti politike kemi, 100 apo 150?! T’i mbledhin, secila anëtarët e vet, t’i nxjerrin nëpër sheshe ose, ato më të voglat, në salla të mbyllura (por jo për mediat) dhe t’i thonë publikisht të gjitha këto që i përmendëm pak më lart. Të gjitha këto dhe shumë të tjera. Të ftojnë atje profesorë, njohës të historisë dhe gjeografisë, dhe t’u flitet militantëvet pikërisht për këtë problem. Të hartohen deklarata, të përkthehen ato deklarata në anglisht dhe në gjuhën sërbe dhe t’u jepen mediavet, në mënyrë që gjithë Kombi ynë dhe gjithë bota, ta marrin vesh qëndrimin edhe të aksh partie shqiptare.
Me këtë rast është e nevojshme ta tërheqim vëmendjen e lexuesvet në një dukuri tepër shqetësuese. Në Sërbi nuk ka parti politike sërbe, që të mos e “shpalosë” para elektoratit të vet edhe qëndrimin e vet ndaj “çështjes së Kosmetit”. Ata nuk kanë asnjë të drejtë të shprehin pretendime ndaj tokavet të shqiptarëvet. Ata nuk kanë asnjë të drejtë t’i paraqesin para elektoratit tokat e të tjerëvet si të vetat. Ata nuk kanë asnjë të drejtë ta nxisin elektoratin e vet për pushtime. Megjithatë, e shprehin këtë qëndrim të padrtejtë dhe fitojnë vota. Ndërkaq, këtu tek ne, në Shqipëri (E kemi fjalën për krejt Shqipërinë: Tiranë, Prishtinë, Shkup etj.), asnjë lider partie nuk e ka në programin e vet qëndrimin ndaj Veriut të Rep.së Kosovës (Ashtu si nuk e kanë, psh PD në Tiranë, PDK në Prishtinë ose PDSH në Tetovë, në programin e vet elektoral edhe pozicionin e tyre ndaj çështjes së Çamërisë). Ky është problem që, në jetën politike të shqiptarëvet, kërkon analiza shkencore dhe masa përkatëse, nëse duam të ekzistojmë si komb. Megjithatë, po sjellim vetëm një konkluzion: Partitë tona politike (me fare pak raste, pak më ndryshe), as që e kanë ndërmend të merren me atë që mund ta quajmë edukim atdhetar gjithpërfshirës të elektoratit të vet. Atje vazhdon të mbizotërojë filozofia e vjetër FEUDALE e kohës së Osmanëvet: Ta kem mirë me baba-mbretin, kush po pyet për miletin!? Kësaj praktike i duhet dhënë fund njëherë e mirë. Përndryshe, nuk ka Shqipëri! Përndryshe, Shqipëria do të ricopëtohet! Dhe mbetet vetëm në duart e të huajvet, në e mbajtshin me paterica.
Në Rep.e Greqisë dhe në Rep.e Sërbisë, nuk gjen rast që priftërinjtë, në liturgji, të mos i zënë ngoje, njërët Vorio-Epirin, tjerët Kosmetin. (Pa të drejtë!) Klerikët tanë (Nuk mund të përfshijmë këtu klerikët ortodoksë në Rep.e Shqipërisë, sepse ata urdhërohen prej një greku.), duhet në çdo shërbesë fetare, të paktën njëherë në javë, t’u flasin besimtarëvet të vet edhe për fatin e Veriut të Rep.së Kosovës. (Me të drejtë!) (Në vitet 1950-1960, në kohën e Titos e të Rankoviqit, ka shërbyer në Ulqin një prift prej Shestanit, Dom Mark Kolaj. 53 të diela në kish viti, ai, në të 53 të dielat, në predikimin e meshës, nuk e linte pa thënë: T’i lutemi Zotit edhe për shqyptarët matanë kufinit! Në këtë mënyrë ai prift e kultivonte atdhedashurinë dhe unë i jam mirënjohës.)
Të 2 parlamentet tanë, në mënyrë të barabartë, jo më shumë i Prishtinës e më pak ky i Tiranës, duhet t’ia kushtojnë Veriut të Rep.së Kosovës, jo 1, por aq sa seanca të duhen, dhe, në çdo rast, ta sqarojnë, gjithanësisht dhe imtësisht opinionin shqiptar dhe botëror, cili është qëndrimi i Kombit Shqiptar lidhur me gjendjen, tashmë 13-vjeçare, në atë pjesë të Shqipërisë (gjeografike). Edhe në parlamentet e Shkupit dhe të Podgoricës, parlamentarët tanë atje duhet të kërkojnë që të shprehet qëndrimi i shtetevet të tyre ndaj këtij problemi, sepse ky nuk është vetëm një problem nacional, por është edhe problem rajonal.
2 qeveritë tona duhet të veprojnë, në pajtim njëra me tjetrën, dhe të marrin masat që duhet, secila brenda kompetencavet të veta, pa i shkelur ligjet ndërkombëtarë, por edhe pa u bërë urë, mbi të cilën të mund të shkelë çdo kalë e çdo gomar. Qevera e Beogradit ka krijuar ministri të posaçme “për Kosmetin”. (Pa të drejtë!). Ka shkelur vullnetin e 95% të banorëvet të Rep.së Kosovës dhe ka shkelur vullnetin e, së paku 86 shtetevet të botës, që e kanë njohur Rep.e Kosovës si shtet të pavarur. Çfarë shkeljeje do të përbënte, në rast se qeveria e Tiranës do të krijonte një fond të posaçëm për të ndihmuar materialisht shqiptarët në nevojë në Veriun e Kosovës?! Të ndërtonte edhe një varr, siç e ka merituar, për Isa Boletinin. Të ngrinte atje edhe një monument (Pse jo?) për të gjithë Boletinët dëshmorë dhe për të tjerë patriotë të asaj treve!?
Diaspora duhet të veprojë, si gjithmonë, në përkrahje të kësaj kauze për mbrojtjen e tërësisë tokësore të Rep.së Kosovës, të cilën e krijuam me çmimin e dhjetëra mijë, e, në thellësi të kohëvet, me qindra mijë dëshmorë. (Sipas një të dhëne që na e sjell Xhaladin Hana, vetëm në Luftën e Dytë Botërore, në trevat shqiptare që i mbetën Jugosllavisë, janë asgjësuar 91200 shqiptarë. Krs. Gj.D:”Strategjia e shqiptarëvet”f.113)
Të gjitha shoqatat shqiptare (Sa shoqata kemi, 100, 200, apo 400?!), kudo që ato veprojnë, të dalin e të shprehen për normalizimin e gjendjes në Veri të Rep.së Kosovës. Në të gjithë qytetet e Shqipërisë dhe në të gjithë qytetet e botës, ku mund të mblidhen 50 shqiptarë, të bëhen demonstrime! Të bëhen sot, e jo kur sërbët t’i kenë kryer punët e veta! Të mos mbetet asnjë e premte mbas dite, e shtunë apo e dielë pa 1, 2, 3, 5 manifestime në përkrahje të Mitrovicës!
Për fatin tonë të keq, në të gjitha kohët Kombi ynë ka pasë Esatpashë Toptanë. Ka pasë edhe do të ketë. Në veprofshim kështu, SË BASHKU QË TË GJITHË, Mitrovica do të ketë zgjidhje. Në mos veprofshim kështu, ka shumë rrëzik që të dalë dikush e t’ua dorëzojë sërbëvet “Shkodrën e sotme”, ashtu siç ua dorëzoi Esatpasha Shkodën e atëhershme. I lumtur mund të bëhet vetëm ai komb, i cili nxjerr mësime prej ngjarjevet të palumtura.