SHERADIN BERISHA: SI PO SHKATËRROHET QYTETI MUZE I PRIZRENIT ME LEJE TË SHTETIT!?!

(Pashtriku.org, 04. 03. 2013) – Dihet mirëfilli, se, Trashëgimia kulturore – monumentale është pasuri e shumë brezave, e cila pasqyron historinë mijëravjeçare të popullit shqiptarë dhe si e tillë ajo dëshmon vijimësinë historike, materiale dhe shpirtërore të kombit tonë. Pra, Trashëgimia kulturore shqiptare është një trashëgimi që ka vlera: historike, arkeologjike, arkitekturale, urbanistike etj. Dhe kjo pasuri e çmuar jona është një sfidë e parreshtur përballë kujdesit shtetëror dhe kombëtar, për të ruajtur gjurmët e së kaluarës dhe për t’ia përcjellur ato brezave që vijnë pas nesh. Qyteti i Prizrenit është i njohur që nga antikiteti i lashtë, si vend me trashëgimi të pasur kulturore, historike, arkeologjike, arkitekturale, folklorike, urbanistike etj. Prandaj, dhe me të drejt quhet QYTET MUZE. Ajo që e karakterizon Prizrenin është trashëgimia arkitekturale, e cila në tërësinë e saj artikulon traditën e ndërtimit të monumenteve kulturore-historike, të shtëpive dhe të objekteve të ndryshme afariste. Kjo trashëgimi arkitekturale në qytetin e vjetër të Prizrenit (ashtu sikurse edhe vendbanimet tjera historike të Kosovës) mbrohet nga institucionet komunale dhe Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore në Prizren, në bazë të ligjit nr.02/L-88 për Trashëgiminë Kulturore – të miratur nga Kuvendi i Kosovës.

Prizreni – Qytet Muze…

Në nenin 6, alineja 6.3 të këtij ligji për trashëgiminë arkitekturale – shkruan: “Monumentet arkitekturale ruhen në të gjitha elementet e tyre përbërëse, tiparet arkitekturale dhe teknike. Hapësira e mbrojtjes së monumentit përfshin secilin ndërtim ose strukturë të vlerës së pranuar brenda perimetrit të monumentit, dhe përcaktohet në një plan të Institucionit kompetent.” Ndërkaq alinea 6.4. e këtij ligji përcakton edhe zonën mbrojtëse nga perimetri i monumentit. Në këtë aline thuhet, si vijon: “Monumentet arkitekturale nën mbrojtje të përkohshme ose të përhershme kanë një zonë të mbrojtjes, që është 50 metra nga perimetri i monumentit. Kjo zonë e mbrojtjes mund të zgjerohet ose ngushtohet dhe përcaktohet në planin e Institucionit kompetent dhe në planet hapësinore relevante në pajtueshmëri me nenin 2 të Ligjit nr. 2003/14 për planifikim hapësinor”.
Tani shtrohet pyetja:
Sa po mbrohet nga shteti trashëgimia arkitekturale e Prizrenit të vjetër me këto përmasa ligjore ?
Përgjigjja është:
JO!
Pse?
Ҫdo kush që ka vizituar muajt e fundit Prizrenin, ka parë se, pikërisht në Zonën e parë Mbrojtëse (mu në zemër të qytetit Muze) – po ndërtohen objekte të mëdha private.
– Në KOMPLEKSIN E SHATËRVANIT (afër urës së Gurit) me leje të Kuvendit Komunal dhe të Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore në Prizren!, po ndërtohet një Lokal afarist “CORNER”, me përmasa më të mëdha se objekti i vjetër, dhe me këtë ndërtim duket se po shkatërrohet tërësisht, jo vetëm pamja e brendshme, por edhe pamja e jashtme e këtij objekti, i cili si i tillë prish tërësinë arkitekturale të Shatërvanit si Kompleks. Investitor i këtij objekti modern afarist është Xhavdet Kadrija nga Deçani, ndërsa ndërtimin po e bënë N.P.N.I “ARTING” Sh.p.k.

Shikoni fotot:

Kështu do të duket Lokali i Ri në zemër të Qytetit Muze të Prizrenit!

– Në tetor 2012, (po me leje të Kuvendit Komunal dhe të Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore në Prizren), qytetari A.Pasuli ka filluar rrënimin e shtëpisë përdhese, në ngastrën kadastrale 1906. Shtëpia është ndërtuar në shek.XIX, dhe gjindet vetëm 8 metra larg objektit të Muzeut Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ndërsa sipas ligjit për Trashëgiminë Kulturore – zona e mbrojtjes, duhet të jetë 50 metra nga perimetri i monumentit. A.Pasuli pas rrënimit të shtëpisë (e cila thuhet se në vitin 1878 ishte në shërbim të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit) në të njejtin vend ka filluar të ndërtoj një shtëpi të re me podrum dhe shumëkate për banim!
Në vitin 1977 kjo shtëpi dhe tërë lagjja ku shtrihet Kompleksi Monumental, janë vënë në Mbrojtje të shtetit, ndërsa në vitin 1980 është hartuar edhe projekti i fazës së tretë për zgjerimin e hapësirës së Kompleksit, ku është paraparë që rreth 17 objekte përreth tij të kenë trajtim të veçantë, me qëllim të ruajtjes së pamjes vizuale të kompleksit. Ndërkaq pronarëve të këtyre objekteve është menduar t’iu kompenzohen këto prona, jashtë zonës së parë mbrojtëse me ligj. Mirëpo ngjarjet e pranverës së vitit 1981 e kanë penguar realizimin e këtij projekti. Pas vitit 1981 Beogradi nisi një fushatë të egër ndaj shqiptarëve dhe shkatërrimit të trashëgimisë sonë kulturore, e cila ka vazhduar deri në qershor të vitit 1999.

Shikoni fotot:

– Në dhjetor 2011 rrënohet shtëpia në ngastrën kadastrale nr. 1746, e cila kishte statusin e mbrojtjes paraprake, dhe sot kjo hapësirë është shndërruar në vendparkim të makinave!!! Shtëpia ishte e përbërë prej përdheses dhe katit, e ndërtuar në gjysmën e dytë të shekullit XIX, dhe i takonte tipit të shtëpive të arkitekturës folklorike qytetare. Në katë shtëpia ishte me çardak të hapur e të mbuluar, me sofë në përdhese etj. Në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878-1881) në këtë shtëpi ka qëndruar, Ali Ibra njëri prej udhëheqësve të Lidhjes. Në vitin 2005 ekspertë të UNESKO-së e kanë vizituar këtë shtëpi dhe është bërë inçizimi arkitektonik i objektit me qëllim të gjetjes së mjeteve për konservim dhe restaurim të pjesshëm të objektit.

Shikoni fotot:

Shtëpia ku ka vepruar Ali Ibra, njëri nga krerët e Lidhjes,

sot është shndërruar në parking makinash!

* * *
Në zonat mbrojtëse të Prizrenit – Muze, përveç këtyre ndërtimeve po bëhen edhe shumë ndërtime dhe rindërtime tjera të paligjshme. Sa për ilustrim: ish drejtori (i quajtur Menaxher) i Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore në Prizren z.Abib Ahmeti, gjatë viteve 2001-2008, me dorë të vetë ka nënshkruar 520 leje për ndërtime në zonën e mbrojtur me ligj, në këtë qytet Muze, dhe të njejtin trend duket se e ka vazhduar edhe drejtori aktual i këtij Instituti z. Hasan Hoti. Dhe, për çudi deri më sot askush (shteti jo se jo), madje as shoqëria civile nuk e ngre zërin për të parandaluar këtij degradim e shkatërrim të madh që po i bëhet trashëgimisë sonë arkitekturale e historike, e cila është ndërtuar me mund e sakrifica, gjatë shekujve nga stërgjyshërit tanë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura