Nga Prof. Asoc. Dr. Vangjel Kici
Në muajin shkurt 2024, revista franceze New Scientist njoftoi për zbulimin e hidrogjenit të pastër në minierën e kromit në Bulqizë. Një grup specialistësh francezë dhe shqiptarë studjuan gazin natyror, që dilte në galerinë e kromit, në thellësinë 1000 m. Analizat treguan se 84% e gazit ishte hidrogjen, kurse pjesa tjetër përbëhej nga gazra të lagura nafte (metan, propan, pentan etj.). Grupi dhe shteti shqiptar i bënë një reklamë shumë të madhe këtij zbulimi. Grupi theksoi se hidrogjeni mund të përdoret si burim i pastër energjie. Sipas këtyre studjuesve, rezervat e hidrogjenit në Bulqizë mund të jenë rreth 5000 – 50 000 tonë. Shpresohet të zbulohen rezerva të tjera më të mëdha të hidrogjenit në Bulqizë. Për këtë, do të bëhen studime dhe kërkime të mëtejshme. Prania e hidrogjenit në minierën e kromit ishte përcaktuar vite më parë nga specialistët shqiptarë, por pa u futur në detaje dhe kërkime të mëtejshme.
Zbulimi i hidrogjenit në minierën e kromit në Bulqizë prezantohet si diçka e papritur. Faktikisht është një pritëshmëri normale. Shkëmbinjtë e masivit të Bulqizës etj., janë të ndryshuar (serpentinizuar). Gjatë ndryshimit të shkëmbinjve, nga një lloj në llojin tjetër, është prodhuar edhe gaz metan (që përdoret për ngrohje…), gaz hidrogjen etj. Në botë këtë e kanë treguar analizat kimike qysh prej viteve 1800… Kjo është e njohur nga të gjithë gjeologët.
Duhet theksuar se gazi natyror ka shpërthyer disa herë në minierën e kromit në Bulqizë, duke shkaktuar edhe viktima (më 1992, 2011, 2017 dhe 2023). Ky gaz ka shpërthyer në thellësi të ndryshme të minierës. Në thellësinë rreth 620 m gazi natyror përfaqësohej kryesisht nga gazi metan i lagur (gaz nafte), dhe më pak hidrogjen etj. Pra, në thellësi të ndryshme kemi përzierje të ndryshme të gazit natyror.
Reklama e madhe, mbi zbulimin e hidrogjenit në Bulqizë, është bërë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë. Ja disa lajme bombastike nga Shqipëria:
RTSH: Bulqiza plotë me hidrogjen. Është depozita më e madhe e zbuluar.
Euronews Albania: Zbulohet hidrogjen në Bulqizë. BOMBA me hidrogjen: Shqipëria një Eldorado. Mrekullia që na pret….
Reklama në botë:
Revista franceze New Scientist: Depozita hidrogjeni në Bulqizë. Përdoret si lëndë djegëse e pastër.
Gazeta elektronike gjermane Focus: U zbulua rezerva gjigante. Gjetja senzacionale në minierën shqiptare mund t’a ndryshojë përgjithmonë tranzicionin e energjisë.
Prestigjiozja amerikane National Geographic: Gazi, që mund t’a ndryshojë botën, gjëndet në Shqipëri. (botuar në gazetën Dita).
Pra, në Shpirag u zbulua gjoja deti i naftës shqiptare, kurse në Bulqizë u zbulua gazi hidrogjen, që gjoja mund t’a ndryshojë botën!
Mendoj se këto zbulime janë të tejfryra.
Por si është gjendja reale?
Në thellësitë e minierës së kromit në Bulqizë takohen dy lloje gazrash. Këto janë:
1- Gaz hidrogjen etj., i prodhuar gjatë shndërrimit të një lloj shkëmbi në një lloj shkëmbi tjetër. Ky është gaz jo organik;
2- Gaz metan i lagur (gaz nafte). Ky është gaz organik.
I pari mund të gjëndet brenda masivit të Bulqizës, në vendet ku shkëmbi është i coptuar. I dyti vjen nga poshtë masivit. Prej ku? Prej vendburimit gjigant të mundshëm të naftës dhe të gazit, që duhet të ndodhet në gëlqerorët poshtë masivit. Të dy këta lloje gazrash kanë lëvizur sipër, nëpër çarjet e shkëmbit, dhe sot takohen bashkë në thellësi të ndryshme. Diku mbizotëron njëri, dhe diku mbizotëron tjetri. Pse kam këtë besim? Sepse kam vërtetuar se masivi i Bulqizës, dhe masivët e tjerë, nuk janë formuar në oqean. Deri tani të gjithë gjeologët, shqiptarë dhe të huaj, mendojnë se masivi i Bulqizës, dhe masivët e tjerë, janë formuar në oqean (përfshirë edhe autorët e zbulimit të hidrogjenit). Formimi në oqean e përjashton praninë e gëlqerorve poshtë masivit të Bulqizës dhe masivëve të tjerë. Pra, formimi në oqean e përjashton naftë-gazmbajtjen poshtë masivit të Bulqizës etj. Përkundrazi, mosformimi në oqean hap perspektivë të jashtzakonshme për naftë dhe gaz në Bulqizë dhe në gjithë Shqipërinë Lindore, që vazhdon edhe në Kosovë. Profesori i shquar francez Adolphe Nicolas, së bashku me Prof. shqiptar Avni Meshi, kanë vërtetuar se masivi i Bulqizës përfaqëson një strukturë diapirike (2010). Por në botë është vërtetuar se, ku ka strukturë diapirike, ka naftë dhe gaz! Shqipëria Lindore dhe Kosova kanë shumë masivë si ai i Bulqizës. Pra, pritet të zbulohet naftë e madhe dhe shumë gaz.
Kjo naftë-gazmbajtje do të jetë e kalibrit të Azerbajxhanit, që prodhon rreth 40 milion tonë naftë në vit dhe shumë gaz. Pikëpamjet e mija, për këtë perspektivë të jashtzakonshme, i kam shprehur në librat e mi. Këto libra janë: “Nafta në Albanide” (2013); “Oil in Albanides” (2015); “Perspektiva naftë-gazmbajtëse e rajonit të Peshkopisë” (2014); “Nafta dhe Gazi në Shqipërinë Lindore” (2021, 2022). Këto libra ndodhen në bibliotekat kryesore të Tiranës. Për këto libra, dhe për perspektivën e jashtzakonshme naftë-gazmbajtëse në Bulqizë etj. nuk shkruhet asnjë fjalë nga zbuluesit e hidrogjenit. Analizat tregojnë se atje ka edhe gazra nafte, por zbuluesit e hidrogjenit heshtin.
Kam bindjen e plotë, se kërkimet për hidrogjen në masivin e Bulqizës do të çojnë në zbulimin e një vendburimi gjigant nafte dhe gazi (rreth thellësisë 2000-3000 m). Vendburimi i naftës në Shpirag, i krahasuar nga madhësia me vendburimin e pritshëm të naftës dhe të gazit në Bulqizë, do të ngjante si miza me buallin!
Kërkimet për hidrogjen le të vazhdojnë, dhe Zoti e bëftë mbarë që të zbulohen rezerva të mëdha. Por çfarë tjetër pritet? Këshilla ime është: Përgatituni, se gjatë kërkimit për hidrogjen do të zbuloni rezerva të jashtzakonshme nafte dhe gazi. Desha t’u sugjeroja kërkuesve në masivin e Bulqizës, që të Përgatisin Sondat e Shpimeve mbi të gjitha për Naftë dhe Gas.
Besoj se nga zbulimi i hidrogjenit në Bulqizë do të përfitojë dicka edhe Shqipëria.
Por kryesoret janë nafta dhe gazi. Ato duhen shtetëzuar. Nafta dhe gazi duhet të jenë pronë vetëm e popullit shqiptar.
Masivi i Bulqizës, dhe masivët e tjerë, në asnjë mënyrë të mos u jepen kompanive private të huaja apo vendase, për kërkime dhe shfrytëzim nafte dhe gazi.
Besoj se shqiptarët dhe Shqipëria kanë evoluar deri në atë pikë, që mund t’i administrojnë vetë burimet e tyre natyrore.
Jam plotësisht i bindur se:
Nga zbulimi i naftës dhe i gazit, i përmasave të përmendura më lart, Shqipëria dhe Kosova mund të bëhen shumë të pasura, dhe të marrin në arenën ndërkombëtare atë që u është mohuar prej shumë kohësh, të qenët ALFA e rajonit.
_____________
Hidrogjeni në Bulqizë -Profesori i ekipit zbulues: Matje 1000m nën tokë, depozita më e madhe në botë