LUFTA PËR LIRI NË LETRAT E JUSUF GËRVALLËS, Janar 1980 – Janar 1982 (IV)

Nga Xhafer Durmishi – Skenderi

6. Letër për Ibrahim Kelmendin, tetor 1980

      1.Po ashtu, „përkundrazi“, i nderuar shok Ibrahim!

      Kjo letër fillon pa asnjë përshëndetje dhe mbyllet pa përshëndetje e pa nënshkrim të çfarëdo lloj forme.

      2.Kështu duket titulli-pasthirrmë i letrës sime, që i përgjigjet besnikërisht tëndes.

      Edhe kjo letër nuk është e iniciuar nga Jusufi por është përgjigje e një letre me ofendime për Jusufin, nganjëherë të mbështjellur, siç mund ta marrim me mend në mënyrë djallëzore në formën e ”komplimenteve”.

      Por nuk është vetëm Ibrahim Kelmendi që e përdorë djallëzinë e sulmeve të paketuara në formën e komplimenteve. Janë edhe disa të tjerë, punën e të cilëve e kam trajtuar në libra tjerë dhe nuk dua të zgjerohem këtu në këtë drejtim.

3.Edhe sa e sa gjëra të tjera të çuditshme do të kishin dalë, sikur unë t‘i përgjigjesha pikë për pikë gjithë përmbajtjes së letrës sate. Ndoshta edhe s‘do të kish pasur gjë të keqe, por do të na çuditej bota për rasat nëpër të cilat ditka të lakohet mendimi i sotëm i revolucionarit shqiptar.

      Jusufi nuk i përgjigjet pikë për pikë letrës së IK por edhe ajo që thotë është mjaftë.

      4.Megjithatë, për mua që më drejtohet ai titull dhe ajo letër, ka fare pak paqartësi, sepse ne u takuam dhe u njohëm dhe është punë e kotë dhe ndoshta absurde ta injorojmë këtë njohje.

      Jusufi ndihet i penduar nga njohja me IK, por pasi në gazetën Bashkimi i ka bërë disa nga shkrimet më të mira të tij, dhe jashtë Bashkimit, në emër të Frontit të Kuq Popullor (si Programin dhe Statutin) Jusufi nuk është i gatshëm që mundin, diturinë e djersën e tij t’ia falë ofenduesve provokator, prandaj në këtë pjesë të letrës e përdorë fjalinë:

      ne u takuam dhe u njohëm dhe është punë e kotë dhe ndoshta absurde ta injorojmë këtë njohje

      5.E marr me mend (e kjo spikat edhe në letrën tënde) ç‘mundime ke pasur të më shkruash në “nivelin” tim.

      Fjalia e mësipërme tregon urrejtjen e Jusufit për lojën e IK në ndarjen e njerëzve në intelektual të nivelit të lartë dhe analfabet të nivelit të ulët.

6.Thua se vetëm në “nivelin” tim të shkrimit paska për mua afrim, respekt e dashuri për njerëzit!

Nga fjalia e mësipërme mund të merret me mend se IK mundohet me ia mbushë mendjen Jusufit se ai si intelektual me nivel të lartë nuk duhet të merret me mërgimtarët analfabet, pasi ajo është detyrë ekskluzive e Ibrahim Kelmendit.

  • Ibrahim Kelmendi dhe Jusuf Gërvalla

7.E çka do të kish qenë “niveli” im, sikur t‘u jepej flirteve absurde narcisoide me vetveten dhe të injoronte faktin se ka pa numër virtyte të tjera, që mund ta marrin vizën e njerëzisë para se një aftësi mesatare e të shkruarit?!

8.Ky është ofendimi më i madh, që më ke bërë ndonjëherë:

9.    –të më zhveshësh nga gjithçka njerëzore dhe

të më identifikosh me një aftësi gati-gati mediokër të shkrimit!

(Ti këtë se thua konkretisht, po del nga qëndrimi yt.)

Por, t’i biem pak më konkretisht.

10.S’do mend se ndërmjet

-mënyrës sate dhe

-mënyrës sime të veprimit ka një

dallim thelbësor, sado i njëjtë të jetë caku.

11.Dhe kurrë mos do të shkojë mendja, vëlla të paça, shok të paça, apo kushdo qofsh ti, mos të shkojë mendja se jam i bindur që mënyra ime është më e drejtë dhe më e mirë.

Pikërisht duke çmuar mënyrën tënde, megjithë vërejtjet e shumta që kam pasur për të, unë asnjëherë s’kam provuar të dal para teje me kërkesa të prera që ajo ti nënshtrohet mënyrës sime.

12.Dhe kështu,

-për kaq kohë sa njihemi-

-e nuk është pak po më se

dhjetë muaj-ne të shumtën i kemi rënë kush thumbit e kush patkoit.

      Pasi Jusufi, në raportin e 31 korrikut 1981, tregon se me Ibrahim Kelmendin është njohur në janar 1980, rrjedh se kjo letër që nuk mban datë, duhet të jetë shkruar në tetor 1980.

      Mendoj se kjo e ka arsyen e vet objektive. Ti ke njerëzit e tu, me të cilët, sipas mendjes sime, ke vështërsi në realizimin e kontakteve për shkak të largësisë. Kam përshtypjen se, pos kësaj, edhe me ta ke mospajtime dhe sygjerime e urdhrave të tyre s’të fle në hatër tu përmbahesh gjithmonë.

Unë, nga ana tjetër, i kam humbur të gjitha lidhjet me njerëzit e mi dhe për çdo hap që bëj kam stërngarkime, sepse nuk e di në mos bej gjësend, që nuk përputhet me luftën aktuale, që bëjnë ata në vendlindje. Kjo është një tragjedi vetvetiu. Kurse tragjedia tjetër është se edhe unë edhe ti, në këto kushte, ndiejmë pasiguri në një pikë: kë përfaqësojmë dhe a mund të flasim në emër të një populli dhe sa mund të flasim në këtë drejtim.

13.E keqja është se ti, në mënyrë këmbëngulëse, shkakun kryesor për pengesat në marrëdhëniet në mes nesh e kërkon atje ku s’duhet.

Koha kur është shkruar kjo letër Jusufi nuk ka marrëdhënie me Ibrahim Kelmendin dhe merret vetëm me Lajmëtarin e lirisë.

Ti je energjik në kuptimin e asaj se brenda ditës arrin në shumë pika. Kjo është pozitive. Sepse në këtë mënyrë mund të supozohet se ia del t’i mbash frenjtë e njerëzve me të cilët punon. Mirëpo, këtë gjë ti e bën me këmbana. Dhe kjo, sipas mendjes sime, është e keqja. Sepse, siç ta kam thënë edhe më parë (e ti s’ia ke vënë veshin), edhe këtu konspiracioni duhet të jetë i plotë, dhe sidomos këtu.

14.E dyta, ti se ke për gjë të kërkosh ndihma në të holla (dhe në armë!) te emigracioni, i cili ka një cak të kundërt me atë të punës sate, e pastaj të biesh në rezignacion aq të panevojshëm, kur po ky emigracion u bie kambanave të shpifjeve, të cilave ua ka anën.

Në këtë pikë Jusufi për herë të parë bënë aludimin dhe në mënyrë indirekte e quan Ibrahim Kelmendin mercenarë të mercenarëve. Në një letër të 20 gushtit 1981, Jusufi e përdorë katër herë fjalën mercenarë për IK.

Në shenjë të urrejtjes për demaskimin nga ana e Jusufit (por edhe nga Faridin Tafallari) IK shpif kundër Jusufit, se edhe ai (JG) ka vepruar njësoj, i ka kërkuar të holla Enver Hoxhës.

Por në kërkimin e të hollave ka një dallim në mes JG e IK.

IK u kërkon DM (marka gjermane) forcave demokratike.

JG i kërkon dollarë diktatorit Enver Hoxha.

Por nuk ekziston asnjë fakt i vetëm që Jusufi i ka kërkuar dollarë apo ndonjë valutë tjetër Enver Hoxhës.

Shpifjet e IK në këtë drejtim mbesin vetëm shpifje që përdoren si ushqim e argëtim për disa zagarë të tij.

15.Ky është një gabim shumë i madh, dhe kur unë ta them se është gabim e t’i  marr shembull pasojat që ke pasur, ti ma zë për të madhe pse unë po ti mbaj te hunda disa cikërrime që t’u kanë përvjedhur pahiri.

Këtu Jusufi e zbulon një anë të karakterit të IK që më vonë shokët e Kadri Zekës e kanë formuluar më së miri:

Ibrahim Kelmendi, sa herë të zihet ngusht, për të dalë nga situata e ndërron temën apo paraqitet budalla.

16.Vërejtjet e mia ti i merr si atak rivaliteti mbi personalitetin tënd, që do të thotë se nuk je i gatshëm për të nxjerrë mësime nga pësimet dhe për autokritikë (sa do që rolin e autokritikës nuk e mohon).

(VIJON)

© Pashtriku.org

____________________________

LUFTA PËR LIRI NË LETRAT E JUSUF GËRVALLËS

Janar 1980 – Janar 1982 (V)

Nga Xhafer Durmishi – Skenderi

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura