SHQIPTARËT DHE ORIENTIMI I TYRE – INTERESI MESKIN DHE IDEALIZMI KOMBËTAR

????????????????????????????????????

SHQIPTARËT DHE ORIENTIMI I TYRE

Nga Xhelal Zejneli

Shqiptarët

–           Dënojnë ideologjinë totalitare dhe staliniste;

–           Dënojnë bolshevizmin dhe stalinizmin;

– Nuk e mbështesin sistemin dhe regjimin e pas Luftës së Dytë Botërore dhe distancohen prej tij;

–           Janë kundër qeverisjes autoritare, autokrate, tiranisë dhe despotizmit;

–           Janë kundër sistemit monist;

–           Mbështesin pluralizmin politik dhe demokracinë parlamentare;

–           Mbështesin ndërtimin e shtetit ligjor dhe shtetit të së drejtës;

–           Mbështesin ndërtimin e shoqërisë civile;

–           Mbështesin liritë dhe të drejtat e njeriut;

–           Mbështesin lirinë e fjalës dhe shtypin e pavarur;

*   *   *

–           Duhet të forcojnë dhe të ngrenë në nivel më të lartë arsimimin;

– Duhet t’i intensifikojnë veprimet e veta për t’i luftuar dukuritë negative në shoqëri – veprimet e paligjshme, trafikimin e qenieve njerëzore, të armëve, të lëndëve narkotike, korrupsionie, pasurimin brenda natës, partizimin dhe politizimin e institucioneve publike, nepotizmin, imoralitetin, abuzimet gjatë procesit zgjedhor etj.;

–           Duhet të veprojnë për eliminimin e plotë të fenomenit të hakmarrjes;

– Duhet të angazhohen për parandalimin e tendencave të segmenteve të caktuara të shoqërisë për t’i lënë vatrat dhe vendlindjen dhe për të emigruar në vendet perëndimore;

– Duhet të dinë se individi, familja, shoqëria dhe shteti mund të zhvillohen dhe të forcohen vetëm me punë të ndershme;

–           Duhet ta rrisin përgjegjësinë në punë;

– Duhet t’i përcjellin arritjet më të reja në botë, në lëmin e shkencës, të teknikës, të teknologjisë, të informatikës, të mjekësisë etj.;

– Duhet t’i përfshijnë në procese shoqërore, politike dhe ekonomike të rinjtë e aftë dhe të shkolluar;

– Duhet të dinë se në shekullin XXI nuk jetohet me mite dhe legjenda, as me patriotizëm folklorik;

–           Duhet t’u kushtojnë rëndësi vlerave kombëtare dhe të rrisin vetëdijen kombëtare;

– Duhet të dinë se copëtimi i trojeve etnike të tyre është pasojë e sundimit osman dhe e rrethimit me hienat serbe, greke, malazeze dhe sllavo-maqedonase;

–           Duhet të dinë se ngecja e tyre është pasojë e copëtimit të trojeve etnike të tyre;

–           Duhet të dinë se për ngecjen e vet, janë fajtorë edhe vetë;

–           Duhet t’i tregojnë botës se janë popull historik dhe popull politik;

–           Duhet të manifestojnë kapacitet shtetformues apo shtetndërtues;

–           Duhet të jetësojnë ideologjinë kombëtare të rilindësve;

–           Duhet të ndërtojnë dhe të ndjekin politikë kombëtare dhe strategji kombëtare;

–           Duhet të kenë ideale madhore dhe të kenë politikanë idealistë;

*   *   *

– Lidhjet me papatin e Romës, të vendosura në kohën e Gjergj Kastriotit, i kultivojnë sot e kësaj dite;

–           Mbështesin miqësinë dhe partneritetin strategjik me ShBA-në;

–           Mbështesin integrimin në strukturat euro-atlantike – në NATO dhe në BE;

–           Kundërshtojnë fundamentalizmin dhe radikalizmin islamik;

– Janë popull që gjatë Luftës së Dytë Botërore i mori në mbrojtje hebrenjtë dhe nuk i dorëzoi gestapos gjermane asnjë hebre;

–           E çmojnë lartë qëndresën e Gjergj Kastriotit ndaj mësymjeve osmane;

– Me pushtimin e Shqipërisë nga Perandoria Osmane, shqiptarët ranë nën një sundim shumëshekullor; 

–           E çmojnë lartë figurën e heroit kombëtar – Gjergj Kastriotit;

Çmojnë lartë periudhën e Rilindjes Kombëtare dhe rilindësit;

–           Çmojnë lartë Vlorën e vitit 1912;

– Çmojnë lartë dijetarët gjermanë dhe austriakë të cilët, që nga Lajbnici deri më sot, u morën me studimin e vlerave kulturore dhe historike shqiptare;

–           Janë shembull në botë, i harmonisë ndërfetare;

–           Çmojnë lartë flamurin kombëtar dhe himnin kombëtar;

–           Nuk njohin flamur tjetër pos shqipes me dy krerë;

–           Nuk njohin himn kombëtar tjetër përpos këtij që fillon me betimin për flamur;

–           Çmojnë lartë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe luftën çlirimtare të saj;  

–           Çmojnë lartë Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare dhe luftën e 2001-shit;

–           Çmojnë lartë UÇPMB-në dhe luftën heroike të saj në Kosovën lindore (Preshevë, Bojanoc, Medvegjë);

–           Mbështetën ndërhyrjen ushtarake të NATO-së me në krye ShBA-në, kundër forcave pushtuese serbe në Kosovë dhe makinerisë ushtarake serbe në Serbi;

–           Mbështetën me luftë dhe sakrifica çlirimin e Kosovës;

–           Mbështetën me entuziazëm shpalljen e pavarësisë së Kosovës;

–           Vlerësojnë lartë simbolin e qëndresës kombëtare – Adem Demaçin;

–           Vlerësojnë figurën e Ibrahim Rugovës, si pjesë e historisë së çlirimit të Kosovës;

– Çmojnë lartë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe luftën heroike të saj për çlirimin e Kosovës;

– Çmojnë lartë komandantin legjendar Adem Jasharin dhe përulen para sakrificës së tij dhe të Jasharajve për lirinë e Kosovës;

– Çmojnë lartë dëshmorët e kombit që ranë në altarin e lirisë, në luftë kundër pushtuesve   serbë, për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës. 

*   *   *

–           Krenohen me nobelisten Nënë Terezë;

–           Çmojnë lartë figurën e Eqrem Çabejt, babait të gjuhës shqipe;

– Çmojnë lartë shkrimtarin gjenial – Ismail Kadarenë, të përkthyer dhe të botuar në 56 gjuhë të botës;

– Vlerësojnë nobelistin Ferid Muratin;

– I kanë dhënë skenës së teatrit evropian një aktor si Aleksandër Mojsiu;

– Ia kanë dhënë botës më të madhin aktor të historisë së kinematografisë amerikane në zhanrin e humorit –  Xhon Belushin;

– Ia kanë dhënë botës Odiseun shqiptar – Bekim Fehmiun.

*    *    *

–           Mbështesin bashkimin kombëtar;

–           Janë faktor paqeje dhe qëndrueshmërie në rajon;

– E dinë se rrethohen nga fqinj grabitqarë si Serbia, Greqia, Mali i Zi dhe Maqedonia, të cilat, me ndihmën e Rusisë, e kanë grabitur më tepër se gjysmën e territorit të tyre;

– Nuk do të kenë marrëdhënie të mira me Serbinë dhe me Greqinë, derisa këto dy vende të mos e lajnë borxhin ndaj shqiptarëve;

– Kundërshtojnë politikën antishqiptare të Rusisë dhe politikën proserbe të saj;

–           Nuk janë të drejtuar nga orienti, d.m.th. nga bota arabe apo persiane;

–           Nuk funksionojnë me sistem oriental të vlerave – arabe apo persiane;

–           I takojnë Evropës dhe janë pjesë e familjes së popujve të kontinentit të vjetër;

–           Janë popull proamerikan, përkatësisht properëndimor.

Xhelal Zejneli

***

INTERESI MESKIN DHE IDEALIZMI KOMBËTAR

Shumë krijues bashkëkohorë kanë shkruar për historinë shqiptare të dhimbshme dhe të përsëritur. Kanë shpalosur mungesën e substancës së formuar të qenies. Në këtë kuadër, në vizionin e tyre, as e ardhmja nuk është shpresëdhënëse.

Ky vizion i tyre tingëllon aktual edhe sot, në sistemin pluralist të hapësirave shqiptare, si dhe në Kosovën e lirë, demokratike dhe të pavarur.

Në këto tridhjetë vitet e pluralizmit në botën shqiptare, sistemi i ndërtuar nuk është as socialist dhe as kapitalist, por gjysmë-barbar. Në botën shqiptarekemi një thellim frikësues të pabarazive shoqërore dhe ekonomike. Pabarazitë sociale shndërrohen edhe në pabarazi politike. Në hapësirat shqiptare s’dihet dot se kush e ka në dorë shtetin: oligarkët apo politikanët?!

Kapitalizmi në Evropë ka filluar të ndërtohet në Itali, para tetëqind vjetësh. Borgjezia shqiptare ndërkaq synon të krijohet brenda natës.

Askush në histori nuk ka mundur të krijojë pasuri marramendëse, pa e shfrytëzuar djersën dhe mundin e tjetrit. Askush në rruzullin tokësor nuk është pasuruar shpejt, pa bërë abuzime në dëm të shoqërisë. Askush në botë nuk është pasuruar sakaq, pa kryer veprime të paligjshme, në dëm të interesit të përgjithshëm.

Në rrethana të tilla, në hapësirat shqiptare nuk bëhet politikë politike, por politikë e kapjes së shtetit,e grabitjes dhe e zhvatjes. Midis oligarkëve dhe politikanëve kemi një aleancë të ngushtë. Madje oligarkët e financojnë politikën saqë ajo shndërrohet në instrument të oligarkisë. Në rrethana të tilla edhe organi ligjvënës i shtetit është në duart e oligarkisë. Si i tillë,  kuvendi i shtetit figuron dhe funksionon vetëm formalisht.

Në shtetin me pabarazi sociale të thellë, shteti ligjor dhe demokracia nuk janë veçse fasadë. Në një shtet të tillë, i pasuri e blen lirinë e të varfrit, ndërsa i varfëri, për të mbijetuar, detyrohet ta shesë lirinë e vet. Punëtori s’ka guxim të shprehë pakënaqësinë e vet për arsye se sa çel e mbyll sytë, e humb vendin e punës. Gjendja e këtillë cenon edhe dinjitetin dhe integritetin e njeriut.Në shtetin as socialist, as kapitalist s’ka as organizim sindikalist.

Në këtë dance macabre hedhin valleinstitucionet arsimore dhe shkencore, inteligjencia, kleri fetar, mediumet, studiot televizive, moderatorët, kryeredaktorët, analistët politikë, ndërtuesit e mendimit publik. Këta nuk janë veçse instrumente të verbëta të faktorit parapolitik. Në skenë ndodhen mercenarët dhe kalemxhinjtë.

Për ta sunduar më lehtë popullin, sundimtarët e të gjitha ideologjive qëllimisht e kanë mbajtur atë në varfëri.Satiriku romak Juvenali (Decim JunijeJuvenalis, rreth 60 – rreth 130)thotë se parullë e qarqeve sunduese të Romës perandorake ka qenë panem et circenses (bukë dhe argëtim). Me fjalë të tjera, në do ta sundosh popullin pafundësisht, jepi bukë dhe zbavitje.

Politika e bukës dhe e argëtimit në botën shqiptare ndiqet me të madhe.

Në shtetin as socialist as kapitalist korrupsioni dhe nepotizmi janë pjesë e përditshmërisë. Aty ku s’kemi politikë politike, por kemi parapolitikë, profesionalizmi ndërkaq është utopi. Në krye të skenës ndodhet diletantizmi. Shteti që i ka të politizuara dhe të partizuara të gjitha poret e shoqërisë është larg të qenit shtet. Në shtetin e tillë, nocioni “shoqëri” nuk është veçse fiksion dhe iluzion. Në shtetin e tillë mbizotëron fisi e krahina dhe jo kombi e shteti. Politika e shtetit të tillë është politikë fisi dhe krahine dhe jo politikë shteti. Interesi i shtetit të tillë është interes fisi dhe krahine dhe jo interes shteti. Shteti i tillë udhëhiqet nga mendësia provinciale apo nga psikologjia e fisit. Në shtetin e tillë kriteret vlerësuese janë anakronike, tradicionale dhe konservatore, ndërsa sistemi i vlerave bashkëkohore vështirë ndërtohet. Sistemi i trashëguar i vlerave shembet dhe zëvendësohet  me sistem pseudo vlerash. Kjo shpie edhe në nëpërkëmbjen e vlerave të mirëfillta. Në “shoqërinë” e tillë lulëzon kiçi dhe shundi. Personi që mezi lexon, që gjuhën amtare e shkruan ashtu siç nuk duhet, e që nuk di asnjë gjuhë të huaj, merr titull akademik. Kështu lind inteligjencia e shoqërisë, të cilën dikush e quan “elitë intelektuale”. Shteti me klasë intelektuale të tillë, në skenën ndërkombëtare nuk gëzon respekt.

Parapolitika fare nuk çanë kokën për dyndjen masive të rinisë dhe për ikjen e trurit drejt asimilimit. Kombi mbetet pa pjesën vitale të tij. Dobësohet forca prodhuese dhe riprodhuese e kombit. Kapaciteti krijues dhe mbrojtës atrofizohet, ndërsa potenciali biologjik ndrydhet.

Sistemi ekonomik, sistemi i arsimit, sistemi i shëndetësisë dhe sistemi infrastrukturor nuk shënojnë zhvillim të duhur. Investime nuk ka apo ka fare pak. Papunësia rritet, me të edhe varfëria e skamja. Të ardhurat mujore të fuqisë punëtore janë si ato të Evropës së shekullit XIX. Me industri kaçavidash, me tregti qesesh najloni dhe me sistem arsimor të vjetruar, nuk shkohet në hap me kohën.

Shqiptarët duhet të pushojnë që për ngecjen e vet t’i fajësojnë të huajt dhe vetëm të huajt. Ka kohë që shqiptarët janë çliruar nga sundimi i huaj. Që atëherë kanë kaluar mbi njëqind vjet. Fajin për ngecjen e vet shqiptarët duhet ta kërkojnë në vetvete. Në asnjë vend të rajonit nuk kemi një polarizim aq të ashpër midis faktorëve politikë si te shqiptarët. Të rralla janë vendet e botës ku politikanët përdorin ndaj njëri-tjetrit gjuhë degutante, denigruese dhe denoncuese.

Shqiptarët duhet të manifestojnë aftësi shtetformuese, të heqin dorë nga mikrovlerat dhe mikrosistemet, të pushojnë së vepruari në mikroplan. Duhet t’u kthehen makrovlerave dhe makrosistemeve për të vepruar në makroplan.

S’është kohë e patriotizmit folklorik, por e  punës së ndershme dhe e të udhëhequrit me idealizëm. Shqiptarët sot, nuk ballafaqohen vetëm me pandemi virusale, por edhe me pandemi politike. E mbërthyer nga parapolitika, shqiptarët do të vazhdojnë të përplasen nga scila në haribdë, tranzicioni ndërkaq do të zgjatë pafundësisht.

Në rrethana të sipërthëna dobësohet substanca e kombit, zbehet idealizmit, goditet rëndë ideali kombëtar, ndërkaq ëndrra për një të nesërme më të mirë – shuhet.

Shqiptarët e pritën me entuziazëm pluralizmin politik, ndërsa për çlirimin e Kosovës prej pushtuesve serbë e dhanë edhe jetën, por jo për t’u ndjerë të huaj, të nënshtruar, të nëpërkëmbur, të shfrytëzuar dhe të shpërfillur në gjirin e tokës mëmë.

Shteti ku ka punëtor me 150 euro pagë mujore, ndërsa oligarkët, politikanët dhe bijtë e tyre, fundjavën dhe pushimet i kalojnë nëpër ishujt ezoterikë të rruzullit – nuk mund të quhet shtet. Lumturia nuk është individuale. Ajo është e përgjithshme. Janë të turpshme skenat migjeniane në shtetin evropian të shekullit XXI. Në shtetin e pabarazive sociale të thella shkelen parimet themelore të demokracisë. Aty demokracia diskreditohet.

Varfëri, në tokat e pasura shqiptare! Ç’paradoks! Kush e ka në dorë atë pasuri, ato brigje me diell?!

Maj, 2020

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura