“NË EMËR TË POPULLIT”: AKGJYKIMI I ANËTARËVE TË LNÇKVSHJ – LRSHJ, 1983

“NË EMËR TË POPULLIT”: AKGJYKIMI I ANËTARËVE TË LNÇKVSHJ – LRSHJ, 1983

Më 27 maj 1983, Gjykata e Qarkut në Mitrovicën e Titos i përbërë nga trupi gjykues prej gjyqtarëve: Jusuf Mejzini-kryetar, Branko Jarediq-anëtar, gjyqtarëve porotë: Zenel Hamza, Millutin Markoviq dhe Radojica Gjokoviq-anëtarë dhe me procesmbajtësen Mevlude Hamza, sipas aktakuzës së Prokurorisë publike të qarkut në Mitrovicën e Titos PP-nr. 84/82 të datës 02.02.1983, në bazë të nenit 136 al. 1 të LPJ (Bashkimi për veprimtari armiqësore) dhe nenit 114. të LPJ, (Cënimi kontrarevolucionar i rregullimit shoqëror), shpalli aktgjykimin P-nr. 9/83 dhe në “EMËR TË POPULLIT” i denoj:

1. Rexhep Mehmetin ME DËNIM BURGIMI në kohë zgjatje prej 8 (tetë) vjetësh;

2. Shefqet Dibranin ME DËNIM BURGIMI në kohë zgjatje prej 5 (pesë) vjetësh;

3. Qerkin Pecin ME DËNIM BURGIMI në kohë zgjatje prej 3 (tri) vjetësh; dhe

4. Mustafë Mulollin ME DËNIM BURGIMI në kohë zgjatje prej 4 (katër) vjetësh.

Nga Sheradin Berisha © Pashtriku.org, Prill 2024

***

Në vijim lexoni Aktgjykimin:

A K T GJ Y K I M I

P-nr. 9/83

NË EMËR TË POPULLIT

GJYKATA E QARKUT NË MITROVICËN E TITOS, në trupin gjykues të përbërë prej gjyqtarëve: Jusuf Mejzini-kryetar, Branko Jarediq-anëtar, gjyqtarëve porotë: Zenel Hamza, Millutin Markoviq dhe Radojica Gjokoviq-anëtarë, me procesmbajtësen Mevlude Hamza, në çështjen penale të të akuzuarit REXHEP MEHMETIT për veprën penale Bashkimi për veprimtari armiqësore nga neni 136 al. 1 të LPJ lidhur me veprën penale Cënimi kontrarevolucionar i rregullimit shoqëror nga neni 114 të LPJ, të të akuzuarve SHEFQET DIBRANI, QERKIN PECI dhe MUSTAFË MULOLLI, secili veç e veç për veprën penale Bashkimi për veprimtari armiqësore nga neni 136 al. 1 të LPJ lidhur me veprën penale Cënimi kontrarevolucionar i rregullimit shoqëror nga neni 114. të LPJ, sipas aktakuzës së Prokurorisë publike të qarkut në Mitrovicën e Titos PP-nr. 84/82 të datës 02.02.1983, pas mbajtjes së shqyrtimit kryesor, verbal e publik me datën 26 maj 1983 në prezencë të përfaqësuesit të aktakuzës zëvendës PPQ në Mitrovicën e Titos Faruk Korenicës, të akuzuarve, mbrojtësve të tyre avoketëve: Mehmet Dushkut nga Prishtina, Abedin Naxhiut dhe Zaim Istrefit, të dytë nga Mitrovica e Titos, më datën 27 maj 1983 muarr dhe në prezencë të palëve publikisht shpall këtë

AKTGJYKIM

TË AKUZUARIT:

1. Rexhep Mehmeti, i biri i Hajdarit dhe Azemines e gjinisë Haziri, i lindur më 10.04.1954 në fshatin Dumnicë e Ultë komuna e Vuçitërnës, ku e ka edhe vendbanimin, shqiptar, shtetas i RSFJ, i martuar, baba i 3 fëmijëve, ka të kryer SHNE – dega për agjystator, momentalisht i papunë, shërbimin ushtarak e ka rregulluar në Zagreb më 1981, gjindet në EU pranë KK Vuçitërnë, me gjendje të mesme ekonomike, më parë jo i dënuar, kundër tij nuk zbatohet procedura për ndonjë vepër tjetër penale, gjindet në paraburgim prej 15.08.1982,

2. SHEFQET DIBRANI, i biri i Aliut dhe i Kadës e gjinisë Ferizi, i lindur më 14.09.1944, në fshatin Dumnicë e Ultë komuna e Vuçitërnës, ku ka edhe vendbanimin, shqiptar, shtetas i RSFJ, i pa martuar, ka të kryer SHNE – dega për vegëltar, punëtor në fabrikën “Poliester” në Podujevë, shërbimin ushtarak nuk e ka rregulluar, i pa dekoruar, me gjendje të varfur ekonomike, (…) kundër tij nuk zbatohet procedura për ndonjë vepër tjetër penale, gjindet në paraburgim prej 05.08.1982,

3. QERKIN PECI, i biri i Hajdarit dhe i Halimes, e gjinisë Haziri, i lindur më 20.04.1944 në fshatin Zhazhë komuna e Mitrovicës së Titos, vendbanimin e ka në Mitrovicën e Titos në lagjen “Tamnik” rruga 8 nr. 30, shqiptar, shtetas i RSFJ, profesor i gjuhës dhe i letërsisë shqipe, ka të kryer Fakultetin filozofik – grupi i albanologjisë, i martuar, babë i 3 fëmijëve të mitur, shërbimin ushtarak e ka rregulluar në Nish më 1971, gjindet në EU pranë KK Mitrovicë e Titos, i pa dekoruar, me gjendje të mesme ekonomike, më parë jo i dënuar, kundër tij nuk zbatohet procedura për ndonjë vepër tjetër penale, gjindet në paraburgim prej 05.08.1982,

4. MUSTAFË MULOLLI, i biri i Rrustemit dhe i Mihanes e gjinisë Fejzullahu, i lindur me 03.10.1955 në fshatin Shajkovc komuna e Podujevës ku e ka edhe vendbanimin, shqiptar, shtetas i RSFJ, ka të kryer dy klasë të shkollës së mesme ekonomike, punëtor administrativ – shaptilografist, i martuar, babë i 1 fëmiu të mitur, (…), i pa dekoruar, me gjendje të varfur ekonomike, më parë jo i dënuar, kundër tij nuk zbatohet procedura për ndonjë vepër tjetër penale, gjindet në paraburgim prej datës 05.08.1982,

Janë fajtorë

SEPSE:

I. REXHEP MEHMETI

Nga mesi i muajit shkurt të vitit 1982, me qëllim që të rrëzoj pushtetin e klasës punëtore dhe të punonjësve, të minojë rregullimin shoqëror-ekonomik të përcaktuar në kushtetutë, sistemin shoqëror-politik e sistemin e vetëqeverisjes, bazën ekonomike të vendit, thyerjen e vëllazërimit e të bashkimit, prishjen e barazisë së kombeve e të kombësive dhe ndryshimin antikushtetues të rregullimit federativ të shtetit, në Mitrovicën e Titos ka formuar grupin armiqësor të ashtuquajtur “treshi” të përbërë prej të akuzuarve Shefqet Dibranit, Qerkin Pecit dhe Mustafë Mulollit, i cili grup është pjesë përbërëse e organizatave: “Lëvizja Nacionalçlirimtare e Kosovës dhe viseve tjera të banuara me shqiptar në Jugosllavi” (LNÇKVSHJ) dhe “Partisë komuniste Marksiste-Leniniste të shqiptarëve në Jugosllavi” (PKMLSHJ) dhe prej datës 19.02.1982 “Lëvizja për republikën shqiptare në kuadër të Jugosllavisë”, i cili pastaj, si udhëheqës i grupit, më datën 09.05.1982 dhe më vonë ka organizua dhe ka shpërnda 90 ekzemplarë të afishes “Komunikatë” dhe më tepër se 100 ekzemplarë të afishes “Thirrje” e kjo e fundit në këtë përmbajtje: “në të cilën ftohen punëtorët, fshatarët, qytetarët, nxënësit dhe studentët, njerëz të çdo moshe që me datën 26.06.1982 kur fillon Kongresi XII i LKJ të lëshojnë punën, dyqanet, fushat e arat dhe të dalin në rrugë me qëllim të brohoritjes dhe të kërkojnë të drejtat e veta për krijimin e Republikës së Kosovës në Jugosllavi”, e të cilat krejt kanë pasur përmbajtje armiqësore, në atë mënyrë që një sasi të të njëjtave ka shpërnda duke futur në pliko dhe adresuar personave të ndryshëm ndërsa sasinë tjetër i ka shpërnda duke vendosur nëpër vende të ndryshme, e krejt në territorin e KSA të Kosovës,

– me këtë ka kryer veprën penale Bashkimi për veprimtari armiqësore nga neni 136. al. 1. të LPJ lidhur me veprën penale Cenimi kontrarevolucionar i rregullimit shoqëror nga neni 114. të LPJ.

II. SHEFQET DIBRANI, QERKIN PECI DHE MUSTAFË MULOLLI:

Nga mesi i muajit shkurt 1982 në Mitrovicën e Titos, me qëllim që ta rrëzojnë pushtetin e klasës punëtore dhe të punonjësve, të minojnë rregullimin shoqëror – ekonomik të përcaktuar me kushtetutë, sistemin shoqëror – politik e sistemin e vetëqeverisjes, bazën ekonomike të vendit, thyerjen e vëllazërimit e të bashkimit të vendit, prishjen e barazisë së kombeve e të kombësive dhe ndryshimin antikushtetues të rregullimit federativ të shtetit, janë bërë anëtarë të grupit armiqësor “treshit”, i cili është pjesë përbërëse e organizatave armiqësore: “Lëvizja Nacionalçlirimtare e Kosovës dhe viseve tjera të banuara me shqiptar në Jugosllavi” (LNÇKVSHJ), dhe Partisë Komuniste Marksiste-Leniniste të shqiptarëve në Jugosllavi” (PKMLSHJ) dhe prej datës 19.02.1982 “Lëvizja për Republikën Shqiptare në kuadër të Jugosllavisë”, dhe me datën 9 maj të vitit 1982 të ngritur në këmbë para flamurit kombëtar shqiptar kanë dhënë betimin me fjalë: “do të luftojmë psiqikisht, moralisht, politikisht dhe fizikisht për Republikën Shqiptare në Jugosllavi dhe në fund nëqoftëse është nevoja do ta flijojmë edhe jetën”, pas çkafit janë angazhuar në shpërndarjen e afisheve armiqësore ndaj vendit tonë: “Komunikatës” dhe “Thirrjes” e kjo e fundit me përmbajtje: “në të cilën ftohen punëtorët, fshatarët, qytetarët, nxënësit dhe studentët, njerëz të çdo moshe që me datën 26.06.1982 kur fillon Kongresi XII i LKJ të lëshojnë punën, dyqanet, fushat e arat dhe të dalin në rrugë me qëllim të brohoritjes dhe të kërkojnë të drejtat e veta për krijimin e Republikës së Kosovës në Jugosllavi”, e të cilat krejt kanë pasur përmbajtje armiqësore,

– me këtë secili veç e veç, kanë kryer veprën penale Bashkimi për veprimtari armiqësore nga neni 136. al. 2. të LPJ lidhur me veprën penale Cenimi kontrarevolucionar i rregullimit shoqëror nga neni 114. të LPJ.

Andaj, kjo gjykatë në bazë të dispozitave të përmendura ligjore dhe me aplikimin e neneve 33., 41. të LPJ dhe të nenit 351 të LPP, i

GJYKON

Të akuzuarin Rexhep Mehmetin ME DËNIM BURGIMI në kohë zgjatje prej 8 (tetë) vjetësh në të cilën i llogaritet edhe koha e tij e kaluar në paraburgim prej datës 05.08.1982 e tutje deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.

Të akuzuarin Shefqet Dibranin ME DËNIM BURGIMI në kohë zgjatje prej 5 (pesë) vjetësh në të cilën i llogaritet edhe koha e tij e kaluar në paraburgim prej datës 05.08.1982 e tutje deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.

Të akuzuarin Qerkin Pecin ME DËNIM BURGIMI në kohë zgjatje prej 3 (tri) vjetësh në të cilën i llogaritet edhe koha e tij e kaluar në paraburgim prej datës 05.08.1982 e tutje deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.

Të akuzuarin Mustafë Mulollin ME DËNIM BURGIMI në kohë zgjatje prej 4 (katër) vjetësh në të cilën i llogaritet edhe koha e tij e kaluar në paraburgim prej datës 05.08.1982 e tutje deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.

Të gjithë të akuzuarit obligohen që të paguajnë dhe atë solidarisht në emër të shpenzimeve të procedurës penale shumën sipas fletës definitive të shpenzimeve si dhe në emër të paushallit gjyqësor secili nga 800.00 din., krejt këto brenda 15 dite nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Në bazë të nenit 353. al.6 lidhur me al.1. dhe al. 2 të LPP, kundër të akuzuarve vazhdohet paraburgimi.

Në bazë të nenit 69. të LPJ shqiptohet masa e sigurimit njashtu që mirren: makina e shkrimit e markës “Unis” TBM deluxe nr. 15-5231546, makina e shkrimit e markës “Unis” TBM deluxe nr. 15-4974532, dy palë dorëza të gomës, tri cop kese të najlonit, dy thasë të najllonit për pleh artificial, si mjete me të cilat janë kryer veprat penale, 1 pushkë ushtarake “kragujevka” të kal. 7,9 mm., nr. 123980, 1 revole “Zastava” M-57″ nr. I-116541 të kal. 7,61 mm., 1 revole “Zbrojevka Vzor 50” nr. D-677321 të kal. 7,55 mm., 1 thikë dy tehëshe me dorëz të ilustruar me fotografitë e dy artistëve, municioni: 24 fishek të pushkës të kal. 7,9 mm., 17 fishek të revoles së kal. 7,61 mm., 4 fishek të kalibrit 7,65 mm., 1 brushë për pastrimin e gypit të revoles, 1 kuti me patenta “Meega”, për shkak të sigurimit të përgjithshëm, librat dhe fletushkat “Rruga e partisë”, organ i KQ të PPSH nr.2/78 dhe 11/78, librat: “Vetadministrimi jugosllav teori dhe praktikë kapitaliste”, “Demokracia proletare është demokraci e vërtetë”, “Teoria dhe praktika e revolucionit”, “Hrushqovi në gjunjë para Titos”, “Si duhet kuptuar dhe si duhet luftuar rrethimi imperialisto revizionist i vendit tonë dhe efekti i presionit të tij mbi ne”, “Letër e KQ të PPSH dhe qeverisë së RPSSH drejtuar KKT PK të Kinës dhe qeverisë kineze”, “Mbi bazat e leninizmit”, “Lufta e PPSH për ndërtimin e bazës ekonomike të socializmit”, një ekzemplar i statutit të LNÇKVSH, shumë ekzemplarë të marrun të afisheve “Komunikatë” dhe “Thirrje”, si mjete të destinuara për kryerjen e veprave penale.

Arsyetimi

Prokuroria publike e qarkut në Mitrovicë të Titos ka ngritur aktakuzën PP-nr. 84/82 të datës 02.02.1983 kundër Rexhep Mehmetit për veprën penale Bashkimi për veprimtari armiqësore nga neni 136 al.2 të LPJ lidhur me veprën penale Cenimi kontrarevolucionar i rregullimit shoqëror nga neni 114 të LPJ, Shefqet Dibranit, Qerkin Pecit dhe Mustafë Mulollit, secilit veç e veç për veprën penale Bashkimi për veprimtari armiqësore nga neni 136. al.2 të LPJ lidhur me veprën penale Cenimi kontrarevolucionar i rregullimit shoqëror nga neni 114 të LPJ. Pranë kësaj aktakuze gjatë tërë shqyrtimit kryesor ka ngelur në tërësi edhe përfaqësuesi i saj, zëvendës PPQ në Mitrovicën e Titos Faruk Korenica, i cili në fjalën e vet përfundimtare i propozon gjykatës që të akuzuarit për veprat penale me të cilat akuzohen të deklarohen fajtor dhe të ndëshkohen sipas ligjës.

Avokati Mehmet Dushku nga Prishtina, mbrojtësi i të akuzuarit Rexhep Mehmetit, në fjalën e vet përfundimtare deklaron se nuk u vërtetue që i akuzuari Rexhep ka qenë udhëheqës dhe organizator i grupit armiqësor të “treshit” pasiqë me pamëdyshje u vërtetua se organizatori i këtij grupi ka qenë, Ymer Berisha ndërsa ky ka qenë vetëm anëtar i këtij grupi. Prandaj në rast më të pavolitshëm, në veprimet e Rexhepit mund të ekzistojnë vetëm elemente të veprës penale nga neni 136. al. 2. të LPJ. Pastaj, qëllimi i këtij grupi ka qenë vetëm që të shpërndahet materiali propagandistik, kështuqë, nëse gjykata nuk akcepton tezën e parë të mbrojtjes, mund të flitet vetëm për veprën penale nga neni 133. al.1. të LPJ. Me rastin e matjes së dënimit në fund e lutë gjykatën që në anën e të akuzuarit Rexhep të marrë parasysh një mori rrethanash lehtësonjëse.

Avokati Abedin Nagjiu nga Mitrovica e Titos, i caktuar sipas detyrës zyrtare për mbrojtës të të akuzuarve Shefqet Dibrani dhe Mustafë Mulolli, në fjalën e vet përfundimtare deklaroi: se në provat e nxjerruna nuk u vërtetua që të mbrojturit e tij kanë qenë anëtarë dhe pjesëmarrës të grupit armiqësor “treshit” dhe nuk kanë shpërnda material armiqësor. Prandaj propozon gjykatës që të mbrojturit e tij të lirohen nga aktakuza, e në rast më të pavolitshëm, nëse gjykata gjen se në veprimet e këtyre ekzistojnë elemente inkriminuese, propozon që ndaj tyre të shqiptohet një dënim sa më adekuat.

Avokati Zaim Istrefi nga Mitrovica e Titos, mbrojtësi i të akuzuarit Qerkin Pecit, në fjalën e vet përfundimtare deklaron: se edhe pse i mbrojturi i tij ka ra në konflikt me ligjin, është bërë anëtar i grupit “treshit”, ka dhënë betimin, ai nuk ka ditë se cilës organizatë i takon, çfarë qëllimesh ka kjo dhe kush të njëjtën e ka formuar. I akuzuari Qerkin është anëtarësua në këtë grup duke qenë i informuar nga i akuzuari Rexhep Mehmeti dhe Ymer Berisha se qëllimi i këtij grupi është vetëm shpërndarja e materialit propagandistik e për këtë, në rastin konkret mund të flitet vetëm për veprën penale propagandë armiqësore, me rastin e matjes së dënimit propozon gjykatës që të merr parasysh një mori rrethanash lehtësonjëse duke shqiptuar një dënim sa më adekuat.

I akuzuari Rexhep Mehmeti, në mbrojtjen e vet, si në procedurën paraprake ashtu edhe në shqyrtimin kryesor, thekson se është anëtarësue në grupin e ashtuquajtur “treshi” që është pjesë përbërëse e organizatës: “Lëvizja për Republikën Shqiptare në Jugosllavi” e jo pjesë përbërëse e “LNÇKVSHJ” dhe “PKMLSHJ”, se bashkë me Ymer Berishën dhe të akuzuarin Qerkin Pecin e kanë dhënë betimin si anëtar të këtij “treshi” se bashkë me Ymer Berishën kanë marrë material armiqësor kundër RSFJ nga Turqia, se këtë material që të tretë e kanë shpërnda, se çdo anëtar i këtij “treshi” ka pas për detyrë të formojë njëherit “tresha” të rinj, dhe se qëllimi kryesor i organizatës, anëtar i së cilës është, ka qenë të formohet “Republika Shqiptare në kuadër të Jugosllavisë”.

I akuzuari Shefqet Dibrani në mbrojtjen e vet gjatë hetuesisë nuk mohon faktet se nga i akuzuari Rexhep Mehmeti ka marrë material propagandistik: fletushkat “Zëri i Kosovës” nr. 2-3 në brendinë e njërës prej tyre ishte futur afishi “Thirrja” për organizimin e demonstratave e datës 26.06.1982, se që nga viti 1979 ka marrë libra dhe revista me përmbajtje armiqësore dhe të botuara jashtë vendit tonë nga Sabri Novosella, se ka dhënë një betim me përmbajtje armiqësore ndaj vendit tonë, por këtë betim, mbrohet ai, e paska dhënë në dyqanin e Sabri Novosellës duke qitur duert para flamurit kombëtar shqiptar dhe duke lexuar betimin qysh i ka thënë Sabriu. Ndërkaq në shqyrtimin kryesor i akuzuari Shefqet tani në tërësi i mohon edhe ato thënie para gjyqtarit hetues, duke theksuar se aktakuza ndaj tij është tërësisht e montuar nga organet e sigurimit, se gjatë jetës së tij kurrë nuk është marrë me veprimtari armiqësore, nuk ka marrë prej askujt e as që ka pas në shtëpi material armiqësor, nuk ka dhënë kurrfarë betimi dhe nuk ka qenë e as nuk din për grupin armiqësor të tërë “treshit”.

I akuzuari Qerkin Peci, në mbrojtjen e vet si në hetuesi ashtu edhe në shqyrtimin kryesor nuk i mohon faktet se është bërë anëtar i grupit armiqësor “treshi”, ka dhënë betimin e qëllimi i këtij grupi ka qenë me karakter demokratik propagandistik vetëm që të njihet statusi i “Kosovës Republikë”, e jo për ndonjë qëllim tjetër e për këtë ka marrë vesh prej të akuzuarit Rexhep Mehmetit dhe Ymer Berishës të cilët edhe i kanë propozue që të anëtarësohet në këtë grup. Pastaj, nuk i mohon faktet se ai, si anëtar i këtij grupi ka bërë shpërndarjen e materialit armiqësor. Mirëpo, në arsyetimin e shkakut se pse është anëtarësue në këtë grup i njëjti mbrohet duke theksuar se ka qenë i demoralizuar pasi është përjashtuar nga puna, një kohë të gjatë ka ndejtë pa punë, i cili demoralizim te ai paska kalue në revoltë, e në pyetjen e bërë ai përgjigjet se ka qenë i revoltuar ndaj atyre personave legjitim të cilët përfaqësojnë organet e pushtetit.

I akuzuari Mustafë Mulolli, në mbrojtjen e tij, në procedurën paraprake, nuk i mohon faktet se që nga viti 1975 ka marrë libra me përmbajtje armiqësore, se duke lexuar këto libra e duke përcjell programin e TV Tiranës është frymëzuar për veprimtari armiqësore dhe është marrë me shkrimin e disa poezive që kanë karakter armiqësor ndaj vendit tonë, se në shoqëri me Naim Shalën, Enver Tupellën dhe të akuzuarin Rexhep  Mehmetin, ka zhvilluar bisedë rreth formimit të një grupi për veprimtari armiqësore, se më 26.03.1981 ka marrë pjesë në demonstratat armiqësore në Prishtinë, se ka organizue më 31.03.1981 bojkotimin e mësimit të nxënësve në Universitetin e punëtorëve në Prishtinë, se në muajin mars 1981 ka shpërndarë disa parulla armiqësore, se ka pas në posedim afishin “Komunikatë” por mbrohet se këtë afishe e ka marrë prej Osman Pacollit me qëllim shumëzimi dhe shpërndarjeje, se në Prishtinë është takue me të akuzuarin Rexhep dhe nga “Komunikata” bashkë kanë nxjerr afishin “Thirrje” për demonstratat e 26.06.1982 të cilat i ka shumëzue e pastaj shpërnda në Podujevë. Mirëpo, i njëjti, në mbrojtjen e vet gjatë shqyrtimit kryesor i mohon në tërësi edhe këto thënie të dhëna në hetuesi duke u mbrojtur se nuk pajtohet se thëniet nga aktakuza, se nuk është anëtar i kurrfarë organizate ilegale dhe nuk ka dhënë kurrfarë betimi për ndonjë organizatë armiqësore.

Pas çmuarjes së provave të nxjerruna, Gjykata e qarkut vërtetojë gjendjen faktike vijuese:

Para demonstratave kontrarevolucionare në Kosovë të muajve mars, prill të vitit 1981, të akuzuarit: Rexhep Mehmeti, Shefqet Dibrani, Qerkin Peci dhe Mustafë Mulolli, janë marrë me aktivitete të organizuara kontrarevolucionare dhe armiqësore ndaj RSFJ. Kështu, Rexhep Mehmeti, Mustafë Mulolli dhe Naim Shala, punëtorë të fabrikës së amortizerëve në Prishtinë kanë zhvilluar biseda me përmbajtje armiqësore ndaj vendit tonë e njëherit këta kanë organizuar edhe ndërprerjen e punës në këtë fabrikë. Më 26.03.1981 Të akuzuarit Rexhep dhe Mustafë, kanë marrë pjesë në demonstratat armiqësore në Prishtinë, për çka janë dënuar me burgim nga gjyqtari për kundërvajtje e pastaj që të dytë janë përjashtuar nga marrëdhënia e punës. I akuzuari Qerkin Peci ka marrë pjesë në demonstratat kontrarevolucionare në Mitrovicën e Titos me datën 03.04.1981 për çka është dënuar me burgim nga gjyqtari për kundërvajtje dhe iu është ndërprerë marrëdhënia e punës si mësimdhënës i gjuhës dhe letërsisë shqipe e gjatë vuajtjes së këtij dënimi në burgun e Smrekonicës është njoftuar me të akuzuarin Rexhep Mehmetin. I akuzuari Shefqet Dibrani qysh nga fundi i vitit 1979 është furnizuar me libra, revista dhe broshura, të gjitha të botuara në Tiranë, të cilat kanë pas karakter armiqësor ndaj RSFJ e të cilat me rastin e paraburgimit gjatë bastisjes në shtëpinë e tij janë gjetë dhe janë marrë.

Nga mesi i muajit shkurt të vitit 1982, i akuzuari Rexhep Mehmeti, në Mitrovicën e Titos ka formuar grupin armiqësor të ashtuquajtur “treshi” të përbërë prej të akuzuarve Shefqet Dibrani, Qerkin Peci dhe Mustafë Mulolli i cili grup është pjesë përbërëse e organizatave armiqësore: “Lëvizja Nacionalçlirimtare e Kosovës dhe viseve tjera të banuara me shqiptar në Jugosllavi” (LNÇKVSHJ) dhe “Partia komuniste Marksiste Leniniste të shqiptarëve në Jugosllavi” (PKMLSHJ) dhe prej datës 19.02.1982 këto dy organizata janë shkrirë në një të vetme të ashtuquajtur “Lëvizja për Republikën Shqiptare në kuadër të Jugosllavisë”. Deri te arritja e formimit të këtij “treshi”, i ndihmuar dhe sipas udhëzimeve të ekstremit armiqësor Ymer Berishës, i akuzuari Rexhep Mehmeti ka ndërmarr disa veprime paraprake. Kështu në shkurt të vitit 1982, bashkë me Ymer Berishën, ka udhëtuar në Turqi me qëllim të caktuar, që të lidhen me emigracionin ekstrem shqiptar për të marrë instrukcione e udhëzime rreth formimit të grupit në vend i cili kishte me zhvilluar aktivitete armiqësore ndaj sistemit të RSFJ. Në Adapazar të Turqisë takohet me emigrantët ekstrem nga Kosova Sabri Maxhuni dhe Sabri N. me të cilët janë marrë vesh që në Kosovë të formojnë grupin armiqësor që të punojë për organizatën “Lëvizja për Republikën Shqiptare në Jugosllavi”. Me t’u kthyer nga Turqia për në Jugosllavi prej këtyre emigrantëve, i akuzuari Rexhep e Ymer Berisha marrin afishin “Komunikatë” në të cilin bëhet fjalë për shkrirjen e organizatave të përmendura armiqësore, në një të vetme të quajtur “Lëvizja për Republikën Shqiptare në Jugosllavi”. Në këtë afishe njëherit bëhet fjalë për instrukcionet e punës së mëtejme armiqësore. Përveç kësaj Rexhepi dhe Ymeri nga emigrantët ekstrem i kanë marrë edhe dy numra nga tre ekzemplarë (gjashtë copa) të fletushkës “Zëri i Kosovës” nr. 1 e 2., organ i kësaj organizate ekstreme emigrante shqiptare në perëndim, që të sillnin në Jugosllavi me qëllim të shpërndarjes e propagimit. I akuzuari Rexhep kur kthehet nga Turqia në vend, fillon të punojë për “Lëvizjen”, duke formuar “treshin” armiqësor, ashtuqë si u tha më lartë, angazhon dhe ia arrin qëllimit që të anëtarësojë në këtë tresh: bashkëfshatarin e tij të akuzuarin Shefqet Dibranin, të akuzuarin Qerkin Pecin me të cilin më parë është njohtë gjatë vuajtjes së dënimit të burgut në Smrekonicë duke bashkëpunuar me ekstremin armiqësor Ymer Berishën, dhe të akuzuarin Mustafë Mulollin, kolegun e dikurshëm të punës me të cilin qysh më parë ka pas bisedë rreth formimit të një grupi armiqësor. I akuzuari Rexhep, në shtëpinë e vet, bashkë me Ymer Berishën, me makinë të shtypit, kanë shtypur “Komunikatën” në 90 ekzemplar, i kanë vu në koverta të adresuara personave të ndryshëm në territorin e KSAK duke i shpërnda nëpër posta të ndryshme e njëherit duke lënë në vende të ndryshme të KSAK. Një prej marrësve të kësaj “Komunikate” ka qenë edhe i akuzuari Qerkin Peci, me të cilin pastaj i akuzuari Rexhep bashkë me Ymerin kthehet në kontakt dhe ia arrin qëllimit që ta anëtarësoj në këtë tresh. Në prezencë të akuzuarit Rexhep me datën 9 maj 1982, të akuzuarit Shefqet, Qerkin dhe Dibran, të ngritur në këmbë kanë dhënë betimin me fjalët: “Do të luftojmë psiqikisht, moralisht, politikisht dhe fizikisht për Republikën Shqiptare në Jugosllavi dhe në fund nëqoftëse është nevoja do ta flijojmë edhe jetën.”

Qëllimi i këtij grupi ka qenë tejet armiqësor dhe kontrarevolucionar ndaj sistemit të RSFJ, e detyrat konkrete të anëtarëve të grupit kanë qenë që në ilegalitet të punojnë në organizatën e “Lëvizjes”, e njëherit secili anëtar ka pas për detyrë të formojë “tresha” të rinj. Ymer Berisha nga Turqia prej emigrantëve ekstremë sjell materiale të reja armiqësore duke ia dhënë të akuzuarit Rexhep që ato të lexohen, shumëzohen dhe shpërndahen. Në mesin e këtyre materialeve ishin 6 ekzemplarë të fletushkës “Zëri i Kosovës” nr.3 dhe origjinali i afishes “Thirrje”. Teksti i afishes “Thirrje” kishte këtë përmbajtje: “në të cilën ftohen, punëtorët, fshatarët, qytetarët, nxënësit dhe studentët, njerëz të çdo moshe që me datën 26.06.1982 kur fillon Kongresi i XII i LKJ të lëshojnë punën, dyqanet, fushat e arat dhe të dalin në rrugë me qëllim të brohoritjes dhe të kërkojnë të drejtat e veta për krijimin e Republikës së Kosovës në Jugosllavi”. I akuzuari Rexhep pastaj kontakton me secilin të akuzuar veç e veç, dhe që të gjithë angazhohen në shumëzimin dhe shpërndarjen e kësaj afisheje. Mënyra e shumëzimit dhe e shpërndarjes së kësaj afishe ishte e njëjtë si me atë të “Komunikatës”. Njëherit të akuzuarit i kishin ndarë territoret ku kanë vepruar në shpërndarjen e afisheve. Kështu, i akuzuari Qerkin ka shpërndarë afishet në territorin e Mitrovicës së Titos, i akuzuari Mustafë në territorin e Podujevës, i akuzuari Rexhep në territorin e Vuçitërnës dhe të Sërbicës, Ymer Berisha në territorin e Prishtinës e në një rast të akuzuarit Rexhep dhe Shefqet bashkarisht kanë shpërndarë afishet duke filluar prej fshatrave të Vuçitërnës e duke shkuar deri në Gradicë të Gllogovcit. I akuzuari Rexhep diku në mars të vitit 1982 pas mesnate në një shitore afër stacionit të autobusave në Velika Rekë KK Vuçitërnë i ka shkruar parullat armiqësore “Kosova Republikë” dhe “jashtë apo poshtë tradhtarët”.

Ky grup ka pas për detyrë të formojë komitetin i cili do të kishte kryesinë prej 9 anëtarëve, kryetarin, sekretarin dhe arkatarin dhe është kanë dashtë të punojë dhe koordinoj në mënyrë ilegale dhe të formohet pas Kongresit të XII të LKJ.

Gjendjen e këtillë faktike kjo gjykatë e vërtetojë pas çmuarjes së gjithanshme dhe të plotë të provave të nxjerruna: me ndëgjimin e dëshmitarit Xhevat Isufit, me leximin në dëshminë e dëshmitarit Fahri Vishit të dhënë në hetuesi, me vështrimin në materialin propagandistik hollësisht të theksuar në dispozitivin e aktgjykimit në pjesën ku flitet për masën e sigurimit, të cilat përputhen: gadi në tërësi në deklaratat e të akuzuarve Rexhep dhe Qerkin si në hetuesi ashtu edhe në shqyrtimin kryesor, pjesërisht në deklaratat e të akuzuarve Shefqet e Mustafë të dhëna në hetuesi.

Nuk janë kontestuese faktet: se është formuar grupi armiqësor “treshi”, se anëtarët e të njëjtit kanë dhënë betimin para flamurit kombëtar shqiptar të cekur më lartë, se janë marrë me shpërndarjen e afisheve “Komunikata” dhe “Thirrja”, se i kanë lexuar fletushkat “Zëri i Kosovës” se tërë materiali armiqësor si edhe origjinalet e afisheve të përmendura i kanë marrë nga emigracioni i jashtëm në Turqi me qëllim të leximit, shumëzimit dhe shpërndarjes, se ky grup ka punuar në ilegalitet, se çdo anëtar i të njëjtit ka pas detyrë me punue “tresha” të rinj me qëllim të masovizimit sa më të madh të ithtarëve, përkitazi me tekstin e përmbajtjes së afisheve të përmendura.

Me vështrimin në afishen “Komunikatë” origjinalin e të cilit ky grup i “treshit” e ka marrë nga emigracioni i jashtëm të cilin fakt e pohon edhe i akuzuari Rexhep, kjo gjykatë vërtetoj faktet përkitazi me tekstin e kësaj afisheje ku bëhej fjalë për shkrirjen e dy organizatave armiqësore në një të vetme të përmendura më lartë. Prandaj me pamëdyshje konkludohet se ky grup i “treshit” së pari ka qenë pjesë përbërëse e dy organizatave të para të përmendura e pastaj është bërë pjesë përbërëse e organizatës së fundit të përmendur armiqësore. I akuzuari Rexhep pohon se është anëtar i organizatës “Lëvizja për Republikën Shqiptare në Jugosllavi” ndërsa mohon se është anëtar i atyre dy organizatave të para të përmendura edhe pse kjo nuk është me rëndësi, kjo gjykatë këtë mohim të të njëjtit e hudhi poshtë me vështrimin në afishen e përmendur.

Prej deklaratës së Rexhepit, vërtetohet se ai ka qenë pjesëmarrës i demonstratave në Prishtinë më 26.03.1981 për që arsye është largue nga marrëdhënia e punës, se vazhdon të mirret me veprimtari armiqësore duke kontaktuar me Ymer Berishën, pastaj me emigrantët Sabri Maxhunin dhe Sabri N. prej të cilëve ka marrë udhëzime për veprimtari armiqësore e qëllimi kryesor ka qenë formimi i grupit të “treshit” ashtuqë pastaj secili anëtar i “treshit” të formojë grupin e vet, se prej Turqisë është furnizuar me material armiqësor. Mirëpo ky, pasiqë privohet nga liria, me qëllim të shmangies qoftë edhe të pjesërishme të përgjegjësisë penale është i vetëdijshëm se si organizator dhe udhëheqës i grupit mban peshën më të madhe të përgjegjësisë se sa si anëtar para organeve të ndjekjes, pa bazë përpiqet të justifikohet duke theksuar përpos atyre që u thanë më lartë, se ai kinse paska qenë vetëm anëtar ndërsa organizator i këtij grupi paska qenë Ymer Berisha, e në këtë grup e pranon vetëm anëtarësimin e të akuzuarit Qerkin kurse të akuzuarit Shefqet e Mustafë i eliminon.

Në këtë drejtim nëse analizohet hollësisht deklarata e tij e dhënë në hetuesi dhe në shqyrtimin kryesor në të cilin shihet se ai ka qenë në kontakt me secilin të akuzuar dhe me lidhjen e pjesërishme të deklaratave të të akuzuarve tjerë, do të shihet qartazi se kjo mbrojtje e Rexhepit është e pabazë. Kështu, duke u nisur nga faktet jo kontestuese se ky “tresh” ka punuar në ilegalitet, se shumëzimi dhe shpërndarja e afisheve të përmendura u kanë qenë të njohura vetëm anëtarëve të “treshit”, pastaj duke u nisur nga deklarata e Qerkinit në të cilën ai pranon se është anëtar i grupit, nga deklaratat e të akuzuarve Rexhep dhe Mustafë të dhëna në hetuesi në të cilat këta deklarojnë se në Prishtinë kanë pas takime, se Mustafa është njohtë me afishet e përmendura e pastaj ka shumëzue dhe shpërnda afishin “Thirrje” në Podujevë, nga deklaratat e Rexhepit dhe Shefqetit të dhëna në hetuesi, në të cilat pranojnë se i kanë shpërnda afishet “Thirrjet” prej fshatrave të Vushtrrisë e deri në Gradicë të Gllogovcit, vetvetiu rrjedh konkludimi i kësaj gjykate se organizator dhe udhëheqës i këtij grupi ka qenë i akuzuari Rexhep, ndërsa anëtarët kanë qenë të akuzuarit tjerë. Me këtë drejtim çdo verzion tjetër që rrjedh nga mbrojtja e të akuzuarve është i gabuar sepse këta në verzionet e tyre shihet interesi i të njëjtëve për shmangien e tërësishme apo qoftë edhe të pjesërishme të përgjegjësisë penale.

Kështu si u tha më lartë, i akuzuari Rexhep përpiqet që të japi verzionin se ai kinse paska qenë anëtar ndërsa Ymeri organizator i këtij grupi e për me u kompletue edhe me një anëtar ai tregon vetëm të akuzuarin Qerkin.

I akuzuari Shefqet në hetuesi deklaron se ka dhënë betimin si anëtar i grupit por pa bazë përpiqet të justifikohet se këtë e ka dhënë para Sabri Novosellës e gjatë betimit ka përsërit fjalët e Sabriut, se kinse nuk ka ditë se cilës organizatë i takon ky grup, se pranon faktin që me Rexhepin kanë shpërnda afishen “Thirrja” por mbrohet se ai këtë vetëm e ka shoqërue, se prej Rexhepit ka marrë “Zërin e Kosovës” nr.1 e 2., se më parë prej Sabriut qysh prej vitit 1979 është furnizuar me libra, fletushka armiqësore, kështu që sipas konkludimit të gjykatës, i akuzuari Shefqet në hetuesi përpiqet edhe pjesërisht t’i shmanget përgjegjësisë penale duke hudhë fajin në Sabri Novosellën për të cilin fare mirë e din se ai gjendet në emigracion në Turqi, duke u përpjekur me e mëshehë faktin se është anëtarësue në “tresh” se betimin e ka dhënë edhe i akuzuari Rexhep. Mirëpo, Shefqeti, edhe këto thënje pjesërisht pohuese por të cilat pak a shumë kanë lidhshmëri me provat materiale dhe deklaratën e të akuzuarit Rexhep në shqyrtimin kryesor të njëjtat në tërësi i demanton duke shkuar aq saqë tani deklaron se kurrë nuk është marrë me veprimtari armiqësore, nuk është furnizuar dhe nuk ka pas në shtëpi asnjë libër, fletushkë apo broshurë armiqësore, e harron faktin se me rastin e bastisjes në shtëpinë e tij janë gjetë materialet armiqësore të cilat janë cekë në dispozitivin e aktgjykimit e të cilat janë marrë me vërtetim.

Verzionin e të akuzuarit Mustafë Mulollit, në të cilin ai vehten nuk e futë në grupin e “treshit” kjo gjykatë e hudhë poshtë si të pa bazë sepse duke u nisur nga deklarata e të njëjtit në hetuesi në të cilën thotë se ka pas në posedim afishen “Komunikatë” se prej të njëjtës bashkë me Rexhepin e kanë nxjerrë afishen “Thirrje” të cilën pastaj e ka shumëzue dhe shpërnda në Podujevë, vetvetiu tregon lidhmërinë e këtij me Rexhepin përkitazi me veprimtarinë e tyre armiqësore që rrjedh nga aktiviteti i këtij grupi edhe pse nuk mund të pranohen e këtij se prej “Komunikatës” bashkë e kanë nxjerrë “Thirrjen”, sepse me pamëdyshje vërtetojnë se origjinalet e këtyre afisheve janë sjellë nga emigracioni i jashtëm e nuk kanë pas këta çka të nxjerrin prej njërës për të përpilue afishen tjetër, por këta i kanë pas detyrat konkrete të cilat rrjedhin nga veprimtaria e grupit e të cilat kanë qenë shumëzimi dhe shpërndarja e afisheve, si edhe kanë bërë.

Kjo gjykatë refuzojë të dhënat e të akuzuarve Shefqet dhe Mustafë në shqyrtimin kryesor, në të cilat këta pa bazë e me qëllim të shmangies së përgjegjësisë penale theksojnë se deklaratat që i kanë dhënë në hetuesi janë të montuara dhe nën presionin e organeve të sigurimit sepse këta në këtë drejtim nuk ofrojnë asgjë bindëse e aq më tepër kur dihet që këta deklaratat i kanë dhënë para gjyqtarit hetues ku nuk ka pas pjestarë të sigurimit dhe ndonjë presion të çfarëdo lloji, a për ndryshe edhe sikur të ishte ashtu qysh këta theksojnë, në deklaratat e tyre kishin me pranue në tërësi e jo pjesërisht si kanë veprue egzistimin e veprave penale në drejtim të së cilave u zbatua hetuesija ndaj tyre.

Nga gjendja faktike më lartë e vërtetuar, gjykata e qarkut gjen se në veprimet e të akuzuarve ekzistojnë elementet qenjësore të veprave penale hollësisht të përshkruara në dispozitivin e aktgjykimit, për të cilat këta deklarohen fajtor dhe penalisht përgjegjës. Nga arsyet më lartë të cekura, u refuzuan si të pa baza tezat e mbrojtjes së mbrojtësve dhe të vet të akuzuarve.

Në kuptim të nenit 41. të LPJ, kjo gjykatë muarr parasysh të gjitha rrethanat të cilat ndikojnë me rastin e matjes së dënimit. Kështu, si rrethana lehtësonjëse te të gjithë të akuzuarit gjeti se këta janë persona relativisht të rinjë, se, përpos të akuzuarit Shefqet, të tjerët janë të martuar, kanë fëmijë, më parë nuk kanë qenë të dënuar. Ndërsa si rrethana rëndonjëse muarr: të të gjithë të akuzuarit faktin se këta një kohë të gjatë janë marrë me aktivitete armiqësore të cilat i kanë shprehë edhe me pjesëmarrjen e tyre në demonstratat kontrarevolucionare në Kosovë, vendosshmërinë e tyre të shkallës së lartë që të jenë sa më aktiv në kryerjen e veprimeve armiqësore që shihet në shumëzimin dhe shpërndarjen e numrit të madh të afisheve dhe në dhënien e betimit, në tekstin verbal të të cilit qartaz shihet se këta kanë qenë shumë të eksponuar armiqësisht ndaj RSFJ, te i akuzuari Rexhep: përpjekja e tij permanente dhe e vendosur në formimin e “treshit” duke i bindë dhe maksimalisht angazhue anëtarët e grupit në shumëzimin dhe shpërndarjen e afisheve, angazhimin e tij që sa më shumë material armiqësor të merr nga emigracioni i jashtëm dhe pastaj të njëjtat t’i shpërndaj.

Prandaj duke marrë parasysh këto rrethana dhe me aplikimin e dispozitave ndëshkuese nga neni 136. al. 1. lidhur me nenin 114. të LPJ për të akuzuarin Rexhep dhe nga neni 136. al. 2 lidhur me nenin 114 të LPJ për të akuzuarit tjerë, gjykata të akuzuarit i gjykojë me dënimi burgimi të cekura në dispozitivin e aktgjykimit, duke qenë plotësisht e bindur se me këto dënime, me pamëdyshje do të arrihet qëllimi i dënimeve nga neni 33. të LPJ.

Kjo gjykatë vendosi ndaj të akuzuarve të vazhdohet paraburgimi në bazë të nenit 353. al. 6. lidhur me al. 1. dhe al. 2 të LPP.

Vendimin mbi shqiptimin e masës së sigurimit, kjo gjykatë e muarr me aplikimin e nenit 69. al. 1. dhe al. 2. të LPJ.

Nga sa u tha më lartë, u vendos si në dispozitivin e aktgjykimit.

GJYKATA E QARKUT NË MITROVICË E TITOS

P-nr. 9/83, – më 27.05.1983

PROCESMBAJTËSJA                        

Mevlyde Hamza, d.v.

KRYETARI I TRUPIT – GJYQTARI,

Jusuf Mejzini, d.v.

KËSHILLË JURIDIKE: Kundër këtij aktgjykimi është e lejuar ankesa brenda 15 dite nga dita e marrjes përmes të kësaj gjykate, Gjykatës supreme të Kosovës në Prishtinë.

******

Lexoni në formatin PDF:

AKGJYKIMI I ANËTARËVE TË LNÇKVSHJ – LRSHJ, 1983

Nga © Pashtriku.org

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura