Në 43 vjetorin e demonstratave të vitit 1981 në Kosovë
DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRATAT E VITIT 1981 NË KOSOVË (XVII)
Nga Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba
-82-
Për përdorim të kufizuar
J C R Gray Esq Ambasada britanike
EESD Beograd
FCO 5 gusht 1981
I nderuar Charles,
Kosova: proceset gjyqësore
1. Siç ka raportuar tashmë edhe BBC, gjatë javës së fundit janë zhvilluar proceset gjyqësore të disa prej demonstruesve të marsit dhe prillit. Dënimet kanë qenë të ashpra, pa dyshim për të shërbyer si efekt parandalues për ata që do të guxonin të dilnin në demonstrata.
2. Gazeta “Borba” e datës 30 korrik përmbante një raport (bashkëngjitur përkthimi) të procesit gjyqësor të pesë personave të zhvilluar në Mitrovicë, me akuzën se kishin organizuar dhe marrë pjesë në demonstratat “kundërrevolucionare”. Është me interes të thuhet se vetëm dy nga të akuzuarit ishin studentë. Dënimet e tyre silleshin nga 6½ vjet në 8½ vjet.
3. Megjithatë, gjyqi kryesor u zhvillua javën e kaluar në Prishtinë, dhe gazeta “Borba” raportoi më 3 gusht se njëmbëdhjetë persona ishin nën gjykim për aktivitete armiqësore. Dhjetë prej tyre u dënuan me 7 dhe 13 vjet dhe i njëmbëdhjeti u dënua me një vit burgim. Krimi i tyre më i rëndë ishte se kishin vjedhur një automjet në një karvan automjetesh zyrtare të Sekretariatit Federal të Punëve të Brendshme (SSUP) në një fshat të quajtur Besi, që është rreth 8 milje larg Prishtinës. Ata plaçkitën kamionin me armë dhe municion dhe armët u ndanë në radhët e grupit dhe u fshehën në vende të ndryshme. Grupi u kap shpejt nga oficerët e SSUP, të cilët i rimorëm armët. Anëtari i trembëdhjetë i grupit, i cili nuk kishte marrë pjesë në këtë sulm, dorëzoi një pushkë dhe 70 fishekë në zyrën e pushtetit lokal që ia kishte dhënë njëri prej sulmuesve, dhe u akuzua se kishte fshehur një armë të vjedhur.
4. Megjithëse dënimet janë jashtëzakonisht të rënda sipas standardeve jugosllave, ndoshta është e drejtë të thuhet se personat që vjedhin armë nga forcat britanike do të merrnin mbase të njëjtin dënim, me pëlqimin e Madhërisë së Saj.
I Juaji
J. Ward
Për dijeni: P. Rennie Esq
Departamenti i Kërkimit, FCO
Organizatorët e demonstratave të dënuar në Prishtinë
Gazeta Borba, e hëne, 3 gusht 1981, p. 12 c. 1-3
(Prishtinë, 2 gusht)
Këshilli i Gjykatës së Rrethit ka shpallur sot dënimin për një grup prej 11 personash me akuzën se kanë marrë pjesë në organizimin e demonstratave armiqësore dhe kundërrevolucionare më 2 prill 1981, sipas platformës dhe irredentizmit të nacionalizmit shqiptar dhe me dhunë morën armë nga një automjet i Sekretariatit të Punëve të Brendshme, 13 km larg autostradës Prishtinë-Podujevë, në fshatin Besi, dhe/ose kanë ndihmuar fajtorët e kësaj vepre penale për të fshehur armët.
Në bankën e të akuzuarit ishin Zymber Krasniqi (i datëlindjes 1960), nga fshati Breznicë, fermer, Bajram Syla (i datëlindjes 1963), student i shkollës së mesme, nga fshati Rimanista, Q!erim Arifi (i datëlindjes 1961), fermer, nga fshati Rimanistë, Nagip Bllaca (i datëlindjes së 1962), fermer nga fshati Besi, Naim Statovci (i datëlindjes 1962), student nga fshati Prugovc, Sadik Dragusha (i datëlindjes 1949), fermer nga fshati Prugovc, punëtor në Ndërmarrjen e Ndërtimit “Izgradnja” nga Peja, kantier ndërtimi në Prishtinë, Ramadan Rexha (i datëlindjes 1922), fermer nga fshati Rimanishtë, Enver Koliqi (i datëlindjes 1955), nga fshati Lupç i Poshtëm, i papunë, dhe Sadri Berisha (i datëlindjes 1942), nga fshati Drenovc, punëtor i Kombinatit nga Obiliqi.
Për kryerjen e veprave penale të kundërrevolucionit që rrezikojnë rendin shoqëror, sipas Nenit 114 të Kodit Penal të RSFJ, Këshilli i Gjykatës së Rrethit të Prishtinës ka administruar, bazuar në provat e përftuara nga padia, dënimet në vijim: Zymber Krasniqi dhe Nexhmedin Pireva janë dënuar me 13 vjet burgim secili, Bajram Syla dhe Nagip Bllaca janë dënuar me 12 vjet burgim secili, Naim Statovci dhe Sadik Dragusha me 10 vjet secili, Qerim Arifi dhe Enver Koliqi janë dënuar me nga 8 vjet.
Për veprën penale të ofrimit të ndihmës për rrëmbimin e armëve, sipas Nenit 137, paragrafi 1, i Kodit Penal të RSFJ, u dënuan me 7 vjet burgim Shaban Dragusha dhe Ramadan Rexha. I fundit prej tyre Sadri Berisha, u dënua me një vit burgim, sipas veprës penale të fshehjes së armëve, bazuar në Nenin 154, paragrafi 1 i Kodit Penal të Kosovës.
Tashmë janë të njohura faktet për ngjarjet në fshatin Besi, afër Prishtinës, për të cilat u përhapën zërat menjëherë pas demonstratave. Konkretisht, sipas akuzës, deponimeve të dëshmitarëve dhe të akuzuarve, u provua në seancën kryesore në Gjykatën e Rrethit të Prishtinës, se tetë personat e akuzuar sipas Nenit 114 të Kodit Penal të RSFJ, në mes të cilëve veçanërisht Zymber Krasniqi dhe Bajram Syla, kanë qenë aktorët kryesorë në organizimin e demonstratave në fshatin Besi, në të cilat morën pjesë me dhjetëra persona të tjerë. Këta tetë demonstrues ishin gjithashtu zhurmëmëdhenjtë që thërrisnin parullat armiqësore “Kosova – Republikë”, “Kushtetutë”, “Republikë me paqe ose me forcën e armëve”, si dhe shumë parulla të tjera nga platforma e nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar.
Ky grup u angazhua në aktivitete armiqësore më 2 prill, nga 11 deri në 16 orë. Ata goditën me gurë shumë automjete që kalonin në rrugën kryesore Prishtinë-Podujevë në atë kohë. Sidoqoftë, ky nuk ishte fundi i dhunës së grupit që qëndronte në këtë anë të rrugës. Me shkopinj në duar, Zymber Krasniqi dhe Bajram Syla, të cilët kishin marrë një flamur të kombësisë shqiptare më parë në shkollën publike në fshatin Besi, ndaluan më pas një kamion, e parkuan atë në rrugën kryesore dhe bllokuan plotësisht trafikun.
Ndërkohë, nga Prishtina po vinte për në Podujevë një varg makinash të Sekretariatit Federal të Punëve të Brendshme. Nën drejtimin e Zymber Krasniqit dhe Bajram Sylës grupi sulmoi një prej automjeteve dhe mori prej tij disa armë, një sasi municionesh dhe mjete të tjera. Se sa e paramenduar ishte kjo lëvizje, është provuar nga fakti se grupi, pasi mori armët me forcë, shkoi me një grup më të madh demonstruesish në një pyll aty afër dhe filloi t’i stërviste me armët e kapura. Natyrisht, në këtë “stërvitje” janë qëlluar disa fishekë në ajër.Gjithsesi, duhet përmendur se kjo “histori” nuk mori fund nga oficerët e Sekretariatit të Punëve të Brendshme, pasi ata ishin të vetëdijshëm se çdo përpjekje për të ndaluar plaçkitjen e armëve do të shkaktonte gjakderdhje.
Mirëpo, keqbërësit nuk ndaluan menjëherë plaçkitjen e armëve dhe municioneve si dhe stërvitjen me armë. Ata shkuan në shtëpi dhe i fshehën armët dhe municionet. Por kjo zgjati vetëm për pak kohë. Agjencitë e ndjekjes ishin shumë pranë gjurmëve të tyre, i arrestuan dhe gjetën armët. Gjatë këtij zbulimi ata gjetën dy armë automatike tek Zymbar Krasniqi, një prej aktorëve kryesorë të këtij aksioni armiqësor, që synonte rrëzimin e sistemit tonë vetë-menaxhues, shkatërrimin e unitetit, vëllazërisë dhe barazisë së kombit dhe kombësive tona. Një armë u gjet tek Bajram Syla, e po kështu Qerim Arifi kishte marrë një armë, një çantë me pajisje të tjera dhe 60 fishekë. Nagip Bllacës iu gjet gjithashtu një armë automatik dhe municion; Naim Statovicit iu gjet një armë dhe 70 fishekë. Sadik Dragusha kishte marrë gjithashtu një armë gjysmë-automatike dhe 10 fishekë, dhe Nexhmedin Pireva – i cili ishte dënuar më parë për disa vepra penale, mori së bashku me Enver Koliqin një armë automatik, një çantë me pajisje dhe 80 fishekë. Shaban Dragusha u akuzua se kishte marrë nga një person një armë automatik me pajisje dhe 150 fishekë, të cilat i kishte fshehur në papafingon e shtëpisë së tij në fshatin Prugovc. Në vend që të raportonte dhe të dorëzonte armën, Shaban Dragusha – i cili ishte dënuar edhe më parë për fshehjen e armëve – pengoi qëllimisht zbulimin e keqbërësve dhe armëve. Të njëjtën vepër ka kryer edhe Ramadan Rexha, i cili e dinte se ku i kishte fshehur dy armë dhe gjashtë fishekë Bajram Syla dhe nuk vuri në dijeni askënd për këtë fakt. Personi i fundit i të akuzuarve sipas Nenit 154 të Kodit Penal të Kosovës, Sadri Berisha nuk mori pjesë në këtë aksion armiqësor, por e dorëzoi armën dhe 70 fishekë që ia kishte dhënë një person tjetër, në zyrën e pushtetit lokal, por gjithsesi e bëri këtë vetëm pas 12 ditësh, duke kryer kështu veprën penale të fshehjes.
Firma Energo-Project në listën kryesore botërore
Gazeta “Borba”, e diel, 2 gusht 1981, p. 3 c. 1- 4
(Beograd, 1 gusht)
Në botimin e korrikut të revistës së njohur amerikane “Engineering News Record” u paraqit edhe këtë vit një listë kryesore e firmave, të cilat i ofronin botës punë këshillimore dhe punë të plota inxhinierike. Si zakonisht, listat janë përpunuar në përputhje me rezultatet e biznesit gjatë vitit të mëparshëm. Në mesin e 50 firmave drejtuese në botë për punë këshillimore, firma “Energo-Project” renditet mjaft lart në këtë listë, e 37-ta, me një biznes prej 11.7 milion dollarësh në këtë fushë. Firma “Energo-Invest” ka ende rezultate të mira në klubin e firmave të mëdha, e madje ka përmirësuar vendin e saj krahasuar me vitin e mëparshëm; kjo pasi parashikohet që projekti i kontraktuar së fundmi, që është mbikëqyrja e projektit “Mosul” në Irak për rreth 30 milion dollarë, do të rrisë në mënyrë të konsiderueshme vitin e ardhshëm biznesin disi të mirë të këtij viti.
Dënimet e shpallura në Mitrovicë
(Gazeta “Borba”, e enjte, 30 korrik 1981, p. 12 c. 1)
Mitrovicë, 29 korrik: Në përfundim të seancës dëgjimore kryesore, e cila filloi dje, trupi gjykues i Gjykatës Krahinore të Mitrovicës shpalli sot dënimet e pesë personave të akuzuar për aktivitet armiqësor dhe për organizimin dhe pjesëmarrjen në demonstrata armiqësore dhe kundërrevolucionare. Tekniku i papunë nga fshati Shupkofc, Xhelal Ferizi, i akuzuar për veprën penale sipas Nenit 136, paragrafi 1, dhe Nenit 114 i Kodit Penal të RSFJ, është dënuar me 8 vjet e 6 muaj burgim. Personi tjetër i akuzuar për të njëjtat vepra, Ujkan Zeneli, 19 vjeç, nxënës i shkollës së mesme në qendrën “Desa Tomoviq” në Mitrovicë, u dënua me 8 vjet burgim. Personi i tretë, Skënder Hajredini, punëtor i Elektrolizës së zinkut në Mitrovicë, u dënua me 7 vjet dhe 6 muaj burgim për kryerjen e veprës penale sipas Nenit 136, paragrafi 2/a, dhe Nenit 114 të Kodit Penal të RSFJ. Sabit Veseli, teknik i papunë nga fshati Broboniq u dënua me 7 vjet burgim për të njëjtat vepra penale. Anëtari i pestë i këtij grupi, Nazim Shaqiri, student i shkollës së mesme teknike në Mitrovicë, u dënua me 6 vjet e 6 muaj burgim.
-83-
Konfidenciale
A. E. Montgomery Esq
Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore Ambasada britanike
Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit Beograd 10 gusht 1981
I nderuar Alan,
Kosova: përgjegjësia politike
Përmbledhje
1. Riorganizimi i shumëpritur i udhëheqjes së Kosovës ndodhi në mbledhjet e Kuvendit të Kosovës dhe Komitetit Krahinor të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës, respektivisht më 4 dhe 5 gusht. Kryetari i ri i Kryesisë së Kosovës, Ali Shukrija, një shqiptar “federal i provuar si dhe Kryesia e re dhe e reduktuar e Partisë prej 13 anëtarësh tregon gjithashtu rikthimin e një numri kosovarësh të besuar “federalë” përveç anëtarëve të rizgjedhur më pak të debatueshëm të Kryesisë së vjetër. Është shprehur njëfarë optimizmi për situatën politike dhe të sigurisë si dhe është rënë dakord për detyra të ardhshme në fushën e emigrimit, arsimit dhe ekonomisë. Gazeta “Politika” është edhe një herë në telashe pasi ka nxjerrë informacione Konfidenciale (për Bakallin). Efektet e ngjarjeve për anëtarët e Partisë janë zbuluar në statistikat më të fundit.
Detaje
Mbledhja e Kuvendit të Kosovës
2. Më 4 gusht u mblodhën të tri dhomat e Kuvendit të Kosovës dhe “në mënyrë unanime dhe pa diskutim” zgjodhën Ali Shukrinë si Kryetar i Kryesisë së Kosovës, i cili zëvendësoi Xhavit Nimanin, për dorëheqjen e të cilit kam shkruar në letrën time të datës 21 korrik. Siç tregon përfaqësuesi ynë i përhershëm aty, Shukrija është një burrë i madh shteti i aftë dhe i paepur, i cili ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës së tij politike në Beograd. Ai përfaqëson modelin “jugosllav” të partizanëve dhe duhet të shikohet si një kandidat federal me detyrë rindërtimin dhe riintegrimin e Kosovës në Serbi dhe në Federatë.
3. Kuvendi bëri gjithashtu edhe ndryshime të tjera. Dr. Zeki Bejtullahu u shkarkua nga postet e tij si anëtar i Këshillit Ekzekutiv të Kosovës dhe si Drejtor i Institutit për Planifikimin Social me argumentin se nuk i ka kryer këto funksione mirë, veçanërisht këtë të fundit, ku ai është kritikuar për mënyrën se si ka zbatuar planin afatmesëm. Shaban Hyseni, Kreu i mëparshëm i Radio Prishtinës, i cili e kishte paraqitur dorëheqjen e tij (shih letrën e Charles Crawford të datës 18 korrik), u pushua menjëherë nga posti për sjellje të papërgjegjshme dhe oportuniste. Gjithashtu Mustafa Osmanagiq i cili përshkruhej si një punëtor i shquar socio-politik nga Mitrovica, u zgjodh në Këshillin e Kosovës.
4. Sidoqoftë, shtypi u ndal më gjatë në një sulm të hapur që është bërë nga tre anëtarë shqiptarë ndaj Dushan Ristiqit (serb), Kryetar i Kuvendit. Ata kërkuan dorëheqjen e tij me argumentin se ishte në përgjithësi përgjegjës njësoj si Nimani dhe Bakalli dhe se kishte luajtur rolin e “mbrojtësit të serbëve dhe malazezëve” dhe kishte nxitur çështjen e emigrimit të këtyre të fundit nga Kosova. Ishte vendosur se kjo çështje nuk ishte e përshtatshme për diskutim në Kuvend por që duhej diskutuar të nesërmen në mbledhjen e Komitetit Krahinor. Megjithatë, duket se Ristiq ka marrë vetë iniciativën për ngritjen e kësaj çështjeje aty dhe bëri një deklaratë duke pranuar përgjegjësinë e tij personale dhe kolektive për ngjarjet në Kosovë gjatë muajve të fundit dhe duke vendosur të paraqiste dorëheqjen e tij në mbledhjen e ardhshme në Kuvend. Ai bëri të qartë se vendimi i tij ishte i pakthyeshëm dhe duket se nuk ka pasur diskutime në këtë pikë apo ndonjë përpjekje për t’i kthyer mendjen. Ai theksoi gjithashtu se nuk po largohej për shkak të sulmit të ditës së mëparshme ndaj tij, duke deklaruar se i qëndronte çdo gjëje që ka thënë për çështjet në diskutim. Në të vërtetë, Ristiq ka qenë tejet i hapur në kritikën e tij ndaj nacionalizmit shqiptar dhe presioneve ndaj serbëve dhe malazezëve për t’u larguar nga Kosova, por padyshim ai duhej fajësuar po aq për situatën për faktin që nuk ngriti zërin deri më vonë (ose ndoshta e paralajmëroi Beogradin më parë, por nuk i kushtoi vëmendje arsyeve më të gjera politike). Prandaj, largimi i tij duhet parë si një përpjekje e bërë nga shqiptarët për të treguar se ata nuk duheshin fajësuar ekskluzivisht për çfarë kishte ndodhur. Ai është serbi i dytë i njohur që jep dorëheqjen (tjetri është një prej zëvendës/Rektorëve të Universitetit të Prishtinës) dhe dyshoj se do të kishte ikur nëse nuk do të ishte shtyrë për ta bërë një gjë të tillë.
5. Në mbledhje të veçanta të Dhomës socio-politike dhe Dhomës së Komunave, u zgjodh Sekretari për Punët e Brendshme, Milosh Vujakoviq (serb ose malazez), ish anëtar i Kryesisë së Sindikatave të Kosovës, i cili zëvendësoi shqiptarin që kishte dhënë dorëheqjen më parë. Prokurori Publik ishte liruar nga detyrat e tij “për shkak të transferimit në funksione të tjera” dhe u zgjodh një tjetër. Gjithashtu u zgjodh një Mbrojtës i ri Publik. Nga ana tjetër, delegatët nuk ishin në gjendje të binin dakord me propozimin për të liruar nga funksionet e tij Drejtorin e Institutit të Statistikave për Kosovën, megjithëse e mbante atë post prej 9 vitesh, dhe vetëm këto ditë u pa e përshtatshme për ta larguar.
Mbledhja e Komitetit Krahinor
6. Detyra e parë e mbledhjes së Komitetit Krahinor më 5 gusht ishte shqyrtimi i programit të veprimit që kishte filluar 3 muaj më parë, por vëmendja e shtypit ishte e pritur të përqendrohej në zgjedhjen e Kryesisë së re. Ishte njoftuar se ishte vendosur të reduktohej anëtarësia e kësaj Kryesia nga 19 në 12, megjithëse sipas numërimit tim në fakt janë 13 anëtarë!
Kryesia e Vjetër
Mahmut Bakalli – Kryetar, dha dorëheqjen
Veli Deva (q.v.)
Xhavit Nimani – kryetari i dorëhequr nga Kryesia e Kosovës
Dushan Rishtiq – kryetari i dorëhequr nga Kryesia e Kosovës
Bahri Oruçi – kryetar i Komitetit Ekzekutiv
Mihajlo Zvicer k ish-kryetar i ASPPS
Asllan Fazllija
Rexhep Zogaj
Sefedin Batalli
Borivoje Zhivageviq
Rabije Bajrami
Asllan Skenderi
Asim Zatriqi
Kryesia e Re
Veli Deva – Kryetar (u zgjodh më 5 maj në vend të Bakallit)
Sinan Hasani – Zëvendës/Kryetar i Kuvendit Federal
Ilijaz Kurteshi – ish-Kryetar i TU-ve serbe
Ilija Vakiq – ish Kryetar i Dhomës Jugosllave të Ekonomisë
Azem Vllasi – Kryetar i Kosovës dhe ish Kryetar i Bashkimit Federativ të Rinisë
Nebi Gashi – Zëvendës/Kryetar i Këshillit Ekzekutiv
Svetislav Vukoviq
Predrag Cuckiq )
Xhevdet Hamza )
Petar Kostiq ) të rizgjedhur
(Sekretar) ) nga
Mustafa Pljakiq ) Kryesia
(Kryetar i TU-ve të Kosovës ) e vjetër
Sinan Sahiti )
Ali Shukrija )
(Kryetari i ri i Kryesisë se Kosovës)
7. Kryesia e reduktuar përmbante së paku gjysmën e atyre që mund të quheshin “federalistë”, d.m.th. politikanët që kishin kaluar pjesën më të madhe të karrierës së tyre në Beograd, dhe duhet të shikohen, të tillë si Ali Shukrija, si zgjedhje të sigurta për rindërtimin e Kosovës. Ky reduktim duket se është arritur përmes shkurtimit të numrit të pjesës më të madhe të Kryetarëve të komiteteve të ndryshme të Kryesisë, por nuk u dha asnjë shpjegim se pse një gjë e tillë ishte e nevojshme ose pse disa Kryetarë komiteti ishin mbajtur dhe disa të tjerë jo. Sidoqoftë, Kryesia e re ishte e shpejtë në reagimin e saj, duke mbajtur mbledhjen e saj të parë të nesërmen dhe duke zgjedhur si sekretar të saj ekzekutivë, Beqir Hotin dhe Sava Komadiniq.
8. Megjithatë, pjesa kryesore e mbledhjes iu kushtua shqyrtimit të programit të veprimit nga Sekretari, Petar Kostiq. Ai pretendoi se, megjithë problemet dhe vështirësitë e shumta, ky program kishte hedhur themele të shëndosha dhe LKK i konsideroi arritjet e saj me optimizëm të moderuar megjithëse në të njëjtën kohë edhe më pakënaqësi për faktin se nuk kishte arritur nivelet e pritshme të “konsolidimit”. Ai tha se situata politike dhe e sigurisë ishte e favorshme, megjithëse ende e ndërlikuar. Kjo situatë ishte e favorshme në sensin që armiku ishte thyer dhe dëbuar nga rrugët, por ende nuk ishte shkatërruar, dhe organizatat e Partisë po punonin në mënyrë të drejtpërdrejtë kudo me njerëzit, gjë që nuk kishte ndodhur më parë. Kjo situatë mbeti e ndërlikuar sepse parullat – “Kosova, Republikë” – vazhdonin të shfaqeshin, pamfletet vazhdonin të qarkullonin duke e denigruar Jugosllavinë, duke bërë thirrje për revoltë dhe duke nxitur armiqësinë ndaj komuniteteve të tjera; gjithashtu, u bënë sulme ndaj pronës dhe jetës së njerëzve në disa fshatra me objektivin për të ruajtur atmosferën e tensionit deri kur Kosova të bëhej Republikëme çdo mjet. Ky aktivitet mbështetej nga propaganda e zhvilluar nga Shqipëria dhe nga organizatat shqiptare dhe ustashe të emigrantëve. Organizatat komuniste në disa zona po merrnin masa të suksesshme kundër këtij aktiviteti por tjetërkund ato ishin të dobëta, madje ishin shpërndarë dhe procesi i spastrimit po zhvillohej ngadalë. Kostiq veçoi organizata të ndryshme në komunat e Pejës, Deçanit, Vitisë, Ferizajt dhe Universitetit të Prishtinës (megjithëse aty ishin bërë disa përmirësime), organizata të industrisë elektrike dhe organizatën e ndërtimit “Ramiz Sadiku” si organizata në veçanti të pakënaqshme.
9. Kostiq theksoi tri fusha të aktivitetit të veçantë për LKK: marrëdhëniet ndër-komunale, sistemin arsimor dhe ekonominë. Ai vuri në dukje se pothuaj kudo në Kosovë kishte pasur ftohje të marrëdhënieve midis komuniteteve dhe theksoi nevojën për të ndaluar emigrimin e serbëve dhe malazezëve, veçanërisht të atyre me kualifikimet e nevojshme për ekonominë.
10. Duke iu kthyer sistemit arsimor ai renditi çështjet bazë për të cilat nevojiteshin vendime: diferencimi ideo-politik në radhët e stafit mësimdhënës dhe largimi i të gjithë atyre që nuk kishin cilësitë e duhura morale dhe politike dhe atyre që ishin rrënjosur me besime nacionaliste, zëvendësimi i një numri të madh personash të pakualifikuar me personel të përshtatshëm, si dhe shqyrtimi analitik i bazës Marksiste të kurrikulave dhe teksteve shkollore. Masat në këto fusha janë në zhvillim e sipër për t’i vënë tekstet shkollore në shkolla dhe në universitet në linjë me ato që përdoren në Serbi; gjithashtu u mbajtën seminare me stafin mësimdhënës në të gjitha komunat, përveç Pejës kryesisht si pjesë e riedukimit të tyre.
11. Duke folur për ekonominë, ai përmendi rënien e produktivitetit dhe realizueshmërisë; Kosova tani mbulonte vetëm 46.7% të importeve të saj me eksportet dhe me tregun e monedhës së konvertueshme vetëm në masën 17.5%. Sidoqoftë, ai nuk doli me zgjidhje të reja dhe, siç ishte njoftuar një ditë më parë në Kuvend, versioni i rishqyrtuar i planit të tërhequr 5-vjeçar do të ishte tani gati për diskutim deri më 30 shtator me qëllim paraqitjen e këtij plani në fund të nëntorit!
12. Nuk pati ndonjë gjë të re në debatin në vijim, përveç disa pikave që theksuan se nacionalistët nuk ishin mundur aspak. Një folës tha, “megjithëse armiku është përçarë ai po e rrit aktivitetin e tij dhe i përgjigjet të gjitha veprimeve tona me kundër-veprime përkatëse, të cilat zhvillohen në vende të ndryshme, por që qartazi ato janë koordinuar nga një vend”. Folës të tjerë përmendën se në bisedimet me studentët dhe mësuesit ishte e qartë se kishte ende mbështetje për pikëpamjet nacionaliste shqiptare. Ndoshta më interesantja nga të gjitha, është se Veli Deva konfirmoi për herë të parë në fjalimin e tij dredhues se ishin zhvilluar sulme ndaj JNA (Forcave të Armatosura).
13. Siç raportoi Charles Crawford javën e kaluar në përmbledhjen e tij të marrëdhënieve me shtypin, ka pasur një farë rënieje në interesin e shtypit në Kosovë, por gazeta “Politika” ka hyrë përsëri në telashe duke publikuar në prag të mbledhjes së Komitetit Krahinor një përshkrim të mirë-informuar të dokumenteve bazë që do të shqyrtohen. Gazeta “Politika” dha në detaje gjetjet e Komisionit të veçantë të ngritur për të përcaktuar përgjegjësinë politike të Bakallit për gabimet dhe mosveprimet që çuan në shpërthimin e nacionalizmit në Krahinë. Në veçanti, Komisioni shqyrtoi faktin përse Komitetet Qendrore të Jugosllavisë dhe Serbisë nuk ishin informuar për pamfletet armiqësore, informacionet dhe shkresat nga Prishtina, Gjakova dhe Ulqini (Mal të Zi), të cilat ishin marrë nga Bakalli dhe të tjerë dhe nuk ishin paraqitur për analizën e duhur. Bakalli e kishte justifikuar këtë përpara Komisionit, duke thënë se ato ishin anonime dhe se ai po priste për të bërë hetime të mëtejshme për to. Shumë çështje të tjera që prej vitit 1979, kur armiku po rriste aktivitetet e tij, nuk u vunë asnjëherë në agjendë për diskutim dhe gjërat u lejuan të vazhdonin në të njëjtën mënyrë të vjetër. Këtyre gabimeve iu shtua trajtimi i 55 personave të arrestuar në fund të vitit 1979 apo në fillim të vitit 1980 (të dhëna të cilat gazeta “Politika” i nxori në atë kohë – shih letrën time të datës 2 prill 1980 për Christopher Battiscombe). Ishte rënë dakord që të gjithë këta persona me përjashtim të 19 prej tyre duheshin liruar dhe, në vend që të vuanin dënimin për aktivitetet e tyre armiqësore, ata u lejuan të vazhdonin studimet, madje 23 prej tyre morën edhe bursa! Përfundimisht, Komisioni shënoi se çështja e nacionalizmit nuk kishte qenë në agjendën e Kryesisë gjatë dy viteve të fundit. Mbledhja nxori konkluzione se përgjegjësia e Bakallit ishte e padiskutueshme dhe propozoi që ai të përjashtohej nga Komiteti Krahinor dhe t’i bëhej një paralajmërim i fundit përpara se të përjashtohej nga LK.
14. Asnjë nga këto detaje nuk u zbulua në raportimin për vetë mbledhjen dhe shqetësimi i anëtarëve për rrjedhjen e informacioneve u shpreh në vendimin e tyre për të ngritur një Komision tjetër që do të përcaktonte se si ndodhi që gazeta “Politika” publikoi materiale tepër Konfidenciale për përgjegjësinë politike të Bakallit. Kështu, përsëri gazeta “Politika” do të vihet në bankën e të akuzuarve pasi e ka marrë lirinë e shtypit në kuptimin e mirëfilltë të fjalës.
15. Përfundimisht, për të bërë bilancin eventual për Kosovën, u nxorën disa statistika më shumë nga Komiteti Krahinor. Deri tani janë përjashtuar 534 anëtarë nga LK. Një numër tjetër i rëndësishëm anëtarësh (jo për Kosovën në tërësi, por vetëm për Prishtinën ky numër ishte 364), është hequr nga listat e LK, d.m.th. anëtarësia e tyre ka përfunduar për shkelje të vogla, për shembull mos-pagimi i kuotizacionit, mos-shkuarja në mbledhje, etj. Gjithashtu, 269 nxënës dhe studentë janë përjashtuar nga shkollat e mesme dhe të larta, duke humbur kështu bursat e tyre të studentit si dhe bursa të tjera. Po kështu, 210 persona, kryesisht staf mësimdhënës, janë pushuar ose pezulluar nga puna. Procesi i diferencimit vazhdon dhe duhet hartuar ende një përmbledhje përfundimtare.
I Juaji
T. J. Clark
Për dijeni: P Rennie Esq
Departamenti i Kërkimit; FCO; Kancelari; UKDEL NATO; Bruksel
-84-
Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit Beograd
Londër SW1A 2AH 11 gusht 1981
T. J. Crark Esq CVO
I nderuar Terry,
Kosova: situata e sigurisë
1. Ju falënderoj shumë për shkresën tuaj të datës 28 korrik ku keni përfshirë raporte shumë interesante të amerikanëve për situatën në Kosovë. Jam dakord se në përgjithësi ato tingëllojnë të vërteta megjithëse duket se ka një mospërputhje midis deklaratës së ushtarëve të rinj sipas së cilës ushtarët kanë marrë urdhra të rreptë për të shmangur shqetësimet dhe veçanërisht për të mos përdorur armë zjarri dhe pretendimit për inkursione ndëshkimore kundër fshatrave shqiptare. Megjithatë, tabloja e përgjithshme përbën një problem të madh që ka të ngjarë t’i paraqesë autoritetet federale jugosllave me vështirësi të vazhdueshme për një periudhë të gjatë në të ardhmen.
2. Lejomëni të përfitoj nga rasti (që erdhi nga një çlirim i çastit në presionin e vazhdueshëm të shkaktuar nga zhvillimet në Poloni) t’ju falënderoj ju dhe pjesën tjetër të Zyrës së Kancelarit të Beogradit për raportimin tuaj shumë të plotë mbi Kosovën. Mendojmë se keni shërbyer shumë mirë dhe mund t’ju siguroj se të gjitha raportet e juaja janë lexuar me kujdes dhe vëmendje edhe nëse nuk janë pranuar gjithmonë.
I Juaji
A. E. Montgomery
Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore
-85-
Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit Beograd
Londër SW1A 2AH 12 gusht 1981
T. J. Crark Esq CVO
I nderuar Terry,
Kosova: Treguesi II
1. Ju falenderoj shumë për informacionin e Ambasadorit mbi vazhdimin e tensionit në Kosovë. Këtë informacion e kam paraqitur dhe shpërndarë gjerësisht në të gjitha seritë departamentale.
2. Më duket se kam zbuluar në tonin e informacionit të Ambasadorit një notë më të mprehtë shqetësimi (të cilin e kemi edhe ne) se tensioni aktual po bie shumë më ngadalë nga ç‘mund të jetë shpresuar, dhe se ka të ngjarë që për një farë kohe të vazhdojë rreziku i përsëritjes, megjithëse ndoshta sporadike të shpërthimeve të trazirave. Sidoqoftë, më shqetësues është konkluzioni me të cilin vështirë të mos bihet dakord, se autoritetet federale po përballen këtu me një prej problemeve të gjata të pakicave, ku edhe pse pas pakënaqësisë aktuale thuhet se këto probleme janë zgjidhur, nacionalizmi lokal, pakënaqësia e vazhdueshme dhe tendenca demografike (të cilave do t’i shtonim varfërinë e vazhdueshme relative të Kosovës) do të vazhdojnë të tensionojnë marrëdhëniet midis Kosovës dhe Republikave të tjera. Përshtypja jonë në këtë rast është se shumica e jugosllavëve do të pranonin që Kosova (si Ulster) nuk është e përshtatshme për një zgjidhje në kuptimin e një hapi të përcaktuar qartë, një herë e përgjithmonë, që do të kënaqte plotësisht të gjitha palët e përfshira. Ndoshta ajo që jugosllavët mund të shpresojnë më shumë është që të mbajnë manifestimet e pakënaqësisë së Kosovës brenda limiteve të menaxhuara, ndërkohë që do të bënin të pamundurën për të lehtësuar kufirin e saj ekonomik përmes nxitjes së industrisë së re.
3. Mendoj se ishte e pashmangshme që përballja në Kosovë dhe sensacionalizimi në shtyp i vështirësive me të cilat janë ballafaquar serbët që jetojnë aty, duhet të ketë provokuar rigjallërimin e nacionalizmit serb. Për këtë arsye, do të jetë me interes për të parë nëse në aspektin afatgjatë do të shfaqen më me forcë problemet e tjera kombëtare të Jugosllavisë. Shpresojmë që të jetë e vërtetë e kundërta dhe Republikat e tjera, ashtu si udhëheqja kolektive, të mund të përfitojnë, siç e ka sugjeruar Ambasadori, në sensin pozitiv nga impulset për ruajtjen e integritetit të Jugosllavisë. Padyshim shembulli kosovar duhet t’u ketë kujtuar jugosllavëve në tërësi rrezikun se mund të qëndrojnë të ndarë nëse nuk arrijnë të bashkohen të gjithë, duke i dhënë kështu një stimul idealit të unitetit të popujve sllavë të jugut. Për shembull, kohët e fundit na është sugjeruar nga Chris Cviiç se reagimi i ashpër i Maqedonisë ndaj kërcënimit shqiptar për Republikën maqedonase mund të ndihmonte për të zhdukur ndjenjat e mbetura anti-serbe në Maqedoni. Nga ana tjetër, edhe nacionalistët më të zjarrtë serbë, të cilët ankoheshin për humbjen e Maqedonisë, mund të afrohen sot më mirë me maqedonasit me të cilët kanë sfidën e përbashkët ndaj kosovarëve jo-sllavë. Është me interes të dimë mendimin tuaj.
4. Por, sipas mendimit tim, vështirësia më e madhe për udhëheqësit jugosllavë është ajo e pajtimit të krenarisë serbe me nacionalizmin kosovar. Jugosllavia,si Federatë shumëkombëshe, ndryshe nga shumica e shteteve unitare, ka në dispozicion një përgjigje të gatshme ndaj pohimeve nacionaliste të këtij lloji, më specifikisht autonominë e madhe. Për një të jashtëm, zgjidhja e qartë do të ishte që kosovarëve t’u jepet statusi i Republikës me qëllim që t’i pritet rruga irredentistëve shqiptarë. Por një zgjidhje e tillë do të ishte tërësisht e papranueshme për Serbinë.
I Juaji
A. E. Montgomery
Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore
-86-
Konfidenciale
021/8 Ambasada britanike
Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore Athinë
FCO 12 gusht 1981
I nderuar Departament,
Kosova
1. Duhet ta kini vënë re deklaratën e Kryeministrit jugosllav gjatë vizitës së tij në Athinë në korrik (paragrafi 9 i përkujtesës së Ambasadorit i datës 21 korrik) ku shprehej se rusët kanë nxitur trazirat në Kosovë. Kjo pikëpamje është pasqyruar më tej në paragrafin 13 të njoftimit të Ambasadorit të Madhërisë së Saj në Beograd më 29 qershor dhe paragrafin 12 të njoftimit të tij më 1 korrik.
2. Duke pasur parasysh interesin e veçantë grek në këtë problem përfitova nga rasti dhe pyeta Kalpadakis (zëvendës/drejtor i Departamentit të Evropës Lindore pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme) për reagimet greke në këtë drejtim. Ai tha se pohimi i Gjuranoviq i kishte zënë tërësisht të befasuar. Grekët nuk kishin prova nga ndonjë burim për të sugjeruar për përfshirjen e sovjetikëve, megjithëse nuk mund të përjashtohej mundësia e përzierjes së tyre me disa nga grupet nacionaliste. Në lidhje me temën e përfshirjes së shqiptarëve, Kalpadakis tha se nuk kishte për të shtuar asgjë në vlerësimin që Mazarakis i kishte dhënë Llewellyn Smith më 20 maj (letra e Llewellyn Smith drejtuar Broomfield më 20 maj).
3. Ky është këndvështrimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme. Në bisedën me Ambasadorin, Averoff (Ministri Grek i Mbrojtjes dhe Zëvendës/Kryeministër) ka thënë se besonte që rusët do të shfrytëzonin çdo rast për të nxitur shqetësime midis Shqipërisë dhe fqinjëve të saj. Ai shtoi se nuk do tëçuditej nëse harta e Shqipërisë, sipas grekëve referuar në letrën e Michael Llewellyn Smith të datës 19 qershor drejtuar Battiscome, të ishte pjesë e operacionit të KGB, megjithëse ai nuk pretendonte se kishte prova të forta për këtë.
4. Asnjë reagim nuk është për t’u habitur. Ministria e Punëve të Jashtme është e predispozuar të minimizojë raportet mbi vështirësitë e marrëdhënieve midis vendeve të Ballkanit, ndoshta me përjashtim kur bëhet fjalë për bullgarët. Nga ana tjetër, Averoff është gjithmonë i gatshëm për të parë dorën komuniste në problemet e Ballkanit, veçanërisht atë sovjetike. Ne jemi më të prirë për të qenë dakord me Ministrinë e Punëve të Jashtme, veçanërisht nën dritën e vlerësimit të kohëve të fundit të Qendrës së Përbashkët të Informacionit, JIC, për Shqipërinë. Por jemi të interesuar të dimë se çfarë të dhënash kemi, nëse ka ndonjë, mbi përzierjen e sovjetikëve (ose në të vërtetë shqiptarëve).
I Juaji
L. Parker
Për dijeni: J. Jenkins Esq, SED, FCO
Kancelarive: Beograd, Moskë
Stafit të Vlerësimit, Zyra e Kabinetit
(VIJON)
© Pashtriku.org
_____________________________________
Në 43 vjetorin e demonstratave të vitit 1981 në Kosovë
DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRATAT E VITIT 1981 NË KOSOVË (XVIII)
Nga Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba