ZHVILLIMET NË LËVIZJE, PAS ATENTATIT TË 17 JANARIT 1982 NË UNTERGRUPENBACH TË GJERMANISË
Nga Sheradin Berisha, Pashtriku Prill 2024
Më 26 mars 2024 historiani Fatmir Z.Arifi në faqen e tij të facebookut ka shtruar për diskutim këtë temë:
“…me që bashkimi i organizatave është shndërruar në temë diskutimi se a ka ndodhur me 17 janar 1982 apo 17 shkurt 1982, unë po e tejkaloj këtë debat, deri në gjetje të dokumenteve relevante…!
Me këtë rast po e shtroj për debat një tezë tjetër: me që Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës është themeluar pikërishtë në vitin 1982 ku sipas të dhënave më datë 17 janar 1982 është themeluar nga përfaqësues: OMLK, (Kadri Zeka), LNÇKVSHJ (Jusuf Gërvalla) Fronti i Kuq Popullor (Ibrahim Kelendi);
Ndërsa më 17 shkurt 1982 (sipas dokumenteve të shtetit shqiptar, 16 janar 1982 ka ndodhur ky bashkim), në Ankara të Turqisë janë bashkuar drejtuesit e LNÇKVSHJ, Sabri Novosella dhe të PKMLSHJ, Abdullah Prapashtica;
Ndërsa në muajin Maj të po atij viti, bashkohet dhe një kuadër i OMLK-s- Xhafer Shatri…!
Deri këtu, gjithëçka në rregull pa asnjë paragjykim.
Atëher, shtrohet një pyetje studimore tjetër: përse e braktisën foshnjën e tyre të posa lindur drejtuesit e këtyre organizatave që u bashkuan, veç 6 muaj më pas?
***
DISKUTIMI IM NË KËTË TEMË
Sheradin Berisha
ZHVILLIMET PAS ATENTATIT TË 17 JANARIT 1982 … (1)
Lidhur me dokumentin e 17 shkurtit 1982 (të shkruar me dorë nga përfaqësuesi i PKMLSHJ-së, Halimi – Osman Osmani), dhe për shumë çka tjetër, kam biseduar edhe me përfaqësuesin e LNÇKVSHJ-së, Shpendin (Xhafer Durmishin), gjithashtu pjesëmarrës në arritjen e marrëveshjes së 17 shkurtit 1982 për bashkimin e dy organizatave: LNÇKVSHJ + PKMLSHJ në një organizatë me emrin “Lëvizja për Republikën Shqiptare në Jugosllavi (LRSHJ)”.
Para se të shpërfaq bisedën time me Xhafer Durmishin për dokumentin e 17 shkurtit 1982, fillimisht po bëjë një parashtrim.
Xhafer Durmishi (ashtu siç e ka thënë në librat e tij) nga 21 janari 1982 ishte në shtëpinë e Jusuf Gërvallës, në Untergruppenbach, së bashku me bashkëveprimtarët tjerë, ku i pritnin bashkëatdhetarët tanë që vinin për ngushëllime, pas vrasjes së Jusufit, Kadriut e Bardhoshit, më 17 janar. Aty ishte edhe Ibrahim Miran Kelmendi.
Në pasditen e 21 janarit (ditë e enjte) firma e varrezave kishte sjellur kufomat e JG, KZ dhe BG në shtëpi të Jusufit, në mënyrë që familja dhe shokët e tij të bënin homazhe. Para arkivoleve të Jusufit, Kadriut e Bardhoshit ka mbajtur një fjalim Xhafer Durmishi.
Ndërkaq të shtunën, më 23 janar 1982 u organizua një demonstratë në Shtutgart, ku u shpreh revolta për atentatin e 17 janarit. Me këtë rast Xhafer Durmishi ka mbajtur një fjalim, të cilin e ka botuar në “Zëri të Kosovës”, mars 1982, f.8, me titull “Emrat tuaj, flamuj në beteja”.
Gjatë kësaj kohe deri më 5 shkurt 1982, kur u bë ceremonia e varrimit të JG, KZ dhe BG në varrezat e Bad Canstadit në Shtutgart, (por edhe pas varrimit) në shtëpinë e Jusufit janë zhvilluar disa konsultime ndërmjet bashkëveprimtarëve për organizimin e tyre në të ardhmen. Dhe në këto biseda Ibrahim Kelmendi asnjë herë nuk ka deklaruar se, më 17 janar 1982 (në shtëpinë e Jusufit) është themeluar Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës (LPRK), siç thotë Fatmir Z Arifi (në kryetemë) “nga përfaqësuesit: OMLK, (Kadri Zeka), LNÇKVSHJ (Jusuf Gërvalla) Fronti i Kuq Popullor (Ibrahim Kelmendi)”.
Madje siç e kam thënë në reagimin tim: “NJË DËSHMI E MUNGUAR PËR „BASHKIMIN“ E 17 JANARIT 1982!”, Ibrahim Kelmendi (në periudhën 1982 – 2007) asnjëherë nuk dëshmon me gojë (në mbledhje të shumta të Lëvizjes), me shkrim në gazetën “Zëri i Kosovës” apo diku tjetër, se më 17 janar 1982 ka ndodhur bashkimi i tri organizatave: LNÇKVSHJ + OMLK + FKP në LPRK! Përkundrazi Ibrahim Kelmendi ishte njëri nga anëtarët më të devotshëm të LRSHJ-së (1982 – shkurt 1985). Të cilës LRSHJ? Të asaj LRSHJ-je që ishte themeluar më 17 shkurt 1982, themeluesit e së cilës ai (nga viti 2007 …) i cilëson si komplotistë, udbashë, e çkamos tjetër!
Një digresion:
”Kur policia gjermane merrte punëtorët në pyetje, Ibrahimi porosit njërin prej tyre që para policisë gjermane të thotë se “Ibrahim Kelmendi, atë natë kur u vra Jusufi, ka qenë tek shtëpia ime.” Dyshimi tjetër është se pas vrasjes së Jusufit, Ibrahimi ndejti disa ditë në shtëpinë tonë, ku dhe ishin shumë kosovar të tjerë. Gjestet e tij në familjen tonë nuk kanë qenë të mira, ai deshti të marrë në duar frenat e familjes tonë, kështu që u këshillova me shokë dhe e përzura nga shtëpia.” (Suzana Gërvalla, Deklaratë në policinë e Tiranës, 5 prill 1982; Jusuf Gërvalla në dosjet e Sigurimit; ABC Story; youtube, 3 prill 2023)
***
Në këtë situatë të krijuar, Xhafer Durmishi me kërkesë të Sabri Novosellës, më 13 shkurt 1982, nga Mynihu udhëton me aeroplan për në Stamboll të Turqisë.
(Vijon …)
Dëshmi arkivore: Bileta e aeroplanit (Lufthansa) me të cilën ka udhëtuar Xhafer Durmishi (Shpendi) më 13 shkurt 1982 në Turqi
Sheradin Berisha
ZHVILLIMET PAS ATENTATIT TË 17 JANARIT 1982 … (2)
Përfaqësuesi i LNÇKVSHJ-së, Xhafer Durmishi (Shpendi) për rrugëtimin e tij në Turqi shkruan:
“Rruga ime në Turqi më 13 shkurt 1982, në radhë të parë ka qenë për ta informuar Sabriun (Novosellën) për gjendjen e krijuar pas atentatit të 17 janarit dhe për të planifikuar punën e ardhshme.” (Xhafer Durmishi – Skenderi: Organizatat politike shqiptare në Evropë 1979 – 1985, maj 1992)
Në Adapazar Sabri Novosella dhe Xhafer Durmishi ndër të tjera kanë biseduar edhe për vendosjen e familjes së Jusuf Gërvallës në Shqipëri, me kërkesën e shoqes së tij, Suzanës, me tre fëmijtë: Premtonin, Donikën dhe Ergonin.
”Pas varrosjes së tyre (Jusufit, Kadriut dhe Bardhoshit – shën.im) unë kam kërkuar me shkua në Shqipëri me fëmijët. Se Jusufi kishte dëshirë me i shkollua fëmijët në Shqipëri. Kamë bërë kërkesë, tri herë ma kanë kthye negative. Nuk më pranonin. Të katërtën herë kërkesën e kam dërguar në Turqi dhe atje ka qenë një person që e ka rregullua dhe më pranuan me shkua.” (Burimi: Suzana Gërvalla, Intervistë / Pjesa e dytë, Oral History Kosovo, YouTube, 3 gusht 2017). Personi që e ka rregulluar këtë çështje ishte Sabri Novosella.
Sabri Novosella ato ditë kishte kërkuar nga diplomati Bujar Hoxha (në ambasadën shqiptare në Turqi) që familja e Jusuf Gërvallës të pranohet për të jetuar në Shqipëri. Për këtë çështje Sabriu nga Bujar Hoxha ka kërkuar një përgjigje të shpejtë, për faktin sepse ato ditë nga shtëpia e familjes Gërvalla në Untergruppenbach të Gjermanisë, do të shkonte në Turqi Shpendi (Xhafer Durmishi), njëri nga bashkëpunëtorët më të afërt të Jusuf Gërvallës, në gjashtë muajt e fundit të jetës së tij.
Kjo kërkesë e Sabri Novosellës pasqyrohet në dy faqet e radiogramit (kabllogramit) të dërguar nga diplomati Bujar Hoxha, për ministrinë e jashtme në Tiranë, më datë 15 shkurt 1982. Deshifrimi i këtij radiogrami sekret është bërë nga shifranti FH, më datë 16 shkurt 1982, nga ora 7:00 – 7:40.
Deshifrimi i dy faqeve të radiogramit:
DESHIFRIM
TEPER SEKRET
Nr. Fletës 162
Nr. 5185, nga Ankara,
Nr. 309, Data: 15.02.1982
MINISTRISË JASHTME
“Xhelali [Sabri Novosella] në emër të KQ të lëvizjes N.Çl. [LNÇKVSHJ] lutet që familja e Jusuf Gëvallës, gruaja [Suzana], djali 12 vjeçar [Premtoni], vajza 8-vjeçare [Donika] dhe i fundit në moshë parashkollore [Ergoni], të pranohet të vijë në Shqipëri për gjithnjë. Bashkëshortja mendon t’i drejtohet shokut Enver Hoxha për këtë çështje. Xhelali pret përgjigje. Kërkesa e mësipërme më duket me vend. (vijon)
***
Deshifrimi filloi më 16. 02, ora 7:00
Deshifrimi mbaroj më 16.02, ora 7:20
Firma e shifrantit FH
___________
DESHIFRIM
TEPER SEKRET
Nr. Fletës: 163
Nr. 5186, nga Ankara,
Nr. 310, Data: 15.02.1982, – mbaroi
Lutemi na njoftoni mundësisht sa më parë si të veproj meqenëse këto ditë vjen këtu Shpendi [Xhafer Durmishi], i cili do të ngarkohet prej Xhelalit [Sabri Novosellës] për largimin e familjes se Jusufit. Shtoj se bashkëshortja e Jusufit [Syzana], siç na kanë thënë, ka vetëm një nanë në Kosovë.
Bujari (*)
***
Deshifrimi filloi më 16. 02, ora 7:20
Deshifrimi mbaroj më 16.02, ora 7:40
Firma e shifrantit FH
……….
(*) Bujar Hoxha, diplomati i ambasadës shqiptare në Ankara të Turqisë.
(Vijon …)
__________
Dëshmi arkivore: Dy faqet e radiogramit, të publikuar nga Fatmir Z Arifi, më 12 shkurt 2024 në rrjetin e tij social FB.
Sheradin Berisha
ZHVILLIMET PAS ATENTATIT TË 17 JANARIT 1982 … (3)
Xhafer Durmishi pas arritjes në Turqi, së bashku me Sabri Novosellën, në takimet që kanë pasur me diplomatin Bujar Hoxha, e kanë njoftuar gjerësisht për gjendjen e familjes së Jusuf Gërvallës, për ndihmën e Suzanës, që ka dhënë në aktivitetet e përditshme të Jusuf Gërvallës etj., si dhe për dëshirën e familjes Gërvalla për të jetuar në Shqipëri. Diplomati Bujar Hoxha, pasi i kishte të gjitha informacionet e nevojshme për familjen e Jusuf Gërvallës, më 18 shkurt 1982 përmes radiogramit (me katër faqe) nga Ankara e njofton Ministrinë e Jashtme në Tiranë, duke dhënë edhe propozime konkrete se si duhet të udhëtoj familja Gërvalla për Shqipëri.
Deshifrimi i radiogramit (me katër faqe) është bërë më 19 shkurt 1982, në orën 12:00 – 12:20 dhe në orën 20:20 – 21:20, nga shifrantët: RM dhe FH.
Deshifrimi i katër faqeve të radiogramit:
DESHIFRIM
TEPER SEKRET
Nr. Fletës: 186
Nr. 5788, nga Ankara,
Nr. 343, Data: 18.02.1982
MINISRISË JASHTME
Suzan Gërvalla bashkëshorte e Jusufit ka qenë dhe është anëtare e lëvizjes. Qysh në fillim ajo ka ndihmuar pozitivisht në qëndrimin e Jusufit. Shpendi [Xhafer Durmishi] i cili erdhi dje nga Gjermania më tha se Suzana në Kosovë ka babanë, nënën dhe një motër të martuar, gjë që saktëson informatën e mëparshme. (vijon)
……..
Deshifrimi filloi më 19. 02, ora 12:00
Deshifrimi mbaroj më 19.02, ora 12:20
Firma e shifrantit RM
__________
DESHIFRIM
TEPER SEKRET
Nr. Fletës: 187
Nr. 5789, nga Ankara,
Nr. 344, Data: 18.02.1982, – e dyta
Më tha se Suzana pret me padurim nisjen për Shqipëri. Fatkeqësisht radiogramin e morëm pasi u ndamë. Sot e lajmëroj Shpendin [Xhafer Durmishin], të shtunën largohet për Gjermani. Për ardhjen e familjes Gërvalla, po pat avion nga Vjena për Tiranë, propozoj këtë rrugë. Në rast të kundërt mbetet alternativa: (vijon)
………
Deshifrimi filloi më 19. 02, ora 20:20
Deshifrimi mbaroj më 19.02, ora 20:40
Firma e shifrantit FH
(Vijon …)
____
Dëshmi arkivore: Dy faqet e radiogramit(1-2), të publikuar nga Fatmir Z Arifi, më 15 shkurt 2024 në rrjetin e tij social FB.
Sheradin Berisha
ZHVILLIMET PAS ATENTATIT TË 17 JANARIT 1982 … (4)
***
DESHIFRIM
TEPER SEKRET
Nr. Fletës: 188
Nr. 5790, nga Ankara,
Nr. 345, Data: 18.02.1982, – e treta
Ose nëpërmjet Triestës me anijen tonë ose nëpërmjet Romës me Taromin. Varianti i dytë na duket shumë më pak i përshtatshëm. Propozoj që shpëmzimet e udhëtimit ti përballojmë ne dhe familja të shoqërohet nga një shok i Vjenës, i cili mund të ngarkohet me veprimet që nevojiten për udhëtim. (vijon)
Deshifrimi filloi më 19. 02, ora 20:40
Deshifrimi mbaroj më 19.02, ora 21:00
Firma e shifrantit FH
___________
DESHIFRIM
TEPER SEKRET
Nr. Fletës: 189
Nr. 5791, nga Ankara,
Nr. 346, Data: 18.02.1982, – mbaroi
Sidoqoftë për këtë, lutemi na njoftoni sepse Xhelali [Sabri Novosella] si përfaqësues i KQ të lëvizjes dëshiron të dijë përfundimin e çështjes. Shpendi dhe Xhelali më thanë se ata me shokë i japin rëndësi të madhe të ardhmës së familjes së Jusufit.
Bujari (*)
…….
Deshifrimi filloi më 19. 02, ora 21:00
Deshifrimi mbaroj më 19.02, ora 21:20
Firma e shifrantit FH
(*) Bujar Hoxha, diplomati i ambasadës shqiptare në Ankara të Turqisë.
***
Shtojcë:
Shkuarja e Familjes së Jusuf Gërvallës në Shqipëri
Pas bisedave që ka bërë Xhafer Durmishi (Shpendi) me diplomatin Engjëll Kolanecin, Këshilltar në Ambasadën e Shqipërisë në Vjenë, më 28 mars 1982 nga Untergruppenbachu, ai (Xhaferi) me familjen e Jusufit (Suzanën me tre fëmijtë), Haxhi Berishën, Faridin Tafallarin dhe Nuhi Sylejmanin nisen për në Vjenë. Faridini për këtë rrugë ka huazuar një kombi prej Nami Ramadanit, nga fshati Tenovë i Tetovës, që jetonte në Esslingen. Faridini me Nuhiun kanë udhëtuar me kombin e ngarkuar me tesha e sende për shtëpinë e re. Xhafer Durmishi dhe Haxhi Berisha me Suzanën dhe fëmijët e marrin trenin nga Shtutgarti për në Vjenë. Adresën e takimit në Vjenë e ka caktuar Engjëll Kolaneci. Atë ditë të gjithë janë takuar në Muzeun e Arteve të Vjenës, aty ku gjendet shpata dhe përkrenarja e Gjergj Kastiotit Skënderbeut. Në Muze përgjegjësinë për familjen e Jusufit e ka marrë Engjël Kolaneci.
Suzana Gërvalla në një intervistë thotë:
”Kemi shkuar përmes Austrisë në Athinë, e nga Athina në Tiranë.” (Burimi: Suzana Gërvalla, Intervistë/Pjesa e dytë, Oral History Kosovo, YouTube, 3 gusht 2017)
(Vijon…)
___________
Dëshmi arkivore: Dy faqet e radiogramit (3-4), të publikuar nga Fatmir Z Arifi, më 15 shkurt 2024 në rrjetin e tij social FB.
VIJON …
© Pashtriku.org
_______________________
ZHVILLIMET NË LËVIZJE, PAS ATENTATIT TË 17 JANARIT 1982 NË UNTERGRUPENBACH TË GJERMANISË (II)
Nga Sheradin Berisha, Pashtriku Prill 2024