10 SHQIPONJAT E TËRBAÇIT PASKAN LINDUR DITËN E SAKRIFICËS DHE DINJITETIT

Nga Prof.dr.Albert HABAZAJ, Vlorë – qershor 2024

“Kush kërkon dekorata, nuk i meriton; kush i meriton nuk ka nevojë për dekorata” – Balzak

Fjalëz si historik

Kënga dhe vallja grarishte e Tërbaçit, krahas këngës pleqërishte, këngës e valles së burrave, si dhe këngës së djemve të fshatit është pasuri e shpirtit popullor për kulturën jomateriale të Tërbaçit, patjetër dhe për kulturën materiale në rrafshin etnografik. Sipas meje, është një emancipim me vlera dhe i merituar për këngën dhe vallen labe. Grupi i vajzave të Tërbaçit “10 Shqiponjat e Tërbaçit”, me fillesa folklorike qysh në vitin 1969, me një jetë aktive të organizuar dhe të pandërprerë qysh nga viti 2016, për 9 vjet ka realizuar 3 albume, si dhe shumë koncerte, festivale e veprimtari folklorike e kulturore. Nga këto bija, nëna, gjyshe shembullore dhe artiste popullore me dinjitet kemi shijuar ninullën homofonike dhe ninullën polifonike, këngë e valle gëzimi e dasme, për stinët e vitit, elegjinë dhe këngën e përvajshme, baladën dhe këngën historike, atë lirike dhe liriko-epike, ritin e përgatitjes së vajzës tërbaçiote për nuse, si pjesë e ritualit të dasmës në Labëri etj. Kemi ndier emocione të bukura, kënaqësi e krenari!

Në Tërbaç nuk janë vetëm burrat, janë edhe gratë, sikurse në histori edhe në folklor e kulturë. Me të drejtë i quajnë Shqiponjat e Labërisë, Shqiponajt e Jugut. Ato kanë dhe mbajnë lart simbolin tuaj Flamurin me emrin Ansambli “10 Shqiponjat e Tërbaçit”. Ato ruajnë, mbajnë pastër, e pasurojnë më tej brenda shtratit dhe e përcjellin brezave stafetën e traditës etnofolkorike të vendlindjes, si floririn e shpirtin, se e kanë trashëgim nga stërgjyshet, gjyshet e nënat e tyre për ta përcjellë tek vajzat e djemtë e tyre,  tek nipërit e mbesat e tyre. Diell udha folklorike në vijim për “10 Shqiponjat e Tërbaçit”!

Kujtesë

Shqiponjat e Tërbaçit u paraqitën me ritual dasme në Festivalin e Dytë Folklorik Pilur 2021. Është hera e parë në historinë e Labërisë që në një festival prezantohet Dasma e vajzës labe.

Kujtesa sociale, mediet, rrjetet digjitale të komunikimit masiv dhe, së pari, e vërteta e ndodhur, kanë të regjistruar në audio e video, në shtypin e shkruar dhe online se “Shqiponjat e Tërbaçit” me drejtues artistik Albert Habazaj kanë paraqitur për herë të parë në historinë e dasmave ceremoniale në një veprimtari kulturore – folklorike “Ritin e stolisjes së nuses tërbaçiote si pjesë e ritualit të dasmës labe” mbrëmjen e së dielës së 6 qershorit 2021 gjatë Festivalit të Dytë Folklorik “Netët e Bejkës së Bardhë”, Pilur. Vlen ta ritheksojmë se për herë të parë në historinë e folklorit të Labërisë, u shfaq ky ceremonial dasme (në respektim të minutazhit në dispozicion të përcaktuar nga organizatorët [-20′]), duke e lokalizuar improvizimin e ceremonisë në derëbabe të vajzës – nuse, në odën e grave, në segmentin kohor të tregimit të pajës dhe përgatitjes së vajzës për nuse, para se bija të largohet nga dera e babës, në harmonizim të folklorit me etnologjinë, sipas logjikës së zhvillimit të ceremonialit, ku çdo artiste popullore e grupit merr një këngë apo valle dasme të motivuar. Tërbaçiotet në Pilur tendencën e kishin tek vallja labe grarishte burimore, ku prurjet e tyre u shfaqën duke qenë korrekte me 4 kriteret që kishte ky festival: 1. rit, 2. numër folklorik tradicional, 3. numër të ri folkorik dhe 4. element të ri, (Shqiponjat sollën Himenën, vajzën gjimnaziste, që priu një valle). Programi i tyre u paraqit me këto skena: (1. Përgatitjes së pajës, 2. Gatimet simbolike, 3. Hedhja e cipullit nuses – improvizimi në derëbabe, në dhomën e grave rrodhi e kulluar sipas repertorit, me këngë dhe valle të dasmës. “10 Shqiponjat e Tërbaçit”, ashtu siç kanë emrin, ashtu janë në skenë: artiste popullore shkëlqimtare, që përfaqësojnë denjësisht zërin femëror të vendlinjdes dhe mbarë Labërisë. Iu lumtë Shqipe, nëna dhe gjyshe shembullore, se e mbushët skenën natyrore të Pilurit me ngjyra të ngrohta dhe aq të ëmbla, siç dini ju! Ansambli ynë vijoi fluturimin hapësirave folklorike në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi dhe në Maqedoninë e Veriut në festivale lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare, duke dhënë vlera dhe duke lënë një emër të mirë dhe respekt kudo ku këndoi e vallëzoi vallen grarisht aq të bukur e të hijshme të traditës së vendlindjes.

Parantezë

Nuk kisha ndërmend ta bëja këtë shkrim, por më dha shtysë një fjalë e një djali nga Lumi i Vlorës, mesazhi i artistit popullor Ridvan Hodaj nga Gumenica, të cilin do ta përmend në vijim, pasi u kthyem nga udhëtimi ynë i dytë folklorik i Pilurit, me pjesëmarrjen tonë në Festivalin V Folklorik “Netët e Bejkës së Bardhë” natën e dytë të tij, të shtunën e 8 Qershorit 2024.

Përsa i përket veshjes popullore të 10 Shqiponjave, kostumi folklorik që ato veshin kur dalin në festivale folklorike lokale, kombëtare apo ndërkombëtare, në koncerte, veprimtari kulturore- artistike apo ceremoni nderimi etj., ka ardhur nga tradita e gjysheve dhe stërgjysheve të këtyre zonjave, që sot janë vetë gjyshe, po për vendlindjen quhen “10 Shqiponjat e Tërbaçit”. Të paktën, qysh nga shekulli XVII vjen ky kostum, duke u pasuruar me elementë të mundshëm zbukurues. që pranohen e pëlqehen nga bartëset e këngës dhe valles labe, sipas stilit muzikor të Tërbaçit në variantin grarisht.

Fletë nga situata kulturore

A. E shtuna e 8 Qershorit 2024 qe shumë e ngarkuar për mua. Në orën 10.30’ isha në një veprimtari letraro-artistiko- kulturore në Vlorë për “Gurët që flasin” të autorit Vullnet Bilbilaj, ku tok me miqtë e penës, autorin e nderuan me pjesëmarrjen e tyre Haxhi Dede Edmond Brahimaj, që ne i flasim Baba Mondi, At Spiro Bulika i kishës Shën Athanasi Selenicë, deputetët  Vullnet Sinaj, dr. Bujar Leskaj dhe dr. Pranvera Resulaj, prof. Gëzim Tushi, Nderi i Diturisë artistike Arben Meksi, aktori i lartë Bujar Asqeriu, si dhe kryetari i bashkisë Selenicë Nertil Bellaj, nënkryetarja e bashkisë Vlorë dr. Irena Toshkallari, këshilltarë bashkiakë të majtë e të djathtë, si dhe figura të tjera të njohura në Vlorë e më tutje. Përveç diskutimit tim, isha ngarkuar edhe moderator i aktivitetit të Vullnetit. Më shumë se përurim libri, qe një festë kulturore dhe doli shumë bukur. Veprimtaria vijoi e ngjeshur, e larmishme sipas programit dhe, kur mori fjalën përshëndetëse autori, ndër të tjera theksoi: “Nuk mund të mos them dy fjalë edhe për moderatorin e këtij promovimi, mikun tim, Albert Habazaj, FALEMINDERIT mik dhe i uroj Bertit, edhe në emrin tuaj që “10 Shqiponjat e Tërbaçit” të kenë sukses sonte në festivalin e Pilurit “Netët e Bejkës së Bardhë”!

B. Në ora 14:00 bëra edhe një herë provat me grupin për një Udhë të rëndë e të lartë. Në ditarin digjital, shoqëruar me disa foto dhe imazhe, shkrova mendime të shpejta, mbresa dhe refleksione të çastit, siç më vinin, të cilat po i publikoj në vijë kronologjike për lexuesin e dashur të “Telegrafit” tonë: “E bëmë në atë lartësi që synomin dhe provën përfundimtare, 3 valle dhe 1 këngë. Sipas radhës ishin: e para, “Atje lart, në bokërrimë”, teksti: Xhebro GJIKA, valle lirike për nizamët , valle grarishte e vjetër me 3 hapa e kënduar nga Grupi “10 Shqiponjat e Tërbaçit”, prijëse e valles dhe marrëse: Shpresa Kapo Çelaj, kthyese: Liri Gaçe Shkurtaj, hedhëse Hava Çelaj Muçaj, shoqërojnë vallen me iso: Flutura Nanaj, Antoneta Goxho Mehmetaj,  Liljana Rrapi Kapaj, Meme Ribaj Habazaj, Evgjeni Habili Seferaj, Pavlina Goxho Pazaj, Lavdie Goxho Xhakaj; drejtues artistik: Albert Habazaj; e dyta, “Hap sënduk e nxirr sheqer …”, teksti: POPULLI, valle liriko – humoristike e kënduar nga grupi “10 Shqiponjat e Tërbaçit” me 1 hap në vend; prijëse e valles: Shpresa Kapo Çelaj, marrëse: Liljana Rrapi Kapaj, kthyese: Shpresa Kapo Çelaj, hedhëse Hava Çelaj Muçaj, shoqërojnë vallen me iso: Flutura Nanaj (e cila, në rolin e nuses, loz e vallëzon sipas tekstit me vjehrrën Liljana, pra, janë 2 soliste para grupit), Liri Gaçe Shkurtaj, Antoneta Goxho Mehmetaj, Meme Ribaj Habazaj, Evgjeni Habili Seferaj, Pavlina Goxho Pazaj, Lavdie Goxho Xhakaj; e treta, “Labëri, o gur për Shqipe”, teksti: Albert HABAZAJ, këngë liriko-epike kënduar nga grupi “10 Shqiponjat e Tërbaçit”, marrëse: Evgjeni Habili Seferaj dhe Antoneta Goxho Mehmetaj, kthyese: Shpresa Kapo Çelaj, hedhëse: Hava Çelaj Muçaj, grupi mban këngën me eee. Në prova kishim bërë dhe vallen  “Kanë dalë plakat në lëmë”… teksti: POPULLI, valle gazmore humoristike me 3 hapa (3 këmbë) djathtas  e 3 majtas, kënduar grarisht nga grupi “10 Shqiponjat eTërbaçit”  (folklor dhe etnologji), duke gjykuar se kjo valle e dëgjuar, më shumë se kujtdo, i  shkon natyrës së këtyre zonjave moshatare, por artiste të ndritshme. Edhe pse ishim shumë korrekt me minutazhin e përcaktuar (çdo njësi zgjaste 2’ apo 2’ e 15’’), organizatorët e festivalit nuk e panë të arsyeshme që ta eksekutonim këtë numër folklorik.

C. [Rikthehem tek blloku digjital i shënimeve] Tani 10 Shqiponjat e Tërbaçit po marrin luginën e Lumit të Bardhë (Lumit të Vlorës), me bekimin e vendlindjes për t’u paraqitur sonte, natën e dytë të Festivalit të Pestë Folklorik “Netët e Bejkës së Bardhë”, Pilur (07-08.06.2024) sa denjësisht me vlera folklorike të burimit dhe folklor bashkëkohor sipas stilit muzikor të Tërbaçit në variantin grarisht.

Kështu lartësohet Çika/ Shqiponjat lindin Petrita” – na uron nga Saranda fisniku Astrit Ismaili.

Diell, o Shqiponjat tona! Diell, o Shqiponjat e Jugut!

Duke parë diellin që shkonte i lodhur në Çikë, në Qafë të Pëllumbit m’u kujtua se 10 SHQIPONJAT E TËRBAÇIT, 3 vjet më parë kishin fluturuar drejt Ballkonit të Bardhë të Himarës sonë, atje ku është balli i këngës. Nga datat 5-6 qershor 2021 zhvillohej Festivali i Dytë Folklorik “Netët e Bejkës së Bardhë”. Grupi ynë u paraqit natën e dytë të festivalit, të shtunë e datës 6 qershor, me “Ritin e stolisjes së nuses tërbaçiote, si pjesë e Ritualit të dasmës në Labëri”. Për herë të parë shfaqej para publikut, artistëve të tjerë popullorë, para jurisë, televizioneve dhe artdashësve ky rit, ku u ndërthurën harmonishëm e bukur folklori me etnologjinë. U paraqitën denjësisht (ndiqeni në Youtube, e kam hedhur unë, Vlora News dhe produksioni Balani), u pëlqyen dhe u mirëpritën nga publiku. Juria e gjykoi t’i vlerësonte me “Çmimin e Karrierës”, që mbante emrin e poetit të madh të këngës labe Maliq LILA.

D. Këtë të shtunë, mbrëmjen e 8 qershorit do të fluturojnë përsëri drejt Pilurit për në Festivalin e Pestë Folklorik “Netët e Bejkës së Bardhë”. Me synime fisnike më të qarta, për të paraqitur vlera folklorike me nivel të lartë artistik dhe estetik, për të tjera lartësi. Së pari e së fundmi për t’i pëlqyer publiku, që artdashësit të thonë: “Po, Shqiponjat po, këto i meritojnë duartrokitjet tona.

Diell, o Shqiponjat e Labërisë. (Me transportin patëm probleme, por shoferi qe i matur dhe i qetë dhe ia doli. Na heq ne me transportin, se dhe kur shkuam në Festivalin e Gjirokastrës, më 25 qershor 2023, na vajti squfur udhëtimi, por nuk është ky objekt i shkrimit). Sa kaptojmë qafat e Kuçe, ia merr Liljana: “Shqipe Tërbaçi mbi male/ Me valle e këngë labe,/ Shqipet lart e malet rrotull/ Gurrën e kanë në popull…”

E. Grupi “10 Shqiponjat e Tërbaçit” në festivalin e Pilurit u paraqit sonte me 2 valle të traditës (e para me motive nizamësh, e dyta me motive liriko – humoristike) si dhe me një këngë të re për Labërinë. Juria e vlerësoi me çmimin e Tretë “Feti Brahimi”. Të Dhjeta ju paskeni lindur Ditën e Sakrificës dhe Dinjitetit. Mirënjohje Shqiponja!

F. Kur Vlora të do, të adhuron Perëndia vetë. “10 Shqiponjat e Tërbaçit” ndihen krenare dhe mbushen me besim për Udhëtimin e Tyre Folklorik. Ku ka çmim më të lartë sesa kur të pëlqen populli këngën dhe vallen origjinale të shpirtit! Eee, në këtë rast, kartonat e jurive s’ kanë veçse vlerë arkivore për grupin dhe artistet popullore. Eeee, prandaj Vlora është Qytet i Diellit dhe në Folklor dhe Etnografi. Nuk mund të mos hedh në letër (apo në qelqin digjital) disa mbresa të pashlyeshme që na dhuruan “10 Shqiponjat e Tërbaçit” me Juli Çenkon në Festivalin e Pestë Folklorik “Netët e Bejkës së Bardhë”, Pilur, 2024. E ndezën skenën natyrore të Pilurit. Për këtë atmosferë festive që u krijua nga gëzimi që ndriste artistët popullorë , thuara vargjet: “Pilur, o Ballkon i bardhë/ Priti miqtë radhë – radhë!/ Pilur, ball’ i lartë i këngës/ Priti artistët e zemrës!/ Ballkon i Himarës sonë/ Bilbilat bukur ia thonë./ Me kanarinat, thëllëzat/ Këndojnë malet, brigjet, rrëzat…/ Lefteri na sheh nga lartë/ Me Bejkën na jep uratë”. Juli Çenko ngre artistët popullorë në valle, madje dhe Vasillon e Jurisë së Festivalit (Bejka e Bardhë e Pilurit të Lefterit Vasillo Lapa Koka). “10 Shqiponjat e Tërbaçit” në valle shkrepin xixa dhe vërshon lumi i artë i shpirtit popullorë kur folkloristët e tjerë ndezin skenën dhe sheshin e bardhë, që e hijeshon rrapi madhështor. Vasillo Koka është artiste, mësuese dhe poete, madje ka botuar libër me këngë e vjersha. Jas i shprehet ajo për Shqiponjat e Jugut: “Ashtu si vargmalet kryelartë të pa shkëputur në shekuj edhe Ju, Zonja të Tërbaçit Legjendar bashkuat dëshirat tona në valle. Qoftë i pa shkëputur zinxhiri juaj i florinjtë, duke bashkuar yje dhe hënë në gëzime! Kryelarta me udhëheqësin tuaj të pa lodhur Albert Habazaj, fluturofshi në majat më të larta. Krenari për juve !!!! Jeni Yjeeeeee”

Jo vetëm në Labëri, por në mbarë Shqipërinë është i njohur dhe i dashur emri i Vasos. Vasillo Lapa Koka është “Bejka e Bardhë”, ajo e vërteta e Shtatëdhjetë e treshit të Lefter Çipës. Në Festivalin e Pestë Folklorik, AJO ishte anëtare e jurisë dhe kur, natën me yje këndonte Juli Çenko e drithëronte skenën natyrore të Festivalit dhe fap gjatë këngës së saj, feksën e dolën në valle 10 Shqiponjat e Tërbaçit tek sheshi, që u ndez nga kënga dhe vallja si në një dasmë kombëtare, Vasilloja e la tavolinën zyrtare të jurillëkut dhe i dha krahë valles dorë më dorë me Shpresën, korifeun e “10 Shqiponjave të Tërbaçit”. Vasillo Lapa e Shpresa Kapo u njohën qysh nga koha e Festivalit III Folkorik Kombëtar i Gjirokastrës. Kalaja e Madhe e Festivaleve të Rënda atë tetor 1978, përjetoi emocione të fuqishme kur 7 vajza 17-18 vjeçare, gjimnaziste të krahinës së Mesalikut, nxënëse të Shkollës së Mesme “Laze Nuro” Brataj kënduan këngën- simfoni “Gjurmë të kuqe borës latë”, me tekst të Kujtim Micit – Dragoit të Kënëgs Labe. Marrëse ishte Nazo Dauti nga Tërbaçi, kthyese: Fedirete Sulçaj nga Mesapliku, hedhëse: Shpresa Kapo nga Tërbaçi, bëjnë eee (mbushin këngën/ iso): Shaze Hoxha nga Tërbaçi, Vangjelina Gjini nga Tërbaçi, Dilore Balla nga Gjormi, Baire Hasani nga Lezhani. [nga 7 anëtare të grupit, 4 ishin nga Tërbaçi]. Kënga “Gjurmë të kuqe borës latë” u cilësua Perla e Festivalit”. Eeee, qysh atëherë Vasilloja me Shpresën e mbajtën miqësinë e pastër aq dashamirëse dhe e forcuan më shumë.

G. Provuam ndjesi të fuqishme në Pilur. Nuk vlen çmimi më shumë se kënaqësia artistike dhe estetike që “10 Shqiponjat e Tërbaçit” i dhanë publikut artdashës të Pilurit dhe Himarës, artistëve popullorë nga trevat e Labërisë së Gjirokastrës, Tepelenës, Delvinës, Vlorës e Sarandës, nga Çamëria me “Krahun e Shqiponjës” së sypafjekurit për art Sali Nuredini, miqve nga Tirana, por, sinqerisht emocion krenar na dha kërkesa e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Shkëlqesia e Tij, prof.dr.Bajram Begaj për të bërë një fotografi me “10 Shqiponjat e Tërbaçit”.

Sikurse gjithë artistët popullorë të Labërisë e Shqipërisë, edhe zonjat fisnike të Tërbaçit,  vazhdojnë t’i jepin frymë e zë e zemër polifonisë sonë popullore çdo ditë dhe pa u kursyer.

Mesazhi i Ridvanit

E kam thënë dhe e përsëris që çdo juri duhet të mendojë për vendin e dytë, se i pari i takon grupit “10 Shqiponjat e Tërbaçit”! Jo vetëm për mënyrën dhe perfeksionin e interpretimit, por duke gjykuar sakrificën dhe moshën e tyre, të cilat të gjitha janë gjyshe. Sukses të mëtejshme, respekte për vlerën që i jepni Labërisë ju dhe Albert Habazaj”.

Më vuri në mendim ky refleksion i këtij të riu pa paragjykime maskiliste, që s’pyet nga verbimi i rremë i famës së madhe apo hijes së atyre që sponsorizonjë grupet për çmime  dhe patjetër me shpirt them edhe në shtyp: Ritvan Hodaj, shumë faleminderit! I përulem me MIRËNJOHJE fjalës tënde për grupin tonë “10 Shqiponjat e Tërbaçit”. Tok me mua e falënderojnë artistin e Labërisë edhe 10 Shqiponjat. Ritvan Hodaj, ti je një djalë fisnik i Gumenicës sofërmbudhë! Ti je bir i denjë i një dere bujare! Ti je një artist popullor i dukshëm sipër e i pashmangshëm dot nga askush, sepse e ke krijuar profilin tënd si një kthyes brilant në stafetën e këngës labe. Ti, si kthyes je të yjësinë e ndritshme të bilbilave që falin nga shpirti i tyre dritën e ëmbël të zërit, interpretimit, melodisë, veshjes popullore tradicionale, mimikës e zërit të trupit. Ti je një këngëtar potent, që të bën për vete me atë grykë. Ti këndon krah Berdo Berdos, Bardha Brahimit, Mico Ferrajt e atyre korifejve të “Jehonës labe”. O Vani! Unë, që u them “10 Shqiponjave të Tërbaçit – keni lindur Ditën e Sakrificës dhe të Dinjitetit, u them se është e vërtetë, e verifikueshme. Mjafton të kujtoj se të shtunën mbasdite Grupi ynë qe në Pilur për konkurim në Festival. Pikërisht në atë ngjarje kulturore Gjena, kapetania Evgjeni Habili Seferaj hoqi rrobat e zisë dhe veshi kostumin folklorik të stërgjysheve tërbaçiote dhe doli në skenë me motrat e saj Shqiponja Çike, që u shfaqën si 10 Miro Tërbaçe të valles dhe këngës së kënduar sipas stilit muzikor të Tërbaçit në variantin grarisht. Paraditen e së shtunës, Gjena kishte 6 mujorin e së motrës, ku e qau me ligjërime motrën e xhanit, Labenë e paharruar 65 vjeçare dhe mbasdite erdhi bashkë me Shqiponjat në Ballkonin e Bardhë të Këngës, në Pilurin e Himarës dhe Labërisë sonë. Gëzim dhe dhembja tek ne janë bashkudhëtare. 10 Shqiponjat e Tërbaçit dinë t’i ndanë gjërat dhe t’i vlerësojnë përgjegjësitë si përfaqësuese të vendlindjes, si “ambasadore” kulture e Tërbaçit në ngjarjet etnofolklorike, që na kërkojnë dhe ne shkojmë të përcjellim mesazhe drite.

Për shqipet magjike vijnë mesazhe drite

Janë të pambarimta mesazhet e mira drejtuar grupit dhe s’ka se si të mos prekesh, s’ka se si të mos ndihesh mirë, të frymëzohesh dhe të mbushesh me optimizëm për Udhëtimin e Denjë Folklorik. Po shkëpusim disa: Lefteri Metkaj. “Sa më bukur dhe dinjitozë në festivalin e Pilurit! Këto shqipe magjike janë 10 Shqiponjat e sukseseve, të cilat janë gjithmonë të bukurat bilbile të Tërbaçit, plotë jetë dhe gjallëri! Suksese 10 Shqiponjave dhe udhëheqësit të grupit, z. Albert Habazaj! Me këtë paraqitje, ju jeni dëshmia më e qartë e identitetit me këngën dhe me veshjen popullore tradicionale për zonën e Tërbaçit dhe për trojet tona të Labërisë. Ju paraqitni një pasuri kombëtare në këtë festival ashtu si i ka hije vlerave të kësaj krahine”. Kam të drejtë ta falënderoj dhe t’i them: “Meriton mirënjohje intelektuale e nderuar! Ti Lefto, je e ndritshme jo vetëm si njeri me virtyte humane, por ti je misionare e kombit, ti je Mësuese e Gjuhës Shqipe për fëmijët e shqiptarëve në emigracion, atdhetare e devotshme”. Maksi Luçi: “Suksese … Le të dëgjohet ritmi i atyre maleve mbi detin Jon”… Po, Maks i dashur, u dëgjua ritmi i maleve tona mbi detin Jon. Dhe i kulluar si Lumi i Bardhë që buron tek rrënjët e tua. Peno Nebi Xhakaj, bijë nga Kuçi e nuse në Tërbaç, e shoqja e Nebos, kthyesit më të mirë të Labërisë: “Motrat tona si sorkadhe sa bukur duken në valle”; Bukuroshe Abazi Ramohitaj: “Shkëlqeni!”; Vjollca Gaçaj: “Si drita jeni të gjitha . Suksese dhe sa me shumë medalje”! Poeti, avokati, aviatori Delo Isufi: “Ndihem krenar për të mrekullueshmet vajza e nuse të krahines sime”; Sose Beqiraj: “Bravo shqiponjat e Tërbaçit! Krenari për ne”, ndërsa intelektuali dhe veprimtari i shquar dr. Neki Dredha na e bën me vargje urimin: “Dhjetê shqiponjat tërbaçiote,/ Si pinë ujë në Pajikonjë,/ Ndriçuan skenën piluriote,/ Ballkonin mbi Detin Jon./ Thuaja Çikë, Majë e Lëpjetës,/ Ti Gjivjash e ti Stogua,/ Për ato lulet e jetēs,/ Kostum kuqet mbi Pihua./ Për kostumin arbëror,/ Hijeshinë e Amantisë,/ Shqiponjat, shpirt amnor,/ Krahu i zjarrtë i Perëndisë/ Për Atë, yllin e malit,/ Shpirtin e Lumit të Vlorës,/ Që i dha dritë Festivalit,/ Me shtojzovallet e Horës./ Përmbi ujërat kaltērore,/ Lart te logu piluriot,/ Këngë e valle Labërore/ Do të ketë për jetë e mot”, të cilin Pano Hallko e quan një Refleksion i thekur poetik, ndërsa unë: “Faleminderit Doktor! E kush si ti shkruan për Labërinë magjike! Jam i bindur që përsëri do ta ribotosh librin e bukur për Labërinë tonë, se historia, kultura, arsimi, virtytet dhe visaret e shpirtit të saj janë të pambarimta, mrekullore si natyra e saj, me florën e faunën, me njerëzit e vërtetë, me artistët si bilbila e artistet si thëllëza!”. Amazona e Bolenës, Lapardhasë dhe “Jehonës labe” Bardha Hosi Brahimaj, siç ka zërin e shpirtit bën urimin me zemër: “Si varese diamanti, i shtoni nurin dhe lezetin këngës labe”; ndërsa mësuesja dhe poetja nga Vlora Anila Toto: “Suksese zonjave artiste që mbajnë në këmbë gurrën e traditën, artin e popullit tim!”, sociologia artisteZhaneta Sali Veizaj: “Një urraaaaa të fortë për grupin”. Që nga Kanadaja poetja Armenida Qyqja na uron: “Fluturim të bukur Shqiponjave!”, ndërsa e mirënjohura Katjusha Pogaçi “Ju lumtë!”. Po këtë urim na jep poeti dhe historiani doc. Odise Çaçi. Artisti bujar Astrit Ismaili, pasi bën urimin e bekuar: “Dritë e bardhë rruga e Mirove të Tërbaçe”, tjetër çështje shtron me të drejtë: “Ky është një ansambël artistik se ka artiste dhe udhëheqës artistik, kështu më thotë kjo fotoart, mos e quani grup, ju lutem!”.

Mbaroi dhe festivali …

Mbaroi dhe festivali. Na dhanë Çertifikatën e pjesëmarrjes dhe na u komunikua çmimi i Tretë. Ne shpumë vlera të mirëfillta, autentike, burimore në lartësinë që kërkon një paraqitje dhe përfaqësim dinjitoz për Tërbaçin tonë me histori dhe kulturë, krahas të tjerëve, si pjesë e së tërës. Nuk kërkuam çmim, as paguam për të, pasi kemi dëgjuar që është bërë modë, që në fillim ndahen çmimet, pastaj fillon festivali.  Hëngrëm një bukë të bardhë në Pilur dhe u kthyem natën në Vlorë. Gjatë kthimit, i ngarkuar me emocione, që më shkaktuan dhe ndjenja negative, po reflektoja tek ato që bëmë ne, si i bëmë, Çfarë duhet të bëjmë më mirë, nëse kemi mundësi dhe hapësira: Shqiponja! Sinqerisht dhe me përulje u shpreh MIRËNJOHJE. Ju ndriçoni dritën e mirësisë. Ju verboni errësirën e ligësisë. Ju paskeni lindur Ditën e Sakrificës dhe Dinjitetit. Gjena, ti u tregove kapedane, dole mbi dhimbjen e motrës për hir të detyrës morale. Virtyti yt e mposhti stresin, emocionin e dhembshur të humbjes së parakohshme të Labesë së paharruar.

Më ka ngelur në mendja fjale e moderatores së festivalit, Shqiponja Pazaj Veshaj “Ju, 10 Shqiponjat Labe jeni çmimi i mirësisë. Dashuria a madhe për artin dhe folklorin që ju karakterizon është plebi shqiptare dhe në lartësinë e Çikës!”

Dy fjalë pas një jave

Për Kristo Çipën kam këto fjalë: Festivali u realizua me sukses dhe pruri mozaik vlerash folklorike tradicionale dhe bashkëkohore, patjetër dhe nivel artistik e shije estetike. Falënderoj popullin bujar dhe artdashës të Pilurit për mirëpritjen. Situata të tilla, si këto të pesë festivaleve folklorike të Pilurit që ka organizuar K. Çipa, nxjerrin në pah rolin e individit në shoqëri. Ai është një organizator shembullor. Po kështu për Fred S. Mërkurin shpreh mirënjohje për vëmendjen, si dhe për gjithë ata miq e dashamirës që takova. Nuk mund të shprehem kështu për jurinë, sepse vlerësimet që bënë m’u dukën subjektive dhe çmimet që deklaruan më shqetësuan për saktësinë e dhënies, respektimin e kritereve të përcaktuara etj. Nuk e di pse juritë i turbullojnë ujërat, kur gurra popullore është ujë i kulluar i shpirtit popullor në këngë dhe valle. Por, fatmirësisht e mbi të gjitha në Pilur unë takova Qeranën, atë nënë heroinë, po ashtu dhe ato nëna të mira piluriote, që i kisha takuar 3 vjetësh, qershor 2021. Piluri është një vend heroike me histori dhe polifoni, e nënat piluriote zënë një vënd të veçantë në historinë e tij. Nënat e bijve të këngës na mbushin me frymëzime polifonike të pa shtershme.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura