Nga Mehmet HAJRIZI
DËSHMORI I PAHARRUAR IBRAHIM KRASNIQI
(1962 – 1982)
Në përvjetorin e dyzetedytë të flijimit
Më 16 qershor 2024
1.
Nga fundi i viteve shtatëdhjetë të shekullit të kaluar po rritej e zgjerohej rezistenca kundër pushtimit serb dhe jugosllav në Kosovë dhe në viset tjetra shqiptare nën Jugosllavi. Në hulumtimet që kam bërë deri tani, vetëm në periudhën e para dhe pas kryengritjes së madhe shqiptare në Kosovë më 1981, janë formuar dhe kanë vepruar rreth dyzet grupe dhe organizata çlirimtare, të cilat si lumenjtë përbënin detin e madh të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.
Në qytetin e vogël të Kosovës, Lypjanin e një prej çerdheve të shovinizmit serb, sikur organizata të tjera çlirimtare shqiptare, kishte shtrirë radhët e veta edhe Lëvizja Nacionaçlirimtare e Kosovës, veprimtarë dhe drejtues të së cilës u dënuan nga regjimi më 1979-1980.
2.
Në këtë kohë, disa të rinj të kësaj treve, në krye me studentin entuziast Remzi Lushi kishin formuar Grupin klandestin me emërtimin domethënës „Isa Boletini“. Në monografinë me titull Remzi Lushi, një jetë të tërë për liri, me botues Trendi, 2022 Prishtinë, të autorit dhe veprimtarit të këtij grupi, Ismail Bahtiri janë sistemuar profesionalisht shumë të dhëna, jo vetëm për protagonistin Lushi, por edhe për vetë grupin e organizuar dhe zhvillimet e kohës në Kosovë. Anëtarët e parë të tij, veç Remziut ishin dhe Ismail Bahtiri e Sabri Lushi dhe në vijim, Halil Ismajli, Bislim Ahmeti, Ibrahim Krasniqi, Milaim Dervisholli, Xhemail Aliu, Nysret Reçica, Agim Bllaca, Naim Kçiku, Remzi Fazliu etj. Remzi Lushi ndërkaq kishte zgjeruar radhët e grupit me kolegë studentë, si Qazim Halimi, Rashit Elshani, Agim Plakiqi dhe Kadri Llugaliu. Në Ferizaj vepronin Muhamet e Fahri Kupina.
Grupi vepronte sipas objektivave historike çlirimtare dhe rregullave e normave statutore të organizimit. Në plan kishte edhe themelimin e shtypit të tij klandestin me revistën „Zëri i Patriotit“, por për shkaqe materiale nuk u realizua.
3.
Në vitin 1981 anëtarët e Grupit morën pjesë aktive në demonstratën më 26 mars në Prishtinë, pastaj më 31 mars, 1 dhe 2 prill, kur kryengritja kishte arritur kulmin e saj me pjesëmarrjen e organizuar të qindra mijë qytetarëve të të gjitha shtresave shoqërore të Kosovës dhe të viseve tjera shqiptare nën Jugosllavi.
Anëtarët e grupit kishin vendosur që edhe në Lypjan ta organizonin një demonstratë masive më 2 prill në orën 14. Demonstrata u organizua dhe u mbajt me sukses me pjesëmarrje të rreth 3.000 qytetarëve, duke zgjatur një orë. Në ballë të demonstratës ishin Halil Ismaili, Ibrahim Krasniqi, Nysret Reçica etj. Në grupin tjetër të demonstruesve prinin Agim Bllaca, Sabri Lushi, Milaim Dervisholli, Bislim Ahmeti, Ajet Shala etj. Në rreshtin e parë ishin edhe vajzat trimëresha, Sevdie Ademi, motrat Drita e Afërdita Gashi, Bukurie Bytyqi, Igballe Jashanica, Nazmie Pacolli etj. Demonstrata u shpërnda nga forcat policore, duke përdorur dhunën dhe bombat me gaz lotsjellës. Qytetarë serbë shtinin edhe me armë zjarri, por nuk pësoi askush. Demonstrata të tjera në Lypjan u organizuan më 18 dhe më 21 maj 1981.
4.
Arrestimet e para të anëtarëve të Grupit filluan fill pas 2 prillit, kurse më 6 gusht 1981 u mbajt procesi gjyqësor dhe u dënuan me nga tetë vjet burgim studentët, Remzi Lushi, Halil Ismaili dhe Sabri Lushi. Shtatë të tjerë ishin nxënës dhe u dënuan: Ibrahim Krasniqi 6, Bislim Ahmeti 7, Milaim Dervisholli 7, Nysret Reçica 6.5, Agim Bllaca 6, Remzi Fazliu 5 dhe Xhemail Aliu 4 vjet burgim. Në aktakuzë shkruante: „Agim Bllaca, Ibrahim Krasniqi dhe Nysret Reçica më 2 prill marrin pjesë në organizimin e demonstratave armiqësore dhe menjëherë u vunë në krye të tyre“. Më vonë veprimtari Ismail Bahtiri u dënua me 3 vjet e gjysmë burgim.
5.
Ibrahim Krasniqi, i lindur më 10 mars 1962 në Smallushë të Lypjanit, ishte rritur dhe edukuar në një familje në kushte të vështira ekonomike, por e ndershme dhe krenare. Si i ri, me shumë pasione, e donte sidomos sportin, duke qenë futbollist i mirë. Ibrahimi ishte maturant i shkëlqyeshëm i Shkollës së Mesme Ekonomike të Lypjanit.
Në kryengritjen e vitit 1981 ai mori pjesë aktive, duke u vënë në ballë të demonstratës në Lypjan më 2 prill 1981. Atë ditë u arrestua dhe u dënua fillimisht me 60 ditë burg në Gjilan, por posa u lirua, pas 5-6 ditësh e arrestuan sërish. Sipas Aktgjykimit P-K. nr. 115/81 (17.X.1981), Gjykata e Qarkut në Prishtinë, me gjyqtar Isak Nishevcin, dënohet me 6 vjet burgim.
Për Ibrahim Krasniqin në Aktgjykim shkruan: “Më 2 prill 1981 rreth orës 14:00 në Lipjan mori pjesë aktive në demonstratat armiqësore, duke u vënë në ballë të nxënësve të QAMO të Lipjanit dhe prej oborrit të shkollës, duke i udhëzuar të tjerët, nëpër rrugët e Lipjanit brohoritën parullat armiqësore ‘Duam Republikë’, ‘Rroftë republika Socialiste e Kosovës’… me çka ka kryer vepër penale cenim kundërrevolucionar i rregullimit shoqëror nga neni 114 të LPJ…Ibrahimi nuk e ka pranuar veprën që i ngarkohet.”
Ibrahimi i ri, qëndroi pesë muaj në burgun e Prishtinës (nën hetime), pastaj në burgun e Gjilanit, ku bëri grevë me shokë për shkak të kushteve të rënda. Më vonë ai u dërgua në Burgun e Pozharevcit. Pas disa muajve qëndrimi aty, Ibrahimi dërgohet në Burgun Qendror në Beograd, Centralni Zatvor (CZ).
Më 16 qershor 1982 familja e Ibrahimit u njoftua për vdekjen e tij në burg një ditë më parë, por asnjë dokumentacion nuk u dha kurrë.
Të nesërmen u bë varrimi, nën survejimin e spiunëve të sigurimit shtetëror.
Në gazetën “Bujku” të Prishtinës, më 1 korrik 1996, për Ibrahimin, në 14-vjetorin e ndarjes nga jeta, shkruante: “Diplomën e pjekurisë e zëvendësoi me atë të sakrificës” Vite më vonë në CZ vdes edhe veprimtari tjetër, Zija Shemsiu.
6.
Vdekje (mbytje) të të burgosurve politikë shqiptarë kishin ndodhur edhe më parë, si Fazli Greiçevci, Shaban Shala, Afrim Abazi dhe shumë të tjerë pas tyre.
Në demonstrata u vranë edhe tetë të tjerë dhe u plagosën me armë zjarri rreth 1000 demonstrues paqësorë.
Pas rënies së dëshmorëve të demonstratave më 2 prill 1981, Naser Hajrizi, (i cili më 26 mars ishte me flamur në dorë bashkë me veprimtarët e këtij Grupi) Asllan Pireva, Xhelal Maliqi e Salih Abazi (në Prishtinë), pastaj më 3 prill, Salih Mulaku (Zeka) e Ruzhdi Hyseni (në Vushtrri) dhe më 3 prill, Rizah Matoshi e Sherif Frangu (në Ferizaj), disa ditë më vonë në qëndresën epike që u bënë hordhive policore e ushtarake jugosllave, bien Tahir e Nebih Meha (Prekaz, më 13 maj 1981). Kurse Nesimi Dervishdana u vra në Gjakovë më 26 korrik 1981 nga oficerë të Ushtrisë jugosllave.
Kujtimi për dëshmorin Ibrahim Krasniqi nuk matet me vite, sepse do të jetë i përjetshëm.
Lavdi jetës dhe veprës së dëshmorit Ibrahim Krasniqi dhe të të gjithë dëshmorëve tjerë të kombit!
(Për këtë shkrim përkujtimor janë shfrytëzuar, përveç dokumenteve të cituara dhe shënimeve të autorit, marrë nga familjarët e dëshmorit më 1990, edhe monografia e autorit dhe veprimtarit Ismail Bahtiri.)