MENDIMTARIN E RI QË S’E NJIHJA

MENDIMTARIN E RI QE S’E NJIHJA

Nga Agron Hoti, Pashtriku 13. 09. 2022

Nuk e njihja. Nuk e dija kush ishte. Shumë flisnin për djaloshin. Ja njihja veç letrat.

Nuk arrija ta kapja me mend që një djalë aq i ri në moshë, në një vend përveçse të terrorizuar me shekuj edhe të harruar nga bota e historia, ia kishte kapacitetin të bënte analiza e projeksione të politikës shqiptare, rajonale e ndërkombëtare me çështjen e pazgjidhur shqiptare në epiqendër të të gjitha zhvillimeve.

Ja kisha zili, kuptohet për të mirë. Thoja vete më vete, a do të mundem ndonjëherë t’ia them shkrimit së paku sa thembra e tij?

Sigurisht që doja ta shihja, ta takoja e të flisja me njeriun e letrave të pakëta të asaj kohe pa kohë, të letrave që megjithatë bënin dritë në terrin informativ të kohës dhe terrorin e përditshëm të pushtuesit serb. Shkrimet, që nuk e dija se ishin të tij, ishin plot shpresë e para se gjithash ishin vizioni e projeksioni i kombëtar që mezi po formësohej për shkak të pushtimeve të parreshtura.

Nuk arrija ta takoja e as ta dija se kush ishte. Ndaj veç shkrimet ja lexoja. Gjersa ja lexoja shkrimet, përreth kisha shpesh njerëz ideali që torturën serbe e kishin pasur pjesë integrale të jetesës në vend që ta kishin jetën rinore si tërë rinia e botës së lirë.

I diskutonim e i analizonim ato shkrime të mendimtarit të ri, por megjithatë na dukej që nuk arrinim në përfundimet e duhura. E kishim bindjen që shkrimet në vetëvete përmbanin më shumë se ç’mund të kuptonim për kohën.

Dhe i linim ashtu shkrimet, të shtrira në tavolinat studentore gjersa rrinim deri vonë duke u marrë me to, për t’u zgjuar prapë në mëngjes e për t’i shpërndarë ato shkrime të djaloshit, të cilin, ne që s’e njihnim, e paramendonim të ishte një i moshuar dhe i tejshkolluar. Por, jo kishte qenë djaloshi i ri, i rritur dhe i rryer në familje prej atdhetari.

Gjithsesi, nganjëherë në jetë gjërat më të pamundshme bëhen të mundshme. Diku në dimër të vitit 1997 te vendi “varrezat e dëshmorëve në Prishtinë” diku rreth orës 22:00, në një natë ku terrori serb e bënte natën edhe më terr se ç’ishte, takova një djalosh të ri.  Takimi ishte i aranzhuar. Ishte i mbështjellur me një mantel të gjatë.

E dija që djaloshi ishte prej atdhetari, sepse për të tillë po e takoja, por s’e dija që ishte mendimtari i letrave. Vërehej qartë të ishte i armatosur, por me fytyrë thoshte “nuk i mora nga qejfi, por nga ideali”. Për më tepër me jepte për të kuptuar që edhe ai e donte jetën rinore, studentore, lirinë e gjithë të mirat që i sjell ajo, por ja që fati jetësor i kishte dhënë orientim atdhedashurie për t’i hyrë çlirimit të kombit që e kishte lindur dhe rritur, pra për t’i hyrë rrugës për jetë a vdekje. Ishin poezitë ato që flisnin më së miri për planet e tij.

Urtësinë, çiltërsinë, shpresën, oratorinë dhe vendosmërinë që e shpërfaqi në ata pak minuta sa folëm, më patën bërë të mendoja për ditë të tëra se kë kisha takuar dhe me kë kisha folur. Thoja vetë me vete, ky mund të kishte qenë njëri prej mendimtarëve që po shkrinte mend për kombin që e lindi dhe rriti.

U përshëndetëm ngrohtësisht, mora ato çfarë pata për t’i marrë dhe për fund më tha “suksese djalosh”. Kaq pak ndetja me njeriun që atëbotë kishte pasur vetëm 25 vite, e për të cilin flisnin shumë pa ia përmendur emrin. Por, nganjëherë në jetë më të gjatë janë pesë minuta sesa një jetë e tërë.

Dhe takimi im i parë dhe i fundit me Bahri Fazliun ishte vetëm ai pesë minutëshi i vitit 1997. Vepra heroike e Bahriut më 7 maj 1998, m’i vërtetoi të gjitha ato pak fjalë por përmbajtësore dhe për më tepër çlirimtare që m’i tha ai brenda atij pesë minutëshi që qysh atëherë më ishte ngulitur në kujtesën time dhe do të ngelet i tillë deri sa të kem jetë.

Lavdi jetës dhe veprës së Bahri Fazliut!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura