U LIND NË MALE DHE VDIQ NË AGIMIN E LIRISË!

U LIND NË MALE DHE VDIQ NË AGIMIN E LIRISË!

Nga Prof.Blerim Latifi, Prishtinë – korrik 2024

Më ka mbetur në kujtesë pamja e asaj plake, e cila herë pas here ngjitej rrugës së lagjës time, duke u mbajtur me një shkop. Ngase ishte e martuar me një burrë të afërm me dajtë e mi, e njihte nanën time, prandaj ndonjëherë kthehej tek ne, për t’u çlodhur nga rruga e gjatë që duhej të bënte deri në vendlindjen e saj. Ulej aty pranë çesmës në oborrin tonë, freskohej me ujin e saj dhe pasi nana i sillte një kafe a çaj, fillonin bisedën.

Ende nuk i kishte mbushur të shtatëdhjetat, por kur e shihje ashtu të dobësuar dhe në fytyrën e pushtuar nga rrudhat, të krijohej përshtypja se përballë kishe një plakë që po prekte pragun e një shekulli jetë.

Të këpuste shpirtin me rrobat e saj të vjetëra, vende vende të arnuara. Çdo gjë në pamjen e saj fliste për një jetë të kaluar përmes vuajtjeve të pafundme.

E lindur në malet e Tersenikut, në shtatorin e vitit 1924, për shumë vite do ta mbanin të fshehtë ekzistencën e saj. Sepse, ende pa lindur, naçallniku i Mitrovicës kishte lëshuar një urdhër për gjetjen e saj. Xhandarët e kërkonin gjithandej. Hafijet e gjurmonin fshehjen e saj.

Po ç’ishte vallë kjo foshnje të cilën hyqymeti e kërkonte me aq ngulm?

Çfarë frike kishin prej saj?

Çfarë kërkonin të arrinin përmes gjetjes së saj?

Askush nuk fliste dhe vetë ajo rritej pa e ditur psenë e fshehjes së saj. U lakmonte shoqeve kur flisnin për baballarët e tyre, ndërsa ajo nuk e dinte se cili ishte babai i saj. I dhimbte shpirti kur e pyesnin për të dhe ajo s’dinte si t’u përgjigjej. E vuante inferioritetin e çikës jetime, pa e ditur se ishte jetmija ma e famshme e Drenicës.

Kështu kaluan vite dhe kur i mbushi gjashtëmbdhjetë pranvera, një fllad lirie fryu në atdheun e saj. Bashkë me lirinë e atdheut, erdhi edhe liria për të, dalja nga guvat ku e kishin fshehur për të mos e parë syri i keq i atyre që mbi të donin t’i hakmerreshin babait të saj enigmatik. Syri i keq i xhandarëve serbë dhe i hafijeve shqiptarë.

U lind në male dhe ditët e fundit i kaloi në male. Mes flakëve të luftës. Vdiq në agimin e lirisë së Kosovës. Pa lënë pasardhës.

Emri i saj: Azemine.

Emri i babës: Azem.

Mbiemri: Galica.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura