DUKAGJIN GORANI: SHERADIN, EDHE KUJT E KE NDËRMEND T’IA SHPALOSËSH DOSJET?

(Pashtriku.oreg, 10. 03. 2013) – Të nderuar lexues, më 19 nëntor 2006 (në vigjilje të festës së madhe kombëtare – 28 nëntorit) në adresë të pashtriku.org, ka ardhur një letër nga gazetari i shquar Dukagjin Gorani. Ai, atëkohë ishte në Angli duke përfunduar doktoraturën në „Cardiff University“ me temën “Sistemi Paralel dhe Shteti Imagjinar i Kosovës 1990-1998”, ndërsa aktualisht është Këshilltar politik i Kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi, dhe njëri nga aktorët më të mirë të “ekzekutivit”, në përgatitjet e brendshme (larg syrit të opinionit) për negociatat “teknike” e politike me Serbinë. Arsyet – që e kanë shtyrë ta shkruaj këtë letër, kanë qenë shkrimet e mija rreth “elitës intelektuale” shqiptare, e cila gjatë viteve të regjimit komunist të Titos ishte vënë në shërbim të UDB-së. Dukagjini, (ashtu siç e thekson në fund të letrës) është “i biri i prof. Hajrullah Goranit, ish-kryetar dhe themelues i BSPK-së dhe i ish-burgosur politik, i tradhëtuar nga bashkëqytetarët e tij dhe i dënuar nga gjykatës e porotë shqiptarë në Kosovë.” Prof.Dr. Hajrullah Gorani, është arrestuar në shkurt të vitit 1950 nga UDB-a, ndërsa pas disa muajsh keqtrajtimi mizor në kthinat e errëta të këtij shërbimi famëkeq, në shtator të atij viti në – Gjykatën e Qarkut në Prishtinë në “emër të popullit” dënohet me gjashtë vite burg të rëndë, nga gjykatësit – shqiptarë: Arif Korapi, Ali Abdullahu, Ismail Xhemaili dhe Abdyl, Doda procesmbajtës në këtë proces gjyqësor. Meqë letra ka të dhëna të rëndësishme që i shërbejnë edhe historiografisë sonë kombëtare, në vijim po e bëjë publike.

Dukagjin Gorani

*  *  *

I nderuar Sheradin,
Kam filluar ta lexoj www.pashtriku.org, për të cilin u njoftova përmes një emaili qarkullues. Është punë e madhe kjo, s’do mend. Të uroj punë të mbarë dhe këmbëngulje në këtë përpjekje të ndërlikuar. Të të them të drejtën, ajo që më së shumti më pëlqen në faqen tënde është pikërisht përpjekja e madhe për t’i shpalosur dosjet e bashkëpunëtorëve kosovarë të UDB-së gjatë dekadave të harruara ’50, ’60, ’70 dhe ’80 (mendja ma merr se për ata të viteve ’90 jemi përkujdesur deridiku…). Mendoj se shpalosja dhe zbardhja e krimit të spiunazhit kundër popullit është obligim i të gjithëve – e veçanërisht i atyre të cilët mund të kenë dëshmi për të.
Pavarësisht nga fakti se në pashtriku.org ka vështrime me të cilat nuk do të pajtohesha krejtësisht – sidomos në kontekstin e vlerësimit të ardhmërisë politike të Kosovës – megjithatë më duhet të ta pranoj se të përkrah dhe të përshëndes vëllezërisht për hulumtimin e pakompromis të së kaluarës sonë. Në shumë aspekte, ajo e kaluar është e ndytë, përplot tradhti, diferencime moralo-politike, spiunazh të ulët, burgosje, izolime e vrasje.
Ma merr mendja se do të pajtoheshe me mua kur them se ne shqiptarët e kemi pak a shumë të qartë se çfarë përmban e ardhmja, mirëpo, ajo që kurrë nuk ia dolëm t’i biem në fije është – e kaluara. Madje, jo e kaluara e thellë që ikën nëpër shekuj. Përkundrazi. Është e kaluara e afërm për të cilën shtiremi se nuk kemi haber. Bëhet fjalë, pra, për dekadat që t’i përmenda më lart – e për të cilat nuk flet kush në mbarë Kosovën. Nuk flet kush më për Fadil Hoxhën, Xhavit Nimanin, Beqir Hotin apo Asllan Fazlinë… Nuk flet më kush për brezin e “Luftëtarëve të ‘41” që vinin nga radhët e banditëve dhe denoncuesve të popullit – e të cilët sunduan mbi kosovarë së paku 30 vjet në emër të Jugosllavisë së Josip Brozit e të Lidhjes Socialiste të Popullit Punonjës. Nuk përmend më kush Mehmet Maliqin, Gani Jasharin apo Daut Jashanicën e Remzi Kolgecin…
Nuk flitet më fare për faktin se po ky Universitet i Prishtinës ishte, ç’prej themelimit të tij më 1969, çerdhja më e madhe e bashkëpunëtorëve të UDB-së në Kosovë. Nuk përmend më kush faktin se po thuaj të gjithë “intelektualët” e mitizuar kosovarë (me një përjashtim, për të cilin kam dëshmi) filluar nga Ibrahim Rugova, Fehmi Agani e qebesa deri te Rexhep Qosja ishin anëtarë të denjë të LKJ-së, të privilegjeve politike të Jugosllavisë, të beneficioneve të ulëta shtetërore (të kredive që s’u kthyen kurrë, të honorareve për punë koti, të banesave që i ndante ‘kolektivi’, të trojeve nëpër Dragodan, të shtesave për fëmijë e pushimeve verore gratis nëpër Kamenovë e Beçiq, si shpërblim për punën lojale ndaj shtetit).
Vërtet, Sheradin, si u mor vesh që krejtësisht të harrohet kjo e kaluar jona e afërm?? Që të gjithë na lodhin duke ofruar ‘fakte të reja rreth prejardhjes ilire’ e askush nuk flet për atë se kush i tradhëtoi – me emër e mbiemër:
– fëmijët e lagjes sime si Afrim Xhitia e Fahri Fazliu?
– Si ore nuk e mbajmë mend se kush e gjykoi dhe e dënoi me burg Xhavit Hazirin apo, shembull, Skender Hajdarin e Ramadan Avdiun?
– Apo edhe Hydajet Hysenin e Bajram Kosumin?
– E qindra, qindra të tjerë?

S’është e mundur që paskemi harruar se më 1981-82 kur u burgosën qindra djem e vajza, gjykatat kosovare udhëheqeshin prej neve – shqiptarëve!?
Po, po. Përse nuk e themi troç: ishin pra po këta shqiptarët e sotëm ata që morën pjesë në udhëheqje të Kosovës gjatë viteve të burgosjeve e të vrasjeve. Nuk ishin të tjerë. Nuk ka të tjerë. Jemi këta që jemi. Jemi pra, po të njëjtit që shtyheshim nëpër zyrat e Azem Vllasit për ta marrë ‘librezën e kuqe’ të partisë dhe, po të njëjtit që më 1989 kinse shtyheshim për ta hedhur në baltë po të njëjtën… Dhe, të anëtarësoshehim në LKJ-në e re, te Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës.
– Jemi po të njëjtit që mezi s’prisnim që Shtafeta e Atij Qeni të kalonte nëpër Kosovën nanë e të rrijmë gjithë natën zgjuar duke e ruajtur përplot krenari në Pallatin “Boro e Ramizi” derisa e gjithë kjo pafytyrësi popullore transmetohej drejtëpërdrejti në Radio Televizionin e Prishtinës (RTP) në të cilin sërish punojnë gati 60 për qind e po atyre që dikur bënin përzgjedhjen e komenteve të Jusuf Ferizit kundër ‘nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar’.
– Jemi pra, po ai popull i cili në fytyrën e Josip Brozit e shihte shpëtimin e vet, shpresën se vërtet mund të jetohet mirë përmes shërbëtorisë e spiunimit.
Hiç mos ke gajle Sheradin:
– jemi po ai popull të cilin, nëse gërrmih pak, mund ta gjesh nëpër arkivat e mbetura të RTK-së duke gjuajtur gur e dru mbi po këtë ‘nacionalizëm e irredentizëm’, i xhiruar nëpër kolektivet e pshurrta punuese e nëpër OPB-jat e dikurshme dhe ‘konferencat aksionale të LRSJ’…
Gajle mos ke Sheradin,
– se jemi po ata të cilët mezi s’prisnin të paraqiten vullnetarë nëpër ‘Omladinska Radna Akcija’ e të poshtëroheshin vullnetarisht anekënd atij shteti të fëlliqur duke ia ndërtuar hekurudhat e liqenet artificiale një pushteti i cili do të na i vrante fëmijët nesër.
Vërtet, ashtu ndodhi. Po ai pushtet, njëzet-tridhjet vjet më vonë, do të hynte nëpër shtëpitë e të gjithëve – spiunë, atdhetarë, qytetarë e katundarë – për t’i djegur e për t’i vrarë. E pikëllueshme, por edhe interesante. Është pra interesante të vërehet se ndër viktimat shqipare në Kosovë gjatë viteve ’98-99 është një numër jo i vogël i shërbëtorëve dhe spiunëve të dikurshëm.
Çfarë ironie e tmerrshme!
Çfarë paradoksi i pikëllueshëm.
Tash, pas gjithë atyre viktimave duhet të shtiremi se jemi bërë një popull i përbashkuar, unik dhe atdhetar.
– Vetëm për faktin se Gjakova përjetoi aso tragjedie gjatë bombardimeve të NATO-s, nuk guxojmë ta përmendim faktin se po ajo qytezë sundoi mbi Kosovë me ‘kuadrot’ e veta nja 40 vjet…
– Vetëm pse shumë fëmijë u kidnapuan, u vranë e u zhdukën, nuk guxojmë ta përmendim faktin se Xhevdet Hamzat e Xhevdet Pulat ishin oficerë të zellshëm të KOS-it gjatë dekadave të errëta të Rankoviqit.
– Vetëm për faktin se Peja u dogj me ‘teshë-e-koteshë’ tash nuk guxojmë ta përmendim se po ai qytet (përndryshe, vendlindje e familjes sime) ishte së paku 70 vjet çerdhe e shovenizmit serb dhe e kuislingëve shqiptarë.

Kryeredaktori i pashtriku.org, Sh.Berisha.

*   *   *

Nëse mund të ekzistojë diçka si traditë në spiunim, atëherë do të mund të pajtoheshim se Peja ishte, tradicionalisht, qytet i spiunimit dhe i bashkëpunimit me UDB.
– Jemi pra po ky popull i familjeve të përçara që kanë leçitur njëri – tjetrin për vite e vite – qoftë për shkak të urrejtjes ndaj Jugosllavisë, qoftë për shkak të dashurisë ndaj Jugosllavisë.
– Jemi po ky popull i cili me vite e vite druante që pikëpamjet e veta politike t’ia dëftonte edhe kushërinjëve, e lëre më miqëve apo – qoftë larg – fqinjëve.
Sheradin i nderuar.
Jam lindur e rritur në Prishtinë. Mund të të them sinqerisht se e tëra që mbaj mend nga fëmijëria dhe rinia ime e hershme në këtë qytet është vetëm devotshmëria kolektive ndaj – Jugosllavisë. Nuk e di se ku e ke kaluar ti fëmijërinë e rininë (druaj se ka të ngjarë që një pjesë ta kesh kaluar prapa grilave jugosllave), mirëpo, të jesh atdhetar në Prishtinë gjatë këtyre dekadave – ‘70 dhe ’80 – ishte të jesh i dënuar në vetmi dhe ofendime të përditshme. Mos harro, nëse për ty (e edhe për mua) kanë qenë këto vitet e ndyta që na i rrënuan ëndërrat fëmijërore, për shumëkë ato ishin dhe mbesin vitet e arta të jetës.
Sot e kësaj dite, nëpër shumë shtëpi të Prishtinës e të Kosovës vazhdohet të qahet me lotë:
– për Josip Brozin e Jugosllavinë;
– për kohën e Fadilit e Xhavitit,
– për kohën e Mirkos e Sllavkos,
– për Akordet e Kosovës me Gazmend Pallaskën e Besnik Krajkun,
– për koncertet e Zdravko Çoliqit e Shaban Shauliqit…

Përfundimisht, meqë i jemi afruar kësaj date…. Në Kosovë, Sheradin, nuk është festuar shumë 28 nëntori. Me sa mbaj mend unë, më shumë është festuar ajo festa që vinte një ditë më vonë. Po, po. Është festuar Jugosllavia II e AVNOJ-it. Kjo ishte festa e popullarizuar kosovare. Këto ishin ditët kur populli punonjës e bashkëpunëtor i Kosovës i merrte nga katër-pesë ditë pushim dhe në televizion gjithë ditën shikonte ‘”Bitka na Neretvi” e “Partizanska Eskadrila”…
– Kujt, pra, Sheradin e ke ndërmend t’ia shpalosësh dosjet?
– Kujt?
– Cilëve kosovarë?

Me lejo të të them diçka. Ata pak atdhetarë që ka ky vend i mjerë, ata e dijnë fort mirë – sikurse edhe ti – se kush ka spiunuar gjatë gjithë këtyre viteve të errëta. Atyre s’ke nevojë t’ua dëftosh atë që e dijnë… Sa për këta tjerët (e të cilët, druaj, janë në shumicë…), ata nuk do ta hapin kurrë faqen tënde (pashtriku.org). Madje, do të të sulmojnë dhe do të të poshtërojnë. Jo drejtpërdrejti, meqë aty do të mund të fitosh… Përkundrazi. Do të të përulin nëpër biseda pas darke, nëpër takime mëngjesi gjatë pirjes së machiatove. Njerëzve të huaj do t’i thonë ‘në besë’ se njerëzit si ti janë rrezik për demokracinë dhe për lirinë; se njerëzit si ti janë ‘radikalë’, ‘të kuq’, ‘enveristë’, e madje edhe ‘terroristë’…
Kujt, pra, i duhet ta dijë çfarë, në fakt ka bërë Zekeria Cana e Fahredin Gunga, e sidomos Ali Aliu të cilin edhe vetë e kam pasur profesor? Ndoshta, vetëm atyre që nuk e dijnë. Që nuk e mbajnë mend. Që nuk e patën fatin e poshtër të jenë të lindur në ato kohë të ndyta. Ndoshta brezave të rinj kosovarë – që së paku ata ta kuptojnë se nga shitja dhe tradhtia e atdheut nuk mund të ketë përfitim.
Ndoshta, Sheradin… Edhe pse, punë e vështirë është kjo.
Mos harro: Kosovarët janë një popullatë e vogël, kurse atdhetarët e saj janë një familje edhe më e vogël. Gjithashtu, mos harro se ata të cilët me dekada i tradhëtuan anëtarët e kësaj familjeje të vogël, megjithatë patën përfitime.
Ata jetuan më mirë se ne, Sheradin.
Nga fëlliqësitë e tyre krijuan edhe pasuri, edhe familje, edhe para… Gjatë viteve ’90, përmes LDK-së, e fituan edhe autoritetin dhe në fund – edhe pushtetin.
– Pse, çfarë mendon se ishin Nexhat Daci, Nekibe Kelmendi, Kaqusha Jashari, etj… Atdhetarë??
Për fat të keq, nga spiunimi gjithnjë do të ketë përfitim. Prej këtij zanati mund të të humb vetëm nderi dhe fytyra. Mirëpo, janë këto kategori për të cilat nuk jemi mërzitur fort gjatë historisë. Së paku jo ç’prej vrasjes së Haxhi Zekës, në pikë të ditës dhe në mes të Pejës.
Megjithatë, të përshëndes, të uroj dhe të përkrahi në këtë punë, edhe pse i vetëdijshëm se bëhet fjalë për një përpjekje të pikëllueshme për t’ia dëftuar të vërtetën atyre që nuk duan ta dëgjojnë.
Këtë letër ta kam shkruar unë, Dukagjin Gorani. Jam gazetar e redaktor me profesion dhe momentalisht jam në Cardiff të Britanisë së Madhe duke kryer punim doktorate në temën “Sistemi Paralel dhe Shteti Imagjinar i Kosovës 1990-1998”. Jam i biri i prof. Hajrullah Goranit, ish-kryetar dhe themelues i BSPK-së dhe i ish-burgosur politik, i tradhëtuar nga bashkëqytetarët e tij dhe i dënuar nga gjykatës e porotë shqiptarë në Kosovë.
Të fala të përzemërta dhe urime për Festën e Flamurit,
Dukagjin Gorani
Cardiff University
Wales, UK. 19. 11. 2006

===========================

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura