Në 30 vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë!
PËRGJEGJËSIA E FUQIVE TË MËDHA PËR GJENOCIDIN NË SREBRENICË!
Nga Sheradin Berisha, më 12 korrik 2025
Nga fundi i verës i vitit 1995 administrata amerikane e nisi një qarkore ‘me vija fundore’, në të cilën saktësisht thuhej se duhet përgjigjur shtypit në lidhje me Srebrenicën. Ashtu që zyrtarët amerikanë duhet të thonë se as ata, e as OKB’ja, nuk e kanë ditur se serbët kanë planifikuar ta pushtojnë enklavën dhe se nuk kanë pasur informata për avancimet e trupave të serbëve boshnjakë. Për parashikueshmërinë e masakrës zyrtarët armerikanë duhet të përgjigjen:
“Nuk kemi pasur kurrfarë informatash për çfardo qëllimi që të kryheshin mizori kundër mbrojtësve myslimanë apo kundër popullsisë së Srebrenicës. E dinim se këso vepra nuk ishin të pamundura marrë parasysh historinë e gjenocidit dhe të spastrimit etnik në Ballkan.” (Florence Hartmann – Paqja dhe ndëshkimi, Koha, mars 2001, fq. 100; Power Samantha, “A problem from Hell, America and the Age of Genocide, Perennial, New York, 2003 – faqe 240).

Në të vërtetë Parisi, Londra dhe Washingtoni kishin informata të hollësishme për situatën në Srebrenicë me rrethinë, por nuk i ndërmorën masat e nevojshme që të parandalohej gjenocidi, i cili hap pas hapi po përgatitej para syve të tyre. Që më 1993 përfaqësuesit më analitikë ndërkombëtarë tashmë e kishin quajtur shtrëngimin e shtetrrethimit të enklavës (Srebrenicën – sh.b) si “gjenocid të ngadalshëm” apo “gjenocid i shkallëzuar”, situatë e cila tashmë e kishte obliguar Këshillin e Sigurimit që, disa javë më vonë, ta vendoste Srebrenicën dhe popullatën e saj nën mbrojtje të OKB-së.
Gjatë gjithë ofensivës së fundit kundër Srebrenicës prej 6 deri më 11 korrik 1995 Fuqitë e Mëdha nuk ndaleshin së thëni se forcat serbe, pavarësisht avancimit, nuk e kishin mendjen ta okuponin enklavën. Duke u shtirur të befasuar, ato, pa e lëvizur asnjë gisht, e lejuan Mladiçin të hynte në qytet më 11 korrik 1995, nga fillimi i pasdites. Më pas lejuan që burrat t’i ndanin nga popullata tjetër, duke mos i imponuar kushtet e evakuimit të dhunshëm, duke mos u përpjekur as të bëjnë mbikëqyrjen. (Florence Hartmann, po aty fq.226)
“Më kishin udhëzuar në fillim që t’i sakrifikoja Srebrenicën, Zhepën dhe Gorazhden dhe e ndieja se ishte e gabuar”, kishte deklaruar diplomati amerikan Richard Holbrooke në nëntor 2005, gjatë 10 vjetorit të marrëveshjes së Daytonit. (Richard Holbrooke, intervistë te rrjeti televiziv Hajat nga Sarajeva, emetuar më 19 nëntor 2005)
Një vit më vonë Holbrooke i tërheq fjalët, por faktet mbesin: “Srebrenica dhe enklava e vogël fqinje Zhepa, gjithashtu e populluar me refugjatë boshnjakë nga valët e para të spastrimit etnik, kurse iu dhanë serbëve në negociatat për paqen në nëntor të vitit 1995, kur realiteti i krimit tashmë ishte dëshmuar”.
“Në korrik 1995 derisa po ndodhte masakra në Srebrenicë me rrethinë, presidenti francezë Jacques Chirac, u përpoq t’i bindte partnerët e tij SHBA-në, Anglinë dhe Gjermaninë për të ndërhyrë ushtarakisht kundër forcave serbe, që të parandaloheshin masakrat, por në fund me insistimin e aleatëve dhe Sekretarit të Përgjithshëm të OKB’së Kofi Annan, u pajtua të mos vepronte dhe, për hir të paqes, me aleatët e saj i pranoi pasojat e gjenocidit në Srebrenicë.
Fuqitë e Mëdha lejuan që t’u imponohen kushtet e paqes dhe ua mundësuan atyre që i shprehën qëllimet e tyre gjenocidale që kështu t’ia dalin realizimit të planit të tyre. Fuqitë e Mëdha i shpërblyen në Dayton ata të cilët disa javë më parë sistematikisht dëbuan dhe mbytën popullatën myslimane të kësaj enklave, duke ua falë fushat e vdekjes, e më pas duke ua mundësuar që të vendosen aty sipas qejfit për ta ndërruar strukturën etnike përjetë. (Florence Hartmann, po aty fq.230)
Disa dëshmitarë ndërkombëtarë, sikur ishin Wesley Clark (Ueslli Klark), këshilltari ushtarak në ekipin negociator amerikan, gjenerali britanik, Rupert Smith, komandanti i “helmetkaltërve” në Bosnjë apo amerikani David Harland nga Departamenti i Ҫështjeve civile të OKB-së në Bosnjë, vërtetojnë se Milosheviçi ka qenë i informuar për qëllimin e liderit të sebëve të Bosnjës që të shkaktojë gjakderdhjen e madhje në Bosnjë.
Në një takim më 17 gusht 1995 në Beograd, Wesely Clark e kishte pyetur Milosheviçin, i cili posa po e bindte se ishte i autorizuar të negoconte për paqen në emër të serbëve të Bosnjës dhe të garantonte se marrëveshja eventuale do të respektohet: “Zoti kryetar (…) nëse keni gjithë këtë ndikim mbi serbët e Bosnjës (…) si u bë që e lejuat Mladiçin t’i vriste gjithë ata njerëz në Srebrenicë?” Kurse Milosheviçi u përgjigj: “Eh, gjeneral Clark, e këshillova të mos e bënte, por nuk më dëgjoi”. (Florence Hartmann, po aty fq.130)
Origjinalet e procesverbaleve të Këshillit Suprem të Mbrojtjes së Jugosllavisë (KSM-së) dhe Këshillit për koordinim politik, instancës që i mblidhte liderët serbë nga Bosnja dhe ata nga Beogradi, tregojnë se Millosheviçi kërkonte që shërbimet e tij për çdo ditë të informonin për situatën në Bosnjë dhe se dispononte linjë të posacme telefoni që, sa herë të donte, e lidhnin me Karadziçin dhe Mladiçin. Gjithashtu dëshmojnë se më 1995 Milosheviçi vazhdon ta përcjellë zhvillimin e situatës në Bosnjë, posaçërisht para, gjatë dhe pas masakrës në Srebrenicë, e që së paku një herë ta telefononte Mladiçin në këtë fazë. (Florence Hartmann, po aty fq.129 – 130)
Takimet e Këshillit Suprem të Mbrojtjes së Jugosllavisë KSMJ’së, pas masakrës në Srebrenicë dëshmojnë se Milosheviçi pajtohet me mizoritë. Në asnjë çast nuk e dënon gjakderdhjen. Përkundrazi, uron Mladiçin për suksesin ushtarak dhe për numrin e vogël humbjesh që kishte pësuar dhe e pranon se ka qenë në kontakt me Mladiçin gjatë sulmit në Srebrenicë dhe në Zhepa.
Sipas një hetuesi të Tribunalit (të Hagës – sh.b), i cili i kishte mbledhur dëshmitë e shumicës së diplomatëve dhe ushtarakëve që ishin rreshtuar në kabinetin e Milosheviçit në korrik të vitit 1995, Milosheviçi shihej si “i vetmi person, të cilit mund t’i qaset bashkësia ndërkombëtare për të kërkuar ndihmën dhe këshilla se si të ndikojë te serbët e Bosnjës”.
Diplomati suedez Carl Bildt, i cili është takuar me Milosheviçin më 14 korrik 1995, mu pas daljes së Mladiçit nga zyra e tij dhe derisa po vazhdonin masakrat në Srebrenicë, kujton: “Milosheviçi përpiqej të ndihmonte. Po të dinte Milosheviçi për krimet që po ndodhin, do të ishte i tmerruar, nuk mund të besoj se kishte qenë i përzier në atë masakër”. (Florence Hartmann, po aty fq.138)
Millosheviçi,… më 13 gusht 1995 nga Washingtoni mori konfirmimin se në tavolinën e bisedimeve enklavat Zhepa dhe Srebrenica do t’u takojnë serbëve, “me kusht që ta pranojë Bosnjën me kufijtë e vet shtetërorë”…. Më 25 gusht, vetëm një javë para hapjes se negociatave në Dayton, Milosheviçi shton: ” Nëse myslimanët e refuzojnë marrëveshjen e paqes, do t’u thuhet se mbesin të vetmuar me Shpatën e Damokleut mbi kokë, që e ka formën e gjeneral Mladiçit”. (Florence Hartmann, po aty fq.131)
Gjatë kohës së negociatave për paqen që mbaheshin prej 1 deri më 21 nëntor 1995 në bazën ushtarake amerikane në qytezën e Daytonit, në Ohaio (Ohajo), çështja e kriminelëve të luftës dhe arrestimit të tyre thjesht nuk u fut në rend të ditës. Madje, diplomatët amerikanë, evropianë e rusë që ishin në Dayton e karakterizuan këtë si deal-breaker, përkatësisht, çështje që mund t’i prish negociatat. (Florence Hartmann, po aty, 157)
Madje negociatorët ndërkombëtarë fillimisht shqyrtojnë mundësinë që në Dayton të ftojnë Radovan Karadziçin dhe Ratko Mladiçin. (fq 158) Marrëveshja e Daytonit u nënshkrua më 14 dhjetor 1995 në Paris, 60 mijë ushtarët e NATO-s, nga fillimi i vitit 1996 vendosen në Bosnjë e Hercegovinë (fq.162)
Pas Daytonit, Milosheviçi festonte një “arritje historike”. “E kemi gjysmën e Bosnjës! Republikën! Nga katër planet (e paqes, v.a), ky është më i miri për serbët. Ata i kanë të gjitha qytetet buzë Savës, tri qytete në brendi dhe gjithë luginën e Drinës, pos Gorazhdës. Këto janë pesëdhjetë qytete dhe 25 mijë km2! Do të duhet t’i çojmë prapa të gjithë refugjatët (serbë – v.a) që janë te ne, ashtu që të kenë njerëz me të cilët do të popullojnë territorin e tyre”, u deklaroj Milosheviçi anëtarëve të Këshillit Suprem të Mbrojtjes së Jugosllavisë – KSM’së më 6 dhjetor 1995 në Beograd.
(…)
(Një fragment i shkëputur nga studimi im)
_________
GJENOCIDI I PLANIFIKUAR NË SREBRENICË, MË 11 KORRIK 1995