DR.PARIM KOSOVA: SI E DOGJËN KRIMINELËT SERBË – MUZEUN E LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZRENIT, MË 27 MARS 1999?!

Pashtriku.org, 12 maj 2018: Pa hyrë në detaje mbi historikun dhe veprimtarinë e Organizatës politike dhe ushtarake – Lidhja Shqiptare e Prizrenit, është me rëndësi për opinionin që të thuhen fakte dhe prova, që për herë të parë publikohen, fakte që e argumentojnë, dëshmitarët okularë – djegien e Muzeut të LSHP’së, nga kriminelët serbë, më 27 mars 1999.
***
Për shumë vite Kompleksi Monumental i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ka qenë nën vrojtimin e punëtorëve të “sigurimit shtetëror” serb.
Fillimi i fushatës së bombardimeve të Aleancës Veriatlantike në caqet serbe dhe intensifikimi i sulmeve të UÇK-së mbi forcat e okupatorit kishin krijuar rrethana të reja në Kosovë. Në këtë kohë okupatori mobilizoi të gjitha efektivat e saja dhe i përqendroi në gjithë hapësirën e Kosovës sidomos rreth zonëskufire shqiptaro-shqiptare, se si ishte pasqyra reale e koncetrimit të forcave të okupatorit fletë më së miri situate e përqendrimit të këtyre forcave vrastare aso kohe në lagjen e Lidhjes Shqiptare në qytetin e Prizrenit.
Në këtë kohë (24 mars – 12 qershor 1999) forcat e ndryshme ushtarake dhe paraushtarake serbe u patën përqendruar në shumë pozicione rreth e përqark Kompleksit, duke filluar nga dalja e qytetit për Brezovicë në restorantet “34”, “Mulliri”, “Marashi”, ndërsa pranë Xhamisë së Maksut Pashës këto forca vendosën një shirit që ndalonte qarkullimin e qytetarëve për në Marash. Në këto punkte ishte e stacionuar policia ushtarake, dhe deri në fund të luftës UÇK-RSFJ ata edhe natën e kalonin aty. Në ndërtesën e Kuvendit Komunal aso kohe ishin të përqendruara forcat ushtarake dhe policore serbe. Punëtorët serb të Kuvendit Komunal kanë qenë të veshur me uniforma. Kryetari i Komunës dhe të gjithë inspektorët njëherësh ishin dhe anëtar të shtabit të krizës, ky shtab qendrën e kishte në ndërtesën e ish-komitetit si dhe një pjesë e shtabit selinë e kishte në objektin e Komunës.

Ndërtesa e Kuvendit Komunal dhe ajo e Lidhjes ruheshin prej rojeve të ushtrisë dhe më vonë nga policia me uniforma një ngjyrëshe dhe kamuflazh (lara-lara). Edhe në shumë objekte shoqërore dhe private kah qendra e qytetit ishin përqëndruar formacione të ndryshme të okupatorit. Faktikisht nga të gjitha anët Kompleksi Monumental i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ishte i rrethuar prej formacioneve të ndryshme të armatosura serbe. Aso kohe “qetësinë e natës” e prishnën vetëm aeroplanët e NATO-s dhe bombardimet e fuqishme mbi pozicionet serbe.
Ditën e nesërme të bombardimeve, përkatësisht më 25 mars 1999, në Kompleks vjen një ekip civilësh serbë të cilët e masin me përpikëri çdo kënd të objektit të Kompleksit.
Natën e tretë të bombardimeve, në orën 23.30 minuta, disa persona dalin prej veturës të tipit “Zastava 101” i hedhin tri bomba dore në kthinën e Recepcionit të Muzeut të Lidhjes ku, nga shpërthimet e këtyre bombave, dëmtohen muret e recepcionit dhe njëkohësisht edhe xhamat e dritareve të kësaj kthine. Atë natë bomba janë hedhur edhe në disa shtëpi të Prizrenit.
Të shtunën, më 27 mars 1999, mu para Muzeut të Lidhjes, kryetari i Kuvendit Komunal Lubisha Stevanoviç-Çançe, që ka pasur shifrën speciale Nr. 72-11, sipas dëshmitarëve i jep urdhër kriminelit të njohur edhe për Gjykatën e Hagës, anëtarit të organizatës terroriste ”Dora e zezë”- “Crna Ruka” Vukajlo Vuliç, me këto fjalë: “Ovo go…sutra da ne vidim” – këtë m… nesër të mos e shoh. (E ka pas fjalën për Muzeun e LSHP’së – vërejtja ime ).
Po atë natë, kur po dëgjoheshin detonimet e fuqishme të aeroplanëve të NATO’s mbi pozicionet serbe, rreth orës 20 e 50 minuta, kriminelët serbë me dy predha tromblloni, godasin katin përdhes të Muzeut. Në korridor filluan të digjen shkallët dhe orenditë në hollin hyrës. Pas pak kohe, zjarri ndalet. Shpirti i madh i kulturës dhe i historisë sonë kombëtarepo i bënte sfidë terrorit barbar serb.
Pasi dështimit të këtij akti barbar, kriminelët erdhën me autokomb të tipiti “IVECO” ngjyrë portokalli, me kulm të ngjyrosur me të bardhë, pa xhama dhe u vendosën në Kuvendin Komunal.
Këtë makinë e voziste Rade Ognjenoviç, një antishqiptar i tërbuar dhe ishte së bashku me Zoran Popoviçin, i ardhur nga Banja Lluka më 1995, Danijel Tasiçin etj. Rreth orës 22 e 35 minuta kur në atë kohë edhe qyteti nuk ka pasur energji elektrike, në restorantin “Marash” arriti një grup tjetër i paramilitarëve dhe i ushtarëve serbë, të cilët së bashku me grupet të cilat ishin vendosur aty dhe në pozicionet tjera, filluan të shtijnë në ajër, duke krijuar përshtypjen se janë duke gjuajtur njëri-tjetrin. Në këtë kohë autokombi IVECO ka filluar të lëvizë kah Kompleksi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe ndalet afër Kuvendit Komunal.
Pikërisht në ora 22 e 50 minuta agresiviteti i terroristëve serbë arriti kulmin. Brenda objektit u dëgjuan dy eksplodime të njëpasnjëshme, kurse eksplodimi i tretë ishte edhe më i fuqishëm dhe Muzeu, së bashku me eksponatet filloi të digjet.
– Banorët e kësaj lagjeje edhe sot i përkujtojnë me dhimbje të madhe ato momente rrëqethëse. Ata thonë: “…nuk u dogj vetëm një pjesë e historisë tonë por edhe një pjesë e shpirtit tonë… Me këtë akt barbar serbët deshën t’i zhdukin jo vetëm dokumentet dhe eksponatet e një pjesë të historisë brilante të Shqipërisë por edhe selinë e Shtetit të Parë Shqiptar të kohës moderne”.
Për kriminelët serbët aksioni ishte kryer me sukses, në objektin e Komunës krimineli Vule Vuletiç thotë në gjuhën serbishte “se rreziku kaloi…”!?
Në orën 2. 45 minuta të mëngjesit, nga kazerma, kriminelët me makinën e njëjtë “Iveco” sollën copa granate të NATO’s dhe ato i vendosën në hapësirën e Kompleksit dhe një në gërmadha të muzeut. Një orë më vonë, tre kriminelë serbë hodhën naftë me kova në objekt. Në mëngjes disa serbë fillojnë të gërmojnë gërmadhat e muzeut, duke shpresuar se mos rastësisht do të gjejnë diçka nga vlerat e historisë shqiptare.
– Në ora 9.00 (28 mars 1999) në Kompleks arritën rreth pesëmbëdhjetë veta, në mesin e të cilëve ka pasur edhe gazetarë të huaj. Po këtë ditë serbët plasuan lajme të rrejshme. TV Prizreni lajmëroi kinse “Muzeun e Lidhjes e ka goditur bomba e NATO-s, “në vendse ta godiste Kuvendin Komunal.
– Deri më 30 mars 1999 ka vazhduar të dilte tymi nga gërmadhat e Muzeut. Po këtë ditë, në mesditë, kriminelët me buldozer i shkatërruan në oborr të muzeut edhe simbolet e Shaip Spahiut, Sylejman Vokshit dhe Mic Sokolit. Në këtë kohë inspektori i urbanizmit i veshur me uniformë, Radislav Tanaskoviç-Zverka, urdhëroi buldozeristin që t’i rrënojë edhe shtatoret e Ymer Prizrenit dhe të Abdyl Frashërit. Po këtë ditë, me kamionë i transportuan gërmadhat e mbetura të Lidhjes në drejtim të fshatit Reçan.
– Nga mesi i muajit prill punëtorët serbë të lulishtes, në vendin e rrafshuar të Muzeut, mbollën fidanë, duke ëndërruar se edhe kjo pjesë shqiptare do ti aneksohej Serbisë, por pas dy muajve u dëshmua e kundërta, fitoi Ushtria Çlirimtare e Kosovës, fituan shqiptarët, fitoi drejtësia me ndihmën e Aleancës Veriatlantike.
Shtatoret dhe simbolet e personaliteteve të historisë sonë kombëtare pas luftës janë gjetur në oborrin e Auto-Motos së atëhershme. Shtatoret janë vendosur në Galerinë e Arteve figurative të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Pas Luftës, institucionet e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, duke e pasur parasysh vlerën e madhe historike dhe kombëtare të Kompleksit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, menjëherë u angazhuan dhe pas hartimit të projekteve u meremetua Galeria e Arteve Figurative, njëkohësisht me sukses u bë rekonstruksioni i Muzeut të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Për nder të 122-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, më 10 qershor 2000, u bë edhe rihapja e Muzeut Historik. Këtë ditë u përurua edhe biblioteka e shkatërruar e Kompleksit. Këtij “Feniksi” të shenjtë të kulturës sonë materiale dhe historike përsëri iu kthye shkëlqimi dhe do të vazhdojë të shkëlqejë gjithmonë. Këtë vend të shenjtë Shqiptare që nga pas lufta e vizituan rreth 1 milion vetë, në mesin e tyre dhe shumë ndërkombëtarë si dhe burrështetas dhe personalitete të shkencës të artit dhe të kulturës nga mbarë bota.
* * *
Më 25 korrik të vitit 2002 në Zyrën e Tribunalit të Hagës për Krime të Luftës në ish Jugosllavi në Prishtinë, kemi dorëzuar edhe akuzën ndaj 11 kriminelëve që e dogjën Muzeun e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, pos argumenteve të tjera Zyrës në fjalë i është dorëzuar edhe një kasetë e videos, në të cilën është incizuar largimi i gërmadhave të Muzeut me ekskavator më datën 30.03.1999. Për fat të keq, Gjykata e Tribunalit të Hagës për Krime të Luftës në ish Jugosllavi, edhe sot e kësaj dite nuk e ka trajtuar këtë aktakutzë, për t’i denuar këta barbarë të “mesjetës” moderne. Ndërkaq, Muzeu i LSHP’së ka ushtruar kallëzim penal në prokurorinë e Qarkut në Prizren, kundër Zoran Gariçit – ish-drejtorit të dhunshëm të Entit për Mbrojtjen e Përmendoreve Kulturore në Prizren.
– Autori është përgjegjës i Kompleksit Monumental të lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

———————–
Shtojcë e pashtriku.org
– Në 140 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kërkojmë nga Kuvendi Komunal i Prizrenit vendosjen e Shtatoreve të Ymer Prizrenit dhe Abdyl Frashërit në Oborrin e Kompleksit Monumental të LIDHJES! (kryeredaktori i pashtrikut, Sh.Berisha)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura