GJOKË DABAJ: GENOCIDI SËRBOMADH, NË VITIN 1921

Durrës, 22 Maj 2020: PJESË NGA LIBRI “GENOCIDI SËRBOMADH DHE QËNDRESA SHQIPTARE” I AUTORIT SHABAN BRAHA, Nr. 10
Viti 1921
“Në vitin 1921 shumë njerëz gjetën vdekjen nga përdorimi i drurit si mjet vrasjeje. Njerëzit që janë mbytur (vrarë) me dru: 15 vetë në katundin Banjë të Prizrenit, 5 vetë në katundin Cernallukë të Prizrenit, 10 vetë në katundin Ofzhevc të Vushtrrisë, 10 vetë në katundin Pallancë të Vushtrrisë e 10 vetë në katundin Bratje.” (f. 287)

“Brenda qytetit të Podujevës u vranë 28 vetë, u dogjën 50 shtëpi dhe u plaçkitën 55 të tjera.” (f. 287)
“Në fshatin Keqekollë (sërbët) vranë 490 meshkuj, u dogjën katër mëhallë dhe u plaçkitën pesë mëhallë. Në dy familje shpëtoi vetëm një vajzë në arkën e miellit. Në fshatin Prapashticë, nga më të përmendurit në luftërat për liri, sadistët terroristë masakruan 1020 vetë, dogjën 80 shtëpi, plaçkitën po aq. Në fshatin Shurban u vranë 31 vetë e u plaçkitën, pastaj u dogjën 28 shtëpi. Në Bjellopojë u vranë e u dogjën në zjarr 30 vetë e u dogjën 32 shtëpi. Në fshatin Nishec u masakruan 14 vetë e u dogjën disa shtëpi, i gjithë fshati u plaçkit. Në fshatin Gerdovs u vranë 25 vetë, kurse në Llupcin e Epërm u vranë 12 vetë.” (f. 287)
“Përditë po vriten fëmijët e pafajshëm e gratë dhe kjo punë po vazhdon.” (f. 288)
“Ka ndodhë dhe rasti që asht vra nana, e fëmija ka mbetë 24 orë në gji tue thithë, deri sa ka arritë patrulla tjetër që e ka therë edhe fëmijën me bajonetë dhe e ka hedhë në zjarr!” (f. 288)
“S’është fjala se vriten si myslimanë, por vriten si shqiptarë dhe pikërisht se janë shqiptarë.” (f. 288)
“Në rajonet e Prizren-Lumës janë vrarë fëmijë, gra e pleq, që nuk mundën të iknin… Fëmijët që u vranë, ishin të moshës 2-6 muajsh dhe 2-3vjeç. Ndërsa ndër gratë ka pasur shtatzëna që janë goditur nga barku, duke ua vrarë foshnjat në bark. Disa familje, me nga 24-25 persona, janë shuar.” (f. 288)
“Në fshatin Shurban afër Prishtinës kanë vrarë Rexhep Seferin 11 vjeç, Qazim Seferin 8 vjeç dhe nënën e tyre Hamiden, 50 vjeçe. Baftjar Bekulin 24 vjeç, nënën e tij Mihanen 60-vjeçe, të shoqen Hasimen 24-vjeçe dhe 2 fëmijët e tyre i kanë djegë në zjarr.” (f. 288)
“1921. Janë pushkatuar e grirë me bajoneta: Mustafë Ramadani 90 vjeç, Zylfi Kasemi 54 vjeç, e shoqja e Asllanit, Zarifja 50-vjeçare, e bija Havalja 15 vjeçe, e bija e dytë Nailja 10 vjeçe, Sherif Jashari 83 vjeç, Abdurrahman Mehmeti 50 vjeç e bijtë e tij, Selmani 4 vjeç e Bajrami 2 vjeç, e bija Gjylshani 14 vjeçe, e motra e Ramadanit, Adilja 51 vjeçe, e shoqja e Tahirit, Azemini 30 vjeçe, i biri Rexhepi 1 vjeç, Abdurrahman Shaqiri 7 vjeç, e ëma e Tahirit, Zenepi 64 vjeçe, e shoqja e Shahinit, Rabishja 29 vjeçe, kjo e fundit ka qenë shtazënë, ia kanë çarë barkun me bajonetë, i kanë nxjerrë fëmijën e gjallë e pastaj e kanë vrarë duke e përplasur përtokë. Të tjerët që të gjithë i kanë pushkatuar e grirë me bajoneta.” (f. 288-289)
“Sërbët, para luftës së përgjithshme, patën vrarë një fshatar në katundin Shurban dhe kishin ngelur e shoqja 40-vjeçare dhe dy vajzat, njëra 18 vjeçe e tjetra 16 vjeçe. Xhandarët sërbë përlyen e çnderuan këto dy vajza, i vranë bashkë me të ëmën dhe… me 31 vetë të familjes. Mbasi i masakruan, trupat e tyre i dogjën në zjarr.” (f. 289)
“Masakruar duke i shpuar me bajonetë: Musli Shahini 12 vjeç, Fazlia, e ëma e Ibishit 65 vjeçe, Fatimja, e shoqja e Ibishit 38 vjeçe, dy djemtë e tij, Rifati 12 vjeç, Xhemali 2 vjeç, e bija Feridja 4 vjeçe, e shoqja e Ramadanit, Emin’ja 20 vjeçe, e ëma e Sinanit, Qamilja 50 vjeçe, e shoqja e Sinanit, Fazlia 28 vjeçe, dy bijat, Harisahu e Mihan’ja, 12 e 10 vjeçe, e bija e Debres, Nazifja 22 vjeçe, djemtë e tij, Asllani 20 vjeç dhe Mustafa 12 vjeç.” (f. 289)
“Hashimi, djali 3-muajsh i Mehmetit, është përshkuar me bajonetë dhe është pjekur në hell e bërë qebap. Ivazi, i biri i Mehmetit, 20 vjeç, e shoqja e këtij, Rabishja 19 vjeçe, e ëma e Ivazit, Azizja 44 vjeçe, Abdullah Ibrahimi 55 vjeç, Abdurrahman Sadiku nga Prishtina 40 vjeç, baholl i katundit, e shoqja e Jasharit, Dinorja 38 vjeçe. Këta të gjorët, mbasi i kanë grirë me bajoneta, i kanë hedhur në zjarr dhe i kanë djegur.” (f. 289)
“Hatixhja, e shoqja e Nimanit, 43 vjeçe, Emin Dema 41 vjeç, Bajram Salihu 62 vjeç, janë vrarë me pushkë e therur me bajonetë. Arifja, e shoqja e Ramadanit 50 vjeçe. Kjo grua ka qenë martuar në katundin Tërnovë, ku ka pasur edhe fëmijë, ka pasë ardhur në Bellopojë, për t’i parë vëllezërit, xhandarët sërbë e kanë kapur dhe e kanë djegur në zjarr për së gjalli. Xhemal Matura dhe e shoqja me fëmijët, të përbërë prej 9 vetësh, janë pushkatuar të gjithë pa kursyer asnjë, deri edhe djalin e tyre 3-muajsh e kanë therur me bajonetë.” (f. 289-290)

Ilustrimet © Pashtriku.org

“Në katund (Në cilin katund? Gj. D.) kanë djegur 25 shtëpi dhe kanë plaçkitur 32 shtëpi. Në katundin Keqekollë, mbasi vranë imamin, Adem Efendinë 80 vjeç, vranë edhe dy vajzat e tija, katër gra dhe të birin, Muharremin, që u gjendën në shtëpi të tij, dhe djalin e Mustafës, që ishte krahinar i krahinës së Kalecit, si dhe njerëzit e familjes së tij të përbërë prej 10 vetësh. Ua plaçkitën pasuritë dhe ua dogjën shtëpitë.” (f. 290)
“Janë vrarë e masakruar Kajtaz Abdullahu bashkë me të shoqen e të 6 fëmijët e tyre. Në lagjen Sinanaj të katundit të Keqekollës janë djegur 5 shtëpi me 69 vetë, që kanë qenë brenda. Nga këta nuk ka shpëtuar asnjë. Lagjja Qurth, e përbërë prej 40 shtëpishë, është plaçkitur e djegur krejt dhe banorët e saj, 490 vetë, janë vrarë të gjithë. Ka mundur të shpëtojë vetëm Selim Rama me të shoqen.” (f. 290)
“Në katundin Prapashticë janë vrarë: Ibrahim Gavori me njrëzit e familjes së tij prerj 5 vetësh, Beqir Bajrami me njerëzit e familjes së tij prej 9 vetësh, 5 vetë nga njerëzit e Musa Jahjes, kurse vetë Musa Jahja bashkë me 3 djemtë e tij ka mundur të shpëtojë.” (f. 290)
“Në këtë katund (në Prapashticë? Gj. D.) janë plaçkitur e djegur 80 shtëpi dhe popullsia, gjihsej 1020 vetë, është masakruar e shfarosur krejt. Vetëm 9 vetë që kanë qëlluar në mal si barinj, kanë mundur të shptojnë. Në Prapashticë, kur kanë filluar t’i masakrojnë njerëzit e familjes Musa, një vajzë 8 vjeçe është fshehur në magje të miellit dhe mbas 7 orësh ka dalë e ka ikur në mal. Këtë vajzë e ka gjetur në mal Beqir Makofci dhe e ka pyetur pse ka ikur. Ajo i ka thënë se sërbët ia kanë masakruar babën, nënën, vëllezërit e motrat dhe nga 15 pjesëtarët e familjes, vetëm kjo kishte shpëtuar.” (f. 290) (Shih edhe faqen 287, Gj. D.)
“Në Urlan, me përdhunë ua kanë ndërruar fenë Halit Selatinit e Hamit Selatinit, dhe, për shkak se ata nuk kanë pranuar, i kanë vrarë të dy, bashkë me gratë dhe fëmijët, dhe ua kanë plaçkitur krejt pasurinë. Kanë vrarë edhe Ramadan Dibranin me 6 djemtë, 3 vajzat dhe të shoqen. Në Katundin Kushovicë është masakruar Sherif Uka me gjithë familje, ndërsa një plakë e kanë djegur në zjarr bashkë me 9 fëmijët e nipërit e saj.” (f. 290)
“Në Gërdafc, vetëm në familjen e Veli Gallës dhe Baftjar Hysenit u masakruan 25 vetë.” (f. 291)
“Faktet flasin se është vepruar me egërsi të veçantë. Vajza Meliha Nuho Osmani e fshatit Popovë, e moshës 8-vjeçare, masakrohej deri sa t’i shpohej koka me bajonetë dhe t’i kullonin trutë!!! Gruan Refije Rustemi në fshatin Lapcë e Epërme, pasi e kanë lidhur për dy këmbësh, i kanë çarë barkun dhe i kanë nxjerrë fëmijën e ia kanë vrarë. Këtë grua e kanë shtruar në spitalin e Kryqit të Kuq Amerikan, ku ka vdekur. Më tej vihet në pah vandalizmi prej përdhunuesish, ku theksohet se sërbët që kanë hyrë në shtëpinë e Hajdar Rushitit, kanë dhunuar nderin…” (f. 291)
* * *
“Një raport që ndodhet në dosjen e këtij viti (viti 1921, Gj.D.) në arkivin qendror të shtetit (në Republikën e Shqipërisë, Gj. D.), jepen disa shifra që ia vlen të (sillen këtu) pjesërisht, edhe pse nuk shënohen datat. Sipas asaj dosjeje: në Prizren-Lumë rezultojnë 956 vetë të mbytur e të vrarë, në Vushtrri 2394 vetë të mbytur e të vrarë dhe 2940 të burgosur, në Prishtinë 4950 të mbytur e të plagosur dhe 3650 të burgosur, në Ferizaj 1885 të mbytur e të vrarë dhe 2400 të burgosur, në Gjilan 900 të mbytur e të vrarë dhe 2400 të burgosur, në Preshevë 350 të mbytur e të vrarë dhe 970 të burgosur, në Plavë e Guci 1810 të mbytur e të vrarë dhe 300 të burgosur, në Pejë 1840 të mbytur e të vrarë e 3800 të burgosur… Del se vetëm në 11 rrethet, Prizren, Pejë, Prishtinë, Vushtrri, Ferizaj, Mitrovicë, Gjakovë, Kaçanik, Gjilan, Preshevë dhe Plavë-Guci, 15676 shqiptarë janë mbytur e masakruar, 22660 vetë janë burgosur.” (f. 291)
* * *
“Më 6 gusht 1921 njoftohej… se komita “Dora e Zezë” (Crna Ruka, Gj. D.), bashkë me ushtrinë sërbe, ka djegë ndër qarqet e Pejës e të Gjakovës 300 shtëpi trekatëshe e mbytë më tepër se 350 persona. Ka plaçkitur krejt 1000 shtëpi dhe e ka transportuar mallin e plaçkitur me qindra qerre. Ka grabitur deri në 12000 bagëti të trasha e të imëta, dhe kuaj. Në Kaliçan, Broberdë, Lukovë, Studenicë, Vrellë, Lubozhdë, u dogjën 173 shtëpi dhe u plaçkitën 343 të tjera. Në Bornë vranë vajzën e Met Ibrahimit, 10 vjeçe. Në këtë ngjarje u vranë 12 burra dhe një djalë e 3 u plagosën. Në Jabllanicë, në Lug të Beranit, në Gllogjan, Çallapek, Isniq, Beran, Krushevc, u masakruan 94 vetë, përveç djeg’jevet e plaçkitjevet. Mosha mesatare e të vrarëvet ishte 30 vjeç, fillonte 20 vjeç e mbaronte te plaku 90-vjeçar Selim Hoxha i Jabllanicës (Pejë). Siç njoftohej qysh më 14 mars 1921, në rajonin e Pejës ndër të masakruarit janë 200 djem, fëmijë të moshës deri 10 vjeç, 340 gra dhe të reja, 270 pleq, 70 prej tyre të mbytur nga rrahja me dru. Në Plavë e Guci janë mbytur 26 fëmijë në barqe të gravet.” (f. 291-292)
“Ky genocid shtrihej tej e më tej trevës shqiptare të Vardarit. Vetëm në 17 fshatra të Gostivarit njëherësh u masakruan 408 vetë, ndër të cilët 31 u dogjën, 79 ishin gra dhe 5 fëmijë. Në fshatin Gjeshovicë u vranë 9 burra dhe u dogjën 13 të tjerë e 7 gra. Në Kalisht u vranë 43 vetë.” (f. 292)
“Rrënimi i shtëpivet ndihej kudo. Veçanërisht ndihej në fshatrat e Gjakovës e të Përdrinit. Siç njoftohej nga Gjakova, ishin rrënuar fshatrat me 15000 banorë dhe se para 35 ditësh ishin djegur: Rostavca, Hereçi, Dujaka, Gramaçeli dhe Gjergjeviku në krahinën e Gjakovës, ndërsa Podguri në krahinën e Pejës” (f. 292)
“Një forcë sërbe më 2 korrik 1921 filloi veprimet e saj mizorë duke vrarë 27 vetë në bjeshkën e Isniqit, ndër të cilët 7 burra të Osë Dautit, 3 të shtëpisë së Tahir Sylës dhe plaçkitën 7000 dele e 3000 lopë e qe. Në bjeshkën e Përlepit, Babajt, Belegut, Junikut, Carabregut, u vranë: Pajazit Bajrami, Rustem Latifi, Hasan Zyberi, Misin Muzliu, Idriz Brahimi, Bajram Hamza. Me këtë rast plaçkitën 10 familje, morën 4500 dele e 200 lopë, plaçkitën ç’gjetën dhe u vunë zjarrin stanevet, në këto ditë korriku.” (f. 293-294)
“Lista e të masakruarvet pason me 131 emra, ndër ta, në Isniq 5 vëllezër, midis tyre Ademi me djemtë, Sadriun, Aliun, Osën e 3(tri) gra. Vetëm në Isniq janë 22, përfshirë edhe 3(tre) fëmijë dhjetëvjeçarë e 3(tri) gra. Në Vitak 12, ndër ta 2 fëmijë 5 e 7 vjeç e 2 pleq 100-vjeçarë: Ramë Beka e Mehmet Rama. Në Jabllanicë vranë 39 vetë.” (f. 294)
“Sipas lajmevet të 7 korrikut (1921), një forcë ushtarake e organizueme nga “Dora e Zezë” (“Crna Ruka”) sërbe, qarkon katundin Jabllanicë tue djegë e masakrue 60 vetë. Të tretën ditë në katundin Raushiq bashkohet me një fuqi të ardhun nga Peja, tuj djegun e masakrue fëmijë, pleq, gra e burra, tuj grabitë gjithë pasuninë e katundevet: Lubeniq, Strellc, Isniq, Prapaçan, Deçan, Carabreg, Shigaj e Poshtme dhe e Epërme, Beleg, Lug-Beran.” (f. 294)
”Rreth prillit 1921, Shoqata e Vilajetit të Kosovës e njoftonte Lidhjen e Kombevet… se nga shovinistët sërbë u vranë 12371 shqiptarë, u burgosën 20000 vetë dhe 625 vetë u torturuan, ku duket se është fjala për të mbyturit në tortura.” (f. 294)
“U vunë në veprim kolonët e vjetër dhe të rinj sërbë, të cilëvet Ceroviqi tani u dha edhe 1500 armë të tjera, pikërisht për të luftuar kundër lëvizjes kaçake shqiptare. Tanimë, popullsia sllave e armatosur, jo vetëm se i mban armët (në sup) natën e ditën, por plaçkit shqiptarët dhe bën dhunime të tjerë. Në themel të jetës së tyre kishin: Vra e shtyp të tjerët, që të jetosh! Parullë e ditës ishte: Vra e përze shqiptarë, që të jetojnë 5 sërbë të qetë! Dhe: S’ka më Kosovë, ka vetëm Sërbi! Rroftë Sërbia pa shqiptarë! Deri edhe: Rroftë Sërbia pa Shqipëri!” (f. 294)
“Çetat shqiptare qenë të detyruara t’u jepnin plumbin: Mirosavljeviqit, Arso Peroviqit, Aleksandër Ajdanit etj, terroristë kolonë, por jo gravet dhe fëmijëvet sërbë. Lëvizja e armatosur shqiptare numëronte rreth 3000 luftëtarë, ata vepronin në Strugë me prijës Abdullah Bojkun nga Bjelicë-Kalishti, në Plavë-Gici me prijës Amir dhe Medo Zeron, Ujkan Ismailin e Agan Kajën me shokë, kështu deri në krahinën e Jabllanicës e atë të Kosanicës, të Sanxhakut, të Gollakut etj. Qëndresa kish karakter gjithnjë e më të mprehtë politik anembanë visevet në robëri. Edhe burimet sërbë vënë në dukje se çetat shqiptare kanë filluar të bëjnë luftë të pastër nacionale.” (f. 294-295)
“Në Moravën shqiptare dhe në trevën shqiptare të Vardarit udhëhiqnin prijës luftarakë me përvojë si Idriz Seferi, Ramë Abdyl Pozherani, Islam Pira, Tahir Budrika. Ata, si gjithnjë, qëndronin e vepronin në shtratin dhe në jatakët e patundur të Bujanocit, Preshevës, Kumanovës, Karadakut, Gollakut.” (f. 295)
* * *
Në Fjalorin enciklopedik shqiptar, botim i vitit 1985, janë shënuar disa masakra të ndodhura në vendin tonë: Masakra e Manastirit e vitit 1830, me rreth 1000 viktima, Masakra e Borovës e vitit 1943, me 107 viktima, Masakra e shkurtit në Tiranë e vitit 1944, me 84 viktima. Sigurisht që të tria këto masakra ishin dhe janë për t’u shënuar. Por, këto që po shikojmë këtu, janë shumëfish më të domosdoshme për t’u pasqyruar në të gjitha enciklopeditë që botohen në gjuhën shqipe.
Jo vetëm historiografia shqiptare dhe veçanërisht fjalorët historiko-kulturorë gjithpërfshirës, duhet t’i pasyrojnë të këtilla mynxyra të pakonceptueshme, por edhe fjalorët e kësaj kategorie, të Sërbisë e të Malit të Zi. Nëse inteligjenca e atyre kombeve dëshiron që kombet e tyre të njohin farë zhvillimi human, ajo duhet t’i shënojë në vende të dukshëm këto vepra të dënueshme të paraardhësvet të vet.
Gjermanët, në historiografinë e tyre, sado me hezitime, e pasqyrojnë, në historiografinë e vet, holokaustin mbi popullatën hebreje. Gjermanët shkruajnë me sens vetqortues edhe për Mat’hauzenin, Dakaun, Aushvicin.
Plojat, kërditë, gjakderdhjet, që i kanë shkaktuar sërbët dhe malazezët, por edhe sllavomaqedonët e grekët, fqinjit të tyre, kombit shqiptar, nuk janë aspak “më të buta” se genocidi hitlerian ndaj hebrenjvet. Prandaj dhe nuk mund të ketë marrëdhënie normale fqinjësore midis nesh, pa i njohur e pranuar, edhe këta, publikisht, mynxyrat që të parët e këtyre i kanë shkaktuar kombit shqiptar. Nëse nuk janë kriminelë edhe këta (sërbë, malazezë apo grekë), si ajo pjesë e të parëvet të vet, këta duhet të prononcohen kundër atyre krimeve. Madje, me plot gojën dhe me sens të thellë keqardhjeje! Përndryshe, nuk mund të kemi fqinjësi të qëndrueshme.
Prandaj dhe është e domosdoshme që, krejt opinioni e shëndetshëm shqiptar, të ngulë këmbë që këto çështje të bëhen, pa tjetër, edhe pjesë e bisedimevet të sotëm midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Sërbisë.
Gjokë Dabaj, Durrës – 19 Maj 2020
Ilustrimet © Pashtriku.org
___________________
GJOKË DABAJ: NGA SËRBIA DUHET TË RUHEMI! E VËRTETA MBI GJENOCIDIN SERB NË SHQIPËRI, 1912 – 1915
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=9978
***
GJOKË DABAJ: SËRBIA E KA VRARË EDHE EKONOMINË E SHQIPËRISË!
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=9991
***
GOKË DABAJ: SËRBËT E SOTËM, A E DINË Ç‘I KA BËRË SËRBIA SHQIPËRISË?
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=10000
***
GJOKË DABAJ: GENOCIDI SËRBOMADH NË SANXHAKUN E NISHIT, 1878 – 1879
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=10002
***
GJOKË DABAJ: ‘GENOCIDI SËRBOMADH…’, 1878 – 1886
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=10003
***
GJOKË DABAJ: GENOCIDI SËRBOMADH, TETOR -NËNTOR 1912!
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=10009
***
GJOKË DABAJ: GENOCIDI SËRBOMADH, NË VITIN 1913
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=10017
***
GJOKË DABAJ: GERNOCIDI SËRBOMADH, NË VITIN 1914
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=10021
***
GJOKË DABAJ: GENOCIDI SËRBOMADH, NË VITIN 1918!
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=10026
***
GJOKË DABAJ: GENOCIDI SËRBOMADH, NË VITIN 1919
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=10039
***
GJOKË DABAJ: GENOCIDI SËRBOMADH, NË VITIN 1920
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=10042
 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura