FEDERATA E SHOQËRISË CIVILE SHQIPTARE “ARBËRIA”

KONCEPT DOKUMENT
FEDERATA E SHOQËRISË CIVILE SHQIPTARE “ARBËRIA”
Shtëpia e Marrëveshjes Shqiptare

PËR IDENTITET DHE BASHKIM KOMBËTAR
(ME DIJE ● ME SOLIDARITET ● ME ATDHEDASHURI)

Duke i parë rrethanat, pasojat dhe trendët e dy dekadave të para të shekullit XXI dhe, sidomos, duke e parë mospërmbushjen dhe anashkalimin e vazhdueshëm të shumë aspiratave kombëtare, duam të mblidhemi dhe ta parandalojmë çdo zhbërje të mëtejshme të identitetit shqiptar. E konsiderojmë të domosdoshme që shoqëria civile shqiptare të bashkohet me qëllim që të merret me zemër e me shpirt për zhvillimin dhe mbrojtjen e gjuhës, kulturës, historisë, trashëgimisë, artit, shkencës dhe identitetit kombëtar shqiptar. Ky bashkim do të bëhet në formën solemne “Me Besa – Besë Shqiptare” të një Kuvendi të Themeluesve të Federatës “Arbëria”.

  1. Federata do të jetë organizatë e shoqërisë civile. Themeluesit e federatës do të jenë shoqatat e shoqërisë civile dhe individë me kontribute të veçanta në ruajtjen e unitetit kombëtar, si dhe në ripërtëritjen e trashëgimisë historike dhe kulturore shqiptare.
  2. Themeluesit e Federatës do të jenë ata që, së pari, kanë kontribute domethënëse nga të gjitha hapësirat etnike shqiptare, individë apo organizata (gurët e mëdhenj në themel të ndërtesës), pastaj edhe të tjerët pas tyre. “Arbëria” mban filozofinë dhe frymën të cilat nuk përkufizohen se kundër kujt është, POR PËR ATË SE ÇKA ËSHTË. Duam të ndërtojmë së bashku Shtëpinë e Marrëveshjes Shqiptare për shkak të rritjes së përçarjeve dhe ndarjeve të shumta, të shtyra edhe nga armiqtë e popullit tonë.
  3. Federata do të jetë shtëpia e bashkërendimit të ideve, e nismave dhe e projekteve që kanë të bëjnë me çështje të rëndësisë jetike për të ardhmen e identitetit shqiptar. Federata “Arbëria”, përmes shoqërisë civile dhe individëve të veçantë nga të gjitha viset etnike shqiptare, do të na organizojë, do të na bashkojë, do të na afrojë me njëri-tjetrin në të gjitha veprimtaritë që kontribuojnë për solidaritet, identitet dhe bashkim.
  4. Të gjitha organizatat që bashkohen do ta ruajnë autonominë e tyre. Në Federatë bashkohen për të fuqizuar veprimtarinë e tyre dhe për të zhvilluar projekte të mëdha të përbashkëta, edhe brenda Federatës si trupa më e madhe civile mbarëkombëtare.
  5. Federata do të bëhet nyja dhe ura e bashkimit e të gjithë atyre që duan t’i kontribuojnë bashkimit dhe ruajtjes së identitetit shqiptar në mënyra e forma sa tradicionale, po aq edhe bashkëkohore; sa përmes kulturës, po aq edhe sporteve; sa përmes shkencës, po aq edhe përmes angazhimit civil për mirëqenien dhe dinjitetin e kombit tonë dhe kulturës së tij.
  6. Federata do të angazhohet që t’i zvogëlojë aktivisht dhe strategjikisht distancat mes nesh si vëllezër e motra arbërore kudo që jemi dhe ta relativizojë efektin e kufijve ndërshqiptarë. Prandaj angazhohemi për integrim kulturor, hapësinor, shkencor e shpirtëror si etni shqiptare në Ballkan dhe kudo ku janë shqiptarët.
  7. Federata do të angazhohet që vlerat kombëtare të bëhen pjesë e jetës së përditshme të shqiptarëve kudo në trojet e tyre etnike, shembull si Flaka e Janarit, Një Ditë e Dëshmorëve (28 Nëntori apo 17 Janari) etj.
  8. Federata e shoqërisë civile shqiptare do të kultivojë edukatën dhe gjuhën e bashkimit, duke shmangur gjuhën e përçarjes prej secilës sferë shoqërore. Federata synon që kombi ynë të bëhet “SHTËPIA E MARRËVESHJES SHQIPTARE” (Gjokë Dabaj, “Fjalëmira shqiptare”).
  9. Përkushtimi dhe pjesëmarrja në Federatë, para së gjithash, duhet të dëshmohen me shembullin personal të THEMELUESVE, me atdhedashurinë, integritetin dhe dinjitetin. MBI TË GJITHA, me vullnetin për bashkim rreth gjithë asaj që e bën identitetin shqiptar: gjuhën, kulturën, artin, shkencën, natyrën, historinë, traditat dhe gjeografinë shqiptare.
  10. Elita shqiptare në shekullin e lirisë duhet të ndërtojë ura që i bashkëngjitin dallimet dhe kufijtë shpirtërorë, kulturorë e nacionalë mes nesh; prandaj Federata do të jetë vetëm njëra nga rrugët e ruajtjes së unitetit shpirtëror të shqiptarëve.
  11. Federata do të avokojë për frymën e bashkimit dhe do të angazhohet që sa më shpejt të kemi sa më shumë institucione unike shqiptare në disa fusha (Shkencat Albanologjike, Instituti i Mërgatës, Tifozët Kuq e Zi etj.). Ruajtja dhe kultivimi i trashëgimisë shpirtërore shqiptare: familja ndihmon familjen, strehimi i hebrenjve, besa, mikpritja, familja, kthimi i diasporës etj.
  12. Programi i Federatës, në një bashkëbisedim të gjerë, do të parasheh mënyrat dhe rrugët për mbrojtjen e vlerave dhe integrimin shpirtëror si përkushtim i domosdoshëm për bashkëpunim dhe bashkërendim me të gjithë faktorët shqiptarë dhe me ngritjen e institucioneve të përbashkëta shqiptare.

Grupi i Punës Nismëtare:

  1. Bejtush Isufi
  2. Sadri Ramabaja
  3. Hysen Geci
  4. Femi Cakolli

5 mars 2026, Prishtinë

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura